“Fjalori leksiko-frazeologjk dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe”, është botim i ASHSH dhe me 1015 faqe
“Autori njihet, më së pari si dialektolog i shqipes, bashkautor dhe autor i tekstit , prof.dr. Gjovalin Shkurtaj të kësaj disipline, është eksplorues i kryedialekteve të gjuhës sonë dhe i të folmeve të tyre, njohës dhe studiues i botës kulturore e gjuhësore arbëreshe dhe i ngulimeve të diasporës shqiptare, kudo në Europë.”
Nga Prof.dr.Tefë Topalli
Gjuhëtari ynë i njohur, Akademik Emeritus, prof.dr. Gjovalin Shkurtaj, publikoi kohët e fundit veprën madhore në lëmë të dialektologjisë sociale “Fjalor leksiko-frazeologjk dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe”, botim i ASHSH, me 1015 faqe. Autori njihet, më së pari si dialektolog i shqipes, bashkautor dhe autor i tekstit universitar të kësaj disipline, është eksplorues i kryedialekteve të gjuhës sonë dhe i të folmeve të tyre, njohës dhe studiues i botës kulturore e gjuhësore arbëreshe dhe i ngulimeve të diasporës shqiptare, kudo në Europë. Ai ka meritën se bëri kërkime e hulumtime të thelluara në zbatimin e ruajtjen e normës së standardit gjuhësor, me një varg veprash për kulturën e gjuhës e të komunikimit, por, njëherësh, me emrin e tij lidhen edhe botime, të cilat për herë të parë dalin në gjuhësinë tonë, siç janë Sociolinguistika dhe Etnolinguistika, degë që jo vetëm kanë pasuruar curikulat e shkollave tona të larta, por edhe kanë hapur hulli të reja të studimit të gjuhës nga këndvështrime bashkëkohore. Ai, jo veç ka bërë punë prej pioneri në këtë lëmë stuidimore, po i ka veshur këto disiplina me lëndën e shqipes, shpirtin dhe psikën e popullit tonë.
Puna e prof.Shkurtajt për hartimin e kësaj vepre të shënuar albanologjike është e nderë përgjatë shumë viteve, është një punë fort e mundimshme dhe me vështirësi të mëdha, që njihen vetëm prej atyre që e kanë provuar; pasi ai ka arritur të rendisë jo thjeshtë një fjalës alfabetik të një areali të shtrirë gjuhësor si Malësia e Madhe, po midis lemave e leksemave të regjistruara, ka frazemat e pasura – të njohura e të panjohura në visarin e shqipes – ka të dhëna shpjeguese rreth përdorimit të tyre dhe, ç’shtë me rëndësi të veçantë, ka ndërhyrje të autorit për krijimin e sitatave kumtuese, me rrëfime tërheqëse nga kodet malësorçe të kuvendeve (kur flet njeni dhe të tjerët veshtojnë); të gjitha këto e bëjnë Fjalorin një enciklopedi të vërtetë gjuhësore, ku kërkon dhe gjen gjithçka që i përket shpirtit të atyre banorëve, të cilët, të rrethuar prej maleve, kanë mundur të ruajnë thalbin e shqipes, dhe, duke u hapur, gjatë shekujve, ia kanë dalë të marrin civilizimin, përherë duke pasur ç’të japin nga fjalët dhe shprehjet e bukura, kallëzimet me nëntekste, ku bie në sy inteligjenca e rrallë e bisedës, respektimi i tjetrit dhe kortezia gjuhësore. Dy tregues të dorës së parë e kanë ndihmuar autorin e Fjalorit në punën e tij: së pari, se ai është folës i lindur dhe i formuar në fëmijërinë e rininë e tij me idiomën vendëse, dhe, së dyti, se ai i ka heqë spik veprës kur ka mbërritur pjekurinë dhe maturinë shkencore si specialist i fushës, me synimin të shkruajë çfarë i përket Malësisë, duke nënvizuar me të madhe ponί çfarë mund të përfshihet e të hijeshojë edhe mbarë gjuhën tonë të lashtë nga fjalët bukuraza të pafund të kësaj hapësire të kamur në planin e shprehjes gjuhësore. Për të ndodhur kjo, hartuesit të fjalorëve u duhen