Mujë Buçpapaj, Fitorja e padukshme, botoi SHB Interlingua, Shkup, 2012 / Мујо Бучпапај, Невидлива победа, изд. Интерлингуа, Скопје, 2012
Mujë Buçpapaj, Fitorja e padukshme, botoi SHB Interlingua, Shkup, 2012 / Мујо Бучпапај, Невидлива победа, изд. Интерлингуа, Скопје, 2012
Vepra poetike Fitorja e padukshme e poetit bashkëkohor shqiptarë, esseist dhe kritikut letrar Mujë Buçpapaj, është ilustrim i vlefshëm për ate që autori dhe vepra e tij paraqesin një tërësi të pandarë. Ky pesëdhjetëvjeçar ka qenë njëri nga themeluesit e pluralizmit politik dhe i shtypit të lirë në Shqipëri (1990). Ato tema prej shkrimeve të shumta dhe komenteve, e analiza politike, të përkujtojmë se ai ka qenë redaktor i gazetës “Rilindja Demokratike”, janë derdhur edhe në fjalimin aktiv poetik. E përfshirë prej njerës në tjetrën kulturë, rrethi gjuhësor dhe tradicion, me përkthimin e shkëlqyer nga gjuha shqipe në maqedonishte të Jehona Spahiut dhe Mustafa Spahiut, na jepet mundësia të njihemi me një dukuri krijuese interesante dhe tepër të rëndësishme në letërsinë bashkëkohore shqipe dhe kulturën më të gjërë. Fjala është për poetikë të angazhuar e cila merret me bashkëkohësinë. Me njerëzit dhe botën, me jetën, me ngjarjet dhe ndodhit të cilat mjerisht e përmbushin, e kuptimësojnë të sotmën e paqëndrueshme ose kohën e keqe. Dhe njeriu në te si mbjellës i së keqes dhe urrejtjes, pabesimit, armiqësisë, intrigues dhe varrmihës. Prej këtu, si shenja relevante artistike shfaqen të vdekurit, erërat, barbarët, disfatat, vdekja. Nëse nëna e ka domethënien dhe mendimin për atdheun, për fisin dhe farefisin, tendenca dokumentaristike, qartë i përcakton subjektet, kohën dhe hapësirën (shqiptar, Tirana, Kosova, Deti Adriatik, bregdeti italian, Nju-Jorku, Menheteni, Gjergj Fishta, Parisi, Fushat e Jeliseut, pirgu i Eifelit, Luvri, Ballkani, Evropa). Fjala poetike në formën unë vetëm e konfirmon shenjën/domethënien dokumentaristike në shënimet me bartësin lirik të theksuar në komunikim të drejtpërdrejtë ose me përvetësimin e emrave (letër nënës, imagjinata ime, vendlindja ime, fusha ime ose vjershat I dua ata sy, Endemi në terr, Arat në fëmijëri). Ky është realiteti i ekzistencës prej të cilës nuk ka ikje. Në te jeta është përleshje, e cila është shndërruar në luftë dhe ajo duhet të mbizotërohet deri në frymëmarrjen e fundit. Nga këtu aspak s’është i rastësishëm titulli i veprës sepse e madhe është fitorja e padukshme.
Imazhet apokaliptike të cilat e plotësojnë dhe kuptimësojnë botën poetike të M. Buçpapajt zbulohen qysh në vjershën hyrëse (programatike) me titullin e së cilës është pagëzuar edhe vepra në fjalë. Në imazhet pothuajse idilike me vetminë dhe heshtjen si një jehonë e largët për vërejtje paraqiten disa ndjenja të paqarta. Kish mbetur vetmia / Në fletë të misrit të pjekur / Të duarve të fëmijëve / Të lagjes së përbaltur. Këtu janë dielli i mjegullt, era që përvidhet nëpër gëmusha nga këneta, kurse vajzat janë dorëzuar në bar që i kanë rrethuar hijet e drunjve. Përmes lutjesh dashuri / Vinte / Fitorja e padukshme / Në vreshtë të ujit / Të folur. Dëshmitar dhe pjesëmarrës është edhe poeti (isha edhe unë) zëri i të cilit paralajmëron se Kaq pak jeta kishte / Njeriu / Për të bërë mirë. E panjohura imponohet si frikë dhe tmerr, rritet në pritje të përjetshme. E era i derdh ngjyrat dhe stinët, i ndërron njerëzit dhe jetën. Lindet imazhi madhështor i lirisë me Portretin e erës. Shpallet himnizues: Malit matanë / Ishim shpendët që dilnin / Prej kënete / Ato ëndrra të vështrimit të keq // Katundit të majtë / Nuk kish më rrugë / Që të qonin / Në stinë të plepit / Fërfëllitës / Të shtëpisë time. Rruga në/deri te liria është rruga më e gjatë dhe më e rëndë për ngadhënjim. Liria ringrehet nga rrënojat, nga fundi i baltës, kurse në atë rast pakushtëzuar dhe patjetër duhet të fitohet frika. Vetëm ashtu ëndrra e shkëputur nga liria e zhveshur e frymës së pasluftës festohet në Sheshin Demokracia. E hidhur është shija e çdo fitoreje. Këtu pushon ëndrra jonë e grisur / Prej lirisë së zhveshur të gjërave / Të pasluftës // Për të hyrë / Në botë / Ato duar vajzash të ngritura / Në ajër torturues / Nga perëndimi i gjërave / Të fyera. Dimensionet universale të zbërthimeve poetike pasqyrohen në vjershën Statuja e erës në tokën e shenjtë në Nju-Jork, e këtu janë lutjet ndaj Zotit, deti dhe oqeani, dallgët, beteja dhe fati i mirë, kali dhe lufta. Dhe shih ku janë shpërnguljet shumëngjyrëshe si ushtria e botës paqësore ose poende më saktësisht kjo është çudi që ka ngelur nga Përralla socialiste. Masa e vdekjes dhe heronjve të ramë si një baraspeshë e lirisë nga globalizimi i frikshëm na shpien tek tragjedia e Kosovës 1999.
