“Masakra e madhe ndaj boshnjakëve ka ndodhur pasi që forcat serbe e kanë pushtuar zonën e mbrojtur të KB-ve dhe se vëzhguesit e KB-ve s’kanë bërë asgjë për ta parandaluar një gjë të tillë” – mediumet botërore
* * *
“Kombet e Bashkuara lejuan që në Bosnjë të vriten 8.000 boshnjakë” – gazeta angleze Indipendent
* * *
“Është turp për bashkësinë ndërkombëtare që një e keqe e këtillë ka ndodhur para hundës sonë, kurse ne s’kemi bërë asgjë për ta ndaluar atë” – Jack Straw (1946- ), ministër i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Bashkaur
* * *
Gjenocidi në Srebrenicë ka ndodhur më 11-19 korrik 1995. Janë ekzekutuar 8372 boshnjakë. Ekzekutuese ka qenë Ushtria e Republikës Serbe dhe njësiti “Shkorpionët”.
* * *
Gjenocidi në Srebrenicë është krim lufte i kryer në korrik të vitit 1995, gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë. Gjenocidi përbëhej prej vrasjeve masive, të kryera në mënyrë të planifikuar të meshkujve dhe të fëmijëve boshnjakë të zënë rob, të moshës 12 deri 77 vjeç. Ndodhi në rajonin e Srebrenicës. U krye nga Ushtria e Republikës Serbe nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiq (Ratko Mladić / Ратко Младић, 1942- ) dhe nga formacioni paraushtarak “Shkorpionët”, bashkë me disa qindra vullnetarësh grekë dhe rusë. Kjo ngjarje konsiderohet si një prej masakrave më të mëdha në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. U vranë mbi 8.000 njerëz.
Ndërkohë, Ratko Mlladiqi dhe një grup oficerësh të Ushtrisë së Republikës Serbe, nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, u fajësuan për krime lufte dhe për gjenocid. Masakrën në Srebrenicë kjo gjykatë e cilësoi si akt gjenocidi.
Në vitin 2004, Kolegji ankimor i Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë nxori aktgjykim sipas të cilit krimi i kryer ndaj banorëve meshkuj të enklavës së Srebrenicës paraqet gjenocid, krim ndaj të drejtës ndërkombëtare. Në vitin 2007, aktgjykimin e mbështeti edhe Gjykate Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ). Gjykata erdhi në përfundim se zhvendosja e dhunshme dhe keqtrajtimi i 25.000 deri 30.000 grave, fëmijëve dhe personave të moshuar, si dhe veçimi i meshkujve me qëllim vrasjeje të tyre – paraqet gjenocid.
Në vitet 2013, 2014 dhe 2019, Holanda u shpall përgjegjëse nga Gjykata Supreme e Holandës dhe nga Gjykata E Qarkut e Hagës, për arsye se nuk ka bërë sa duhet për të parandaluar mbi 300 vrasje boshnjakësh në Srebrenicë.
* * *
Bosnja dhe Hercegovina rrugën e vet drejt pavarësisë e filloi më 15 tetor të vitit 1991, me Deklaratën për Sovranitet – të Kuvendit. Më 6 prill 1992 Bashkimi Evropian e njohu pavarësinë e BH-së. Pas një dite, këtë e bëri edhe ShBA-ja. Në këtë kohë, filloi ofensiva e forcave serbe për pushtimin e territorit dhe për pastrimin e etnik.
* * *
Në mars të vitit 1993 Srebrenicën e vizitoi komandanti i Forcave mbrojtëse të OKB-së (UNPROFOR), gjenerali francez Filip Morion (Philippe Morillon, 1935- ). Qyteti ishte i rrethuar prej forcave serbe. Këto forca e ndërprenë furnizimin e qytetit me ujë të pijshëm. Njerëzit furnizoheshin me rrymë elektrike prej gjeneratorëve të improvizuar. Kishte mungesë të madhe ushqimi, barnash dhe gjërash të tjera të përdorimit të përgjithshëm. Para se të shkonte, gjenerali Filip Morion (Philippe Morillon) në tubimin publik u tha banorëve të frikësuar se qyteti ndodhet nën mbrojtjen e OKB-së dhe se ai kurrë s’ka për t’i braktisur.
