Baltën, e duam apo nuk e duam?
Tashmë pena e publicistit tonë të nderuar Gjovalin Gjeloshi është bërë e njohur dhe e vlerësuar në mjedisin shqiptar. Në përmbledhjen e fundit publicistike, botim të cilin ia ka kushtuar vetëm bujqësisë dhe zhvillimeve rurale në përgjithësi, autori vjen si njëri prej gazetarëve më të mirë të dekadave të fundit, zemra e të cilit rreh me atë të bujqësisë, që mendja e tij punon më së shumti se si ta zhvillojë e shpëtojë nga halli bujqësinë tonë të sëmurë, e cila në vitet e tranzicionit të zgjatur shqiptar, do të ishte fitore, po të kishte mbetur në vend: Bujqësia shqiptare ka bërë hapa mbrapa, madje në disa aspekte, ajo ka bërë “prapakthehu”, në mënyrë të pakthyeshme.
Në botimin publicistik “Balta që (s) duam”, autori ka treguar aftësinë e tij për të përshkruar eksperiencën dhe jetën e komuniteteve shqiptare bujqësore në tërësi me një filtër të admirueshëm, “viktimë” e të cilës bien personazhe, ngjarje, fenomene, praktika pune, koncepte e tradita, që meritojnë vëmendjen e shoqërisë. Për të arritur në konkluzione e dhënë opinione në të mirë të shoqërisë, ai ka ushtruar me mjeshtëri dhe përgjegjësinë e detyrës së gazetarit, shkrimin kritik investigativ, vëzhgimin e kujdesshëm, analizën apo intervistën dhe mbi të gjitha, dhunti e Gjovalinit është trajtimi dhe shkrimi i reportazhit problemor, gjini të cilën e kam vlerësuar maksimalisht edhe në vëllimin tjetër publicistik “Afër dhe larg”, botim i para disa viteve.
Libri që sapo ka rënë në dorë të lexuesit (nuk po them libri i fundit, sepse në magjen e Gjovalinit çdo ditë gatuhet diçka e re), i dedikohet bujqësisë, bujqëve dhe fermerëve, specialistëve të ndryshëm, që jetën e kanë lidhur me fshatin dhe bujqësinë, halleve dhe problemeve të komunitetit në zonat rurale dje dhe sot. Publicistika e përfshirë në këtë botim, e cila nisë në vitet studentore të Gjovalinit, fillimi i viteve 80-të të shekullit të kaluar, na e sjellë bujqësinë shqiptare në dy epoka.
Vetë titulli “Balta që (s) duam”, është shumë domethënës. “Baltën” e Gjovalinit, në këto momente më vjen ta krahasoj me “Plehun” e Hygoit, tek romani “Të mjerët”, kur thotë: “Ato grumbuj ndyrësish… e dini çfarë janë? Janë livadhi në lulëzim, bari i gjelbër… janë gruri i artë… janë buka mbi tryezën tuaj… janë shëndeti, janë gëzimi, janë jeta”. Ose pasazhi tjetër: “Shkenca, pasi ka kërkuar për një kohë të gjatë në errësirë, tani e di se plehu njerëzor është lënda më fekonduese dhe më e fuqishmja e të gjitha plehrave. … Një qytet i madh është prodhuesi më i fuqishëm i plehut. … Nëse ari ynë është pleh, plehu ynë, nga ana tjetër, është ar.” Edhe balta është në fakt toka jonë, baltë të cilën ne e kemi bezdi të na ngjitet pas këpucës dhe në këtë rast ne nuk e duam baltën, sepse e kemi neveri dhe nuk duam ta mendojmë baltën si tokë, si tokë që na sjellë të mirat materiale, që na mbush tryezën tonë në tre vaktet e ditës. Gjovalin Gjeloshi me trishtim e vëzhgon dhe e shkruan, se sot baltën nuk po e duam dhe nuk po e duan ata, që të parët duhet ta trajtojnë si tokë që prodhon, që mbanë frymën e njeriut gjallë. Të parët që nuk e duan janë qeveritarët, si në qendër ashtu edhe në bazë. E para është qeveria, ministria e bujqësisë, e cila nuk po dimë se me çfarë merret, kur nuk merret me punën e vet parësore: të kujdesohet për këtë “baltë bezdisëse”.