Asnjë jetë njeriu nuk është e bukur. Subjekti mund të thotë se vetëm ka pasur çaste të bukura në një jetë të vetme. Kështu në vjershën Jeta një ëndërr poeti lajmëron se As korbi s’ka qenë më i zi / Se ata nën robërinë sllave / Të kujtesës. Ka ngelur vetëm ajo Përshpëritje si shelgu në thellësinë e erët, një përshpëritje, e cila ngritet nëpër qiellin e verbër. Koha kobzezë i çrrënjos njerëzit nga vatrat e lindjes, i ndanë nga varrezat ashtu që ata të mallkuarit të çrrënjosur si gjeth fluturojnë nëpër hijen e detit (Gamonet e detit). Sikur një dhembë e pashëruar bartet vetëdija se guri peshon vetëm në vendin e vet. Së këndejmi dhe vjersha Fantazia e ndotur përfundon me vetëmirënjohjen: O Zot / Si duket nuk kam lënë Atdheun / Prapa derës së avionit / Por një fushë / Njerëzish / Të zhveshur nga vështrimi. Mallëngjimi dhe dhembja mund t’i tregohen më të afërmit (Letër nënës) për dimrin e zi në të cilin mordja e gjenë njeriun vetmitar! Këtu shfaqen Barbarët të cilët e rrezikojnë jetën, mirëpo shpresa nuk e lëshon njeriun dhe në një qeli të tmerrit, kërkon që nëna të ndez zjarr mbi këtë botë të shkretë, të lutet për te në gjuhën shqipe sepse është gjallë dhe nuk don të jetë humbës. Vjershat ndërrohen sikur fotografitë në pëlhurën filmike. Së bashku me to ndërrohen peizazhet, disponimet, personazhet dhe karakteret deri te mirënjohja shkatërrimtare sepse Jam zhgjënjyer keq nga kjo paqe e pagojë / Dhe s’më bën më të ringjallem / Përmbi botë që janë vargjet përmbyllëse të vjershës Zhgënjim total. Kurse njeriu fatlum mund të jetë vetëm njeriu i lirë. Së këndejmi në vjershën Së pari ishte zjarri shtrihet pamja apokaliptike, në të vërtetë zbulohet autoportreti në të cilin Si një qen / Me lëkurë të hollë fshati / Jeta ime / E varur në lis. Munden, vallë që të pajtohen të vdekurit të cilët qajnë pas shiut dersia Trenat e jugut të zbrazët dhe të çmendur i kryqëzojnë hapësirat. Në kundërshtim me vlerat ekzistencionale të Zotit nga njëra anë dhe të Vdekurit nga ana tjetër vajtohet vetëm vetmia. Kujtimet e besimtarëve janë humbur sikur njeriu memec fshatar në këtë Tranzicion tragjik të paramenduar dhe të trilluar. Këtë vjershë e konsiderojmë si më të rëndësishme në veprën me vargje Fitorja e padukshme. E pikërisht në te: Njeriu / Në tranzicion / Si tjegull çatie / E qytetit të papastër / Besimi i shtetit / Dyshues / I veprës së njeriut ëndërrimtarin / Ajo ngrehinë shpresëpërgjakur / E ideve. Që prej këtu fitorja e padukshme është fitore e përjetshme (kushtimisht, V.T.) në kohën pa ide dhe ideale.