Midis muajve mars dhe prill të viti 1993, nën mbikëqyrjen e Komisariatit të Lartë të KB-ve për Refugjatët (UNHCR), u evakuuan nga Srebrenica rreth 8.000 deri 9.000 boshnjakë. Sipas disa të dhënave, autoritetet boshnjake në Sarajevë nuk janë pajtuar me këto evakuime, duke thënë se kjo shkakton “pastrimin etnik” të territorit.
Më 13 prill 1993, pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Serbe u thonë përfaqësuesve të UNHCR-it: “Po qe se brenda dy ditëve boshnjakët nuk dorëzohen dhe nuk pajtohen të evakuohen, ne do ta sulmojmë qytetin”.
Më 16 prill 1993 reagoi Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe nxori Rezolutën 819 me të cilën shpalli se “të gjitha palët dhe të tjerët, Srebrenicën dhe rrethin e saj duhet ta konsiderojnë zonë të mbrojtur e cila nuk duhet të sulmohet me armë, as t’i nënshtrohet ndonjë akti tjetër armiqësor”. Në të njëjtën kohë, edhe enklava, Zhepa dhe Gorazhde, u vunë nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara. Më 18 prill 1993 mbërrin në Srebrenicë grupi i parë i ushtarëve të UNPROFOR-it.
Forcat serbe kanë qenë të armatosura me tanke, me mjete të blinduara, me armë artilerie dhe me minahedhës. Njësiti i Armatës së BH-së që qëndroi në enklavë, përkatësisht Divizioni i 28-të, nuk ka qenë sa duhet i armatosur. Por, Kolegji hetues i Tribunalit të Hagës, bazuar në dëshmitë e ndonjë dëshmitari, thotë se divizioni i sipërthënë nuk ka qenë aq e dobët siç e kanë përshkruar dëshmitarë të caktuar. Sipas të dhënave të caktuara, të dyja palët në konflikt, që nga fillimi e kanë shkelur marrëveshjen e “zonës së mbrojtur”. Autokolonave ndërkombëtare të ndihmës, serbët ia kanë kufizuar hyrjen në enklavë. Komandanti i batalionit holandez, nënkoloneli Tomas Karemans (Thomas Jakob Peter Karremans, 1948- ) dëshmon: “… Forcat serbe i kanë penguar njerëzit e tij të kthehen në enklavë. E kanë penguar edhe sjelljen e pajisjes dhe të municionit. Ushqimet, barnat dhe karburantet kanë qenë gjithnjë më të pakta”.
Në fillim të vitit 1995, numri i autokolonave që mund të mbërrinin në enklavë me stoqe ushqimesh dhe barnash ishte gjithnjë më i vogël. Ushtarët e batalionit holandez që kishin mbërritur në janar të vitit 1995, kishin konstatuar se disa muaj pas ardhjes së tyre situata ishte rënduar në mënyrë rapide. Burimet edhe ashtu të pakta të furnizimit të popullatës civile ishin shterur akoma më shumë. Madje edhe rezervat e ushqimit, të barnave, të karburantit dhe të municionit – të forcave të Kombeve të Bashkuara – ishin pakësuar dukshëm. Forcat paqeruajtëse kanë pasur aq pak karburant saqë janë detyruar të patrullojnë nëpër enklavë në këmbë.
Në mars të vitit 1995, kryetari i Republikës Serbe, Radovan Karaxhiq (Radovan Karadžić / Радован Караџић, 1945- ), duke reaguar ndaj trysnisë së bashkësisë ndërkombëtare që t’i jepet fund luftës dhe të bëhen përpjekje që marrëveshja e paqes të arrihet nëpërmjet bisedimeve, i jep direktivë Ushtrisë së republikës Serbe:”… Me veprime luftarake të përditshme të planifikuara dhe të paramenduara, të krijohen kushte të pasigurisë së plotë, rrethana që e bëjnë të papërballueshme jetesën dhe që tregojnë mungesë perspektive për qëndrimin e mëtejmë të popullatës vendase në Srebrenicë”. Ky urdhër i tij njihet si “Direktiva 7”.
