Gazeta Nacional Albania

Prof. dr. Milazim KRASNIQI : SONETI NË POEZINË SHQIPE

Disertacion doktoranture, Prishtinë, korrik 2004

HYRJE

Studimi i sonetit në poezinë shqipe, që nga shfaqja e parë i tij në vitin në 1777, kur poeti
arbëresh Nikollë Keta me sonetin “Për vetëhenë”, e inauguroi këtë formë poetike e deri
në ditët tona, mundëson studimin e një segmenti esencial të poezisë shqipe. Soneti si
formë poetike, me një numër të saktësuar të vargjeve, me organizim të rreptë të tyre në
nga dy katrena dhe në nga dy terceta, me harmoni të theksuar të elementëve metrikë,
veçmas të rimës, e cila është e organizuar në skema, në rastet e katrenave, dhe në
variacione të shumta, në rastet e tercetave, dhe me njëmbëdhjetërrokëshin si metër
strandard, shpalos në mënyrë shumë autentike mundësitë shprehëse të gjuhës, aspiratat e
poetit dhe nivelin estetik të vargut. Për të krijuar këtë formë poetike në një gjuhë, është e
domosdoshme që ajo të ketë një zhvillim të leksikut dhe të strukturës së saj, që do të
mundësonin shqiptimin e ndjenjave dhe ideve, duke ruajtur strukturën e konservuar të
vetë formës poetike dhe të funksionimit të metrit e të rimes, si elementë kyç të kësaj
forme.
Në rastin e sonetit, krahas shpalosjes së aspiratave dhe e mesazheve poetike, në planin e
kumtimit ose informimit me synim estetik, poeti shpreh edhe një qëndrim ose pozicion
ndaj vetë poezisë, në këtë rast ndaj një forme të saj. E kjo nuk mund të bëhet pa një
njohje elementare të traditës poetike në këtë formë dhe pa zotërimin e një përvoje
elementare të shkrimit. Mbase për këtë arsye, rrallë ndodh që poetë fillestarë të sprovojnë
veten në këtë formë poetike, veçse këtë e realizojnë në një fazë më të konsoliduar të
përvojës së tyre krijuese. E kjo do të thotë që studimi i sonetit jep një pasqyrë më
esenciale edhe të krijimtarisë poetike të tyre.
E treta, në formën e sonetit janë të shkruara disa nga ekzemplarët më të mirë poetikë të
një numri të poetëve, çka e bën edhe më motivues studimin e këtyre arritjeve kulmore
3
estetike në krijimtarinë e tyre. Hulumtimi i këtyre aspekteve të mundësive shprehëse të
gjuhës, të përvojave poetike dhe të vlerave estetike që funksionalizohen në vargun poetik
në formën e sonetit, mundëson që të krijohet një pamje më se e qartë e zhvillimeve
gjuhësore, social-kulturore dhe vlerave estetike në poezinë shqipe.
Dihet se fatet historike të kombit shqiptar dhe konteksti social-kulturor në të cilin u krijua
poezia shqipe, bënë që ajo të ketë një zhvillim jotipik, në krahasim me poezinë në
shumicën e letërsive kombëtare europiane. Vonesat e mëdha të formacioneve stilistike
dhe të formave poetike, janë tragjikisht evidente. Libri i parë i shkruar në gjuhën e shqipe
dhe që është në dispozicion të traditës kulturore shqipe, është i mesit të shekullit XVI,1
saktësisht i vitit 1555. Mirëpo, as “Meshari” i Gjon Buzukut dhe as veprat e autorëve të
tjerë të vjetër, Pjetër Budit, të Frang Bardhit e të Pjetër Bogdanit, nuk janë vepra të
mirëfillta letrare, të cilat do të shërbenin si pikënisje e letërsisë shqipe. Disa prej tyre janë
përkthime, të tjerat tekste liturgjike dhe filozofike. Megjithatë, tradita letrare fillon me dy
prej këtyre autorëve, me Pjetër Budin dhe me Pjetër Bogdanin, të cilët kanë lënë në
trashëgimi të shqipes disa poezi origjinale. Mirëpo, ai fond i pakët dhe ajo traditë që
praktikisht ndërpritet në shekullin XVIII, nuk arrin të konsolidojë një letërsi të
qëndrueshme, e aq më pak të krijojë një spektër të llojeve dhe të formave e poetike, që
ishin kultivuar në letërsitë e ndryshme europiane nëpër shekuj.
