“Mësuesin e Popullit”, historianin, publicistin dhe studiuesin e njohur, të nderuarin mikun tim, Sherif Delvina, e kam njohur fillimisht kur isha Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, në vitet 1992-1997. Për të më kishte folur për herë të parë miku im, historiani i njohur prof. Ferit Duka: “Sherifi ka lexuar shumë libra për historinë dhe kulturën shqiptare, ai është si një bibliotekë lëvizëse, si historian”.
Në vitin 1994, Sherifi më kërkoi një takim në zyrë; kërkoi të mos pengohej në kërkimet e tij shkencore në Arkiv. Më erdhi keq për këtë kërkesë, sepse nuk kisha penguar deri atëhere asnjë studiues në Arkiv. Pas takimit, thirra shefin e sallës së leximit dhe e porosita të mos pengohej ky studiues. Pas vitit 1997, u bëra mik me Sherifin; bashkë botuam katër libra për Mit’hat Frashërin.
Bisedat midis nesh ishin kryesisht për historinë, për prof. Budën, prof. S. Pollon, që kishin drejtuar historianët tanë në Institutin e Historisë. Rasti e sillte që në këto biseda, Sherifi të fliste edhe për të parët e familjes së tij, një familje e madhe e vjetër patriotike…! Disa nga kujtimet e tij, fillova t’i regjistroj me aparatet celularë që dolën vitet e fundit. Këto regjistrime po botoj në këtë artikull, në kujtim emrit të tij, për miqtë dhe të dashurit e tij të shumtë…!
Kujtimet e Sherif Delvinës:
“Unë kam lindur në Tiranë në vitin 1932. Kam kryer i vogël shkollën fillore italiane; klasën e shtatë e kam bërë shqip. Shkolla ishte tek Rruga Durrësit, përballë Fabrikës Duhanit, afër manastirit. Shkolla ishte një ndërtesë e madhe e bukur, kishte nxënës shqiptarë dhe italianë, aty bënin edhe mësime feje, po unë për personelin e shkollës “isha italian”, kështu që nuk merrje pjesë në mësimin e fesë.
Tek shkolla italiane, ishin fëmijë të familjeve intelektualëve, Shundër, Hovdarët, etj. Ndërkohë kam kryer edhe mësime private për mësimin e latinishtes dhe italishtes. Pastaj shkova në gjimnaz, por qeveria na çoi në mes të vitit, në Shkollën Pedagogjike në Tiranë, sepse vendi kishte shumë nevojë për mësues.
Tek ne në shtëpi vinte shpesh Mit’hat Frashëri. Babai ishte kushëri me të. Mit’hati me donte kur isha i vogël. Ai më mori një ditë për drekë në shtëpi; mbaj mënd që më pyeti nëse dinja frëngjisht, unë i thashë jo, nuk kam mësuar akoma. “Si, tha, akoma nuk ke mësuar frëngjisht në këtë moshë?! Mirë, tha ai, do t’i flas unë babait që nuk të paska mësuar frëngjisht. Në fund Mit’hati më solli edhe diçka të mbledhur në letër. Këtë, tha, do t’a hapesh në shtëpi. Mit’hat kishte futur në letër një llokum për mua.
Babai, (Neki Delvina-red.) ishte anëtar dhe nënkryetar i Gjykatës së Diktimit në periudhën e Monarkisë së Zogut. Miq të tij ishin juristë të shquar, si: Andrea Sahaçiu, Hasan Dosti, etj.
Babai, ishte djali i Nedime Hanëmit nga familja Alizoti. Nedimeja kishte kryer gjimnazin “Zosimea” në Janinë; ajo ishte nënkryetare e Shoqatës së Gruas Shqiptare në kohën e Princ Wiedit, kryetare ishte e shoqja e Princ Wiedit, Princeshë Sofija. Populli për zonjën Nedime, këndonte vargjet: ”Nedime hanëm / Të bukur takëm / Ti na fal ne sot / Mbretërofsh jetë e mot”.
Ndihmat që Nedimeja shpërndante në Delvinë për delvinjotët, jepeshin nga familjet e mëdha e të pasura tiranase, Begejat dhe Toptanasit.