Kah mesi i viti 1995, gjendja humanitare për qytetarët boshnjakë dhe për personelin ushtarak në enklavë është rënduar tej mase. Nga raportet e Divizionit të 28-të, vërehet se në fillim të korrikut të vitit 1995, forcat e Armatës së BH-së në enklavë, kanë kërkuar zhbllokimin e ngutshëm të korridorit për ndihmë humanitare. Zhbllokimi nuk bërë. Si pasojë, ka ndodhur tragjedia e civilëve boshnjakë të cilët kanë vdekur nga uria.
Ofensiva e Ushtrisë së Republikës Serbe në Srebrenicë ka filluar më 6 korrik 1995. Në ditët në vijim, si pasojë e përparimit të forcave të Ushtrisë së Republikës Serbe, pesë pikë vrojtimi të UNPROFOR-it në pjesën jugore të enklavës, bien njëra pas tjetrës. Disa prej ushtarëve holandezë, pas sulmit ndaj pozicioneve të tyre, janë tërhequr në enklavë, ndërsa ekipet e pikëve të tjerë të vrojtimit i janë dorëzuar Ushtrisë së Republikës Serbe. Forcat mbrojtëse të Armatës së BH-së janë gjendur nën zjarrin e fuqishëm të forcave serbe.
Në mëngjesin e 10 korrikut të vitit 1995, për ta mbrojtur Srebrenicën, nënkoloneli Tomas Karemans (Thomas Jakob Peter Karremans, 1948- ) ka kërkuar dërgimin e ngutshëm të mbështetjes ajrore të NATO-s. Nuk ka ardhur kurrfarë ndihme. Ndihma mbërrin një ditë më vonë, më 11 korrik 1995, diku rreth orës 14 e 30 minuta, kur NATO-ja i bombardon tanket e Ushtrisë së Republikës Serbe që i afroheshin qytetit (Srebrenicës). Sipas të dhënave të caktuara, aeroplanët e NATO-s qenkan përpjekur t’i bombardojë edhe pozicionet e artilerisë të Ushtrisë së Republikës Serbe, por këtë operacion qenkan detyruar ta ndërpresin “për shkak të dukshmërisë së vogël”. Sipas disa të dhënave, NATO-ja paka hequr dorë nga vazhdimi i sulmeve ajrore, pas kanosjes së Ushtrisë së Republikës Serbe se do t’i vrasë ushtarët holandezë të cilët ishin zënë rob nga forcat serbe dhe se do ta granatojë bazën e Kombeve të Bashkuara në Potoçar jashtë qytetit, si dhe zonat përreth ku janë larguar 20.000 deri 30.000 civilë boshnjakë.
Me të rënë Srebrenica nën kontrollin e forcave serbe, mijëra banorë boshnjakë të Srebrenicës ikën në Potoçar. Aty kërkuan mbrojtje në bazën e Kombeve të Bashkuara. Deri në mbrëmjen e 11 korrikut të viti 1995, në Potoçar u grumbulluan rreth 20.000 deri 30.000 refugjatë boshnjakë. Disa mijëra sish hyrën në bazën e Kombeve të Bashkuara, ndërsa të tjerët u vendosën në fabrikat përreth dhe nëpër ara. Në bazën e Kombeve të Bashkuara kanë gjetur strehim gratë, fëmijët, të moshuarit dhe persona me invaliditet. Sipas të dhënave të caktuara, në bazën e KB-ve janë vendosur të paktën edhe 300 meshkuj, ndërsa jashtë baze – diku rreth 600 e 900 meshkuj. Në Potoçar ka pasur sasi të vogël ushqimi dhe uji, ndërsa vapa e korrikut ka qenë e padurueshme. Gjendje kaotike.
Më 12 korrik 1995 – Ushtarët serbë djegin shtëpi dhe mullarë. I shajnë boshnjakët, u thonë të shkojnë, se do t’i therin, se kjo është tokë serbe. Ndodhin vrasje. Është parë ushtari serb duke vrarë me thikë fëmijën boshnjak, në mes turmës së të dëbuarve. Kanë parë sesi ushtarët serbë, pas fabrikës së zinkut, kufomat e boshnjakëve të vrarë i kanë ngarkuar nëpër kamionë. Me të zënë muzgu, terrori është intensifikuar. Gjatë tërë natës janë dëgjuar klithma, krisma armësh dhe britma të tjera të frikshme. Ka pasur edhe përdhunime.
