Gazeta Nacional Albania

prof. Shaban Murati: Hitleri falenderon autoritetet daneze dhe suedeze

Shaban Murati
10orë ·

Në kuadrin e 90 vjetorit të holokaustit të librave të vitit 1933, kur në 34 qytete dhe universitete gjermane grupe studentësh të dominuar nga nazistët nisën fushatën e djegies masive publike në sheshe të librave të klasifikar si “jogjermane”, përfshirë edhe libra të Bertold Brehtit, Heminguejit, Erih Maria Remarkut, etj. Hitleri u dërgoi nga përtej varri një letër falenderimi autoriteteve të sotme daneze dhe suedeze:
“Ndjehem i detyruar që t’ju falenderoj thellë, sepse më hoqët një barrë të rëndë, që e mbaj prej 90 vitesh dhe e gjithë historia dhe bota me dënon ashpër për djegiet publike të librave në sheshet e qyteteve në vitin 1933. Në fakt kam heshtur dhe nuk kam ditur të mbrohem nga kjo akuzë e rëndë, deri sa dolën mendjet e ndritura politike, policore dhe akademike nga vendet tuaja dhe përligjin djegien publike në sheshet e qyteteve tuaja të Kuranit të Shenjtë me shpalljen se “djegia e Librit të Shenjtë është shprehje e lirisë së mendimit”.
Ky argument i pashoq novator, për të cilin më vjen keq se si nuk i shkoi mendja Gëbelsit tim të famshëm që ta gjente, jo vetëm më lehtësoi, por edhe më mbushi me krenari, sepse zbulova që qenkam realizuesi i parë i shprehjes së lirisë së mendimit nëpërmjet djegies së librave në sheshe publike, gjë që e kam kryer unë dhe partia ime qysh në vitin 1933. Dhe mendova që kur këta, që lejojnë sot të digjet ne sheshe publike Kurani i Shenjtë i 1,5 miliard njerzve, i japin vetes të drejtën ta bëjnë në emër të “lirisë së shprehjes”, përse të mos mburrem unë që kam lejuar djegien e librave, të cilat në fund të fundit kishin vetëm pak miliona lexues.
Ndaj ju falenderoj dhe ju lutem vetëm që të më akordoni patentën dhe çertifikatën e shpikësit të metodës moderne “të lirisë së shprehjes”.
Jam tepër i emocionuar dhe po pres me padurim ditën kur ju të shpallni si “shprehje e lirisë së veprimit” vrasjet masive, dhomat e gazit dhe luftrat e njeriut kundër njeriut. Me jep shpresë fakti që një nazist nordik si Brejvik vrau për qejf 80 vajza dhe djem e rij dhe u dënua vetëm 21 vjet burg dhe u lejua të bëjë edhe universitetin. Ndaj ju lutem që sa më shpejt ju të shpallni edhe të drejtën e ”lirisë së veprimit” për vrasjet dhe luftrat, që të heq nga vetja barrën e rëndë historike të fajtorit më të madh të njerëzimit”.