blloqe e skeda pa numërim, regjistrime të shumta nga subjekte me gjithnduer moshash, u kërkohen ngjyrimet fonetike të shqiptimit me të gjitha përkatësitë: nga theksi i fjalës, gjatësia, shkurtësia e hundorësia e zanoreve, pa lënë jashtë atë që quhet rrethim sintaksor, si përdorim sintagmatik dhe takimet tingëllore në rrjedhë të të folurit. Këtë kërkesë mund ta realizojë vetëm një mbledhës i lëndës, si Gj.Shkurtaj, i cili për çdo fjalë të sjellë në renditjen alfabetike, i ka pajisur ato me shenja diakritike, falë përgatitjes si kompetencë shkencore, njëherësh edhe performancës praktike që zotëron vetë autori ynë. Gjatë shpjegimeve, nuk mungojnë në Fjalor të dhëna historike e kanunore, nga gojëdhënat e kallëzimet popullore, duke përfshirë edhe emra konkretë, të cilët, me thënie e sentenca të holla mendimi, kanë lënë gjurmë të paharruara midis banorëve e që vijnë e trashëgohen brez pas brezi, duke zbukuruar e peshuar si usus gjuhësor në përdorime konkrete, sidomos logos-in e përditshëm në dialogje, anekdota dhe rrëfenja të shkurtëra.
Dy burime mbështetëse ka pasur autori gjatë shpjegimit të fjalëve: më e para, të dhëna nga përshkrimet dialektore të krahinave të ndryshme të vendit, si dhe vepra të studimeve të pjesshme etnografike, siç është Fjalori Etnofolklorik i Fadi Podgoricës, të cilët Shkurtaj i çmon me nderim e respekt; përveç kësaj, në Fjalor, autori ka ndjekur aq bukur prurjet letrare në veprat në prozë e poezi të shkrimtarëve tanë të traditës e atyre bashkëkohorë. Me vend, janë sjellë këtu fjalë e thënie, vargje e fjali të tëra prej epikës së Gj.Fishtës, po ashtu nga shkrimtarë shqiptarë të përtej kufirit (Mali i Zi), të cilët i kanë pëlqyer e përdorur idiomat e MM, apo edhe nga Eposi i Kreshnikëve, pa munguar prurje prej veprës akademike, Atlasi Dialektologjik i shqipes, ku Shkurtaj është edhe bashkautor. Edhe prej librave të botuar në New York, autori arrin e merr modele patronimesh, sipas shembujve të traditës malësore të banorëve këndej e matanë kufirit tonë shtetëror. Deri edhe për emra të përveçëm, siç është emri i kreshnikut Gjeto Basho Muji, autori nuk ka lënë pa gjetur motërzime përdorimi me krahasim në këtë trevë të maleve, duke shënuar se kanë qenë dy vëllezër në Kastrat: Zeqir e Sadik Lula, të cilët, për bëmat e tyre herë të mbara e herë jo, thuhej se ishin si Muji e Halili. Vende-vende, në Fjalor duken korelacione fjalësh në plan krahasimi me të folmet arbëreshe, që autori ynë i ka njohur dhe i njeh në nivel aq të lartë, sa mund të quhet një folës shumë i mirë e i saktë i arëbërishtes, për pasurinë e së cilës, ka shkruar gjatë mbi ligjërimet e këtij komuniteti të vjetër shqiptar. Kaq i përimtuar është përshkrimi gjuhësor dhe etnogjuhësor, sa në renditjen e fjalësit të pasur të kësaj së folmeje, nuk lihen jashtë as ndajshtesat, si mjete fjalëformuese: vetëm tek shkronja “O” gjenden 9 të tilla (-oc, -oç, -oj, – ok, – ol, – ole, – osh, – ot, -ovinë) , ku jepen të dhëna edhe për rolin e tyre ngjyrues përgjatë ligjërimit, si dhe klasat e fjalëve të reja që përftohen me rrjedhojat e tyre. Duke qenë një dialektolog me shumë përvojë, prej më se gjysmë shekulli pedagog universiteti i disiplinës, jo një herë autori i zgjeron shpjegimet e lemave edhe si hapësirë përdorimi nga MM, në Shqipërinë e mesme, në toskërisht e çamërishte, si ndeshim në fjalë si: nip-i, njerkë-a, nore-ja, petk-u/a, pujë-a, ragazi (mb), sulkokë-a, surle-ja etj.