* * *
Ndarja e meshkujve – Një dëshmitar i batalionit holandez thotë: “Meshkujt i çonin në një lokacion para fabrikës së zinkut. Po atë natë i transportonin me kamionë. Kur refugjatët boshnjakë hipnin nëpër autobusë, ushtarët serbë i ndanin meshkujt e aftë për luftë, të cilët po ashtu tentonin të ngjiteshin në to. Kishte raste kur s’bënin dot dallim në ishin të rinj apo të moshuar. Meshkujt i vendosnin në një ndërtesë në Potoçar, të njohur si “shtëpi e bardhë”.
Meshkujt boshnjakë të ndaluar vriteshin nga Ushtria e Republikës Serbe. Për vrasjet më 12 e 13 korrik 1995 dëshmojnë oficerët dhe ushtarët e batalionit holandez. Për vrasjet e meshkujve pas “shtëpisë së bardhë”, ushtarët holandezë e kanë njoftuar vëzhguesin ushtarak të Kombeve të Bashkaura (UNMO) në zonën e Srebrenicës, kolonelin kenias Xhozef Kingori (Joseph Kingori), por ky qenkësh penguar prej serbëve që të shkojë te vendi i kasaphanës.
Më 11 korrik 1995, komanda e Divizionit të 28-të të Armatës së BH-së merr vendim që meshkujt e aftë për luftë, të largohen nga Potoçari dhe nëpër pyje të mbërrijnë në Tuzëll. Sipas të dhënave të caktuara, në kolonë kanë qenë 10.000 deri 15.000 njerëz. Rreth një e treta kanë qenë ushtarë të Divizionit 28 të Armatës së BH-së. Midis ushtarëve ka pasur edhe të tillë të cilët nuk kanë qenë të armatosur. Më 12 korrik 1995, forcat serbe kanë ndërmarrë sulm artilerie ndaj kolonës. Ajo është ndarë në dy pjesë. Gjithë ditën dhe gjithë natën, kolona i është ekspozuar zjarrit të armëve dhe granatimit. Kjo i ka ngjarë një gjuetie njerëzish.
Mijëra boshnjakë të zënë rob pas marrjes së Srebrenicës prej serbëve, janë ekzekutuar pothuajse për një. Shumica prej tyre janë vrarë nëpërmjet ekzekutimeve masive, të planifikuara me kujdes, duke filluar prej 13 korrikut, mu në veri të Srebrenicës. Nëpër arat ku janë kryer ekzekutimet nuk ka pasur njerëz. Të zënët rob kanë qenë të paarmatosur. Sytë ua kanë lidhur me shami, me duar të lidhura pas shpine dhe të zbathur. Me të mbërritur në vendet e ekzekutimit, njerëzit në grupe të vogla i kanë zbritur prej kamioni, i kanë rreshtuar dhe i kanë pushkatuar. Atyre që u kanë mbijetuar rafalëve të para, u kanë krisur nga disa plumba në kokë.
Edhe pse pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Serbe një kohë të gjatë janë fajësuar për masakër, autoritetet e Serbisë, deri në qershor të vitit 2004, nuk e kanë pranuar një gjë të tillë. Më në fund, autoritetet e Serbisë e kanë pranuar se forcat e tyre të sigurisë kanë kryer masakër. Komisioni për Srebrenicën i Republikës Serbe në raportin e vet përfundimtar e ka pranuar se vrasja e 7.800 meshkujve dhe fëmijëve boshnjakë, ka qenë e planifikuar. Komisioni ka konstatuar se mbi 7.800 vetë janë vrarë, pasi janë grumbulluar 34 lista me emra të viktimave.
Mëngjesin e 13 korrikut të vitit 1995 një grup meshkujsh janë ekzekutuar në bregun e lumit Jadar. Pasditen e po asaj dite është kryer ekzekutimi në luginën e Cerit. Atë ditë ka ndodhur ekzekutimi i parë i madh. Ndërmjet 1.000 dhe 1.500 meshkuj boshnjakë të zënë rob në kolonën e cila nëpër male, nga Potoçari synonte të arrijë në Tuzëll, i kanë sjellë në një depo në Kravicë. Rreth orës 18, ushtarët serbë kanë filluar të hedhin bomba dore dhe të qëllojnë drejtpërsëdrejti ndaj boshnjakëve që i kishin futur në depo.
