Deklarata e Balfurit (Balfour Declaration) është deklaratë të cilën më 2 nëntor të vitit 1917, ministri i Punëve të Jashtme i Britanisë Artur Xhejmz Balfur (Arthur James Balfour, 1848-1930) ia dërgoi udhëheqësit të bashkësisë hebraike në Angli, bankierit, politikanit, zoologut – lordit Uolltër Rotshilld (Lionel Walter Rothschild, 2nd Baron Rothschild, 1868-1937) që ky t’ia përcjellë Federatës së Sionistëve të Britanisë së Madhe dhe të Irlandës.
Me këtë deklaratë qeveria britanike e mbështet propozimin e krijimit të shtetit hebraik në Palestinë, me kusht që ky akt të mos ndikojë negativisht mbi popullsinë arabe që tanimë banojnë në Palestinë. Në atë kohë Palestina ende ka qenë pjesë e Perandorisë Osmane, por pas Luftës së Parë Botërore është bërë protektorat britanik.
Dy udhëheqës sionistë me ndikim janë përpjekur ta bindin qeverinë britanike të marrë vendim që Palestina të jetë atdhe vetëm i hebrenjve, por britanikët nuk kanë dashur të shkojnë aq larg.
Qeveria britanike ndërkaq, ka vendosur mos ta përdorë fjalën “state” (‘shtet’). Në vend të kësaj e ka përdorur shprehjen “national home [for the Jewish people]” (vendbanim kombëtar [për popullin hebre]) dhe me dekada e kanë përsëritur se ka ekzistuar qëllimi për krijimin e shtetit, madje edhe sikur ndonjë politikan britanik në krye të vet është deklaruar për një shtet të tillë.
Që të mos krijohej përshtypja se mendohet për krejt Palestinën, nuk shkruhej “Palestina”, siç ishte përmendur në burimin e parë, por “në Palestinë”.
Ka studiues që thonë se është e diskutueshme se cilat kanë qenë motivet e vërteta të politikës së Rotshilldit. Në aspektin gjeostrategjik, me krijimin e një “vendbanimi” të tillë, do të fitohej një zonë doganore për arsye se të gjitha mallrat prej Afrike, me transportin tokësor, duhej të kalonin nëpër Palestinë.
* * *
Letra e Artur Balfurit dërguar Rotshilldit
Ministria e Punëve të Jashtme
2 nëntor 1917
I nderuar lord Rotshilld
Kam kënaqësinë t’ju përcjell në emër të Qeverisë së Madhërisë së Tij deklaratën e mëposhtme të simpatisë ndaj aspiratave hebraike sioniste, të paraqitur dhe të miratuar nga Kabineti:
“Qeveria e Madhërisë së Tij mbështet krijimin e një Shtëpie Kombëtare për popullin hebre në Palestinë dhe do të bëjë përpjekje maksimale për ta lehtësuar arritjen e këtij objektivi, duke e ditur qartë se nuk do të bëhet asgjë që do të cenonte të drejtat civile dhe fetare të bashkësive ekzistuese jo-hebraike në Palestinë, ose të drejtat dhe statusin politik që gëzojnë hebrenjtë në çfarëdo vendi tjetër”.
Do t’ju isha mirënjohës po qe se për këtë deklaratë do ta njoftonit federatën sioniste.
Me respekt
Arthur James Balfour
* * *
Nocioni “Shtëpi kombëtare për popullin hebraik në Palestinë” (Palestine of a national home for the Jewish people) – Ky nocion është përfshirë në ligjin ndërkombëtar në vitin 1917 me Deklaratën e Balfurit. Sipas disa studiuesve, ky nocion ka mbetur i paqartë dhe vështirë kuptohet. Në vitin 1947, në Dhomën e Poshtme të Parlamentit (House of Commons of the United Kingdom) është mbajtur seancë për çështjen palestineze. Gjatë debatit, ministrit britanik të Punëve të Jashtme Ernest Bevin (1881-1951) i është kërkuar ta përkufizojë apo ta sqarojë domethënien e nocionit “Shtëpi kombëtare për popullin hebraik”. Ai e ka pranuar se nocionin e sipërthënë nuk mund ta përkufizojë saktë.
