Gazeta Nacional Albania

Prof. Dr. Zyhdi DERVISHI: Refleksione për romanin “Bebi” të shkruar nga Ilirian Dahri

NJË FTESË ME FUQI TË MADHE IDEOLETRARE PËR TË SJELLË NË JETË BEBE SHQIPTARE

Ilirian Dahri, një personalitet letraro-krijues i kristaltë, në të cilin përthyhen në masa të caktuara formacionet sociokulturore, artistike dhe sfidat ekzistenciale të shoqërisë shqiptare dhe të asaj italiane.

1. Rrugëtim letrar elitar
Çdo shkrimtar e poet i mirëfilltë ngjan në një farë mase me një alpinist. Veçse me pikësynime të ndryshme. Çdo alpinist synon të ngjitet në majëmalin më të lartë. Ndërsa krijuesi letrar rreket ta krijojë vetë një mal të tillë. Jo për t’u ngjitur në të, por për ta shndërruar në mal-ndriçues për shpirtrat e të tjerëve. Shumica e krijuesve në fushën e letërsisë rriten, lartësohen bashkë me lexuesit e veprës së tyre, përparojnë edhe nën trysninë e sugjerimeve, vërejtjeve e refleksioneve të tyre. Kësisoj ndajnë një pjesë të konsiderueshme të sfidave krijuese me artshijuesit e tyre. Ndërsa poeti dhe romancieri Iliran Dahri ka ndjekur rrugën e të paktëve krijues elitarë. Në atelien krijuese të tij ai është vetëkualifikuar shumëfish: si krijues, si kritik opozitar i krijimtarisë vetjake, të cilën e ka testuar vazhdimisht edhe me lentet e përthyesit brilant të dykahshëm: shqip-italisht dhe italisht-shqip. Qëndrimi afro çerekshekullor ndërmjet kulturës shqiptare dhe kulturës italiane si emigrant, student i diplomuar në universitet italian dhe nëpunës e përkthyes elitar ndërmjet këtyre dy kulturave e ka pajisur Ilirian Dahrin me një optikë ideoletrare origjinale, e cila e orienton natyrshëm penën e tij kah fusha magnetike e problemeve më të qenësishme, që preokupojnë shoqërinë shqiptare në të tanishmen dhe të ardhmen, e afërt dhe vizionare.