Rrënjëshkuluri asnjëherë nuk mund ta gjejë paqen dhe rehatin personale. Sikur hajmali (nuskë) në/me vete nëpër tërë botën, në të gjitha anët e bart atdheun dhe popullin e vet. Në vjershën Ish gabim besimi njeriu është i frikësuar prej zotërimit të rruzullit tokësor. Nën frymën e rrugicës së thatë, ajo ka një domethënie bartëse, ka që pjesërisht ta rehatoi botën e iluzionit të shkëputur derisa në gjak i është lindur dhe lidhur besimi. Kështu hap pas hapi është afruar drejt daljes. Domethënë: Duhet të vdesim që të behemi / Të qartë / Nën hi të universit / Dhe pastaj… rregullat e pikësimit tri pika bindshëm vërtetojnë se jeta dhe bota sikur nuk kanë fare fund, ose këtë askush dhe asnjëherë nuk e ka ditur. Prandaj në fjalimin poetik shfaqen ironia, alegoria, groteska, humori i zi, të cilat lëndojnë dhe dhëmbin. Në vjershën Populli kryengritës poeti ngrihet sikur tribun, ngrihet mbi të gjitha mosmarrëveshjet dhe disfatat, ai është së bashku me popullin e tij. Ndjenja dhe veprimtaria individuale dhe kolektive janë rruga e vetme me luftë personale dhe viktima që të arrihet deri te dëshira e kërkuar dhe liria e etshme. Deri te sendërtimi i ideve dhe idealeve shekullore të popullit. Kish çuar dorë mbi tradhëtarët / E mbetur nga thirrja / Kish vdekur / Hija e të ikurve me kurriz nga / Atdheu si strofull e pashpjeguar / Shteti. Populli mban mend dhe fal, sikur drejtësia që mund të ngadalëson, por asnjëherë dhe asgjë nuk harron. Prandaj edhe vargjet përfundimtare nga vjersha nuk tregojnë, por porosisin se s’është me rëndësi kush ka ndërruar jetë, por kush ka luftuar deri në fund Me këmbë të fshehura në rrugë / Shteti / Populli kryengritës. Fundi i domosdoshëm është vetëm një fillim i ri. Njeriu kthehet në burimet personale dhe në vatra, me qumështin e mëkuar të nënës dhe me fjalën e nënës. Prej këtu dhe nuk është paradoksal ai kthimi i përjetshëm në vjershat e fundit, përbyllëse të librit Vendlindja ime (Fundi i Tplanit), Dy degë molle, Po parakalon drita, Vështrim i zymtë i pemëve, Të tjerat vijnë prej Zotit, Gjërat e heshtura, Përroi nga shiu deri tek Arat në fëmijëri.
Dhe kritiku ka të drejtë, në këtë rast asesi nuk e përjashton anën e vet subjektive që ta përzgjedh ose ta ndaj vjershëm më të mrekullueshme. Ja, këte dëshirojmë që ta bëjmë me vjershën Motive pagojë. Ajo është sajuar prej tërësisë poetike me nga katër vargje. Secili imazh/fragment është tërësi e veçantë në vete, kurse së bashku sajojnë një krijim të mrekullueshëm dhe homogjen. Në të parën lexojmë: Lisi nuk përqafohet me lisin / Siç përqafohet njeriu me njeriun / Por shprish mjekrën në mjegullën e hirtë / Të malit. Madhësia e lisit, njeriut, mjekra, mjegulla dhe mali janë të tmerrshëm. Ata janë të pamposhtshëm. Mirëpo, ata dorëzohen në strofën e dytë kur Lisi nuk i buzëqesh lisit / Siç i buzëqesh njeriu njeriut / Por hap gjethe në fillim / Të çdo Pranvere. Në jetë nuk ka asgjë të rastit. Poende më tepër është shqetësimi i madh nga ajo që ndodh nga e shkruara ose që më parë e dëshiruara dhe e planifikuara. Kështu pra: Lisi nuk qan për lisin / Siç qan njeriu për njeriu / Por rrëzon gjethet / Në fund të çdo Vjeshte. E papërsëritshmja dhe madhështorja, e bukura dhe e mrekullueshmja janë të përmbajtura në thjeshtësinë. E ajo është hyjneshë supreme – mençuria. Vetëm me ate derisa Endemi në terr me humbjen e parimit/rregullores së kryengritjes mundemi të këlthasim: O njeri që shkon të ngresh në këmbë / Lirinë / Lart në qytet është rrufeja. Dhe të parapërfundojmë. E thërrasim në ndihmesë Mujë Buçpapajn me Fitoren e padukshme të tij dhe me porositë e vjershës Skema e rrugës. Në rrugën e kryengritjes ka funksionuar, edhe pse prozaike fjala ka domethënie thelbësore, një fytyrë e pishës në mjegullën e erës së vjeshtës. Në kohë të vdekjes (vjeshta, mjegulla) hapëron njeriu duke e ndjekur hapin me dëshirë ta tejkalon diktaturën. I vetëdijshëm se sidoqoftë e emruar dhe e deklaruar çdo politikë dhe qeveri, diplomaci dhe politikanizëm nuk janë asgjë tjetër, por vetëm diktaturë. Kundër së keqes që njeriu dhe poeti Mujë Buçpapaj e ka ngritur zërin e tij dhe ka ecur drejt kah disa hapësira dhe ardhmëri të reja.
Nga origjinali maqedonisht,
Përktheu Mustafa SPAHIU (Shkup)