Mëngjesin e 14 korrikut të viti 1995, boshnjakët që i kanë mbajtur në Bratunc, më 30 autobusë i çojnë në shkollën e Gërbavicës pranë Orahovcit. Sipas dëshmive, aty ka pasur 2.000 deri 2.500 vetë. Por ka edhe të dhëna që tregojnë se aty nuk ka pasur më shumë se 1.000 të zënë rob. Midis tyre ka pasur djem të rinj por edhe të moshuar. Aty paska ardhur edhe gjenerali Ratko Mlladiq. Prej aty, të burgosurit me kamionë i dërguar në vendet e ekzekutimit. Çdonjërit prej tyre i kanë dhënë nga një shami për t’i lidhur sytë. Pasi i kanë rreshtuar, i kanë qëlluar pas shpine. Ka dëshmi që thonë se disa ekzekutime i ka vëzhguar edhe gjenerali Ratko Mlladiq.
Dëshmitë e të mbijetuarve përputhen me provat forenzike dhe me fotografitë e xhiruara nga ajri. Në zhvarrimin e kufomave, midis tjerëve kanë marrë pjesë edhe Prokuroria e Tribunalit të Hagës dhe organizata Mjekët e të Drejtave të Njeriut.
* * *
Më 14-16 korrik 1995 boshnjakët janë mbajtur të mbyllur në shkollën e fshatit Pilicë, në veri të Zvornikut. S’ka pasur as ushqim, as ujë. Shumë meshkuj kanë vdekur nga vapa dhe nga dehidrimi në sallën e gjimnastikës të shkollës. Duarlidhur pas shpine, i çojnë me autobusë në Ekonominë Ushtarake në Branjevë. Të rreshtuar në grupe nga dhjetë, i pushkatojnë.
* * *
Krimineli serb i luftës, Drazhen Erdemoviq, para Tribunalit të Hagës e ka pranuar krimin. Ka qenë pjesëtar i Njësitit të 10-të të diversantëve të Ushtrisë së Republikës Serbe. Ka marrë pjesë në ekzekutimet masive. Si dëshmitar në procesin kundër gjeneralit të Ushtrisë së Republikës Serbe Radisllav Kërstiq (Radislav Krstić / Радислав Крстић, 1948- ), deklaron: “Njerëzve para nesh u urdhërohej të ktheheshin me shpinë nga ne. Pas kësaj, ne krisnim në ta. Na jepej urdhër që të qëllojmë”. Dëshmia e tij vazhdon: “Ka pasur raste kur ekzekutuesit kanë qenë tejet brutal. Ndonjërin, para se ta vrisnin, e rrihnin dhe e përbuznin. Kisha kërkuar prej kolegëve të mi ushtarë që të pushojnë t’i përdorin mitralozat për pushkatim ngase vdekja nuk vjen menjëherë kështu që vuajtjet e të pushkatuarve zgjateshin”. Ai vazhdon dhe midis tjerash thotë: “Më 16 korrik 1995, në Ekonominë Ushtarake të Branjevës janë vrarë ose janë pushkatuar 1.000 deri 1.200 boshnjakë”.
Komandanti i forcave serbe në Srebrenicë, gjenerali Radisllav Kërstiq kishte shkelur në minë dhe e kishte humbur këmbën. Pasi i ishte vënë protezë, ishte kthyer në fushbetejë. Gjykata e Hagës e akuzoi për gjenocid ndaj boshnjakëve. U arrestua në vitin 1998 nga SFOR-i. Në vitin 2001 u dënua me 46 vjet heqje lirie. Më 15 gusht 2001, paraqiti ankesë. Dënimi iu zvogëlua në 35 vjet. Është i pari evropian i dënuar për gjenocid nga një gjykatë ndërkombëtare, pas Procesit të Nyrnbergut (nëntor 1945 – 01.10.1946). U dërgua në Britani për ta vuajtur dënimin.
Për gjenocidin në Srebrenicë janë dënuar 46 vetë, si nga Gjykata e Hagës, ashtu edhe nga gjykatat e BH-së dhe të Serbisë.
* * *
Më 17 korrik 1995 zona e lartpërmendur është xhiruar nga ajri. Në fotografi shihen një numër i madh kufomash.
Deri në vitin 2002 ishin eks-humuar (zhvarrosur) 5.000 trupa, ndërsa ishin identifikuar jo më shumë se 200 sish. Sipas të dhënave të viti 2005, numri i trupave të nxjerrë u rrit në 6.000, ndërsa i të identifikuarve në rreth 2.000.