Letërsia shqipe përjetoi edhe në shekujt që pasuan pas zbaticës që pësoi tradita letrare e
filluar ne Buzukun, vonesat e shfaqjeve të formacioneve e të dukurive letrare dhe
mungesat e mëdha të gjinive e të llojeve letrare. Fryma e poezisë provansale dhe larmia e
saj, rryma e madhe e humanizmit dhe e renesanës dhe formacioni stilistik i klasicizmit,
do të kalojnë pa prekur brigjet e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Ndërlidhja e letërsisë sonë
në rrymimet letrare europiane do të ndodh vetëm në periudhën e romantizmit.
Është krejt e logjikshme që në një kontekst të tillë historik, social dhe kulturor, edhe
soneti si formë poetike, u shfaq me pesë shekuj vonesë. Është vërtet e dhimbshme kjo
gjë, kur dihet se gjeografikisht viset shqiptare qenë në afërsi direkte me truallin e lindjes
së sonetit, me Sicilinë, ku kjo formë poetike lindi në shekullin XIII.
__________
1 Meshari i Gjon Buzukut, Rilindja, Prishtinë, 1987.
4
Prandaj, është e kuptueshme që edhe kultivimi i gjuhës shqipe dhe i poezisë shqipe në
përmasat ku formësohen si potenciale të mëdha të shprehjes së ideve, mendimeve dhe
ndiesive njerëzore, ka ecur më ngadalë dhe më me vështirësi. Ky evoluim i vështirë
gjuhësor dhe poetik mund të hetohet edhe në zhvillimin e sonetit në poezinë shqipe. Ai
mund të na ofrojë një tabelë të tendencave dhe të dukurive gjuhësore e poetike, që e kanë
shoqëruar dhe i kanë krijuar identitetin e sotëm poezisë shqipe. Ndërsa, kjo tabelë ose kjo
pamje do të na ndihmonte që të kuptojmë më mirë edhe natyrën e fateve historike dhe
kontekstet social-kulturore, të cilat kanë lënë dëshmitë e tyre të pashlyeshme edhe në
poezinë shqipe, që nga alfabetet e përdorura, nga leksiku, nga figuracioni e deri te idetë
dhe mesazhet poetike, që kanë qenë shprehje e identitetit kombëtar e fetar dhe e idealeve
njerëzore të poetëve shqiptarë nëpër kohë. Po të krahasohen këto elemente të vargut
poetik në sonetet e Pjetër Zarishit dhe të Arshi Pipës, fjala vjen, hetohet ai proces
marramendës i evoluimit gjuhësor, si dhe i ndryshimeve rrënjësore të idealeve njerëzore
të këtyre poetëve shqiptarë. Rezultatet shkencore të hulumtimeve të orkestruara mbi
tekstet ekzistuese të soneteve në poezinë shqipe, mund të ofrojnë një alternativë serioze të
pamjes së poezisë shqipe dhe të vlerave të saj në përgjithësi.
Në një letërsi ku me shekuj ka dominuar poezia gojore dhe ku edhe poezia e shkruar u ka
ndenjur afër intonimeve dhe ritmeve të saj për një kohë shumë të gjatë, një studim i tillë
për sonetin, fiton rëndësi të veçantë njohjeje dhe vlerësimi. Soneti si formë poetike është
krejt i ndryshëm nga ajo traditë e poezisë gojore shqipe dhe e poezisë së shkruar që është
krijuar mbi modelet e saj. Prandaj, soneti edhe është dëshmi e frymës së re që u shfaq dhe
e përshkoi poezinë shqipe, duke e pasuruar me intonacione të reja metrike, ritmike dhe
përgjithësisht estetike dhe duke e ndërlidhur me rrjedhat e poezisë europiane.
Meqë kjo formë poetike ishte dhe mbeti vazhdimisht e tillë, që me anën e harmonisë
kompozicionale, pasurisë gjuhësore, shprehësisë figurative dhe variacioneve eufonike e
ritmike, të poetizojë maksimalisht objektin poetik, mund të konstatohet që në krye të
herës se pati ndikim emancipues mbi poetët shqiptarë. Sonetistët shqiptarë qenë të
ndërgjegjshëm se vargu i shkruar në formën e sonetit, kërkonte intonacione dhe ritme të
ndryshme nga metrat, të cilët u rrinin krejt pranë ritmeve të poezisë gojore e që
5
përthithnin edhe leksik e figura nga një ambient social, i cili nuk kërkonte abstragime të
mëdha konceptuale dhe figurative. Me sonetin ndodhte ndryshe. Kërkoheshin fjalë më të
zgjedhura dhe figura që shprehnin koncepte e ideale më të larta të subjektit poetik, gjë që
hetohet që nga soneti “Për vetëhenë” (ose “Farie së nderme në Kuntisë u bi”), i Nikollë
Ketës, po më dukshëm te sonetistët pasues, Leonardo de Martino, Ndye Bytyçi e Pjetër
Zarishi, për të mbërritur kulmet e realizimit poetik në sonetet e Zef Serembes, të Ndre
Mjedjes, të Asdrenit e të Arshi Pipës më vonë. Kjo frymë emancipuese e sonetit përshkon
gjithë poezinë shqipe, me rënie e me ngritje, varësisht nga kontekstet sociale dhe politike,
në të cilët jetuan dhe shkruan sonetistët shqiptarë. Por, ajo frymë hetohet gjithandej.
