Jul Qezari dhe Butrinti, dekreti në favor të banorëve të këtij qyteti i ndërmjetësuar nga Ciceroni
-Amalteu ishte vila që Atiku kishte në Buthrot. Sipas mitologjisë prejardhja e emrit vjen nga nymfa Amaltea që kishte ushqyer Zeusin fëmijë.
-Ka shumë të ngjarë që dhe vrasësi i Cezarit, Bruti të jetë strehuar në Butrint pas betejës së Filipit.
Titus Pomponius Atticus lindi në Romë në një familje të rangut kalorsiak me 110/109 para Kr. dhe vdiq në vitin 32 mbas Kr. Që në moshë të re ai u arsimua së bashku me Ciceronin, Lucius Torquatus dhe Mariusin e ri, miqësia me të cilët u ruajt deri në fund të jetës së tyre. Emri i tij përmendet në disa ngjarje historike të kohës në të cilat ai shfaqet si miku më i afërt i oratorit dhe filozofit Marcus Tullius Cicero. Korespondenca e tyre është ruajtur në 16 libra të njohuara me emrin Epistulae ad Atticum, të përpiluara nga sekretari personal i Ciceronit, Marcus Tullius Tiro. Pompon Atiku ishte i njohur për shijen e tij elegante sidomos në fushën e artit dhe të letërsisë ku ai shquhej për një gjykim të arsyeshëm. Në vitin 85 para Kr. Pomponi udhëtoi për në Athinë, ku u angazhua në letërsi dhe filozofi. Gjatë kësaj kohe ai u lidh aq shumë Athinën dhe kulturën e saj saqë u vetquajt “Atticus” apo “njeriu i Atikës”, që është përmendur dhe në librin e 5 të Ciceronit, De Finibus.
Fig.1 libër i Ciceronit
Atiku trashëgoi një pasuri shumë të madhe të cilën e rriti më pas nëpërmjet lëvizjeve të tij të zgjuara. Kjo pasuri u përdor kryesisht në mbështetje të lidhjes së tij me letërsinë. Ai kishte krijuar një staf skllevërish të cilët punonin si kopistë ose lidhës librash. Në këtë menyrë ai botoi midis të tjerave edhe veprat e mikut të tij Ciceron. Mendohet se nën konsulencën e Ciceronit, Atiku ka shkruar një libër (në greqisht) dhe një sasi të vogël poezish, por fatkeqësisht asnjë nga këto shkrime nuk janë ruajtur. Pompon Atiku kishte në Epir pronat e tij të cilat shtriheshin në rrethinat e Butrintit. Ai kishte ndërtuar një vilë madhështore dhe shumë luksoze, buzë liqenit, në afërsi të qytetit të Butrintit. Ugolini në vepren e tij “Eneida” thotë se Tit Pompon Atiku ishte jo vetëm i pasur por edhe shumë i ngritur, artëdashës dhe shkrimtar.
Dihet miqësia e madhe që e lidhte me Ciceronin, i cili përkujdesej për punët e tij kur Atiku nuk ishte në Romë. Atiku nuk ia kursente dhuratat oratorit të madh. Në disa letra të Ciceronit jo rrallë herë lexojmë se ky i kishte kërkuar Atikut t’i dërgonte “ sende që të hijeshojnë vilën e Tuskulit“ ndër të tjera, edhe një shtatore të Minervës dhe një tjetër të Merkurit, që Atiku do t’ia dërgonte më vonë.
Atiku kishte prona të mëdha në rrethinat e Butrintit, në fushën që atëhere quhej Kestrina dhe sot fushë e Xarës dhe e Mursisë. Pranë lumit Thyamis, që rrjedh në afërsi të Butrintit, ai kishte ndërtuar një vilë madhështore që i kishte vënë emrin Amaltheion.
Mirëpo duket se në këtë vend të Kestrinës ngrihej një tempull i lashtë kushtuar Nimfës Amaltre, në të cilën sipas mitologjisë, u shderrua më vonë dhia kretase. Atiku e rrethoi tempullin me rrape dhe stolisi me skulptura: vuri edhe ca pllaka me epigrame kushtuar mitit të Amaltresë, që i pelqyen Ciceronit. Ky, nga ana e tij, bëri të njëjtën gjë në Arpinum për nder të Atikut, mikut të vet.
