Gazeta Nacional Albania

Prof. dr. Sadri Ramabaja: Lufta e UÇK-së imponoi krijimin e shtetit

Doktrina serbe e nacionalizmit e orjentuar ndaj shqiptarëve është një ideologji që ka pasur dhe vazhdon të ketë ndikim në politikën serbe përgjatë gjithë ekzistencës së shtetit modern serb [1878 e tutje].
I takon hoqërisë civile, botës akademike, qytetarisë aktive që të ndërtojnë Leviatanin e kufizuar dhe demokracinë progresive, si dëshmi se si popull meritojmë Lirinë. Këtë e kemi obligim moral e historik edhe kundruall spartanëve të UÇK-së, që bënë të pamundurën të mundshme.

Nga dr Sadri RAMABAJA
Kosova, ky piemont i kryengritjes shqiptare për pavarësi [1910–1912] tok me Pazarin e Ri dhe kryeqendërn e saj Shkupin me gjithë hapësirën shqiptare në Maqedonin Perendimore, në tetor të vitit 1912 vetëm sa kishte ndërruar pushtuesit, pasi kishte perenduar pushteti shekullor osman, ishte gdhirë nën pushtimin e Serbisë. Përballja e rreptë në Merdar dhe Merdar, sa edhe në pikat tjera si Sfircë, Ush e Kolashin, ishin shoqëruar me masakra masive.
Leon Trotsky, revolucionari rus me origjinë hebreje, njëra nga figurat qendrore të Revolucionit të Tetorit, i dyti pas Leninit, ka përshkruar me plasticitet të jashtëzakonshëm këto masakra tronditëse të ushtarëve serbë ndaj shqiptarëve në gazetën e famshme ukrainase ‘Kievskaya Misl’.
Rrëfimet tronditëse të Leon Trockit për dhunën dhe gjenocidin kudo ku shkeli kmba e ushtrisë serbe kundër shqiptarëve në vitet 1912–1913 ai raportoi me objektivitet të jashtëzakonshëm. Ja se si e fillon ai raportin e parë që mban titullin sinjifikativ.
‘Pas perdes së luftërave ballkanike’
“Kam pasur rastin, për fat apo fatkeqësi ta vizitoj Shkupin, disa ditë pas Betejës së Kumanovës, vazhdon raporti I Trockit për këtë udhëtim të tij të jashtëzakonshëm drejt viseve të Shqipërisë verilindore tashmë të pushtuara.
Qysh në fillim isha i irrituar nga autoritetet e Beogradit lidhur me lejen për qarkullim. Nga pengesat që m’i ka bërë Ministria e Luftës, kam filluar të mendoj se njerëzit, të cilët e udhëhiqnin luftën nuk e kishin ndërgjegjen e pastër dhe që atje poshtë, ata po kryenin veprime krejt ndryshe nga sa paraqitej në shtypin zyrtar. Kjo përshtypje ose parandjenjë më është përforcuar me rastin e takimit me një oficer, i cili kishte qëndruar në Shkup me ushtarët të Shtabit të Përgjithshëm.
Ky oficer, të cilin e kam njohur për një kohë të gjatë, ishte njeri i ndershëm. Mirëpo, sapo ai e mori vesh se unë po shkoja për në Shkup, meqë realisht edhe e kisha marrë lejen për të shkuar atje, ai me një qëndrim të hapur armiqësor më tha se nuk duhet të shkoja atje dhe nuk e kuptonte se çka po bënte Beogradi, sipas tij, kur i lejonte “të huajt” të shkonin në Shkup. Në Vranjë, në kufirin me Serbinë, kur e kuptoi se nuk do ta ndërroja vendimin, oficeri serb e ndërroi zërin dhe filloi të më përgatitë për pamjet që do të shikoja kur të arrija në Shkup. “Këto janë gjëra të pakëndshme, por fatkeqësisht janë të paevitueshme” [1], më tha ai.

