Gazeta Nacional Albania

Prof.Dr. Luan Malltezi: KUNDËRSHTARË TË ZOGUT NË FRANCË, MË 1938

Në këtë numër të gazetës, mendoja të botoja një letër të K.Çekrezit, dërguar një miku të tij me përmbajtje të mirëfilltë politike për kohën. Letra ka rëndësi, sepse Çekrezi, ka qënë një intelektual dhe publicist i shquar shqiptar në kohën e Zogut. Ai ka lindur aty nga viti 1886 në Korçë dhe pasi kreu aty gjimnazin, shkoi në SHBA, ku studjoi për drejtësi. Më 1912, ishte sekretar i Ministrisë së Drejtësisë. Më vonë, shkoi përsëri në SHBA, ku kreu më 1918 studimet në Universitetin e Harwardit dhe u bë Profesor i Historisë në Universitetin Amerikan. Gjatë qëndrimit në Amerikë, botoi libra për historinë e Shqipërisë dhe të Evropës për nxënësit shqiptarë. Më 1932, u kthye në Shqipëri dhe nisi botimi e gazettes “Telegraf”, e cila u mbyll tre herë nga regjimi i Zogut për qëndrimin e saj kritik ndaj qeverisë. Çekrezi u implikua në lëvizjen konspirative të Vlorës dhe u dënua me tre vjet burg. Më 1935, u detyrua të largohej nga Shqipëria për shkak të pjesëmarrjes në lëvizjen e Fierit. Në kohën e pushtimit italian ndodhej në Paris dhe vuri në lojë dorëzimin e kurorës së Shqipërisë tek Mbreti i Italisë. Si pasojë, italianët refuzuan t’i jepnin vizën për t’u kthyer në Shqipëri dhe e internuan në Francë. Me ndërhyrjen e Shtetit Amerikan u lirua nga internimi dhe u kthye në SHBA, në tetor të vitit 1941. Letrën për të cilën po bëjmë fjalë, Çekrezi ia drejtonte një miku të vet; ai i bënte atij të ditur, se kishte shumë arsye, pse nacionalistët shqiptarë nuk mund të vinin në fuqi pas luftës. Letra pra, ka përmbajtje të mirëfilltë politike dhe kjo, shpjegon përse është përkthyer dhe ruhet në arkivat angleze. Për të kuptuar këtë letër, është e domosdoshme të njihemi më parë me dokumentin, që po botojmë më poshtë, dërguar Ministrit të Jashtëm Frances, më 1938 nga disa figura të njohura të vendit, midis të cilëve është edhe Çekrezi. Dokumenti provon se Çekrezi ishte që në këtë kohë një kundërshtar i hapur i Zogut.

Si e përshkruan opozita e Mbretit Zog regjimin e tij në një letër drejtuar ministrit të Punëve të Jashtme të Francës më 1938

Qeveria e Romës, i dikton regjimit aktual politikën zyrtare

« Më 1935, u organizua kryengritja e Fierit nga oficerët e ushtrisë, në të cilën morën pjesë edhe shtresat e gjera të popullsisë. Më shumë se një mijë vetë u arrestuan në vende të ndryshme të Shqipërisë. Një numër i madh fajtorësh u dënuan dhe 13 prej tyre u ekzekutuan. »