Fig. 2 portret – Ciceroni
Në vitin 86 para Kr. Atiku u largua nga Roma dhe shkon të banoj për 20 vjet në Athinë. I njohur në rrangjet e larta të tregtarëve të kohës, është klasifikuar nga Varroni në grupin e më të mëdhënjve pronarë të agrikulturës së Epirit, i cili zotëronte me mijra hektarë tokë bujqësore. Pronat e Atikut gjatë vitit 59 para Kr. Përvec atyre në rrethinat e Buthrotit i atribuon Atikut ngritjen e një vile në luginën e Kestrinës. Nga disa letra të shkruara nga Ciceroni kuptojmë se dekoracioni i vilës së Amaltheion-it përbëhej nga statuja, buste prej mermeri të personaliteteve që prezantonin figura të shquara të kohës. Fatmirësisht një informacion më të plotë na vjen nga një pasazh që është shkruar tek Vie d’ Atticus nga Cornelius Nepos. Sipas tij Atiku kishte një galeri portretesh të figurave të shquara. Këto vereheshin kudo, në biblioteken e tij private e cila ishte zbukuruar me portrete, që në të shumtën e rasteve ju takonin njerezve të letrave. Po ashtu edhe nymfeu i Amalthres i cili ishte ndërtuar në qendër të kopshtit ishte dekuruar në disa vende me statuja prej mermeri. Nuk ishin lënë jashtë vemendjes së Atikut zbukurimet e gjimnazit dhe palestrës së tij të vogël.
Zbukurimet e tilla ishin një ëndër për miqtë e Atikut gjë që verëhet mjaft qartë në një letër që Ciceroni shprehet se edhe ai dëshiron që të ndërtonte një vilë që do t’i ngjante asaj të Pompon Atikut.
Gëzohem që ti je i kënaqur nga ajo që ke blerë në Epir. Ti si më i mençur u rregullove me shtëpi në Buthrot. Por më beso, ky qytet i antasve, ku gjendem unë, i ngjan shumë municipit tënd.
Më përshkruaj të lutem, Amalteun tënd: si është zbukuruar, çfarë pozicioni ka? Dergomë po ashtu poema e tregime që ke mbledhur si dhe për vetë Amalteun. Unë dua të ndërtoj një Amalté në pronën time në Arpin. Po të dergoj diçka nga veprat e mia. Unë nuk kam përfunduar akoma asnjë…(Ciceron, letër drejtuar Atikut)
Atiku luajti një rol me rëndësi në kohën e luftës civile. Pas betejës së Katalinës, në fillim të vitit 58 para Krishtit, Ciceroni ndiqej nga pushteti dhe atij i nevojitej ndihma që askush më mirë se Atiku nuk mund t’ia afronte. Pas shumë perepecish që iu deshën Ciceroni që të kalonte nga Italia, ai arriti në Buthrot (Butrint), por nuk gjen atje mikun e tij Atikun. Korespondenca e Ciceronit në prill-shtator te vitit 57 shpjegon qendrimin e tij të shkurtër që ai dhe dy miqtë të tij kaluan në Butrint. Më pas midis janarit dhe qershorit të vitit 48 verëjmë se sipas letrave që shkruan Ciceroni për Atikun, ai është rikthyer në Epir, në kampin e Pompeut në Butrint.
Fig.3 Ciceroni në senatin romak
Këtë mikëpritje kaq bujare Atiku ju a kishte ofruar miqve të tij më të ngushtë gjatë luftës civile ose në situata të vështira veçanërisht në periudhën e përsekucionit. Ka shumë të ngjarë që dhe vrasësi i Cezarit, Bruti të jetë strehuar në Butrint pas betejës së Filipit.
Gjatë vitit 59 para Kr. Cezari kishte organizuar një politike të emigracionit të kontrolluar. Për mbrojtjen e pronave dhe banorve të tij, Atiku kërkoj ndihmën e miqve të tij. Një gjë e tillë shprehet qartë në letërkëmbimin me Ciceronin.