Kur gjenocidi shnëdrrohet në doktrinë alias “nevojë e shtetit”
Doktrina serbe e nacionalizmit, sidomos ajo e orjentuar ndaj shqiptarëve, që burim kishte Naçertanian e njohur të Garashaninit, është një ideologji që ka pasur dhe vazhdon të ketë ndikim në politikën serbe përgjatë gjithë ekzistencës së shtetit modern serb [1878 e tutje]. Kjo doktrinë ka prodhuar një dyzinë elaboratesh për zhdukjen e shqiptarëve. Toplica e Pusta Reka, tok me tetë qytete e më se 998 katunde shqiptare, ishin fushbeteja ku do të aplikohej spastrimi etnik I parë në Europën moderne.
Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe më pas, ka pasur akte dhune dhe shpërngulje të shqiptarëve në disa pjesë të Jugosllavisë dhe Serbisë. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se shenjat e gjenocidit, sipas definicionit ndërkombëtar të OKB-së, janë të lidhura me masakrat masive dhe përpjekjet për shfarosjen e një grupi të tërë kombëtar, për çka kishm edhe ndërhyrjen e NATO-s [24 maj — 10 qershor 1999] në përputhje me obligimet e Kartës së OKB-së, respektivisht kapitullit të 7-të të saj.
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë në vitin 1999 pavarësisht se nuk ishte autorizuar nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) ai nuk binte ndesh me Kartën e OKB. Kjo ndërhyrje u krye nga instrumenti që kishte në dispozicion Bota Perendimore, respektivisht demokracitë liberale — NATO-ja.
Arsyetimi ishte krejt në përputhje me Kartën për të Drejtat e Njeriut dhe kishte për qëllim ndalimin e ushtrimit të gjenocidit serb ndaj shqiptarëve. Përpara ndërhyrjes së NATO-s, OKB-ja kishte shpallur një politikë të “luftës së paqes”, por nuk ishte në gjendje të ndërmerrte veprime të fuqishme për të ndaluar dhunën serbe.
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë shkaktoi tensione të mëdha ndërkombëtare dhe u shpërblye nga disa vende, ndërsa u kritikua nga vende të tjera për shkak të mungesës së miratimit të OKB-së. Ky episod shpalli një debat të gjërë për ndërhyrjet humanitare dhe për mënyrat se si Karta e OKB-së dhe ligji ndërkombëtar duhet të trajtojnë rastet e tilla në të cilat janë të rrezikuar jetët dhe të drejtat e njeriut në një vend.
Se gjenocidi serb ndaj shqiptarëve ishte i programuar qartë dhe nga vet piramida e shtetit, e kishte pohuar edhe Trocki në tekstin e mëposhtëm të raportit që cituam më lartë.
“…veprat e liga, për të cilat ishte dëgjuar deri në Beograd, nuk ishin të rastësishme, nuk ishin raste të veçanta e të izoluara, përderisa një oficer i trajtonte si “nevoja të shtetit”. Dikush duhej të kishte të dhëna për këto. Kush? Ushtria? Apo Qeveria? Përgjigjen në këto pyetje e mësova sapo arrita në Shkup. Trishtimi filloi porsa e kaluam kufirin. Në orën 5 pasdite i jemi afruar Kumanovës. Dielli po perëndonte dhe terri tashmë ishte lëshuar. Sa më shumë errësohej aq më tepër shiheshin flakët e zjarrit që shkonin përpjetë. Po digjej gjithçka përreth nesh. Të gjitha fshatrat shqiptare, të afërta dhe të largëta, ishin kthyer në shtëllunga zjarri, deri te hekurudha. Ishte ky një shembull i veçantë i një lufte të tmerrshme shkatërruese, që kam parë në zonat e luftimeve. Për një çast pasuria e atyre njerëzve, e trashëguar nga gjyshërit e stërgjyshërit dhe e fituar me mund, po kthehej në flakë. Kjo monotoni zjarri na ka përcjellë gjatë tërë rrugës deri në Shkup.”