Babai, Nekiu, kishte kryer shkollën e mesme anglisht “Robert Kolege” në Stamboll dhe shkollën e larta për ‘Drejtesi’ në Turqi. Ai kishte shërbyer si gjyqtar që në kohë të Ismail Qemalit, në qytete dhe prefektura të ndryshme të vendit; babai ishte gjyqtar i zoti, por edhe i njeri ndershëm. Kur ishte nxënës në Stamboll, babai vizitonte rregullisht në shtëpi, Naim Frashërin.
“Më thuaj se do të bëhesh gjyqtar dhe do t’i shërbesh Shqipërisë” – i thoshte Naimi. Babai i përgjigjej: “Po, do të bëhem gjyqtar dhe do punoj për Shqipërinë”. “Më jep dorën se do të veprosh kështu”. Dhe babai i jepte Naimit dorën e tij. Babai e kishte divizë në veprimtarinë se tij fjalën e dhënë Naimit në Stamboll.
Babai ishte kushëri i parë i Faik Konicës; në martesën e babait, Konica i kishte sjellë një pikturë të blerë nga rusët e bardhë në Angli. Babai kishte miqësi me kunatin, vëllain e gruas, Asimesë, Esat Dishnicën. Nëpërmjet tij, babai u njoh edhe me komunistët, me udhëheqësit e Luftës Nacionalçlirimtare, si: Enver Hoxhën, Ymer Dishnicën, Nako Spirun, Beqir Ballukun, Sejfulla Malëshovën, Abdyl Këllezin. Babai e kishte Ymer Dishnicën, njeri të fisit të vet.
Në bodrumin e shtëpisë sonë në Tiranë, Beqir Balluku, Nako Spiru, Qemal Stafa, etj., sillnin fshehurazi në ilegalitet, broshura me thirrje të Partisë Komuniste Shqiptare, drejtuar popullit shqiptar. Në shtëpinë e tonë, hynte e dilte Enveri; këtu hante edhe shumë herë drekë, të përgatitur nga nëna. Enveri më njihte nga afër mua, motrën time, Nedon dhe vëllanë, Xhavitin. Në shtëpinë e tonë Enveri takoi edhe Ibrahim bej Biçakçiun; ish-kryeministrin e mëvonshëm dhe ata diskutonin midis tyre, fatin e Luftës Dytë Botërore.
Gjermanet, kishin marrë vesh se tek shtëpia e Neki Delvinës, hynin e dilnin komunistë dhe dërguan një patrullë të armatosur për kontroll të befasishëm në shtëpi.
Ne e kishim shtëpinë tek ‘Pallati i italianeve’, kati i parë. Patrulla ndaloi afër shtëpisë Malo Kodrën, (të atin e Prof. Dr. Klara Kodrës), që po kalonte afër tyre me një shok. Malo u tha se diku këtu e kishte shtëpinë dhe u kërkoj lejë që të pyeste njerëzit përreth; ai shkoj shpejt dhe lajmëroi nënën, se po vinin gjermanët për kontroll. Me të marrë këtë njoftim, nga dritarja e shtëpisë u largua me shpejtësi Nexhmie Hoxha dhe komunistë të tjerë, që ishin me të. Kur erdhën gjermanët, nuk gjetën asnjë komunistë siç ishin njoftuar.
Pas çlirimit jeta solli ndryshime në jetën e vendit dhe të familjeve shqiptare.
Unë jam arrestuar bashkë me tre katër vetë të tjerë, (nga Policia) për revolverin e Qemal Stafës, që kishte humbur në Muze. Atëhere më mbajtën disa ditë në burg; u liruam më pas, se u gjet revolveri, ata të policisë na dhanë makarona që të shëndosheshim…!
Mua me përjashtuan nga rinia kur isha në Shkollën Pedagogjike dhe isha pa triskë rinie, kur mbarova studimet aty.
Pas mbarimit të Luftës, babai u pushua nga puna dhe dënua me burg politik në kohën e Koci Xoxes; pastaj u lirua si pafajshëm, por nuk fillojë punë si avokat; në burg ra edhe dajua i im, Ibrahim bej Biçakçiu, Bimi siç i thonim ne, kishte qenë disa muaj në vitin 1944, si kryeministër i Shqipërisë.