* * *
SIONIZMI – Është lëvizje çifute për themelimin e shtetit të çifutëve në Palestinë. Çifutët kanë bërë disa përpjekje të tilla. Janë shfaqur kryesisht si reagim i inteligjencies çifute kundër lëvizjeve antisemite në vise të ndryshme të botës. Bazat e sionizmit modern i ka vendosur gazetari çifut Theodor Herzl (1860-1904) i lindur në Budapest të Hungarisë. Pjesën më të madhe të jetës, Herzli e kaloi në Vjenë. Ndonëse ishte një çifut i asimiluar, duke i njohur rrethanat në të cilat jetonin çifutët në vende të ndryshme, Herzli erdhi në përfundim se çështja çifute nuk mund të zgjidhet ndryshe, përpos me themelimin e shtetit të veçantë të çifutëve. Në fillim nuk u përcaktua për Palestinën, por kur ra në kontakt me studentët dhe me intelektualët çifutë të Evropës Qendrore dhe Lindore, erdhi në përfundim se nga të gjitha vendet e tjera, Palestina ka numër më të madh ithtarësh. Organizatën sioniste Herzli e themeloi në vitin 1895. Kongresi i parë botëror i sionistëve u mbajt në Bazel në vitin 1897. Idenë e Herzlit e hidhnin poshtë çifutët e asimiluar të cilët konsideronin se në vendet në të cilat jetojnë janë plotësisht të sigurt. Sionizmi i Herzlit ishte një lëvizje kryekëput politike. Ai konsideronte se në radhë të parë duhet siguruar mbështetje politike, mundësisht mbështetje politike ndërkombëtare.
Për idenë e vet, më kot përpiqej ta fitonte mbështetjen e Turqisë dhe të Fuqive të Mëdha, sidomos të Britanisë së Madhe dhe të Gjermanisë. Britania e ofroi Ugandën në vend të Palestinës, por Kongresi i sionistëve i vitit 1905 e refuzoi këtë ofertë.
Një grup çifutësh që u pajtua me ofertën britanike që shteti çifut të krijohet në Ugandë, u largua nga organizata sioniste dhe themeloi lëvizjen “Territorialistët” e cila për shtet të çifutëve ishte e gatshme të pranojë çdo territor dhe jo vetëm Palestinën. Këtë lëvizje e udhëhiqte shkrimtari çifut që jetonte në Angli Israel Zangwill (Londër, 1864 – Midhurst, Mbretëri e Bashkuar, 1926). Kjo lëvizje shpejt u zhduk.
Herzli vdiq në vitin 1904 në moshën 44-vjeçare. Idenë e vet nuk e realizoi, por la pas vetes një organizatë çifute ndërkombëtare të fuqishme. Pas vdekjes së tij, kjo organizatë e siguroi mbështetjen aktive të qeverisë britanike e cila edhe e zbatoi idenë e tij, pra e krijoi shtetin e pavarur – Izraelin.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, qeveria britanike duke synuar t’ia sigurojë vetes mbështetjen e çifutëve, në vitin 1917 e shpalli Deklaratën e Balfurit (Balfour Declaration) në të cilën premtohet mbështetja e Britanisë së Madhe për arritjen e qëllimeve të lëvizjes sioniste. Pas luftës, Palestina ra nën administrimin britanik. Atëherë filloi kolonizimi i çifutëve në Palestinë. Deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore popullsia çifute në Palestinë u shtua në rreth 480.000. Para Luftës II Botërore, ndër çifutët e mbarë botës, Organizata Sioniste kishte 1.250.000 anëtarë. Kryetar i Organizatës Sioniste dhe i Agjencisë Çifute (Jewish Agency) ishte biokimisti Dr. Haim Vajcman (Chaim Azriel Weizmann, Motal, Rusi, 1874 – Rehovot, Izrael, 1952).
Në atë periudhë, sionistët ishin të ndarë kryesisht në: sionistë demokratë, të udhëhequr nga Vajcmani (Weizmann) dhe matematikani ruso-anglez Selig Brodetsky (Pervomais’k, Ukrainë, 1888 – Londër, 1954); krahu i punëtorëve, i udhëhequr nga David Ben-Gurion (Plonsk, Poloni, 1886 – Sheba, Izrael, 1973), Berl Locker (1887-1972) dhe Berl Katznelson (1887-1944); dhe krahu fetar, i udhëhequr nga Rabbi Meier.
Një grup i nacionalistëve çifutë i njohur me emrin revizionistë sionistë të udhëhequr nga Vladimir Jabotinsky (Odesë, Ukrainë, 1880 – Hunter, Nju-Jork, 1940) u larguan nga Organizata Sioniste dhe në vitin 1934 themeluan Organizatën e Re Sioniste. Kjo organizatë e kritikonte Organizatën Sioniste duke i thënë se është tepër e moderuar (e butë) dhe qysh në atë kohë kërkonte që Palestina, nga të dyja anët e Jordanisë sa më parë të shpallet shtet i çifutëve.
Më vonë, për shembull në vitet ’60 të shekullit XX, shumica e çifutëve në mbarë botën e mbështet lëvizjen sioniste. Edhe pse me krijimin e Izraelit si shtetit u arrit qëllimi themelor i lëvizjes sioniste, sionizmi vazhdoi të ekzistojë si lëvizje ndërkombëtare që i ka ndihmuar Izraelit, për ta shtuar edhe ndikimin e tij si shtet.
* * *
Veprimtarët e sipërthënë të çështjes çifute nuk janë gjallë për ta parë tragjedinë e përmasave kolosale në Gazë.
Xhelal Zejneli