2. Roman për sfidën më traumatike të shqiptarëve
Pas romanit “Liria” të botuar në vitin 2022, romani “Bebi” është i dyti i shkruar nga Ilirian Dahri dhe i botuar në vitin 2024. Ky roman është fryt i një pune krijuese shumëvjeçare, së paku të ngjizur si projekt i selitur dhe i riselitur kohë pas kohe në atelien letrare të autorit. Në disa profile dhe përmasa kryesore romani “Bebi” ngjan me romanin e Ismail Kadaresë “Viti i mbrapshtë”, i cili për mendimin tim, është ndër 4-5 romanet më analitikë, më plagëdiagnostikues të letërsisë ballkanike. Ky roman realizon një radiografi superprofesionale të “markës Kadare”, të njërës prej plagëve sociopsikologjike më traumatike që pushtimet totalitare shumëshekullore i imponuan popullit shqiptar: anarkinë në shumëçka dhe për shumëçka. Kjo plagë i ka atrofizuar shumë energji krijuese popullit shqiptar, si populli që ka sakrifikuar më shumë për vlerat europiane më të fisme dhe që i kanë imponuar martirizimin në shumëçka, deri edhe pengimet e përgjakshme shumëshekullore për shkrimin e shqipes, pra të gjuhës amtare.
Romani “Bebi” është një skaner artistik i traumatizimit shpirtëror deri në skajshmëri të një gruaje shqiptare e cila çapitet nëpër mjegull që dendësohet e dendësohet në rrjedhën e viteve. Bota shpirtërore e saj në çdo fraksion të sekondës, kur është në punë ose prehet në pushime, kur nervozohet nga ngërçe të jetës së përditshme ose kur mediton për profilet më të ndërlikuara të filozofisë së jetës, kur valët e harresës i godasin seksione të caktuara të trurit ose buzëqesh pa e kuptuar as vetë se përse, kur zgjohet në mëngjes nga pagjumësia sfilitëse ose kur lëviz në hapësirat e një ëndrre që e shpie shumë larg nga realiteti, INA-personazhe kryesore e këtij romani torturohet deri në dhimbje sfilitëse nga dilema më ekzistenciale, e cila qëndron në themel të gjithë dilemave të shoqërisë shqiptare: do të zbresë pa zë në natën e ftohtë të shterpësisë apo do të ngjitet në piedestalin më të ndritshëm të mëmësisë.
Përballë kësaj dileme INA shkon nëpër mend shpesh, gjithnjë e më shpesh, edhe vetëvrasjen. Ndoshta e vetmja dilemë që mund të justifikojë disi një akt të tillë, pra nata e zezë të ndërprerjes së zinxhinirit të magjishëm të lindjeve ndër breza. Në faqet e këtij romani më tronditëse janë meditimet e INËS:
“Zoti më ka dënuar edhe unë s’do kem asnjëherë fatin, që të mbajë në krahët e mi një bebush. Një fëmijë timin. Zoti tanimë e ka vendosur dhe dua apo s’dua unë, ja që ky, paska qenë fati im…
Madje ndonjë ditë do të më kujtoni dhe do t’ju brejë ndërgjegjja, që s’arritët të më kuptonit kurrë. Fiuu nga kati i nëntë dhe do dal tek ato lajmet që lëvizin, siç u thua ti, atyre lajmeve me titra të lëvizshme: “Ja dhe lajmi i fundit. Tiranë. Gruaja 47-vjeçare. Askush nuk ia kuptonte dhimbjen”. Dhe fiu. Fiuuu”. (f. 21,22).
INA e përballoi këtë dhimbje torturuese, nuk dorëzua në kthetrat helmuese të vetëvrasjes, të paktën për disa motive të qënësishme.

3. Tradita e fisme shqiptare si profili më modern i modernitetit
INA nuk ishte e vetme përballë sfidës së fatit të saj. Në mënyrë të dukshme, dhe sidomos të padukshme, në botën e trazuar të shqetësimeve të saj ishin prindërit, motra, vëllezërit, kunatat deri edhe nipërit e mbesat me botën e tyre fëmijnore rrezëllitëse. Në këtë “front” lufte psikologjike në vijën e parë qëndron vëllai i saj i parë, si mishërimi i mirësisë dhe i zgjuarsisë së popullit shqiptar. Ai jeton çdo çast me shqetësimin tramatik të motrës, madje edhe me sfidat e saj në mjedise publike si bar-kafeja. Për këtë mjafton të lexojmë një dialog ndërmjet tyre me akuj që ngrijnë dhe shkrihen në fraksione të sekondës:
“A doni ta kuptoni? S’dua të flas me asnjë, – foli prishaqejfas INA, pa i ngritur sytë. Niku pasi vështroi motrën, që qante gjithë hidhërim dhe hodhi një sy nga klientët e tavolinave ngjitur, i tha pa asnjë lloj sfide:
– Në rregull atëherë. Po ulem në një tavolinë tjetër? (f. 47). Sa larg dhe sa pranë njëkohësisht.
Gjithnjë pranë dhe larg, aq sa është e duhur. Kohezioni relativisht i qëndrueshëm i familjarëve, i të afërmve në shoqërinë shqiptare ka qenë dhe mbetet një “ilaç magjik” me fuqi të madhe antistresuese, i pazëvendësueshëm nga këshillimet psikologjike, qofshin këto edhe më të kualifikuarat.
Ky roman ka formatin e një himni për nënat shqiptare, ndoshta më vetësakrifikueset se nënat në çdo popull tjetër të Europës. Deri në fillim të viteve 1990 nënat shqiptare kanë lindur e rritur, duke sakrifikuar shumëçka nga jeta e tyre, me shumë fëmijë, më shumë heroina dhe heronj për luftërat çlirimtare deri edhe për luftërat e përgjakshme për të përhapur ndër shqiptarët dritën e diturisë nëpërmjet gjuhës amtare, të folur dhe sidomos të shkruar.
Romani “Bebi”, me dritën e çiltërsisë sublime të shikimit fëmijënor sikur davarit retë e dendura të perversiteteve që kanë sulmuar së jashtmi edhe shoqërinë shqiptare, sidomos përgjatë çerekut të parë të shekullit XXI. Në kërkimin shumëvjeçar të “Bebi”-it, INA nuk u orientua kah përkushtimi për kafshët, veçanërisht për qentë, siç ndodh rëndom në shoqëritë europiano-perëndimore. Megjithë sfidat e rënda që kam qenë i detyruar të përballoj që kur isha nxënës në klasën e dytë të shkollës e në vijimësi, unë nuk mësova kurrë të urrej, madje as ata që u përpoqën të ma bëjnë jetën më të ferrshme se xhehenemi. Megjithëkëtë, nuk mund të mos ndjej neveri pafund kur shoh zonja, madje edhe të mirëshkolluara, që mbajnë te krahët e tyre qenushë ose dhe i përkëdhelin me togfjalëshat “bukuroshja e mamit”, “i zgjuari i mamit”, “të keqen mami” etj. Pra, gra që me dëshirën e tyre shprehen me njëfarë vetëbesimi se bëhen “më moderne”, duke u vetëreklamuar në statusin e mamit të qenve. Romani “Bebi”, i shkruar nga Ilirian Dahri, sfidon “modernitete” të formateve të tilla të pështira, duke i anashkaluar ose injoruar, duke theksuar traditën klasike shqiptare, e cila në thelbin e saj përditësohet në proces me modernen edhe në fushë të marrëdhënieve familjare.