Kur ishte në burg, për Bimin, kujdesej dajua, Esati (Esat Dishnica-red) dhe Humajuni, motra e Aqif Pashë Biçakçiut. Humajumi ishte një zonjë e kulturuar; ajo kishte kryer gjimnazin “Zosimea” në Janinë, aty kishte njohur Naimin e Sami Frashërin. Aqif Pasha e konsideronte Humajumin, bashkëpunëtore të ngushtë të tij. “Kur të vdes – i kishte thënë ai të motrës – do të shoqërosh arkivolin tim deri në varr, që të mos ketë mundësi Shefqet Vërlaci, të vërë gishtin në të”! Shefqet Verlaci (kryeministër i Shqipërisë në vitet 1939-1942), ishte baxhanak me Aqif Pashën por ata nuk shkonin midis tyre…
Humajuni kishte shumë fëmijë: Alon, Esatin, Melin, Hiqmeten, (nënën e gjinekologut të njohur Dr. Ilir Dishnicës). Fëmijtë e Humajunit, ishin të lidhur me Luftën Nacionalçlirimtare; Alo u vra gjatë një beteje në Luftë dhe pas 1944-ës, u shpall “Dëshmor i Atdheut”. Esati ishte antizogist i vjetër, më pas u bë mik dhe shok me Enver Hoxhën; tezja ime, Meli, po ashtu ishte një antifashiste e zjarrtë në periudhën e Luftës; ajo kaloi në rreshtat partizane gjatë pushtimit gjerman. Meli ishte vajzë e gjallë, ajo ishte shoqe me Nexhmijen; Meli kishte njohur nga afër edhe Enverin në periudhën e fashizmit.
Humajuni i dërgonte Ibrahimit bej Biçakut në burg, pensionin që qeveria i kishte lidhur djalit të saj,‘Dëshmorit’ Alo Dëshnica. Pensionin i’a dërgonte në burg, (nëpërmjet postës), me mua që isha arsimtar. Unë i dërgoja Ibrahim beut në burg, ushqime dhe gjera të tjera, që përgatiste Esati.
Humajuni shkojë vetë tek Enveri, për të kërkuar lirimin e Ibrahim beut. Enveri e njihte Humajumin dhe e vlerësonte shumë. Humajumi mori takim me Enverin edhe t’ëmën e tij. “Enver mor bir, – tha ajo- s’më zë gjumi për Bimin, e kam evlat dhe më djeg zëmra, jam e vjetër tani, liroje nga burgu, se nuk ka bërë gjë, për Shqipërinë kemi punuar ne, nga i pari deri tek i fundit; bukën e tij e ke në dhëmbë edhe ti; është gjynah, bëri shumë vite burg deri tani; me pensionin e djalit e mbaj në burg”.
Enveri pasi e dëgjoi deri në fund, i tha: “Zonja Humajun, Bimi ka qenë kuisling dhe kryeministrat kuislingë, janë dënuar me vdekje kudo në Evropë; Bimi nuk është dënuar me vdekje; do të bëj edhe ca vite dhe do të lirohet”.
Humajuni u mërzit nga këto fjalë dhe tha: “Si?! Bimi paska qenë kundër popullit të tij? Nuk ke faj ti Enver me Bimin, ti ngrë lart tani Haxhi Qamilin, që na dogj e na vrau”. “Ua- tha edhe e ëma e Enverit, kur dëgjojë këtë fjalë. Haxhi Qamili na vrau e na preu të gjithë, ç’bëhet kështu – tha ajo.
“Po daleni mo plaka, daleni…’ – tha Enveri, ‘se Haxhi Qamili ka qënë më i keq sa thoni ju, po më duhet moj…”!
Mua pasi mbarova shkollën e mesme, më emëruan mësues në Gjirokastër, sepse qytetet e Jugut kishin nevojë për mësues. Këtu u jepja mësim edhe oficereve në shkollën e natës pa shkëputje nga puna siç quhej atëhere. Në Gjirokastër, punova dy vjet në të katër shkollat që kishte Gjirokastra.
Një hall tjetër për familjen ishte arrestimi i babait. Pas arrestimit të tij, erdhën nga Sigurimi i Shtetit për kontrollin e shtëpisë, ato morën enciklopedinë ‘Triccani’, koleksionin e gjyshit, Sherif beut (vjehrrit të Nekiut), një koleksion me monedha ari të vjetra – blerë në Korfuz, nga stërgjyshërit, që kishin qenë sundimtare të Delvinës; pastaj i kërkuan nënës gjerdanin me pika loti (me 33 brilante); nëna e kishte hequr këtë dhe e kishte vënë në një sirtar te divanit. Nëna këtë gjerdan e kishte vend në qafë, kur u martua Enveri.