Përfshirja e Atikut në krahun e opozitës së pushtetit të asaj kohe në Romë është kundërshtia që kishte ai për krijimin e një kolonie veteranësh romak në Butrint. Sipas ligjit, Cezari do të istalonte këtu një koloni prej 2000-3000 veteranësh lufte, gjë e cila do të shoqërohej me konfiskimin e pronave që kishte Atiku.
….Unë do të bëj çdo gjë të mundur për të nxjerrë për çështjen e Buthrotit dekretin që ti dëshiron (Ciceron).
Ciceroni duke përfituar nga ftesa për drekë që Cezari kishte organizuar, i jep këtij letrën e Atikut e cila ishte në favor të ruajtes së pronës nga kolonët. Cezari merr penën dhe shkruan një dekret për një grup figurash më të rëndesishme të Romës, i cili ishte i destinuar që të mbetej sekret.
Cezari vendos që banorët e trevës së Butrintit mjafton të paguanin taksat dhe tokat e tyre nuk do të cënoheshin nga vendosja e kolonëve. Më pas, Cezari thotë që kolonët do të zbarkojnë në Epir por grupit që ishte i përcaktuar për në Butrint do t’ju ndryshohej drejtimi.
LETËR E CICERONIT DERGUAR L. PLAUCIT, CAKTUAR SI PRETOR PËR ZGJIDHJEN E ÇËSHTJES SË BUTHROTIT, NJË KOPJE TË SË CILËS AI JA DËRGOJ DHE POMPON ATIKUT
Qëkurse u bë e njohur se tokat e Buthrotit u ishin caktuar ushtarëve, Atiku i prekur hartoi një ankesë. M’a dha mua për t’ ia dhënë Cezarit. Atë ditë unë isha për darkë tek ai. Lutjen e tij ia dhashë Cezarit, i cili e pranoi dhe iu përgjigj Atikut që ajo që kërkonte ishte e drejtë, por duhej që buthrotasit të paguanin tepricën e taksës së tyre kur të vinte afati…
…Pas kësaj unë u habita që jo vetëm Cezari i kishte lënë të mblidheshin ata që kërkonin toka në Buthrot, por ju kishte caktuar ju t’i dorëzonit ato… Pasi Cezari nxori një dekret në favor të buthrotasve, në të cilin vura emrin si dëshmitar bashkë me persona të tjerë të lartë, na premtoi se kur ushtarët, veteranë të kenë kaluar detin do t’u jepte toka të tjera, por ai vdiq. Pastaj, sikurse e dini (ju ishit të pranishëm kur një dekret i senatit ngarkonte konsujt të njiheshin me veprimet e Cezarit) çështja u shty për në 1 korrik. Ky dekret u konfirmua me datën 2 të po atij muaji nga një ligj që i ngarkonte konsujt të njihnin atë që Cezari kishte bërë, dekretuar e vendosur. Çështja e Buthrotit iu kalua konsujve. Ata lexuan dekretin dhe shumë shkresa të nxjerra nga Cezari: konsujt si u këshilluan, vendosën në favor të buthrotasve.
Pas vdekjes së Cezarit politika e kolonizimit të Butrintit ishte në disfavor të Atikut. Një aktivitet tepër intenziv verehet në vitin 44 para Krishtit që Ciceroni e definon në disa etapa. Së pari Ciceroni lufton për ratifikimin e dekretit të Cezarit nga pasardhësit e tij. Më pas ai kërkon të ndërhyjë tek Antoni pasi akti i kolonizimit të Butrintit ende nuk ishte ekzekutuar.
LETËR DREJTUAR KONSUJVE ANTON DHE DOLABELË
….Lajmësi yt më dha një letër….Kjo punë s’ka qenë as ka për të qënë për ty kaq për zemër sa për mua. Unë iu vura kësaj pune qysh në fillim si një gjëje që më shqetsonte shumë në botë…
Kur unë mësova nga letrat e Atikut tonë përçapjen tënde dhe shërbimin e rëndësishëm që i ke bërë atij, dhe kur ti vetë më shkrove se bëre atë që deshëm ne, po shpejtoj të të falenderoj me letër e të them se asgjë nuk do të më kënaqte me tepër se kjo.
Vetë Atiku erdhi në Tuskul apostafat për të më folur për mirënjohjen e tij, për të më thënë se sa është prekur nga zelli që ke treguar në çështjen e Buthrotit dhe nga dashuria e veçantë e jote.