Rrjedhimisht, studimi i kësaj problematike që tematizon disa aspekte esenciale të poezisë
dhe të konteksteve gjuhësore e social-kulturore, është një sprovë për secilin studiues.
Puna bëhet më e vështirë, në rastet kur përveç vështirësive metodologjike, studiuesi
ballafaqohet edhe me disa vështirësi praktike. Tejkalimi i këtyrë vështirësive nuk është
një punë e lehtë në ambientin kulturor e shkencor që mbretëron sot në Prishtinë dhe në
botën shqiptare përgjithësisht. Mungesa e antologjive të sonetit, mungesa e botimeve
kritike për autorët, mungesa e botimeve elementare të autorëve të vjetër, madje edhe
mungesa e një rrjeti efikas bibliotekar, paraqesin një frenim të vullnetit të studiuesve që
të hyjnë në orbitën e studimeve të kësaj natyre, ku tekstet paraqesin themelin e studimit.
Roli frenues dhe pengues i kësaj gjendjeje, në fillim vetëm mund të përfytyrohet, po kur
studiuesi futet më thellë në projekt, e ndien dhe e sheh me dhembje se çfarë vakumesh ka
në fushën e botimit, të sistemimit dhe të vlerësimit të vlerave letrare shqipe.
Nga ana tjetër, në realizimin e projekteve studimore, zgjidhja e problemeve
metodologjike me të cilat do të realizohet studimi, vetvetiu është një punë jashtëzakonisht
e vështirë. Përzgjedhja ndërmjet shumë metodave të studimit, si dhe përzgjedhja e
literaturës themelore, është një sfidë intelektuale, dhe në esencë paraqet edhe kushtin
elementar për suksesin e një pune studimore. Në rastin tonë këtë e kemi zgjedhur duke
aplikuar qasjen strukturale mbi të gjitha nivelet e tekstit letrar, që nga niveli eufonik,
metrik, ritmik, te niveli i ideve, tematikës, semantikës poetike dhe funksionit estetik. Pra,
vetë teksti, mënyra e organizimit dhe e funksionimit të tij semantik e estetik, janë
6
hulumtuar dhe studiuar në mënyrë të nuancuar, megjithëse duke pasur gjithnjë para sysh
ruajtjen e integritetit artistik të objektit të studiuar dhe koherencës së metodës me të cilën
është realizuar studimi. Teksti me materialin e vet gjuhësor dhe me funksionin semantik
të konstituuar brenda tij, ka qenë dhe ka mbetur pikënisje për të ndjekur organizimin e
brendshëm të elementëve përbërës të poezisë, raportet e tyre opoizicionale dhe
harmonike, ndryshueshmërinë e këtyre raporteve nga rasti në rast dhe rrezatimet e
kuptimeve që burojnë nga vepra konkrete poetike. Edhe relacionet më të largëta brenda
opusit të një poeti ose të lidhjeve të tij me të tjerët, për bazë themelore e kanë analizën e
tekstit dhe të funksionit estetik të tij. Kjo qasje strukturale2
, jep mundësi të identifikimit
dhe të vlerësimit të të gjitha niveleve të tekstit dhe të funksionit estetik të tij.
__________________
2 a) ”Ambicia e strukturalizmit nuk kufizohet në llogaritjen e këmbëve ose në zbulimin e fonemave: ajo
duhet të merret edhe me fenomenet semantike, të cilat siç e dimë nga Malarmeu, përbëjnë esencialen e
gjuhës poetike, dhe më përgjithësisht, me problemet e semiologjisë letrare”. (Zherar Zhenet, Figura,
Rilindja, Prishtinë, 1985, fq. 14).
