Gazeta Nacional Albania

Prof. Xhelal Zejneli: NUK KA KAUZË SERBE – AJO ËSHTË E RREJSHME

Serbia nuk ka synuar që për serbët jashtë saj të sigurohen të drejta kombëtare. Ajo ka synuar që territoret në fqinjësi, të banuara me serbë, t’ia bashkëngjitë vetes. Si rrjedhojë, midis Serbisë që ka synuar zgjerim dhe fqinjëve të saj që kanë luftuar për mbrojtje kufijsh, ka pasur luftëra të vazhdueshme.

Synimi i Serbisë ka qenë dhe mbetet dalja në Adriatik, por kjo s’ka për të ndodhur kurrë.
* * *
Më 1 dhjetor 1918 u formua Mbretëria e Serbëve, e Kroatëve dhe e Sllovenëve. Prej vitit 1929 u quajt Mbretëri e Jugosllavisë. Në kuadër të Serbisë u përfshinë: Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia, Vojvodina dhe Kosova. Më vonë, shteti i sipërthënë u quajt “krijim i Versajës”, “krijim artificial”, “burg i popujve”. Në shtetin e lartpërmendur, njiheshin vetëm tre popuj: serbët, kroatët dhe sllovenët. Kombësia e boshnjakëve, e malazezëve, e maqedonasve, e shqiptarëve – nuk njihej. Në Vojvodinë kishte qindra mijë hungarezë dhe qindra mijë gjermanë. Qëllimi i Serbisë ishte i qartë – asimilimi. Kur ishte fjala për shqiptarët në këtë mbretëri sllavësh të jugut, qëllimi i Serbisë ishte – dëbimi i shqiptarëve për në Turqi. Për këtë flet edhe elaborati i Vasa Çubrilloviqit “Dëbimi i shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta, 1937). Për këtë flet edhe Marrëveshja midis Mbretërisë së Jugosllavisë dhe Turqisë e datës 11 korrik 1938 që parashikonte shpërnguljen e 40 mijë familjeve shqiptare (rreth 200 mijë vetë) për në Turqi. Në periudhën 1952-1965, për në Turqi janë shpërngulur 452.371 shqiptarë.
Lufta II Botërore bëri të mundur shpërbërjen e Jugosllavisë së Versajës. Jugosllavia e pas Luftës II Botërore apo RSFJ-ja u quajt Jugosllavi e Titos apo Jugosllavi e AVNOJ-it. Ky shtet kishte gjashtë republika dhe dy krahina. Me Kushtetutën e viti 1974, dy krahinat – Kosova dhe Vojvodina u bënë pjesë përbërëse të federatës jugosllave.
Myslimanët e Bosnjës dhe Hercegovinës thoshin se janë boshnjakë. Këtë pretendim të tyre Serbia e kundërshtoi. Sipas Beogradit, përpos myslimanëve, në Bosnjë dhe Hercegovinë jetojnë edhe serbë dhe kroatë. Rrjedhimisht, myslimanët e BH-së nuk kanë të drejtë ta përvetësojnë emrin boshnjak si emër kombësie të vet. Sipas akademikëve serbë, “gjuhë boshnjake nuk ekziston. Myslimanët në BH flasin serbisht. Bosnja dhe Hercegovina, nuk është veçse term gjeografik, ndaj nuk mund të ketë komb boshnjak. Myslimanët në BH nuk mund të jenë mbartës të shtetësisë, për arsye se aty ka serbë dhe kroatë”. Për t’u mos identifikuar me serbët apo me kroatët, myslimanët e BH-së, prej vitit 1968, termin “mysliman” e përdorën në vend të kombësisë. Sipas regjistrimit të viti 1971 në BH, 39.6 % e popullsisë u deklaruan “mysliman” në kuptimin e kombësisë.
Shënim: Myslimanët e Bosnjës dhe Hercegovinës, të Sanxhakut dhe të Malit të Zi etj, sot e quajnë veten “boshnjakë”, ndërsa gjuhën që e flasin e quajnë “gjuhë boshnjake”.
* * *
Në vitin 1986, akademikët serbë nxorën një memorandum, që njihet si “Memorandum i ASShA-së”. Në këtë dokument, akademikët serbë thonë se “serbët në Jugosllavinë e Titos janë të pabarabartë me popujt e tjerë të saj, ndaj nevojiten ndryshime rrënjësore të shtetit”.
* * *
Në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, Serbia tentoi ta shfuqizojë Kushtetutën e vitit 1974 dhe ta rikthejë politikën unitariste, centraliste dhe etatistë të kohës së Mbretërisë Jugosllave. Tentoi t’i suprimojë edhe autonomitë e dy krahinave autonome. Tentoi ta rikthejë hegjemoninë dhe dominimin e vet mbi Jugosllavinë si në kohën e mbretërisë serbo-sllave.