Nuk mundëm që të mos t’i shpreh edhe një herë ndjenjat e mija dhe të tij.
Nga të gjitha provat e interesimit dhe të lidhjes me mua o Dolabelë, ti e di mirë që asgjë nuk do më pelqente dhe nuk do më prekte më tepër se ajo që tregon se sa unë të dua dhe sa ti më do. Në sajë tënde çështja dhe qyteti i Buthrotit do të shpetojnë, tani kjo punë duhet vazhduar.
…Nëqoftëse pranon për dashurinë që ke për mua dhe nëqoftëse buthrotasit mund të mbështeten tek ti, në këtë mënyrë ti bëhesh garancia e qetësisë së tyre dhe përgjithmonë liron Atikun e mua nga një kujdes e torturë e madhe.
Me gjithë përpjekjet e mëdha të Ciceronit në Butrint filluan të vinin kontigjentet e para të kolonëve romak.
Zbulimi i shumë mbishkrimeve funerale dhe monedhave në Butrint, tregojnë se Pompon Atiku ishte vazhdimisht në favor të banorve të këtij qyteti. Emri i tij del në gërmimet arkeologjike në dy forma Titus Pomponius (emri dhe mbiemri i Atikut) ose
Qiuntus Caecilius (emri i ungjit të Atikut). Të dhënat epigrafike dhe arkeologjike përbejnë një kontribut me rëndësi pasi manifestojnë marredhënjët ndërmjet patronit dhe klientit. Nga këto të dhëna Atiku paraqet si mbrojtës jo vetëm i vilës së tij për i gjithë Butrintit. Fatkeqesisht mungesa e studimeve në fushën e letrave antike nuk na jep mundësinë që të njohim në detaje historinë dhe vendin që kishte Atiku në Butrint.
Fig.4 mbishkrim ku cilësohet emri Pompon Atikut
PAK FJALË PËR CICERONIN E MADH
Mark Tul Ciceroni lindi me 3 janar të vitit 106 para Kr. Në korespondencën me mikun e tij të ngushtë Pompon Atikun, i cili jetonte në atë kohë në pronën e tij të madhe në territorin fshatar të Buthrotit, mësojmë për vendosjen e ushtarëve veteranë në tokat e Atikut dhe përpjekjet e këtij të fundit për të shpëtuar pronat e tij.
Fig.5 Bust- Ciceroni
Po ashtu edhe në akuzat e tij drejtuar kundër Pizonit, sundimtarit të provincës maqedone, ne gjejmë disa të dhëna të rëndësishme për madhështinë e pasurinë e Dyrrahut dhe Apollonisë, në të cilat ai jetoi për një kohë, për praninë e latifundeve në Epir qysh në epokën republikane, për shfrytëzimin e krahinave dhe qyteteve të Ilirisë nga sundimtarët e provincës maqedone etj,.
Në Romë studioi për drejtësi dhe retorikë. Në vitin 63 para Kr., Ciceroni arriti të zërë postin më të lartë në shtet, të bëhet konsull. Gjatë konsullatës, ai zbuloi komplotin e Katilinës, por më vonë, në vitin 59 para Kr., ra viktimë e intrigave të kundërshtarëve të tij, prej të cilëve u dërgua në mërgim. Me vrasjen e Cezarit, Ciceroni u bë një nga krerët e partisë së senatit, që luftonte Mark Antonin, agjentët e të cilit e vranë në vitin 43 para Kr,.
Fig.6 Ciceroni fëmije (pikturë e shek. XIV)
Ciceroni u dallua gjatë gjithë jetës së tij si orator. Fjalimet e tij të mbajtura me raste të ndryeshme si burrë shteti dhe si avokat, dallohen për fuqitë bindëse, si dhe forcën tërheqëse të fjalës. Gjuha e Ciceronit është e zgjedhur dhe shumë e përpunuar, stili i tij i qartë dhe i bukur, mendimet e ilustruara me figura shumë tërheqëse gjuhësore.
Korespondenca dhe fjalimet e Ciceronit formojnë një burim të rëndësishem historik pasi ndihmojnë jo vetëm që të njihemi me vetë personalitetin e autorit, por edhe me periudhën plot ngjarje të kohës para Augustit.