Nëna e kishte harruar këtë gjerdan dhe e tronditur, u thoshte: ku kam unë gjerdan?! Atëhere u bë bujë në Tiranë, që po kontrollohej shtëpia e Neki bej Delvinës. Sapo e morri vesh, erdhi në shtëpi, Gani Çano. Ganiu kishte qenë pronari i Hotel “Internacional”-it që ishte afër me shtëpinë tonë; këtë shtëpi, babai e kishte marrë me qira, shtëpia kishte bodrume të mëdha, dhe dy kate, kjo ishte shtëpi e shkodranit Gjon Laca. Çano hyri brenda dhe pyeti nënën, se çfarë kishte ndodhur?
“Më kërkojnë gjerdanin, po nuk po e gjej dot; oh ja ku qenka” tha nëna dhe nxori gjerdanin, Çano mori gjerdanin, e futi në xhep dhe doli; kur shkoi në shtëpi, ia dha të shoqes këtë gjerdan, kjo e futi në pus nga frika, se mos e kontrollonin ata të Sigurimit që i kishin vrarë edhe të birin; (Besnik Çano, eksponent i Rinisë së ‘Ballit Kombëtar’, i vrarë dhe masakruar me thika nga disa partizanë të Çetës së Pezës në vitin 1944, së bashku me shokun e tij, Qeramudin Sulo, teksa po shkonin në Jug të Shqipërisë, të dërguar nga Mit’hat Frashëri. Red.Memorie.al), këtë gjerdan, ky e shiti pastaj pjesë pjesë, në Pazarin e Tiranës dhe na sillte para në shtëpi, me te cilat blinin bukë dhe ilaçe për Nekiun.
Babai siç ju thashë, u lirua më pas, ai kishte thyer 7 napolonat siç lejohej me ligj nga qeveria që kërkonte të mblidhte napolonat e arit; napolonat i’u kthyen babait, dhe pas vrasjes së Koci Xoxes, iu kthye edhe pensioni, që ja kishin ndalur kur u fut në burg.
Kur u arrestua babai, Nekiu, ne na nxorën nga shtëpia dhe na çuan tek romët, diku në fund të rrugës Rrugës “Ali Demi”; atëherë na sekuestruan edhe plaçkat; Shaja, qe punonte dikur tek ne, na pruri dy krevate dhe një divan; Sejfulla Malëshova që e kishim mik të familjes, na solli një sobë, dru dhe plaçka. Në këtë lloj shtëpie, morëm edhe Bimin (Ibrahim bej Biçakun), që kishte dalë nga burgu.
Nedo, e mban mend këtë shtëpi si ka qënë”; (fol moj Nedo si ka qënë -, i drejtohet Sherfi, të motrës)!
Rrëfimi i Nedos, motrës së Sherif Delvinës:
“Unë kam qënë e vogël atëhere, po e mbaj mënd shtëpinë, Kjo shtëpi ishte tek Rruga “Ali Demi”; me këtë rrugë na ndante një pus mbushur ne plehra, matanë nesh ishin shtëpia ne qerpiç, këtu jetonin disa gra rome, si: Bajamja, Kajamja, Synia, etj., këto shisnin aranxhata tek pazari vjetër, ku është sot Pallati Kulturës, siç i thonë…! Këtu erdhi edhe Bimi, kur doli nga burgu…! Ai u çudit kur pa shtëpinë; “Të ikë Neki beu nga nga shtëpia dhe të vijë këtu tek jevgjit”, tha ai i tronditur. Shtëpia pikonte nga të gjithë anët, ne venim legenin që mos të lageshim nga shiu. Bimi nuk mblidhte dot vetën “More, po ç’është kjo shtëpi kështu; po ne në burg kemi qene me mirë se ju këtu”, thoshte shpesh ai”. Memorie.al
Ky shkrim, botohet në shenjë homazhi për historianin e studiuesin e njohur, Sherif Delvina, “Mësues i Popullit”, i cili u nda nga jeta dje (dt. 7 Prill 2022).