Provat forenzike dëshmojnë se në fillim të vjeshtës së vitit 1995 forcat serbe janë përpjekur t’i fshehin ekzekutime masive, duke i zhvendosur varrezat parësore në varreza dytësore më të largëta.
Gazeta angleze Indipendent, në faqen e ballinës shkruan: “Kombet e Bashkuara lejuan që në Bosnjë të vriten 8.000 boshnjakë”.
* * *
Lajmet për masakrën në Srebrenicë, në mediumet botërore u paraqitën për herë të parë në gusht të vitit 1995. Më 10 gusht 1995, ShBA-ja i publikoi fotografitë satelitore të cilat tregonin varreza masive të mundshme pranë fshatit Nova Kasaba. Për ta hulumtuar rastin në vendin e ngjarjes, gazetari hulumtues amerikan David Rohde (David Stephenson Rohde, 1967- ) e viziton Bosnjën verilindore. Më 18 gusht 1995, në Christian Science Monitor publikoi lajme dhe prova të rëndësishme që tregonin se në zonën e Srebrenicës ka ndodhur masakër përmasash të mëdha.
Mediumet botërore kanë njoftuar: “Masakra e madhe ndaj boshnjakëve ka ndodhur pasi që forcat serbe e kanë pushtuar zonën e mbrojtur të KB-ve dhe se vëzhguesit e KB-ve s’kanë bërë asgjë për ta parandaluar një gjë të tillë”.
The Enclave është një seri trepjesëshe e bazuar në ngjarjet në Srebrenicë. Është transmetuar në vitin 1995 në stacionin Dutch Public Broadcasting. Pas kësaj është bërë edhe film ku përfshiheshin pjesët e cekura të serisë.
* * *
Më 24.07.1995, Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte të kryera në ish-Jugosllavi (ICTY), liderin ushtarak të serbëve të Bosnjës, gjeneralin Ratko Mlladiq e fajësoi për kryerje gjenocidi, për krim kundër njerëzimit dhe për shkelje të ligjeve të luftës. U arrestua në Serbi më 26.05.2011, ndërsa më 2017 u dënua me burgim të përjetshëm.
Në vitin 1995, Gjykata e Hagës ngriti aktakuzë ndaj liderit politik të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq. U arrestua në Serbi në vitin 2008. Në vitin 2019 u dënua me burgim të përjetshëm.
* * *
Pas një diskutimi afatgjatë për gjenocidin në Srebrenicë, në prill të vitit 2002, qeveria holandeze (kabineti i dytë i Wim Kok, 1938-2018), pas hetimit zyrtar dhe raportit të hartuar nga Nederlands Instituut voor Oorlogsdocumentatie – dha dorëheqje.
* * *
Në mars të vitit 2003 u ndërtua Qendra Përkujtimore Srebrenicë – Potoçar, të cilën e hapi tanimë ish-presidenti i ShBA-së Bill Klinton (William Jefferson Clinton, 1946- ). Viktimat e para të identifikuara, 600 sish, u varrosën më 31 mars 2003. Më 11 korrik të po atij viti, në 8-vjetorin e gjenocidit u varrosën për t’u prehur në qetësi, edhe 118 mbetje mortore. Më 11 korrik të vitit 2004, në 9-vjetorin e gjenocidit, u varrosën edhe 338 viktima të identifikuara.
* * *
Në vitin 2004, Përfaqësuesi i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare, politikani dhe diplomati britanik Pedi Eshdaun (Paddy Ashdown, 1945-2018) e detyroi Qeverinë e Republikës Serbe të formojë Komision për hetimin e ngjarjeve në Srebrenicë. Komisioni e publikoi raportin në tetor të viti 2004 në të cilën konfirmoi se në rajonin e Srebrenicës janë zhdukur dhe kanë humbur jetën 8.731 vetë (7.793 persona të vrarë midis 10 dhe 19 korrikut të vitit 1995 dhe 938 persona, pas kësaj periudhe).