Politika hegjemoniste dhe ekspansioniste serbomadhe e fundit të viteve ’80 dhe e fillimit të viteve ’90, u mbështet: nga Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve, nga Lidhja e Shkrimtarëve e Serbisë, nga Kisha Ortodokse Serbe. E ashtuquajtura Armatë Popullore e Jugosllavisë (APJ) u vu nën kontrollin serb. Policia serbe u vu nën kontrollin e politikës. Mediumet po ashtu. Fjala e lirë u shua plotësisht. Shoqërisë serbe iu imponua njëmendimi politik dhe ideologjik. Shoqëria serbe u homogjenizua. Shteti serb ishte në duart e nacional-socialistëve, të radikalëve dhe të çetnikëve. Kush mendonte ndryshe etiketohej si tradhtar. Në skenë ishte një politikë klerofashiste.
Ishte kjo një kauzë serbe e rrejshme.
Në krahasim me Slloveninë dhe me Kroacinë, Serbia ngecte, por jo se i ishte bërë padrejtësi. Ngecte ngase nuk ishte në shkallën e tyre të zhvillimit, as ekonomik, as intelektual. Ngecte ngase synonte territore dhe jo zhvillim ekonomik dhe tekniko-teknologjik. Parapëlqente që të tjerët të punojnë për të, ndërsa ajo të komandojë.
Politikës klerofashiste, nacional-socialiste, radikale dhe çetnike i dolën para për t’i bërë ballë: kroatët, sllovenët dhe shqiptarët. Madje ka që thonë se shpartallimi i RSF të Jugosllavisë filloi në mars dhe në prill të vitit 1981, me demonstratat e shqiptarëve në Kosovë që u reflektuan edhe ndër shqiptarët në viset e tjera në Jugosllavisë.
Si rezultat i agresionit serb ndaj Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës, Jugosllavia apo RSFJ-ja – u shpërbë. Prej amalgamës së saj u krijuan shtetet e pavarura, si: Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova. Serbia mbeti vetë, me Vojvodinën që gëzon një kuazi autonomi.
* * *
Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve, sot e kësaj dite nuk është distancuar nga Memorandumi i vet i vitit 1986. Nga ky farë memorandumi nuk është distancuar as klasa politike serbe. Pothuajse askush në Serbi që posedon forcë ndikuese.
Ide të reja në skenën politike serbe u përpoq të sjellë Zoran Gjingjiqi (Zoran Đinđić, 1952-2003).
Shënim: Zoran Gjingjiqi diplomoi në vitin 1974 në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Beogradit. Doktoroi në vitin 1979 në Universitetin e Konstancës (Konstanz) në Gjermani, me tezën “Problemet për themelimin e teorisë kritike në shoqëri”. Mentor e kishte filozofin gjerman, njërin ndër më të shquarit në botë, Jyrgen Habermas (Jürgen Habermas, 1929- ). Në vitin 1994 u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike. Në vitin 2001 u zgjodh kryeministër i Serbisë. Në vitin 1999, javorja amerikane “Times” e përfshiu Gjingjiqin në listën prestigjioze të 14 politikanëve më me peshë të Evropës të mijëvjeçarit të tretë. E ka marrë çmimin prestigjioz gjerman “Bambi” në lëmin e politikës, për vitin 2000. Në gusht të vitit 2002, për kontribut në zhvillimin e demokracisë në Serbi, iu dha në Pragë çmimi “Fondacioni Polak”. Ky çmim jepej çdo vit për kontribut në zbatimin e reformave demokratike dhe ekonomike në Evropën Qendrore dhe Lindore. U vra në atentat më 12 mars 2003, para ndërtesës së Qeverisë së Serbisë. Në varrimin e tij morën pjesë qindra mijë njerëz. Se kush qëndronte pas vrasjes, nuk ishte vështirë të dihej.
* * *
Brezi i ri i akademikëve serbë duhet të distancohen nga idetë dhe nga ideologjitë e paraardhësve të tyre. Të distancohen, ngase bien ndesh apo janë në kolizion me parimet demokratike të kohës. Integrimi në familjen perëndimore paraqet mundësi për popujt e rajonit për t’i kapërcyer mosmarrëveshjet e së kaluarës dhe të sotmet. Serbia synon ta mbajë rajonin si në kohën e bellum omnium in omnes, kur Ballkani ka qenë fuçi baruti.