Gjenocidi është një nga krime më të rënda dhe më të tmerrshme në historinë njerëzore. Ai përfshin planifikimin, organizimin dhe realizimin e shfarosjes së një grupi të caktuar etnik, religjioz, racor, apo nacional, duke përfshirë masakra të masës së madhe, dëbime të popullsisë, torturime, dhunë seksuale dhe shkelje të tjera të të drejtave të njeriut. [2] Gjenocidi është klasifikuar si një krime e kundër ligjit ndërkombëtar dhe është e ndaluar nga Konventa për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit të OKB-së, e cila është një mjet ligjor i njohur në të gjithë botën.
Një gjë e rëndësishme për të kuptuar është se gjenocidi ndaj shqiptarëve është kryer me një qëllim specifik politik; ai kishte për qëllim shfarosjen ose zhdukjen e një grupi të caktuar të popullsisë. Këtë qëllim kishte lidershipi I Serbisë si në vitin 1878, ashtu edhe në vitet 1912–13, në vitet 1944–45 e në vitet1998–99-të.
Gjenocidi nuk është një akt i rastësishëm i dhunës; ai është i planifikuar dhe realizuar me synimin e shfarosjes së një grupi të caktuar, në këtë rast të shqiptarëve.
Shembuj të njohur të gjenocidit përfshijnë Holocaustin gjatë Luftës së Dytë Botërore, në të cilin u shfarosën miliona hebrenj, si dhe gjenocidin në Rwandë në vitin 1994, ku u vranë rreth 800,000 tutsi. Gjenocidi serb I fundit ndaj shqiptarëve të Kosovës, ky I viteve 1998/1999 si ai ndaj dy grupeve etnike që zumë në gojë më lartë, ishte një mjet politik i përdorur për të arritur qëllime të caktuara nga regjimet në pushtet.

Shkupi i tetorit 1912 si fantazmë
Në sytë e Trockit prandaj Shkupi kishte marrë përmasat e një fantazme.
“Zbrita nga vagoni me të cilin pata udhëtuar. Tërë qyteti ishte i heshtur, në rrugë nuk shihje njeri të gjallë, Vetëm para stacionit të trenit ishte një grup ushtarësh, nga ku përhapeshin zëra të dehurish. Secili shkonte në rrugën e vet, ndërsa unë mbeta i vetmuar në stacion. Shkova te grupi i ushtarëve. Katër ushtarë mbanin bajonetat në gjendje gatishmërie. Në mesin e grupit të ushtarëve qëndronin dy të rinj shqiptarë, me plisa të bardhë. Një ushtar, çetnik i dehur, mbante në dorë thikën, ndërsa në dorën tjetër shishen e rakisë. Çetniku i urdhëroi shqiptarët të shtriheshin për tokë. Ata, gjysmë të vdekur nga frika, u ulën në gjunjë. Pas urdhrit tjetër ata ngihen. Këtë ai e përsërit disa herë….
Në rrugët e qyteti dhe në vet qytetin ishte aq qetësi, sa dukej sikur ishte shkret. Të gjitha dyert ishin mbyllur qysh nga ora gjashtë pas dite. Me të rënë nata, çetnikët fillojnë punët e tyre. Futen dhunshëm nëpër shtëpitë e shqiptarëve dhe turqve, duke kryer veprat e tyre të vrasjes dhe plaçkitjes. Shkupi kishte 60 mijë banorë, nga të cilët gjysma ishin shqiptarë e turq. Disa nga ata sigurisht që kishin ikur, por shumica kishte mbetur. Dhe tash, gjatë natës kundër tyre kryhen krime. Dy ditë pas arritjes sime në Shkup, e para gjë që do të shihej në mëngjes ishte grumbulli e kufomave të shqiptarëve me koka të thyera nën Urën e Vardarit, mu në qendër të qytetit. Disa thoshin se ishin shqiptarë, të cilët ishin mbytur nga çetnikët, të tjerët thoshin se ata i kishte sjellë uji i lumit. Vetëm një gjë dihej: ata njerëz nuk ishin vrarë në luftime….[…]
Këto skena do të përsëriteshin edhe në dy gjenocidet pasuese serbe ndaj shqiptarëve [1945/1999].

