Nuk duhet harruar kurrë!
25 vjet më parë, terrorizmi dhe errësira goditën qytetërimin, demokracinë, lirinë dhe mbarë njerëzimin.
Sulmi ndaj “Kullave Binjake” nuk ishte thjesht një sulm kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, epiqendrës së botës së lirë.
Ishte një përpjekje e ulët dhe frikacake për të goditur vlerat mbi të cilat është ndërtuar shoqëria njerëzore.
Ishte një akt terrorist i kalkuluar dhe i programuar për të shkaktuar të keqen më të madhe të mundshme, jo vetem atij vendi te madh.
Një akt që nuk duhet harruar kurrë!
Sepse të njëjtat forca të errëta dhe kriminale, nëse u krijohet hapësirë, janë të gatshme ta përdorin përsëri terrorin kundër asaj që është më e çmuar për njeriun.
Dëshmitë e kësaj, në formën e agresioneve, akteve kriminale dhe barbarive të organizatave terroriste, nuk kanë munguar as pas 11 Shtatorit 2001.
Te gjithe duhet ta kujtojmë përherë këtë datë edhe:
–Në respekt të viktimave, që humbën jetën, të afërmit, njerëzit e dashur, miqtë dhe kolegët atë ditë;
–Në nderim të zjarrfikësve, policëve, mjekëve dhe qytetarëve që ranë duke shpëtuar jetë njerëzish;
–Në kujtim e nderim të ushtarëve dhe misionarëve amerikanë, që kane dhene jetën në luftën kundër terrorizmit;
–Në shenjë respekti, solidariteti dhe mirënjohjeje për partnerin tone gjeostrategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për gjithçka kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë në mbrojtje të lirisë, demokracisë, të drejtave dhe vlerave njerëzore në mbarë botën.
11 Shtatori na kujton gjithashtu se asnjë vend dhe asnjë popull nuk është apriori i mbrojtur nga agresione të tilla.
Radikalizmi, ekstremizmi dhe terrorizmi jane nje armik real e aktual i popujve, paqes e stabilitetit ne Bote.
Kjo nuk duhet harruar kurrë!

