Gazeta Nacional Albania

Prof. Dr. Evalda PACI: LIBRI STUDIMOR I PROF. DR.GJOVALIN SHKURTAJT: “KËNGA SI MJET PËR RUAJTJEN E SHQIPES NË SHEKUJ”

Libri përmbledh kumtesa, artikuj problemorë dhe recensione dhe është botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë, 2022

“Lënda e pasur dhe e plotë e sjellë në këtë përmbledhje studimore përbën një bazë të mirë burimore për të ndërtuar përqasje, për t’u thelluar në analiza e interpretime përmbajtësore, por dhe për të kërkuar më tej në të njëjtën perspektivë gjurmimesh, duke qenë tashmë e shtjelluar gjithë hapësira etnokulturore e krijimeve të kësaj natyre”.

Përmbledhja me kontribute studimore e prof.dr.Gjovalin Shkurtajt, me titull Kënga si mjet për ruajtjen e shqipes në shekuj (kumtesa, artikuj problemorë dhe recensione), dallon për një përzgjedhje të arsyetuar trajtesash që shihet qartë që kanë qenë në orientimet e hulumtimeve të autorit prej shumë vitesh e madje, dhe bashkëshoqëruese në linjat themelore të gjurmimeve shumëdimensionale të tij.
Vetë strukturimi i lëndës së përzgjedhur nga autori, jep mundësi të mund të ndiqet një ecuri në pikëpamje tematike dhe argumentesh, ndërkohë që dhe në pikëpamje metodologjike, duhet vlerësuar fakti që në këto trajtesa i jepet një vend i merituar traditës paraprijëse studimore, që dhe sot e kësaj dite përbën një prijës të qartë për kërkime të mëtejme në lidhje me eposin, këngët e kreshnikëve në veçanti, si dhe me vendin që u duhet dhënë në punime studimore që kërkojnë të përfshijnë gjerësisht trashëgiminë kulturore të popullit tonë.1
Është pikërisht evokimi i një traditë të gjerë studimore, që përfshin një areal gjeografik mjaft të shtrirë, që vihet në evidencë nga prof.Shkurtaj, bashkë me emra kontribuesish që përafrohen mes tyre në objektivat e studimit e të vlerësimit të një pasurie të çmuar siç është eposi i kreshnikëve. Kontribute konkrete janë shënuar dhe në dekadat e fundit nga institucione shkencore të kërkimit mbi letërsinë popullore e një fakt i tillë është evidentuar posaçërisht në trajtesat e profesorit tonë, i orientuar ndaj nënvizimit të rëndësisë së një trashëgimie me të cilën dhe kultura shqiptare përfaqësohet denjësisht, ashtu si dhe të tjera gjegjëse krenohen me poema epike që u kanë rezistuar kohëve e shekujve, duke u transmetuar në gjenerata, por dhe në gjuhë të ndryshme, fakt që ka përforcuar së tepërmi dhe traditën e studimit të teksteve të kësaj ndarjeje të rëndësishme konceptore letrare e etnogjuhësore. E gjejmë fort me vend krahasimin me tradita të ngjashme, që evokojnë heroicitetin e personazheve tipike në letërsitë më të hershme, të transmetuara në krye të herës në mediume të veçanta, për t’u konkretizuar më tej në tekste jo vetëm të kënduara, por dhe të shkruara.

1 Shih në veçanti Shkurtaj Gj., Parathënie, në Kënga si mjet për ruajtjen e shqipes në shekuj, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2022, f.9: Ideja kryesore dhe synimet e këtij libri lidhen me një mëtim të thjeshtë, por besojmë të rëndësishëm e me vlerë kombëtare: me pohimin dhe nxjerrjen në pah të vlerave etnokulturore të shqiptarëve, të pranisë së tyre të hershme në Evropë dhe të rolit të tyre kulturëbërës në mjedisin lashtoevropian dhe botëror të sotëm, duke u nisur nga pasuria ligjërimore e mishëruar edhe në krijimtarinë gojore të tij, sidomos në këngët popullore.