Gjatë shpejgimit të lemave të ndryshme, autori zë e jep, jo vetëm gjeografinë e përdorimit me kuptimet ngjyruese të një fjale, por ndalet pothuaj shterueshëm në formimet frazeologjike, siç ngjet me fjalën “krye-t”; apo sintagmat emërtuese “Kashta e Kumbarës” (457) e “Syni i keq”, ku përcjell gjithë doemthënien etnogjuhësore që bartin në popull, si përceptim shkencor dhe paragjykim. Gjithë çfarë duhet të dijë një shqipfolës për emrin “Buzm-i” dhe togun “Buzmi bujar”, e gjen në Fjalor, madje, të shoqëruar edhe me një sekuencë përshkrimi të mrekullueshme. Në mjaft raste, Fjalori jep edhe të dhëna etimologjike, mbështetur kryesisht tek Çabej, kurse huazimeve turko-orientale rrallë shënohen si të tilla. Një vijë më vete, konseguente, mund ta dallojmë për toponiminë dhe onomastikën, që sillen si karakteristika të zonës së fshatrave të MM; në këta emra autori ka ngulmuar se duhen regjistruar, qoftë për vjetërsinë e tyre, ashtu edhe për fenomenet fonetike e gramatikore që kanë pësuar në gojën e banorëve përgjatë historisë. Pa u shmangur nga libri që kemi përpara, themi se Gj.Shkurtaj është edhe autor i një studimi monografik të gjerë, me titull “Enigma e emrave” (2017).
Për studiues të mirëfilltë dhe pasionantë që duan ta njohin metodikën e pasqyrimit të një të folmeje, Fjalori i prof. Gj.Shkurtajt është njëherësh edhe udhëzues praktik si bëhen punime të tilla, jo veç për të teknika regjistrimi fonetik e fonematik, por edhe për rastet kur duhen ndjekur dukuri gramatikore për klasa fjalësh, si: emri, përemri, mbiemri dhe në mënyrë të veçantë, kur duam të sjellim veçoritë e kategorive të ndryshme që i karakterizojnë foljet, si: mënyrat, kohët, vetat, qoftë edhe formimin e numrit të emrave, analizën gjuhësore të fjalës me ndajshtesat e saj; po ashtu, me këtë Fjalor, në mënyrë të veçantë mund të shihen shfaqjet e sinonimisë, homonimisë dhe antonimet në gjuhë, përkatësisht të një të folmeje.
Profesor Gjovalin Shkurtaj, gjuhëtar dialektolog, që në fillimet e punës së tij, gjatë më se gjysmë shekulli, ka thelluar e pasuruar trajtimet që ka bërë në këtë fushë të albanologjisë, por, nuk ka reshtur të gjejë kahe diturie edhe për vështrime të tjera, të reja, që lidhen me këtë lëmë studimi, nisur nga onomastika, sociolinguistika, toponimia, etnografia e të folurit; shpesh ai është ndalur dhe ka tërhequr vëmendjen për politikat gjuhësore të shtetit, për kulturën e gjuhës e të shkrimit, pa u shkëputur nga shqetësimet për zbatimin e normës së njësuar dhe ligjërimet arbëreshe. Brenda punës së tij shkencore, ai ka vlerësuar dhe vijon të vlerësojë kërkimet dialektologjike që kanë realizuar Lamberci, E:Çabej, Martin Camaj, Shaban Demiraj; studiues evropianë si Gerhard Rolfsi, Basil Schader dhe albanologët arbëreshë F. Solano e F.Altimari.