Bujqësia, në dokumentet historike dhe zhvillimit social, trajtohet si shkalla e parë e civilizimit të njeriut. Njeriu u bë njeri, kur formoi shoqërinë e parë të vetëdijshme, atëherë kur u shkëput nga marrja e produkteve të gatshme nga natyra e filloi të merret me punimin e tokës, zbutjen e kafshëve dhe rritjen e tyre. Nga koha e fillimit kanë kaluar mijëra vjet (më saktë 8-10 mijë vjet), njerëzit kanë perfeksionuar teknikat, kanë rritur njohuritë dhe investimet për të rritur prodhimin e për t’u ushqyer më mirë. E mbi të gjitha, ata kanë rritur vëmendjen dhe kujdesin ndaj kësaj dege, nga më të rëndësishmet e ekonomisë. Këtu fillon diferenca mes popujve, shteteve dhe rajoneve. Ka të tillë që ndonëse kanë shërbime, turizëm e industri të zhvilluar dhe mirëqenie të lartë, e përsëri bujqësinë e kanë patur dhe e kanë prioritet e në qendër të politikave ekonomike. Kurse në vende, për fat të keq si ne, ndonëse prej më se një shekull e në vijim njerëzit më të shquar të tij bëjnë thirrje që bujqësia të trajtohet si dega themel e ekonomisë, politika dhe shtetarët tanë, kryesisht të pas vitit 1990, e kanë trajtuar dhe ende vazhdojnë ta trajtojnë atë si “vrima e fundit e kavallit”. Kaq e vërtet është kjo sa që, investimet dhe mbështetjet për bujqësinë janë me pikatore, madje edhe pakësohen më tej gjatë rrugës, kurse fermerin dhe fshatin e shohin me përbuzje, ndonëse ulen tre herë në ditë në tryezën e ushqimit dhe nuk kujtohen të pyesin se nga vjen ky ushqim.
Materialet e përmbledhura në këtë botim, janë tepër speciale (posaçërisht për bujqësinë, ushqimin, pyjet dhe jetën në zonën rurale); për problemet që trajton do të thosha ato janë tepër të thelluara, e me vlera për shumë kohë, çka me të drejtë gazetari i nderuar Bashkim Koçi, në parathënien e librit nënvizon se “disa nga shkrimet e autorit mund të jenë “të vjetra” nga koha e botimit, por janë aq të freskëta e aktuale nga problematika, sa zor se gjen këshilla më të sakta për të shëruar e për ta bërë disi më të shëndetshme bujqësinë tonë kaq shumë të sëmurë”.
Gjovalini, me pasionin e specialistit të bujqësisë dhe merakun e fermerit, nuk druhet të tërheq vëmendjen e pushtetit lokal dhe atij qendror, që të kthejnë kokën dhe të dëgjojnë dhimbjen e tokës dhe të bujkut. Një shoqëri quhet e zhvilluar, nga ajo se sa e përkushtuar është dhe se sa shteti kujdeset për zhvillimin e bujqësisë, prodhimin bujqësor dhe ushqimin e popullit të vet – ka thënë Tsakuk, filozof dhe ekonomist amerikan, Profesor në Universitetin e Cambridge. Ai, më tej argumenton se roli i qeverive është thelbësor për zhvillimin bujqësor dhe ekonomik.
Por ne shqiptarëve nuk na është shkatërruar dyshemeja, por edhe tavani. Jo vetëm politika zhvillimore dhe mbështetje financiare që nuk ka, por edhe disa struktura mbështetëse, ndoshta të dobëta, që kishim trashëguar, i prishëm. Nuk e di ç’do thoshte Gjovalini sikur të mësonte se edhe atashe tregtarë që kishim në ambasada tonat jashtë, e që interesoheshin për të gjetur tregje me leverdi për produktet tona, i quajtën hallkë të tepërt dhe i hoqën (sot shumë nga produktet tona blihen nga tregtarët maqedonë, etiketohen dhe shiten në Evrope si produkte të tyre me çmim deri 4 herë më të lartë). Gjovalini trajton me besnikëri mbylljen e stacioneve bujqësore të rretheve, nëpërmjet shkrimit “Na ishin një herë laboratorët agrokimike” , duke na sjellë gjendjen e zymtë në të cilën gjendemi sot, kur në të gjithë Shqipërinë kemi vetëm dy të tilla, kur ne kishim nga një për secilin rreth. Jo vetëm kaq, por duhet vënë kuja për shkrirjen e institucioneve kërkimore-shkencore dhe të zhvillimit të bujqësisë shqiptare, që me një papërgjegjshmëri për t’u patur zili, i shkrinë më 2006, kur historikisht është i njohur fakti që, dy – tre stacionet e kësaj fushe, edhe fashizmi në periudhën 1939-1943 nuk i preku; apo disa arritje të trajtimit të tokës, mbetjeve bimore dhe plehut organik me organizma të gjallë (krimbat lumbricus), të luftimit të disa dëmtuesve në fushë e serra me bio-preparate e entomofage, etj, që dikur i kishim në praktikën e punës, por që sot janë harruar dhe ndonjë “dru i shkencës” i trajton si risi.