Kjo qasje ndaj eposit, që përbën një linjë veçanërisht të studiuar nga prof.Shkurtaj, rinënvizon rëndësinë e përurimit të disiplinave të reja studimore në albanologji, të lidhura ngushtë me traditën e gjurmimeve albanologjike, por dhe me një vështrim të orientuar ndaj etnolinguistikës e vëzhgimeve përkatëse që lidhen me të. E kush më mirë se një njohës i sprovuar i pasurisë dialektore të shqipes, i përkushtuar për shumë vite ndaj mbledhjes së saj në gurrat e burimet më të pastra, do ta trajtonte një tematikë të tillë, që fatmirësisht po paraqet një urë ndërlidhëse mes disiplinave më autentike të dijes së albanologjisë?
Dhe për një gjurmues të të dhënave dialektore të gjuhës sonë, qëmtuar në nënsisteme, por dhe në shfaqjet më tipike të saj, në krahina e zona që kanë ruajtur thesare të të folmeve shqipe, eposi paraqet një argument ndërdisiplinor hulumtimi, për një sërë arsyesh, por dhe për faktin se përmes këngëve të tij kanë mbijetuar emra të përveçëm, emërtime hidronimesh, toponimesh, oronimesh e kështu me radhë. Një sërë regjistrash të posaçëm rijetojnë përmes mbledhjes, por dhe vëzhgimit të këtyre këngëve, që në pikëpamje gjinore, letrare e gjuhësore janë të përveçme në llojin e tyre, bashkë me faktin që janë transmetuar përmes gojëtarësh, këngëtarësh, instrumentistësh që janë të përveçëm në çdo komb e vend që i ka këto të fundit.
I ndihmuar pikërisht nga njohja nga afër e një konteksti që me eposin, këngët e kreshnikëve, burimet e posaçme popullore në të cilat ka jetuar një pjesë e konsiderueshme e frazelogjisë që përjetësohet në këto krijime, autori shtjellon në një perspektivë interesante shprehje, sintagma, ndërtime që me të drejtë mund të konsiderohen pjesë e një trashëgimie komplekse kulturore. Janë ndërthurur natyrshëm shtjellimet mbi frazeologjizmat me mbresa a kujtime origjinale, me domethënie të veçantë, në të cilat ndërmendja e elementeve tipike gjuhësore dëshmon sa i gjallë ishte eposi në format mendore të njohësve e transmetuesve të tij. Dhe pse paraqiten si kumtesa, apo artikuj problemorë për gjuhën e eposit dhe të këngëve shqiptare, këto trajtesa sot mund të shërbejnë mirëfilli si ligjërata në kurse universitare dhe pasuniversitare që duhet të nxiten nga prioritetet e disiplinave që duke përforcuar traditën, na shfaqen me emërtesa prej kohësh të nevojshme në studimet tona specialistike. Mjaft të ndalemi në paragrafe të veçanta të ndërtuara me kujdes nga syri e mendja e sociolinguistit që dallon e veçon ndër dialekte e të folme, në këngë të veçanta aspekte të një psikeje të ngulitur prej shumë kohësh, në të cilat dallohen forma mendore që lidhen me gjininë, karakteret, psikologjinë krahinore etj. Përkufizimet, por dhe tiparet që nuk janë thjesht e vetëm të një përkatësie gjuhësore kanë funksion përmbyllës për trajtesa të caktuara, por janë kategorizuese për dukuri që gjuha thjesht i vë në pah duke bërë të shtjellohen të tjera karakteristika të rëndësishme për kulturën tonë në shekuj.