b) “A priori, vërtet strukturalizmi si metodë është themeluar për t’i studiuar strukturat ku t’i ndeshë, por
para së gjithash, strukturat nuk janë shumë afër, objekte që takohen, ato janë sisteme të relacioneve latente,
më parë të përfytyruara sesa të vërejtura që analiza i konstrukton në atë masë saqë i zhvesh dhe herë herë
madje rrezikon t’i shpikë duke menduar se i ka zbuluar, nga ana tjetër strukturalizmi nuk është vetëm një
metodë, ai është gjithashtu, siç e quan Kasireri, “një tendencë e përgjithshme mendimi…” ( Po aty, fq. 15-
16) c) “Struktura nuk është vetëm një vepër e veçantë, e vetmuar. (…) Çdo vepër artistike- edhe ajo “më
burimorja”- është, pra, e inkuadruar në rrjedhën e ndërlidhur që përshkon kohën. Nuk ka vepër artistike, e
cila do të ishte e shkëputur nga kjo rrjedhë, edhe në rast se na duket që në raport me atë rrjedhë disa prej
tyre duken krejt të papritura”. (Jan Mukarzhovski, Mbi strukturalizmin, te “Struktura, znak, funkcija,
vrednost, Nolit, Beograd, 1987 (përkthim imi) d) Në çka manifestohet dëshmia poetike?- Në atë që fjala të
përjetohet si fjalë, e kurrsesi si përfaqësuese spontane e objektit të emërtuar, ose si eksplozion emocional.
Në atë që fjala dhe kompozicioni i saj, kuptimi i saj, forma e jashtme dhe e brendshme, nuk janë si
dëshmim indiferent i realitetit, por që fitojnë peshën dhe vlerën e vet”. (Roman Jakobson, Çka është poezia,
Prosveta, Beograd, 1978, fq. 118) f) Poetika strukturale mirret me cilësitë abstrakte, që e përbëjnë
veçantinë e faktit letrar, literaritetin. Qëllimi i këtij hulumtimi nuk është të artikulojë një parafrazë, një
rezyme të arsyetuar të veprës konkrete, por të afrojë një teori të strukturës dhe të funksionimit të diskursit
letrar, një teori e cila do ta paraqiste tabelën e mundësive letrare, rastet e veçanta të së cilës janë veprat
ekzistuese letrare.” (Cvetan Todorov, Poetika strukturale, Nolit, Beograd, 1978, fq. 52).
7
Zgjedhja e sonetit si objekt studimi ka një peshë të konsiderueshme shkencore, sepse
soneti është “forma metrike më e njohur, më e rëndësishme dhe më e përhapur”.3
Soneti
si formë poetike, që nga paraqitja në skenën letrare në shekullin XIII e deri në ditët tona,
përshkoi letërsitë kombëtare europiane në përmasa të habitshme dhe pothuajse të
pashpjegueshme. Mjafton të përkujtohet se sonetin e krijuan kolosët e poezisë: Dante
Aligieri, Françesko Petrarka, Mikelangjelo, Uiliam Shekspiri, Lope De Vega, Miltoni,
Volfgang Gëte, Hajnrih Hajne, Teofil Gotje, Sharl Bodleri, Pol Valeri, Artur Rembo,
Raine Maria Rilke, po të kufizohemi në përmendjen e vetëm disa emrave të mëdhenj.
Preokupimi i poetëve më të mëdhenj të botës me sonetin si formë poetike, dhe realizimi
prej tyre i vlerave kulminante estetike në këtë formë, është një tregues se soneti është një
formë poetike e jashtëzakonshme, me harmoni strukturore, e cila mundëson artikulimin
gjuhësor dhe estetik në një mënyrë gati të mahnitshme.
Zgjedhja e sonetit në poezinë shqipe si objekt studimi, përveç rëndësisë konkrete për vetë
poezinë shqipe dhe zhvillimet e brendshme të saj, ka edhe një fundament të fuqishëm
teorik, thënë në kuptim të gjerë. Një studim i tillë e bën sonetin më të verifikueshëm dhe
më të pakontestueshëm si formë poetike gjithëpërfshirëse në letërsitë kombëtare
europiane, kësaj radhe duke e bërë këtë verifikim edhe me shembullin e një letërsie
kombëtare, si letërsia shqipe, që është zhvillluar në procese të vështira historike dhe
kulturore.