Ideologjia kombëtare serbe sot është në kohën e etërve serbomëdhenj të shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX, si: Ilia Garashanin (1812-1874), Vuk Karaxhiq (1787-1864), Jovan Cvijiq (1865-1927), Vlladan Gjorgjeviq (1844-1930), Vasa Çubrilloviq (1897-1990), Dobrica Qosiq (1921-2014).
Politika kombëtare serbe sot është ajo e shtetarëve serbë të shekullit XIX dhe të shekullit XX, si: e Karagjorgjeviqëve, e Obrenoviqëve, e Nikolla Pashiqit (1845-1926), e Aleksandar Rankoviqit (1909-1983), e Sllobodan Millosheviqit (1941-2006), e çetnikëve, e Voisllav Sheshelit (1954- ), e pjellës politike të Sheshelit – Aleksandar Vuçiqit (1970- ).
Dy shekuj, asnjë ndryshim dhe asnjë transformim ideologjik dhe politik të Serbisë. Të sipërthënët, plot dy shekuj flasin për njëfarë kauze serbe, për të ashtuquajturën çështje kombëtare serbe. S’ka kauzë serbe, s’ka çështje kombëtare serbe. Kauza serbe nuk është veçse hegjemoni, ekspansion dhe dominim mbi popujt e tjerë të rajonit.
Nuk është rastësi që sot në Serbi nuk ka opozitë politike. Opozita serbe është po aq retrograde dhe anakronike sa edhe pushteti i Aleksandar Vuçiqit. Shteti në të cilin s’ka opozitë politike, është antidemokratik. Shteti i tillë udhëhiqet në mënyrë autoritare dhe autokratike. Në atë shtet, zgjedhjet e përgjithshme apo ato vendore, nuk janë veçse farsë. E tillë është Serbia. Një Serbi e tillë nuk ka vend në BE. Ajo duhet të ndryshohet, të reformohet, të transformohet, të heqë dorë nga ideologjia edhe nga politika e shekullit XIX dhe e fillimit të shekullit XX.
Brezat e rinj të akademikëve serbë duhet të nxjerrin një memorandum tjetër në të cilin do të distancoheshin nga ai i vitit 1986. Serbia është e vogël për të qenë e madhe. Një Serbi e vogël nuk mund të ketë nën thundrën e saj: gjysmën e territorit të Kroacisë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë, Kosovën dhe viset e tjera shqiptare në Jugosllavi, Vojvodinë ku kanë banuar qindra mijë hungarezë, Sanxhakun të banuar me boshnjakë. Ëndërr e madhe e njeriut të vogël.
Serbët janë popull arrogant, megaloman, mendjemadh. Megalomania e tyre është pjellë e sundimit të tyre mbi popujt e tjerë të Jugosllavisë, që nga viti 1912, përkatësisht 1918 deri në shpërbërjen e saj, në fillim të viteve ’90 të shekullit XX. Çdo megalomani ngërthen në vete naivitet dhe injorancë.
Serbët nuk marrin mësim prej Fuqive të Mëdha të kontinentit të vjetër. Ato kishin luftuar ndër vete, por në gjysmën e dytë të shekullit XX kishin ardhur në përfundim se luftën për territore duhet zëvendësuar me njohje të ndërsjellë dhe me bashkëpunim ekonomik, në funksion të zhvillimit të përbashkët dhe të përgjithshëm. Ato kishin ardhur në përfundim se lufta për territore has në qëndresën e palës tjetër. Çështja zhytet dhe sillet në një rreth vicioz që s’ka të sosur. Është një luftë e kushtueshme, shumë viktima.
* * *
Vuçiqi në Kosovë nuk kërkon asociacion, kurrfarë asociacioni. Ai kërkon territor, kërkon entitet serb, kërkon shtet brenda shtetit, kërkon republikë serbe në Kosovë, si ajo e Bosnjës dhe Hercegovinës, që e udhëheq Millorad Dodiku (1959- ), i padëshiruar në ShBA. Pas nja-dy vetëve, serbët do të bënin çmos që këtë farë republike t’ia bashkëngjitnin Serbisë. Ata janë mjeshtër të inskenimeve, të mashtrimeve, të gënjeshtrave, të propagandës.
Midis Lindjes dhe Perëndimit, Serbia hiqet sikur është asnjanëse, sikur qëndron në ekuidistancë. E vërteta është se ajo nuk ri në dy karrige. Ri në njërën sosh, në atë ruse.
* * *
Perëndimi s’ka bërë sa duhet, për të mos thënë s’ka punuar fare për demokratizmin e Serbisë. Serbia sot, është ajo e kohës së Millosheviqit. Pas rënies së Millosheviqit, në Serbi erdhën në fuqi dishepujt e tij dhe të Voisllav Sheshelit – Vuçiqi dhe bashkëmendimtarët e tij.