Këngët me burim popullor, aq më tepër të lidhura me momente të rëndësishme të paraprirjes së shtetformimit në vendin tonë janë ndërkohë dhe përmendore ngjarjesh e përjetimesh me rëndësi për kujtesën popullore e historike. Analizat e thelluara të këtyre momenteve u paraprijnë në vepër evidentimit të vetë teksteve të kënduara, ndërkohë që dhe sjellja e tyre në përbërje të këtij vëllimi rievokon rëndësinë e rrethanave që mbartin një peshë të pamohueshme historike. Të njëjtat ngjarje e zhvillime, e njëjta periudhë, në thelb e ngushtë në shtrirje kohore, qe bërë objekt dhe në krijimet më të hershme të Atë Gjergj Fishtës O.F.M., bashkë me përjetësimin në këto të fundit të të njëjtave figura që u bënë pjesë e pandarë e historikut të dekadave që lidhen me inicimin e shtetformimit shqiptar.
Autori ka vënë në dukje dhe çështje të kategorizimit gjinor të këngëve që ka mundur të njohë dhe evidentojë dhe në proces përvojash individuale apo projektesh më të gjera, duke i bërë këto të fundit dhe subjekte vëzhgimesh gjuhësore dhe etnogjuhësore.2
Duke qenë në pikënisje një përmbledhje kontributesh e trajtesash që të përbashkuara nga një fill i përcaktuar tematik priren të reflektojnë dhe disa qasje të autorit ndaj një lënde që ofron në mënyrë të pashterruar argumente, elemente hulumtimi e analize të thelluar, një vepër e orientuar ndaj nënvizimit të vlerave shumëdimensionale të këngëve të eposit do të mund t’u shërbejë studiuesve e studentëve, por çka ka vërtet rëndësi për ne, do të jetojë gjatë në kujtesën e kontributeve me prirje kah albanologjia.
Autori ka përmbushur kësisoj një mision që i përket, duke qenë që në fillimet e veprimtarisë së tij kërkimore, shkencore dhe didaktike i përkushtuar ndaj mbledhjes dhe ruajtjes së vlerave të pasurisë gjuhësore në gjuhën shqipe, e reflektuar dhe në këngët popullore dhe në eposin e kreshnikëve.
Lënda e pasur dhe e plotë e sjellë në këtë përmbledhje studimore përbën një bazë të mirë burimore për të ndërtuar përqasje, për t’u thelluar në analiza e interpretime përmbajtësore, por dhe për të kërkuar më tej në të njëjtën perspektivë gjurmimesh, duke qenë tashmë e shtjelluar gjithë hapësira etnokulturore e krijimeve të kësaj natyre.
Më se e domosdoshme paraqitet në vështrimin tonë një parashtresë sa e thukët, aq dhe e argumentuar nga ana e autorit mbi hapësirat studimore që kanë ofruar për shumë kultura e në veçanti për tonën studimet ndërdisiplinore, të përuruara hershëm që në vitet ‘30 të shekullit të kaluar me sprovat e Eqrem Çabejt, pikërisht në

2 Shih në veçanti kreun me titull “Këngët e buta”, në Kënga si mjet për ruajtjen e shqipes në shekuj, Tiranë, 2022, f.86-89, bashkë me shembujt përkatës ku përmenden jo vetëm emra të përveçëm, por dhe forma-klishe që lidhen me ndërtimin e këngëve të caktuara, kryesisht celebrative.

një periudhë domethënëse për përvijimin e etnokulturës sonë në pikëpamje disipline.
Vetë autori, Gjovalin Shkurtaj gjindet i përfaqësuar në këtë vështrim, që do të konkretizohet në një numër të konsiderueshëm trajtesash që përbëjnë dhe lëndën e kësaj vepre.
Pjesë të caktuara të kësaj përmbledhjeje ofrohen si lektyra të këndshme që dëshmojnë një pasuri të dhënash mbi rite, zakone, veçori zakonore të krahinave të caktuara, si shfaqje të veçanta të kulturës së martesës, apo të marrëdhënieve shoqërore. Detaje e elemente të përveçme të ritualeve të caktuara gjinden në këto sythe të veprës, duke përmbushur dimensionin etnokulturor të saj.
Çka mbetet me rëndësi për t’u rivënë në dukje, është fakti që studiues të disa disiplinave gjinden të përfshirë në pikëpamje interesash dhe burimesh të vyera studimore. I urojmë autorit, prof.Gjovalin Shkurtajt të sjellë në vijimësi të tjera kontribute e prurje në këtë fushë hulumtimi, të pasur e fort të rëndësishme për studimet shqiptare.

Tiranë, tetor 2022.