4. Një “skaner” psikologjik i sofistikuar
Romani “Bebi” ka pak, fare pak elemente të koloritit mjedisor, të natyrës, të arkitekturës antropologjike të shqiptarëve. Në të referohen pak intepretime simbolike të bestytnive, sikurse dukuria e përplasjes në xhamin e furgonit të një shpendi si paraprirje fati ose fatkeqësie. Ky roman shtjellon me mjeshtri të lartë artistike dinamikën e bashkëveprimit të fushave magnetike psikologjike të personazheve, të cilat janë të orientuara kah ëndërrimi më fisnik që jetësohet me ardhjen në këtë botë të një bebi, si dritë e së ardhmes, e sigurimit të ardhmërisë së popullit shqiptar. Ndryshimet psikologjike të personazheve të këtij romani zbërthehen krejt natyrshëm nëpërmjet, hapjeve dhe mbylljeve të telefonave celularë, nëpërmjet mesazheve telefonike që me strukturën e tyre të thjeshtë mbartin ngarkesa emocionale që luhaten deri në skajet e spektreve të ndjenjave njerëzore gjithëpërfshirëse. Filozofi eseist kontraversial Friedrih Niçe (1844-1900) dhe mjaft dijetarë të tjerë kanë pohuar se nga romanet e Fjodor Dostojevskit (1821-1881) kanë mësuar më shumë për ndërlikimet psikoshpirtërore të njerëzve se sa nga veprat shkencore të shumë psikologëve profesionistë. Një rol të tillë të formatit dostojevskian, por të modifikuar sipas veçorive të kërkesave të shoqërisë shqiptare, luan edhe romani “Bebi”. Letërsia e Dostojevskit ekspozon ballafaqimet psikokulturore në skena të gjera, ku luhen drama të rënda dhe tragjedi me fuqi të madhe tjetërsuese. Ndërsa romani “Bebi” i realizon mesazhet e veta në miniskenat familjare, më pak të zhurshme, por më të qënësishme për fatet e shoqërisë shqiptare. Nënat që bëjnë çdo sakrificë në kërkimet për të pasur në krahët e tyre bebe biologjike mund të konsiderohen si luftëtarët e vijës së parë të luftës së shumanshme për mbijetesën e popullit shqiptar. Në ballë të përpjekjeve të tilla është edhe INA, kryeheroina e romanit “Bebi”. Ky roman tingëllon si këmbanë alarmi për të gjithë shoqërinë shqiptare, e cila duhet të shmangë çdo anarki në përpjekjet e saj të shumëanshme për të ndihmuar mediatikisht dhe në perspektivë INA-t, luftëtare të skalionit të parë të mbijetesës së popullit shqiptar, ndërkohë që fuqizimi i ndikimit të teorive maltusiane për pakësimin e popullsisë, kërcënon popujt numerikisht të vegjël si populli shqiptar.
Më shumë se gjithçka tjetër atë e lumturon statusi magjiplotë i nënës biologjike. Ina i përkushtohet tërësisht një statusi të tillë, që në monologun ose dialogun e parë me djalin:
“Ke pak orë që ndodhesh mes nesh dhe tashmë jeta ime ka kaq shumë vlerë, se i përket jetës tënde, Biri im!
Jeta ime është jotja Biri im!
Tashmë e di pse jetoj, Biri im i shtrenjtë!
Për ty deri në frymën që i paraprin amshimit!” (f. 82).