Ruajtja e tokës bujqësore nga tjetërsimet, është në qendër të vëmendjes së autorit. Nuk mjaftohet me na përcjellë faktin e argumentuar se Shqipëria ka sipërfaqen e tokës bujqësore për frymë të popullsisë më të ulët, por ngre alarmin për pasojat që po na vijnë nga tjetërsimi dhe pakujdesia në ruajtjen e tokës. Tema të tilla si: “Lamtumirë Lezha agroturistike”, “Legalizimi i ilegales”, “Të mbrosh tokën është si të mbrosh Atdheun”, “Shqipëria – delja e zezë edhe në privatizimin e tokës”, “Dy shifrat që tregojnë abuzimet me tokën” etj, që nëse ka kush i dëgjon, punët do t’i kishim ndryshe. Sot realisht, qeveria shqiptare nuk e din se sa tokë bujqësore ka në dispozicion vendi ynë dhe ne akoma ecim me statistikat e vitit 1990 në këtë sektor, duke u ngopur me lugë të zbrazët.
Një tjetër grup artikujsh interesant dhe me vlera për sot, por edhe për të ardhmen, është ai i kujdesit dhe shërbimeve ndaj tokës bujqësore, që e kemi nën kulturë. (Ajo sipërfaqe që ka shpëtuar pa u kthyer në troje ndërtimesh). Artikuj të tillë të shkruar në kohë të ndryshme dhe në organe të ndryshme shtypi të titulluar si: “Bujqësia – e lumja unë ç’ka dëgjoj dhe e mjera unë ç’ka shoh”, ku kritikohen premtimet e qeveritarëve në fushata zgjedhore; “Kullimi bëhet në verë e ujitja në dimër”, ku kritikohet tendenca për me gjet furrikun kur të vjen veza; “Bujqësia e riskut të lartë e Torovicës”, ku na sjellë një përvojë të mirë, sado në miniaturë, për një nga fushat më pjellore të Shqipërisë, siç ishte përpara vitit 1990 ish këneta e Kakarriqit apo fusha e sotme e Torovicës. Fermerë që guxojnë për me mbjellë në kushte të vështira, në mungesë të kullimit të tokës dhe më shumë në pamundësi të ujitjes; artikulli “Toka që po u kalbet mishi, toka që po u dalin brinjët”, na sjellë faktin më domethënës dhe më trishtues që po kërcënon bujqësinë e sotme: mungesa e kullimit në gjithë rajonin e ultësirës perëndimore të Shqipërisë, aty ku shtrihet brezi më i pasur i tokave, prej mungesës së mjeteve të duhura mekanike dhe nga ana tjetër, erozioni masiv i tokave kodrinore e malore, të cilat po përfundojnë në det prej moskujdesit, prej shkatërrimit të pritave malore, prej dëmtimit të kanaleve të ujërave të larta dhe prej degradimit të pyjeve. Ky është realiteti, që vetëm një gazetar si Gjovalin Gjeloshi, që e ka marrë penën në dorë për bujqësinë, qysh në moshën 18 vjeçare, mund ta pasqyrojë me aq dashuri dhe përgjegjësi.