Gilgameshi serb dhe sozia e tij
Gjenocidi i fundit ishte i programuar më gjatë dhe po pasonte tek pas dështimit të apart’heijdit që Serbia kishte ushtruar në dekadën e fundit të shek.20-të në Kosovë.
Por ai kësaj radhe po pasonte gjenocidin serb të ushtruar pak vite m parë, gjatë procesit të shkërmoçjes së Jugosllavisë, në Bosnjë. Shteti dhe armata serbe si instrument, në këtë rast, po përdorej krejt për qëllime tjera për çka ishte krijuar sipas filozofëve. Ai tashmë nuk do të shërbente për të zgjidhur konfliktet, për të zbatuar ligjet në dobi të qytetarëve, shtetasëve të tij. Serbia e Milosheviqit po risillte në vëmendjen e kujtesës së civilizimit perendimor Epin e Gilgameshit. Ai po bënte ç’të donte tani me shtetasit e tij që i përkisnin një përkatësie tjetër, asaj shqiptare. Ai, si Gilgameshi, po sakatonte “kopenë e vet”!
Por nëse Perendimi atbotë do të reagonte ashpër, edhe pse me shumë vonesë, ndaj Gigameshit serb, alias Milosheviqit, duke bombarduar caqet ushtarake serbe përplot 78 ditë përmes angazhimit të instrumentit të tij të sigurisë — NATO-s, duke i dhënë leksionin meritor një diktatori që me të drejtë do të cilësohej si Hitleri i Ballkanit, si po sillet ai, pra Perednimi sot ndaj kopjes së Gilgameshit, alias Milosheviqit, presidentit aktual serb Aleksandar Vuçiq?
Sozia e Gilgameshit, sipas legjendës [3], e kishte frenuar veprimin morbid të Gilgameshit, ndërkaq pinjolli i Gilgameshit serb, Vuçiqi, duket sikur është trimruar nga vëllai i tij i madhë, Putini, dhe tashmë kanë filluar të komplotojnë së bashku. Europa nën siglën e BE-së, si e somnabulosur, vazhdon të nanuriset duke ushqyer iluzione se komploti serbo-rus është vetëm një ëndërr e keqe!

Republika dhe korridori i lirisë
Lufta e UÇK-së imponoi krijimin e shtetit — Republikës së dytë shqiptare në truallin e Arbërit. Liria përmes UÇK-së zbriti nga malet, duke pushtuar e marrë në protektorat të saj pastaj qendrat urbane. Si rrjedhojë lidhja mes Lirisë dhe shtetit mbetet komplekse. Studjuesit e fushës prandaj kanë konstatuar se, shpesh “zgjerimit të shtetit i bëhet rezistencë, sepse njerëzit duan ta ruajnë lirinë e tyre…”[4]
Dinjiteti i ushtarit të UÇK-së dhe ideali i Lirisë nuk durojnë asesi që në emër të “meritave” dhe anarkisë së gjakuar, të keqpërdoret tutje UÇK-ja si mburojë dhe kundërpeshë përballë gjakimit për instalimin e Shtetit.
UÇK-ja nuk duhet lejuar tutje t’i lihet në dorë si “trashëgimi private” një grushti injorantësh. Shih për këtë, ka ardhur koha që UÇK-ja, si njëra nga kryevlerat tona, përmes ligjit, të mirret në mbrojtje nga Shteti.
Konform teorisë së sociologut politik Charls Tilly, që ka të bëjë me rolin e faktorit specifik strukturor — rritjen e shpeshtësisë dhe kërcënimit të luftës ndërshtetërore (me Serbinë), sidomos nëse këtij fakti i shtojmë edhe interesat gjeopolitike ruse për hapjen e frontit të dytë të luftës në Europë, nevoja dhe urgjenca për ndërtimin e shtetit nuk është më vetëm imanencë e brendshme.