Politika serbe sot është në kundërshti të plotë me filozofinë politike të BE-së. Në vend të ndryshimit të kufijve, BE-ja sugjeron respektimin e të drejtave të bashkësive etnike brenda shteteve ku ata banojnë.
Serbia e Vuçiqit, punë tjetër s’ka përpos të armatoset nga Rusia dhe nga Kina, të ndjekë politikën e forcës dhe të kanoset me ushtri. Vuçiqi nuk do marrëveshje me Kosovën, nuk e njeh pavarësinë e saj, nuk e njeh sovranitetin dhe tërësinë tokësore të saj. Për çfarë bisedimesh Brukseli flitet kur Serbia sot e kësaj dite, me kushtetutën e saj, Kosovën e konsideron pjesë të Serbisë. Vuçiqi dhe pjesëtarët e pushtetit të tij, me të marrë pushtetin, betohen se do ta ruajnë Serbinë, me Kosovën si pjesë të saj.
Uashingtoni, Berlini dhe Parisi duhej t’i kishin thënë Serbisë: “Hiq dorë nga idetë panserbe. Ndryshe do të mbetesh e veçuar, d.m.th. e izoluar!” Pas Luftës II Botërore, Gjermania tha: “Sot e tutje, lufta në Evropë, kurrë s’ka për të filluar nga trualli gjerman”. Një betim të tillë, Serbia s’e ka bërë dot, ndonëse në vitet ’90 të shekullit XX shkaktoi luftëra, që nga Sllovenia deri në Kosovë. Luftëra të përcjella me krime lufte dhe gjenocid. Uashingtoni, nuk mund ta çojë mirë, edhe me Kosovën, edhe me armikun historik të saj – Serbinë. E keqja e rajonit – Serbia, nuk mund të disiplinohet dhe të transformohet duke e ledhatuar dhe duke e përkëdhelur. Duke investuar në të, dhjetëra miliardë ero apo dollarë. Ushqeje sorrën të t’i nxjerrë sytë. Vuçiqi s’ka si ndryshon. Ai që shkon në dasmën e djalit të Sheshelit, nuk ndryshon dot. Ujku nuk zbutet. As e ndërron huqin.
Nuk është Vuçiqi ai që mund ta çojë Serbinë në familjen evropiane. Ç’i duhet Perëndimit një Serbi e udhëhequr nga një Vuçiq, nga një Tomisllav Nikoliq (1952- ), nga një Voisllav Koshtunica (1944- ), nga një Ivica Daçiq (1966- ), nga një Aleksandar Vulin (1972- )?! Nga Vuçiqi, mik i ngushtë i Millorad Dodikut, i Putinit, i Moskës. Vuçiqi që s’i vuri sanksione Moskës, që e ka shuar në Serbi fjalën e lirë, mendimin ndryshe, lirinë e shprehjes, që i ka vënë nën kontroll mediumet, që udhëheq në mënyrë autoritare dhe autokratike, tiranike, despotike dhe diktatoriale, që brenda Evropës ka krijuar një Serbi totalitare. Dhe Uashingtoni, Berlini e Parisi – heshtin, i mbyllin sytë! Ku e merr forcën një Serbi e vogël të ndeshet me gjithë këtë Perëndim?! Dihet ku – në Moskë, te Vladimir Putini (1952- ). Serbia vlon prej grupeve parapolitike që e marrin veten për parti apo lëvizje politike kombëtare. Këto farë grupesh militante nuk janë veçse hordhi të egra barbare, të ekstremit të djathtë. Është tragjedi për një shtet dhe për një shoqëri evropiane të mos ketë në hapësirën e vet forca racionale që i jetësojnë parimet demokratike. I mjerë është ai popull, politikën e të cilit e determinojnë dhe e imponojnë priftërinjtë e Kishës Ortodokse Serbe. Serbi, je katandisur si mos më keq!
Serbia sot, si dikur, është irracionale. Ajo vazhdon të mbetet në anën e kundërt të historisë. Një akademik, një intelektual, një shkrimtar, një filozof serb s’e ngriti zërin e protestës t’i thotë ndal Vuçiqit dhe zogorisë së tij.
Kosova është shtet ku mbizotëron rendi, rregulli, ligji, ku luftohet korrupsioni, ku pakicat kombëtare i gëzojnë të gjitha të drejtat, si në asnjë vend tjetër të BE-së. Ç’kërkon Beogradi më shumë se kaq?! Beogradi i mban peng serbët e Kosovës, manipulon me ta, nuk i lë të integrohen në shoqërinë kosovare dhe në institucionet e shtetit të Kosovës.
Serbi, merr shembull nga Kosova. Mësoje prej saj mësimin e rëndë të demokracisë!

Xhelal Zejneli