Paris, më 1 mars 1938

Shkëlqesisë së Tij, Ministrit të Punëve të Jashtme të Francës,

Shkëlqesi,
Në emër të opozitës shqiptare të ndaluar, të persekutuar dhe që tani është në heshtje, kemi nderin të paraqesim në dijeninë Tuaj, faktet e mëposhtme:
Shqipëria, e ngritur në një shtet sovran dhe të pavarur nga përpjekjet e patriotëve shqiptarë, me mbështetjen e Fuqive liberale dhe të Lidhjes së Kombeve është kthyer sot për shkak të diktaturës antipatriotike të Ahmet Zogut, në një vasale politike të Italisë.
Qeveria e Romës, i dikton regjimit aktual politikën, që duhet të ndjekë ndaj shteteve të tjera dhe Lidhjes së Kombeve.
Shqipëria eshtë kthyer sot në një bazë ushtrake të imperializmit fashist në Ballkan. Qeveria e Romës ka ndërtuar në vendin tonë fortifikime të mëdha duke ndjekur direktivat e Shtatmadhorisë së saj.
Drejtuesit e politikës italiane, duke përfituar nga miratimi i papranueshëm e i pangopur i regjimit të Zogut, në planin e tyre për të penetruar e për të sunduar në Shqipëri, kanë përvetësuar të gjitha pasuritë kombëtare dhe kanë vënë dorë mbi të gjitha ndërmarjet ekonomike, financiare e tregtare të vendit tonë të varfër.
Kështu, së fundmi , e ashtuquajtura Dhomë e Deputetëve – dhe këto të fundit të caktuar dhe të emëruar si nëpunës të thjeshtë nga autoriteti qendror – sapo ka dhënë aprovimin e saj – për një marrëveshje të re doganore, që është arrirë midis qeverisë të Romës dhe të Tiranës.
Rezultati i kësaj marrëveshjeje, ka qenë të sigurojë në dëm të interesave te popullit tonë monopolin e tregtisë së Italisë në Shqipëri, duke përjashtuar tregtinë me të gjitha vendet e tjera.
Kështu Shqipëria, anëtare e Lidhjes së Kombeve, e shndërruar sot në një vend të mbyllur për eksportin italian, ndodhet në një skllavërim ekonomik të pakrahasueshëm me çdo vend tjetër të pavarur.
Kjo marrëveshje e fundit, ka pasoja ekonomike shumë më të rënda për vendin tone, sesa ato të bashkimit doganor të kërkuara prej shumë kohësh nga qeveria e Romës. Nën regjimin e Bashkimit Doganor, tregtarët shqiptarë, duke përfituar nga konkurenca e furnitorëve italianë do të mund të blinin, me çmime minimale, mallrat e tyre në Gadishull. Ndërsa, sipas konvetës së re, të gjitha mallrat e importuara në Shqipëri do të realizohen nëpërmjet disa shtëpive tregtare italiane, të caktuara në marrëveshjen e përfunduar dhe që i është bërë e ditur popullit shqiptar në gazetën zyrtare të Tiranës.
Kundër kësaj politike të mbrapshtë të Zogut, nuk ka munguar të manifestohet me forcë zemërimi i përgjithshëm i popullit shqiptar në disa lëvizje:
Në nëntor 1926, një pjesë e popullsisë së Shqipërisë së Veriut u ngrit kundër tij, e shtyrë në zemërim nga shtypja e regjimit .
Diktatura e Zogut do të ishte shembur që në atë kohë, nëse ai s’do të kish nxituar si gjithnjë, t’ i bëjë apel mbështetësve të huaj dhe të nënshkruajë paktin e Tiranës, që e vë vendin tonë nën protektoratin Italian.
Më 1932, u zbulua një lëvizje e gjerë kombëtare, e cila qendrën e kish në Vlorë, djep i pavarësisë shqiptare.
Këtë e ndoqi një proces politik monstruoz. Elita e popullit shqiptar u arrestua e u dënua deri në burgim të përjetshëm.
Më 1934, u zbulua një komplot në gjirin e oborrit të Zogut; si pasojë e kësaj ngjarje, më shumë se 100 oficerë u ndaluan, nga të cilët, shumica u detyrua të ikte jashtë shtetit.
Më 1935, u organizua kryengritja e Fierit nga oficerët e ushtrisë, në të cilën morën pjesë edhe shtresat e gjera të popullsisë. Më shumë se një mijë vetë u arrestuan në vende të ndryshme të Shqipërisë. Një numër i madh fajtorësh u dënuan dhe 13 prej tyre u ekzekutuan.
Më 1937, ndodhi kryengritja e Gjirokastrës, e cila u drejtua nga ish Ministri i Brendshëm i “mbretit” Zog.
Në këto lëvizje u bashkuan të gjithë shqiptarët pa dallim feje, klase dhe tendence politike.
Këto tentativa kombëtare kanë dështuar deri më sot, vetëm për shkak, se populli shqiptar është i çarmatosur dhe regjimi, ka në dispozicion të tij një sasi të madhe materialesh lufte, të dhëna nga qeveria e Romës.
Nën shtypjen e dyfishtë të brendshme dhe të jashtme, situata e popullit shqiptar bëhet gjithnjë e më tragjike.
Është për të pasur frikë që kjo gjendje të shkaktojë probleme të rënda, që mund ta vënë në rrezik ekzistencën tonë kombëtare, ashtu si dhe paqen në Ballkan.
Ne e konsiderojmë si detyrë tonën për të tërhequr vemendjen dashamirëse të Lidhjes së Kombeve, si dhe atë të të gjithë shteteve demokratike të angazhuara për çështjen e paqes.
Me këtë rast, na lejoni t’ju bëjmë të ditur që populli shqiptar, në pjesën më të madhe të tij, nuk dëshiron tjetër veçse të eliminojë shfrytëzimin çnjerëzor të huaj, të rivendosë liritë kushtetuese dhe t’u jetë besnik principeve të marrëveshjes si anëtar i Lidhjes së Kombeve.
Ju lutem pranoni Zotëri shprehjen e konsideratës tonë më të lartë,
Në emër të emigracionit politik shqiptar,

Ish nënkryetar i Këshillit të Shtetit Shqiptar
K.A. Çekrezi (Firma)
Ish komandant i Përgjithshëm i Xhandërmarisë Shqiptare
Leitnant kolonel
M.Bajraktari (firma)
Ish deputetët
K.Tromara, A.Këlcyra (firma)
Ish Ministër Shqiptar
Q.Koculi, R.Mitrovica,C.Vllamasi (firmat)
Ish drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave
A.Suma (Firma)