Në përputhje me teorinë në fjalë, zhvillimet e dy viteve të fundit në raportet Kosovë-Serbi, duhet riparë edhe në dritën e kërcnimeve dhe fuqizimit ushtarak të Serbisë. Ky fakt e kushtëzon unifikimin e faktorit shqiptar dhe fùqizimin e shtetit.
NATO dhe BE nuk kanë nevojë që shqiptarët ta dëshmojnë përkushtimin për mbrojtjen e veriut të Republikës dhe ruajtjen e integritetit territorial tok me fuqizimin e Shtetit, përmes reprizimit të fitores së betejës së Sempahut helvetik sot në Mitrovicë, nëse duan ta shmangin këtë front që po pretendojnë ta imponojnë tok Serbia dhe Rusia.
Diplomacia perendimore sot në Kosovë duhet njëkohësisht të respektojnë dinjitetin e njeriut krahas insistimit për të drejtat e minoritetit serb për më shumë pushtet, pa cenuar fatin e demokracisë.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq pas takimit që pati me ambasadorin rus në Serbi, Aleksandar Botsan-Kharachenko, pohon:
“Është konfirmuar synimi për të vazhduar ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Federatën Ruse”.[5]
Historia serbe ka diçka përbashkuese me atë ruse: që të dyja kanë ndjekur një rrugë shumë të ndryshme nga ajo e Europës dhe pikërisht atë, që krijoi shumë më pak liri.
Shteti despotik ka marrë goditjen e fuqishme më 14 shkurt 2021. Ai proces që quhet “sundim i ligjit” varet gjithashtu nga prangat në kyqet e këmbëve të Leviatanit, [6] siç do të thoshin D.Acemoglu dhe J.A.Robinson.
Ne do të duhej të pajtoheshim gjithashtu se këto “pranga”, nuk janë vetëm produkt i kushtetutave dhe betimit, por siç dëshmon historia moderne, ato janë pjesë e litarit që mbanë shoqëria, respektivisht aktivizmi qytetar dhe vullneti politik i qeverive progresiste.
Përndryshe, rrëshqitja dhe rikthimi tek Leviatani despotik është akt pastaj fare i “natyrshëm”.
Unë shpeshherë rikujtoj Qeverinë më liberale në Europën Juglindore të F.S.Nolit dhe rrugët që ndoqi Zogu dhe aleatët e tij të jashtëm, para së gjithash Serbia, për kthimin e tij, pra të Zogut, në pushtet. Këtë paralele e tërheq meqë, kam vu re se opozita me kohë ka aplikuar metodat e njohura për destabilizim, që në shkencat politike quhen akte që për qëllim kanë “shkatërrimin politik kreativ”.
Kam dro se Gjykata Kushtetuese, Këshilli Prokurorial dhe përgjithësisht sistemi i
drejtësisë … shto këtu dhe një lagje të mirë të mediave, me këto veprime absurde që bien ndesh me gjakimin e brezave për liri dhe për ndërtimin e Shtetit të së drejtës, janë vu në shërbim të axhendës politike të opozitës për kthim të Leviatanit despotik, megjithëse jam i vetëdijshëm se kemi rrethana tjera historike dhe vullnet politik të qytetarisë sonë që pamundëson një rrëshqitje të tillë drejt regresit historik.
Republika jonë më 14 shkurt 2021 i dha fund Epokës së Errët, disi ngjashëm siç kishte vepruar Athina në antikitet. Pas reformave të Solonit, Athina ishte bërë një shoqëri pronarësh të vegjël, por edhe më e fortë, sidomos pas ndryshimeve të teknologjisë ushtarake. Kishim të bënim me zëvendësimin e bronzit nga hekuri. Uzurpimi i pushtetit nga elitat e padëshiruara u bë më i vështirë. Në ndihmë për ruajtjen e Leviatanit dhe përkufizimin e tij, qytetarëve ju erdhën edhe ligjet e aplikuar si ai i ostracizmit dhe zgjedhjeve.