Ai me trimëri dhe guxim nuk ka vështruar as majtas as djathtas politikisht, ai ka thënë se bujqësia, nuk është as blu e as e kuqe, por është e gjelbër (në fakt e zverdhur e po jep shpirt), dhe nuk është bërë palë me asnjë formacion politik që ka drejtuar vendin në këto 30 vite. Në penën e tij kanë rënë ministra e kryeministra, edhe pse ka qenë drejtues vendor e rajonal, nuk ka mbajtur anën e qeverisë së tij, por është “përleshur” me cilindo qeveritar të lartë që ja ka bërë borxh bujqësisë.
Në artikujt e para vitit 1991, unë shoh një gazetar të veçantë dhe me shumë kurajo qytetare. Ai ka arritur të trajtojë edhe probleme që për kohën mund të konsideroheshin tabu. Bashkëpunimi i tij me gazetën “Bashkimi”, një gazetë e përditshme e kohës, ka qenë një shembull se si duhet të shkruaj një gazetar i këtij sektori. Të kritikoje atëherë komitetet ekzekutive, të kritikoje ministrinë e bujqësisë, se i ka kthyer staconet bujqësore në shtojca të seksionit të bujqësisë dhe ato nuk bëjnë punën e tyre shkencore, si në shkrimin “As shtojcë dhe as rezervë e seksionit të bujqësisë”; të shkruaje se metoda e atëhershme me të deleguar prej komiteteve që shkonin në ekonomitë bujqësore, kur i deleguar shkonte edhe vetë kryeministri, si në shkrimin “Kur shefi i kulturës merret me punët e blegtorisë”; të kritikoje cilësinë e bukës që blinin fshatarët në dyqanin e kooperativës, si në shkrimin “A ka vend për të diskutuar cilësinë e bukës”, kur ka pasur raste që njerëzit janë dënuar për agjitacion e propagandë, nëse thoshe se “buka është e keqe”, sepse buka ishte e partisë; të shkruaje për mangësitë në planifikimin urban të fshatrave, si në shkrimin “A duhet të diskutojmë për vijat e verdha në fshat”, kur vijat e verdha ishin të patolerueshme edhe pse të papërshtatshme, etj, etj, duhej një guxim, që pak si Gjovalini e kishin.
Në këtë libër publicistik, lexuesi do të hasë edhe një shkrim monumental: shkrimi mban datën 1 korrik 1990 dhe titullohet: “Problemi është shtruar për zgjidhje. Të heshtim apo…? E ngre në piedestal shkrimin, sepse kronikat e kohës e trajtojnë, si shkrimin që nxiti Byronë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, që të shtonte sipërfaqen e oborrit kooperativist. Këtë na e konfirmon gazetari Mitro Çela në gazetën RD, të datës 6 shkurt 1991, ku shkruan “na thirrën në KQ, sepse kishim botuar një shkrim të Gjovalin Gjeloshit për dhënien e tokës fshatarësisë kooperativiste” si dhe kujtimet e kryeredaktorit të gazetës “Bashkimi”, Prof. Hamit Boriçi, i cili na thotë se “Ramiz Alia u mbështet në këtë shkrim, kur u mor vendimi i Byrosë Politike i datës 26.07. 1990 “Për shtimin dhe fuqizimin e oborrit kooperativist”.
Pika e fortë e publicistikës së Gjovalinit është aftësia për të qëmtuar problemin, nëpërmjet titujve të goditur e domethënës. Paanësia, është një tipar tjetër, që çon gazetarin tonë në pavarësi të plotë. Nëse përpara vitit 1991 ai trajtoi tema të guximshme, në periudhën e pas këtij viti, ai trajtoi tema të paanshme. Lexuesi nuk e kupton, se çfarë krahu politik mbron apo kritikon Gjovalini, që në fakt në jetën e tij si pushtetar lokal e rajonal, përfaqësoi një parti politike. Kjo është një meritë e padiskutueshme, sidomos për kohën tonë, kur fatkeqësisht gazetaria i është larguar misionit të saj fisnik: pasqyrimit të realitetit, jashtë ndikimeve partiake.
Në hapësirën normale që mund të zërë një shkrim analizues , kuptohet, unë nuk mund të them gjithë çfarë ndjejë e mendoj për këtë botim dinjitoz të gazetarisë bujqësore, që shtrihet në një periudhë kohore me dy epoka të zhvillimit të bujqësisë shqiptare, por me bindje mund të them se është botimi më i arritur i kohës tonë.