Forma fillestare e sonetit ishte në njëmbëdhejtërrokësh dhe me strukturën e rimave:
abab/abab dhe të tercetave: cde/cde. Mirëpo, kolosët e poezisë, Dante Aligieri dhe
Françesko Petrarka, u dhanë një mundësi të re kombinimeve të rimave të katrenave, duke
e krijuar shemën: abba/abba, përderisa kombinimet e rimave të tercetave mbetën gjithnë
të larmishme. Një model specifik, sonetin elizabetin, ose sonetin shekspirian e krijoi
Uilliam Shekspiri. Shema e rimave të këtij soneti është” abba/cddc/efef për katrena dhe
gg për distikun përmbyllës. Në disa raste më të rralla, soneti elizabetin ose shekspirian,
ka shemën e rimave: abba/cddc/effe dhe disktiku: gg.3

_____________
3. Recnik knjizevnih termina, Nolit, Beograd, 1986, fq.751.
8
Njëri nga elementët e funksionalitetit të sonetit si formë poetike, është e lidhur me
përbërjen e tij asimetrike, pra nga dy lloje strofash të ndryshme, nga katrena dhe nga
terceta, dhe nga izometrizmi metrik, në anën tjetër. Zakonisht në dy katrena krijohet një
stabilitet ritmik, falë numrit të njëjtë të vargjeve dhe ndërlidhjes së rimave. Por, ky
stabilitet ritmik dhe kompozicional vihet në sprovë serioze në terceta, të cilat kanë numër
më të vogël të vargjeve dhe kombinime krejt të tjera të rimave. Në rastet e realizimeve të
larta poetike të sonetit, ky ndryshim ritmik, është i ndërlidhur edhe me ndryshime të
disponimit dhe të intonacionit poetik, sepse pas ekspozimit të motivit në katrena, në
terceta shpaloset ideja dhe epilogu i ligjërimit poetik. Këto ndryshime strukturore dhe
motivore, i japin sonetit dinamikë të brendshme dhe aftësi që të funksionojë si një formë
poetike, përmes të cilës poeti mund të shprehë vizionet e veta poetike, në nuancat më
delikate gjuhësore dhe figurative.
Njëmbëdhjetërrokëshi si vargu tipik në të cilin është shkruar soneti, ka provuar aftësinë
që të bartë mbi vete larmi të mëdha të ritmeve, të intonacionit dhe të transfigurimeve
poetike. Është metër që hepohet me elasticitet ndërmjet diskursit poetik solemn dhe
diskursit elegjik, ndërmjet intonimit lirik dhe narracionit poetik, sepse mundësia e
shpërndarjes së theksave dhe e aplikimit të lirive poetike, në këtë metër është më e madhe
se në dhjetërrokësh dhe në dymbëdhjetërrokësh, ritmet e të cilave shumë shpesh anojnë
drejt uniformitetit, gjë që provohet edhe nga ritmet e këngëve popullore.
Soneti si formë poetike ka fituar një dimesion të ri edhe me krijimin e kurorës sonetike, si
formë më e komplikuar e vargëzimit. Kurora sonetike, e përbërë nga pesëmbëdhjetë
sonete, të ndërlidhura ndërmjet tyre që nga objekti poetik, e deri te një element i ri, ai i
ndërlidhjes së njësive sonetike me vargun nistor, me akrostikun dhe veçanërisht me
magjistralin, u ka dhënë sonetistëve një rast të veçantë që të sprovojnë talentet e veta në
një aventurë gjuhësore dhe poetike sui generis. Kurora sonetike, me magjistralin si gjetje
poetike estetikisht aktive, ka bërë që kjo formë poetike të zgjerohet në planin
kompozicional dhe në planin tematik, duke arritur nga pikëpamja sasiore deri te kufijtë e
poemës. Edhe nga kjo anë, kjo formë poetike u ka dhënë sonetistëve hapësirat e
9
nevojshme që ata të shijojnë aventurat krijuese, duke e testuar fantazinë e tyre në luftë me
enigmat e gjuhës.
Pra, soneti vërtet mund të quhet forma poetike më perfekte, sa i përket harmonisë
ndërmjet strukturës së vet dhe mundësisë që ajo jep për realizim estetik.
Rrjedhimisht, studimi i kësaj forme poetike, është studimi i një segmenti esencial të artit
poetik. Ky konstatim vlen edhe për studimin e sonetit në poezinë shqipe.