Në një shoqëri patriarkale, me bazë, deri vonë, fisin, hierarkia politike pashmangshëm merr formën e dominancës së një klani mbi tjetrin, duke i hapur rrugë një lloji Leviatani që do të shkatërronte gjithë opozitën dhe kundërshtarët, konkludojnë dy studjuesit e njohur të këtyre fenomeneve shoqërore Daron Acemoglu dhe James A. Rovinson.
Eksperimenti me Shtetin dhe shoqërinë nga ana e LDK-së, sidomos në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, por jo më pak edhe ai i PDK-së (SHIK-ut), për dy dekada pas luftës, e dëshmon këtë.
I takon VV-së dhe shoqërisë civile, botës akademike, të ndërtojë Leviatanin e kufizuar dhe demokracinë progresive, si dëshmi se si popull meritojmë Lirinë. Këtë e kemi obligim moral e historik edhe kundruall spartanëve të UÇK-së, që bënë të pamundurën të mundshme.
UÇK-ja si kryevlerë prandaj është e barazvlefshme me Shtetitn. Ajo rrjedhimisht duhet të mbrohet me ligj. Në emrë të saj nuk duhet lejuar të flasin injoranca dhe mbështetësit e despozizmit.
***
Liria e fituar në përballje me gilgameshët modern serb dhe “sozitë” e tyre në cilësinë e marionetave tipike, që Beogradi i përdori përplot njëzet vjetë pas çlirimit, duke rrezikuar që Republika të shndërrohet jo vetëm në Leviatan despotik, por edhe në Shtet të dështuar, është rifituar nga populli, qytetaria aktive, më 14 shkurt 2021. Qytetaria aktive sërish do të gjejë rrugët që ta ndërtojnë kontrollin dhe balancën mes pushteteve. Ky brez e ka përvetësuar tashmë leksionin e demokracisë moderne që buron nga balanca delikate e pushtetit mes shtetit dhe shoqërisë.
Njëri nga tre hartuesit e Kushtetutës amerikane, James Madison, tek insistonte ta bind popullin për ta ratifikuar atë, shkruante:
“Gjatë projektimit të një qeverie … vështërsia më e madhe ka të bëjë me faktin se së pari duhet t’i mundësosh qeverisë të kontrollojë të qeverisurit dhe më pas ta detyrosh atë të kontrollojë veten.”
Kjo legjislaturë duhet ta ketë të qartë se Republika ndodhet tani në korridorin e duhur të ecjes drejt Leviatanit të prangosur [progresiv].
Përveç përkujdesit të shtuar për investime dhe zhvillim ekonomik, Drejtësia, rrjedhimisht procesi i Vetingut, vazhdon të mbetet thembra e Akilit edhe pas tri viteve të qeverisjes së re. Realizimi i Vetingut prandaj mbetet çelësi për “kontrollimin e të qeverisurve” — kësaj merimange byrokratësh që kanë kapur Drejtësinë dhe Mediat, dy instrumentet më qenësore përmes të cilëve olhokratët tok me oligokratët dhe mbetjet e pushtetit serb, vazhdojnë ta mbajnë peng Republikën.
Kontrolli i Leviatanit të prangosur [progresiv] pastaj, është çështje e qytetarisë aktive dhe dëshmi e maturimit të demokracisë sonë.
____________________________________________________
1. https://euronews.al/rrefimi-trondites-i-leon-trotskit-per-masakrat-serbe-ndaj-shqiptareve/
2. Më gjerësisht: https://www.osce.org/files/f/documents/a/7/12550.pdf
3. Daron Acemogllu dhe James A. Robinson: Korridori i ngushtë, Botimet PEMA, Prishtinë 2023, f. 12
4. Po aty, f. 274
5. https://www.koha.net/arberi/390031/vuciqi-takohet-me-ambasadorin-rus-bisedojne-per-ruajtjen-e-marredhenieve-te-mira-me-rusine/
6. D. Acemogllu dhe J.A. Robinson: Korridori i ngushtë, Botimet PEMA, Prishtinë 2023, f.76–79

____________________________________________________
Copyright i revistës GJEOPOLITIKA. (ISSN : 3005-2777).
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
____________________________________________________