Nacionalistët serbë i mohuan konstatimet e Komisionit, duke thënë se ai ka punuar nën trysninë e Përfaqësuesit të Lartë. Por, kryetari i Republikës Serbe, Dragan Çaviq, tha në televizion se forcat serbe kanë vrarë në Srebrenicë mijëra civilë, duke shkelur të drejtën ndërkombëtare. Ai shtoi se Srebrenica është kapitull i zi i historisë serbe. Në këtë paraqitje televizive, në vend të fjalës “gjenocid” e përdori fjalën “masakër”.
Më 10 nëntor 2004, pasi e shqyrtoi raportin e Komisionit, Qeveria e Republikës Serbe kërkoi falje zyrtare. Ajo pohoi: “Raporti flet qartas se në korrik të vitit 1995, në rajonin e Srebrenicës janë kryer krime të mëdha”.
Më 18 janar 2005, për pjesëmarrje në gjenocidin e Srebrenicës, koloneli i Ushtrisë së Republikës Serbe, Vidoje Blagojeviq, u dënua me 18 heqje lirie, ndërsa majori Dragan Jokiq, me 9 vjet heqje lirie.
* * *
Më 11 korrik 2005, në 10-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, u mbajt në Potoçar ceremonia përkujtimore. Morën pjesë rreth 50.000 vetë dhe mbi 40 delegacione shtetërore. Atë ditë u varrosën edhe 610 viktima të identifikuara. Në komemoracion mori pjesë edhe kryetari i Serbisë Boris Tadiq (1958- ). Bëri homazh dhe u përkul para arkivoleve të viktimave. Prania e Tadiqit shkaktoi zemërimin e ultranacionalistëve serbë, por u përshëndet nga bashkësia ndërkombëtare. Të pranishëm ishin edhe ministrat – i Francës, i Holandës dhe i Britanisë së Madhe si dhe ish-përfaqësuesi amerikan për Ballkanin, diplomati Riçërd Hollbruk (Richard Charles Albert Holbrooke, 1941-2010).
Ministri britanik i Punëve të Jashtme, Jack Straw (1946- ), kërkoi falje në emër të bashkësisë ndërkombëtare, duke thënë:
“Është turp për bashkësinë ndërkombëtare të ketë ndodhur një e keqe e këtillë para hundës sonë, e ne nuk paskemi bërë asgjë për ta ndaluar”.
* * *
Rezoluta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Nr. 199, 27 qershor 2005. Dhoma e Përfaqësuesve e ShBA-së miratoi rezolutë (H. Res 199 të sponsoruar nga kongresistët Kristofer Smit (Christopher Smith) dhe Benjanin Kardin (Benjanin Cardin). Me këtë Dhoma e sipërthënë e shënoi 10-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë. Për Rezolutën votuan 370 kongresistë, 1 ishte kundër kurse 62 abstenuan.
Në Rezolutë, midis tjerash thuhet:
“Në gjenocidin e kryer në Srebrenicë, 8.000 burra dhe fëmijë … u ndanë prej bijave, nënave, motrave dhe bashkëshorteve të veta, për t’u vrarë më pas prej forcave serbe, për t’u groposur në varre masive, që pastaj, për ta fshehur krimin, të rigroposen në varre dytësore. Srebrenica ra pas sulmit të forcave serbe më 11 korrik 1995, edhe pse në atë kohë ka qenë zonë e mbrojtur e KB-ve dhe nën mbrojtjen e bashkësisë ndërkombëtare. Masakra në Srebrenicë ka qenë krimi më i tmerrshëm i gjenocidit në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
… Politika e agresionit dhe e pastrimit etnik që e kanë zbatuar forcat serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë prej viti 1992 deri në vitin 1995, me ndihmën e drejtpërdrejtë të regjimit serb të Sllobodan Millosheviqit dhe të aleatëve të tij, e që ka shkaktuar shpërnguljen e mbi 2,000,000 banorëve dhe 200,000 viktima, dhjetëra mijë femra të përdhunuara … – përkufizohen si akt kriminal i gjenocidit sipas nenit 2 të Konventës për parandalim dhe dënim të gjenocidit, të nënshkruar në Paris më 9 dhjetor 1948, e që ka hyrë në fuqi më 12 janar 1951”.