Nga ana tjetër, soneti si formë poetike, me prejardhjen e vet të mbështjellë me vello
misteri në një pjesë të madhe, poashtu ka një rëndësi të veçantë historike dhe kulturore,
sepse prekë në vetë esencën e interkomunikimeve të kulturave dhe të qytetërimeve në
truallin europian. Nga rezultatet e studimeve të deritashme, është evidente se prejardhja e
kësaj forme poetike është rezultat i simbiozës së gjatë kulturore arabo-europiane,
përkatësisht nga lulëzimi i kulturës arabo-spanjolle në Andaluzi dhe nga tradita poetike
arabe në Sicili. Lulëzimi i poezisë lirike me strukturë strofike, e emërtuar si muvashah
dhe i zexhelit në Andaluzi, në një përzierje të çuditshme gjuhësore arabe-latine dhe
arabe-spanjolle, me një strukturë strikte të rimave dhe me numër të caktuar të strofave,
është vetë tharmi i poezisë provansale dhe i formës poetike të sonetit. Ndikimi i
drejtpërdrejtë dhe i fuqishëm i literaturës andaluziane mbi poezinë provansale dhe më
tutje mbi poezinë europiane, tashmë shkencërisht është i argumentuar. Fjala vjen, Giomi
IX, i cili mirret si themeluesi i poezisë provansale, ka qenë në kontakte direkte me botën
arabe dhe islame, sepse ka marrë pjesë në kryqëzatën e organizuar nga Papa Urbani II,
ka jetuar me vite në Jerusalem dhe në vende të tjera të botës arabe. Poashtu, Giomi IX në
oborrin e vet ka mbajtur një numër të madh të poetëve e dijetarëve arabë. 4

“Prandaj, ka qenë normale për njeriun e kulturuar, ose për femrën nga jugu i Francës, ku
u paraqitën poetët e parë trubadurë, që të kënaqet në llojin e ri të poezisë, i cili u shfaq në
Andaluzinë Islame. Poashtu, ishte normale që Giomi IX, poet i cili jetoi në luks dhe
kishte kulturë të gjerë, të ishte një lidhje ndërmjet muvashahut të Andaluzisë dhe poezisë
_______________
4. Grupa autora, Arapsko-islamski uticaj na evropsku renesansu, Sarajevo, 1987.
10
lirike europiane dhe të krijonte poezi sipas shembullit të Mukadam ibn Muafa al Karbit, i
cili ishte i pari që e krijoi muvashahun, dyqind vite më herët”.5
Një argument vendimtar për këtë ndërlidhje kulturore dhe për prejardhjen e poezisë lirike
europiane, duke përfshirë tercinën dhe sonetin, është ndikimi që ka pasur mbi Dante
Aligierin literatura islame-andaluziane, veçmas vepra “ Libri mbi Miraxhin”. Orientalisti
italian, Levi della Vida, konstaton se “sot definitivisht është argumentuar fakti se “Libri
mbi Miraxhin” (Ngritjen e Muhamedit), e cila ishte në dispozicion të botës latine në dy
gjuhë europiane, (latinisht dhe frengjisht), nëse jo në tri (duke përfshirë edhe
spanjishten), nuk ka mundur as rastësisht të jetë larg vëmendjes së Dantes, sepse kjo
duket e pamundshme. Vetëm tash mund të pohojmë se teoria e Asin Palaciosit është
jashtë çdo polemike dhe diskutimi. Më nuk dyshojmë në mundësinë që Dante i ka lexuar
burimet arabe. Ky është fakt të cilin duhet ta marrim si të vërtetuar”.6
Pra, kur një autor si Dante Aligieri, i cili veç kryeveprës së tij, “Komedia Hyjnore”, të
krijuar me një strukturë të jashtëzakonshme tematike dhe poetike, me tercinën si një
strofë specifike, krijoi edhe shumë sonete në vëllimin “Vita nuova”, ka qenë nën
ndikimin e kësaj literature, është e qartë se prejardhja e këtyre formave poetike është nga
ajo simbiozë arabo-andaluziane dhe arabo-siciliane. Nuk mund të jetë rastësi lindja në
shekullin XIII e shkollës së parë poetike, shkollës siciliane, në të cilën u kultivua edhe
soneti si formë e re poetike, në truallin ku për më shumë se tre shekuj ishte intensive
letërsia arabo-andaluziane me poezinë lirike të saj, muvashahun dhe sexhelin, të njohura
për forma të rafinuara poetike dhe skema precize të rimave. Madje, edhe mënyra e
stimulimit të krijimtarisë poetike dhe e kulturës në përgjithësi nga ana e mbretit sicilian
Frederiku II Hohenstaufen (1194-1250), i cili e pushtoi Sicilinë, është identike me
mënyrat e kultivimit të krijimtarisë e të kulturës në oborret mbretërore araboandaluiziane, në katër shekujt pararendës..
__________________
5 Po aty, fq. 52.
6. Po aty, fq. 90.
11
Në shkollën poetike siciliane u promovuan sonetistët e parë, Jakopo da Lentini7
, Pier dela
Vinja, Guido dela Kollone, Xhakomino Pulineze, etj., të cilët krijuan themelet edhe për
lindjen e “stilit të ri të ëmbël”, nga i cili doli kolosi i letërsisë europiane, Dante Aligieri.