5. Fillimi i një triologjie
Ndër shqiptarët ka funksionuar një traditë birësimi me shumë dritë fismërie, ndoshta më e fismja në botë. Kur çiftet, pas disa vite martese nuk arrinin statusin e dëshiruar për të qenë prindër, birësonin një djalë ose një vajzë, nga një familje e fisit të bashkëshortit, dhe më rrallë e fisit të bashkëshortes, të afishuar dukshëm për virtyte të fisme e mbarësi. Pas birësimeve të tilla, në mjaft raste këto çifte bëheshin edhe prindër me fëmijë biologjikë. Dhe në këto situata fëmija i birësuar nuk kthehej më te prindërit biologjik, por rritej e maturohej nga prindërit birësues me statusin krejt të veçantë të “fëmijës që solli mirësnë më të madhe në familjen birësuese, botën ëngjëllore të bebeve”. Këtë problematikë mund ta trajtonte në një roman të dytë romancieri Ilirian Dahri, si pjesë e një trilogjie romanore për bebet e shoqërisë shqiptare, si shoqëri që, megjithëse ka dhënë shumë djersë, energji krijuese dhe gjak për të çliruar e lulëzuar shoqëritë e tjera, historia i ka rezervuar fatin e shoqërisë më martire, më fathidhur së paku në Europën e harkut kohor që nga shekulli XV deri në çerekun e parë të shekullit XX.

6. Pasurime të shqipes
Nëpërmjet krijimtarisë letrare dhe përkthimore Ilirian Dahri qëmton dhe jetëson fjalë e shprehje të rralla të shqipes. Në këtë proces krijues ai edhe e pasuron shqipen me fjalëformime të reja. Në romanin “Bebi” parashtrohen fjalëformime interesante, si pasuri e shtuar e gjuhës shqipe: fushëgropë gjigande për liqenin e Pogradecit; sedilje njëvendëshe; majmak, për burrat me mbipeshë; buzëbreg; prishaqefas, aneqark, bubalaçe, çlodhka etj. Pasurimi i shqipes, si një ndër tre gjuhët më të vjetra të botës, ndoshta më e vjetra, por që flitet e shkruhet nga popullsi numerikisht e vogël, është një veprimtari jo thjeshtë linguistike, por me rëndësi të jashtëzakonshme për shpjegimin e mjaft “mekanizmave” gjuhësor që funksionojnë në ditët tona edhe përtej hapësirës shqiptare në Ballkan, edhe ndër gjuhë të tjera indoeuropiane. Pasurime të tilla të gjuhës shqipe ndihmojnë për të neutralizuar ndikimet negative të trysnisë së gjuhëve të planetarizuara.