* * *
Roli i Serbisë – Që në krye të herës, Serbia ka marrë pjesë në luftën në Bosnjë dhe Hercegovinë, në fillim me rezervistët, me regrutët dhe me oficerët serbë të cilët kanë qenë në shërbim në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ), pastaj nëpërmjet formacioneve të ndryshme vullnetare dhe paraushtarake, përkatësisht mbështetjes ushtarake, logjistike, informative dhe teknike që u janë dhënë formacioneve të armatosura të serbëve të Bosnjës. Sipas dokumenteve të Prokurorisë, Armata Popullore e Jugosllavisë (APJ), me rastin e tërheqjes së rrejshme nga Bosnja në vitin 1992, ka lënë rreth 70.000 copë armë si dhe municion me shenja të RS të Jugosllavisë, gëzhojat e të cilave janë gjetur në Srebrenicë.
Ish-shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Jugosllavisë (UJ), Momçillo Perishiq (Momčilo Perišić / Момчило Перишић, 1944- ), u akuzua nga Prokuroria e Hagës se ka qenë përgjegjës për t’i dhënë ndihmë materiale dhe logjistike Ushtrisë së Republikës Serbe. Ushtria e Jugosllavisë e ka siguruar dhe i ka dhënë rroga kuadrit të oficerëve të Ushtrisë së Republikës Serbe. Nga ky burim është paguar edhe komandanti i Ushtrisë së Republikës Serbe, gjenerali Ratko Mlladiq. Në vitin 2005, Gjykata e Hagës ndaj gjeneral Momçillo Perishiqit ngriti akuzë. U dorëzua vetë. Gjykimi filloi në vitin 2008. Në vitin 2011 u dënua me 27 vjet heqje lirie. U lirua në vitin 2013. Organet serbe e akuzuan si bashkëpunëtor të CIA-s.
* * *
Përpos mbështetjes së përgjithshme logjistike dhe financiare, në gjenocid ka marrë pjesë të drejtpërdrejtë edhe formacioni paraushtarak “Škorpioni“ (Skorpionidët; Akrepat), nën kontrollin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Të gjithë autobusët dhe kamionët që janë përdorur për depërtimin e banorëve të Srebrenicës, kanë qenë prej Serbie.
* * *
Më 30 mars 2010, Kuvendi i Republikës së Serbisë miratoi Rezolutë për Srebrenicën në të cilën thuhet“…u shprehim ngushëllime dhe u kërkojmë ndjesë familjeve të viktimave ngase nuk është bërë krejt që është dashur për t’u parandaluar kjo tragjedi”. Fjala “gjenocid” s’përmendet dot kund.
* * *
Aktgjykimi i Gjykatës Holandeze në vitin 2014 – Me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Holandës të datës 16 korrik 2014, Holanda është akuzuar për depërtimin dhe për vrasjen e 300 meshkujve boshnjakë, të cilët, pas marrjes së Srebrenicës më 13 korrik 1995 nga Ushtria e Republikës Serbe, janë dërguar diku dhe janë vrarë. Aktakuza është paraqitur nga shoqata “Nënat e Srebrenicës”. Aty thuhet se ushtarët holandezë në Potoçar nuk kanë ndërmarrë asgjë për ta parandaluar deportimin dhe vrasjen e meshkujve boshnjakë. Aktgjykimin e nxori gjyqtarja Larisa Eluin (Larissa Elwin.
* * *
Revizionizmi dhe mohimi gjenocidit – Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejta të Njeriut në Serbi, Sonja Biserko dhe Edina Beçireviq nga Universiteti i Sarajevës vënë në dukje kulturën e mohimit të gjenocidit në Sebrenicë, që është e pranishme në diskursin politik, në mediume, në sistemin e drejtësisë dhe në atë të arsimit në Serbi. Mohimi bie në sy në rishqyrtimin e aktgjykimeve të Tribunalit të Hagës, në zvogëlimin e numrit të të vdekurve ose në mënyrën se si janë vrarë, si dhe në faktin se shumica e grave dhe e fëmijëve kanë mbijetuar, gjë që merret si arsye që masakra të mos cilësohet si gjenocid.
* * *
Për të eliminuar grupin e boshnjakëve, forcat e serbëve të Bosnjës kanë kryer gjenocid. Kolegji ankimor thekson qartas se ligji e dënon dëmin e madh dhe të përhershëm që është shkaktuar, kështu që masakrën në Srebrenicë e quan me emër të vërtetë “gjenocid”. (MKSJ, paragrafi 37).
Xhelal Zejneli