Tradita poetike arabe në Sicili të Italisë, pra, në vetë truallin ku lindi soneti si formë
poetike dhe poezia e madhe europiane, është poashtu e faktuar dhe e përmasave të
mëdha. “ Në orbitën kulturore të Magrebit ka jetuar edhe Sicilia përgjatë dy shekujve të
sundimit arab në këtë ishull: kultura arabe sundoi përafërsisht edhe një shekull, sa ishte
nën Normanët.”8
Pra, edhe kur shikohet nga aspekti i prejardhjes, i relacioneve të
kulturave dhe të qytetërimeve, me një fjalë i rëndësisë historike, soneti imponohet si
formë poetike e përmasave të mëdha, pothuajse planetare, gjë që në rastin tonë e ka bërë
edhe më atraktiv studimin e tij. Hulumtimi pas këtyre relacioneve kulturore të
qytetërimeve të një kohe të largët, të para dhjetë shekujve, si dhe të transformimeve
fantastike të formave poetike, jep një shans më shumë që të kuptohet natyra integrale dhe
komplementare e historisë dhe e kulturës njerëzore. Mbase mund të thuhet se ekziston një
natyrshmëri e këtyre relacioneve dhe e këtyre transformimeve, të cilat burojnë nga vetë
natyra e njeriut, e cila më shumë aspiron drejt njohjes dhe përfitimit nga arritjet e
përbashkëta, se sa nga ekskluziviteti dhe përjashtimi i tjetrit.
Nga kjo tablo e shkurtër bëhet më e qartë se studimi i sonetit në letërsisë tonë kombëtare,
mund të zbulojë lidhjet e poezisë shqipe me poezinë europiane, si dhe specifikat që janë
shfaqur për shkak të realiteteve të hidhura historike dhe kulturore. Vonesa prej disa
shekujve e sonetit në poezinë shqipe, është pasojë e pushtimeve të egra dhe të gjata, e
shkëputjes së kulturës shqipe nga shtrati i vet euopian në shekujt XIII-XIV të pushtimit
serb dhe në shekujt e mëvonshëm të pushtimit otoman.
____________
7 “ Ka kënduar edhe për natyrën e dashurisë edhe për prejardhjen e saj, siç do të bëjnë edhe shumë pas tij,
por ka qenë poeti i parë që e përdor formën e sonetit, prandaj i atribuohet krijimi i kësaj forme poetike”” (
shih te “ Historia e letërsisë botërore, 4, Rilindja, Prishtinë, fq.12.
8 Francesko Gabrieli, Istorija arapske knjizevnosti, Svjetlost, Sarajevo, 1985, fq.154.
12
Nga ana tjetër, nuk është e rastësishme që soneti i parë shqip krijohet në truallin sicilian,
sikundër që preferencat permanente ndaj kësaj forme poetike i gjejmë vazhdimisht tek
autorët që kanë formim fetar dhe kulturor kristian-perëndimor. Kjo do të thotë se edhe
krijimi i kësaj forme poetike, është një refleks i lidhjeve fetare e kulturore me Italinë dhe
me botën perëndimore përgjithësisht. Prirjet ndaj këtij vargu të shumë poetëve që ishin
priftërinj: Nikollë Keta, Pjetër Zarishi, Leonardo De Martino, Ndue Bytyçi, Bernardo
Bilota, Ndre Mjedja, Gjergj Fishta, dhe të poetëve që faktikisht i përkisnin ambientit
kulturor të Shkodrës: si Filip Shiroka, Hilë Mosi, Luigj Gurakuqi, Ernest Koliqi, Filip
Fishta, Lazër Shantoja, Arshi Pipa, etj., është argument se me krijimin aq intensiv të
sonetit, këta poetë aspironin të argumentonin ndërlidhjen e poezisë shqipe me letërsinë
italiane dhe letërsitë e tjera kombëtare europiano-perëndimore.
Me rëndësi për argumentimin e mëtejshëm të studimit tonë është edhe fakti se disa nga
sonetistët qendrorë shqiptarë, në fakt janë edhe nga poetët më të mirë të vargut shqip,
sikundër janë Zef Serembe, Ndre Mjedja, Asdreni, Arshi Pipa, Enver Gjerqeku , Sabri
Hamiti dhe Agron Tufa.
Në studimin tonë jemi udhëhequr nga bindja se përmes studimit të kësaj forme poetike
kaq të rëndësishme, në esencë arkaike në formën e vet, mund të hetohen shumë zhvillime
brenda trupit të poezisë shqipe. “Struktura themelore e arkaizimit është e lidhur me
refuzimin e historicizmit në favor të barazimit kohor, i cili artistit ose arkitektit i
mundëson që në çdo kontekst, sërish i pavarur të zbulojë përhershmërinë e formës”.9

Respektimi i rregullave të krijimit të sonetit, shmangia nga rregullat, arsyet për njërën
dhe për tjetrën procedurë krijuese, në kontekst të lëvizjeve stilistike, sikundër janë, ta
zëmë romantizmi dhe realizmi socialist, po mbi të gjitha vlerat estetike, janë elemente
me të cilat mund të kuptohet përhershmëria e kësaj forme, kreativiteti e agresiviteti
krijues i manifestuar përmes saj. Ne jemi përpjekur që këto dukuri t’i hetojmë dhe t’i
______________
9 Postmoderna nova epoha ili zabluda, Naprijed, Zagreb, 1988, fq. 29.
13
hulumtojmë, po nuk kemi ndjekur rrugën e konfrontimit të tyre, për të përftuar ndonjë
vlerësim përfundimtar, sepse jemi të bindur se vlerësimet e atilla nuk do të mund të
shpëtonin nga konotacionet arbitrare. Në fakt, studimi i strukturës së kësaj forme poetike
në realizimet konkrete, jep mundësi që të hetohen edhe periudhat e zhvillimit dhe
periudhat e zvetënimit, si dhe elementet e përbashkëta dhe elementet ndarëse ndërmjet
autorëve të periudhave të ndryshme letrare.
Ndërsa, në nivelin e hulumtimeve brendatekstore, përkatësisht të formësimit artistik të
tekstit,10 në këtë studim hulumtohet dhe vlerësohet përbërja formale e sonetit,
izometrizmi i vargut, skemat e rimave, prejardhja dhe funksioni i tyre eufonik e kuptimor,
prezenca e lirive poetike dhe e procedurave të tjera sikundër janë bartjet, pastaj
hulumtohen temat, motivet dhe idetë, gjurmohen shtysat krijuese, aftësitë e
sublimacioneve poetike, rezultatet dhe dobësitë artistike që janë ngurtësuar në tekst e të
gjitha këto në funksion të tërësive semantike poetike dhe të vlerës estetike të vargut.
Ky nivel i studimit pastaj krijon hapësira të vlerësimit të poetëve konkretë, të rezultateve
poetike konkrete, po edhe të krijimit të një pamjeje të hierarkisë së vlerave të poezisë
sonë kombëtare në këtë segment regjenerues të saj.
Edhe pse në praktikat krijuese të sonetistëve shqiptarë, që nga Pjetër Zarishi e këndej,
emërtimi për këtë formë poetike është përftuar në shqip si tingëllim/ tingëllimë/, pra, në
bazë të përkthimit të termit sonet, ne jemi përcaktuar për përdorimin e formës burimore,
origjinale.
______________
10 “Ligjërimi poetik është strukturë shumë e komplikuar. Ai është shumë më kompleks në raport me
gjuhën natyrale. Dhe nëse vëllimi i informatës që përmban të folurit poetik ( në varg ose në prozë- në këtë
rast nuk ka rëndësi) dhe të folurit e zakonshëm, do të ishte i barabartë, të folurit artistik do ta humbte të
drejtën që të ekzistonte, dhe do të zhdukej. Por, puna qëndron ndryshe: struktura e komplikuar artistike e
përbërë nga materiali gjuhësor, mundëson që të bartet asi vëllimi i informatës, i cili është i paarritshëm për
mjetet e tjera elementare dhe për strukturën gjuhësore në kuptim të ngushtë”. (Jurij Llotman, Struktura
umetnickog teksta, Nolit, Beograd, 1976, fq. 42, – përkthim i lirë)
14
Jemi të bindur se po të ndiqej rruga e përkthimit të emërtimeve të formave poetike dhe
llojeve letrare si: stanca, sestina, rubaira, gazeli, balada, romanca, romani, poema, oda,
himni, romani, drama, tragjedia, komedia, etj., do të krijohej një hapësirë e konfuzionit
dhe e relativizimit të rëndësisë historike dhe teorike që kanë termat e tillë letrarë.
Përdorimi i termit sonet në studimin tonë ka për qëllim edhe ruajtjen e dimensionit
historik dhe të ngarkesës semantike të këtij termi, si dhe kontinuitetit që sugjeron ky
emërtim për poezinë shqipe në kontekst të korpusit poetik europian.