Gazeta Nacional Albania

Rafaela Prifti, Ardian Murraj, SHBA: Qentundësi dhe të tjera komedi politike të zeza parathonë të ardhmen

White stairs leading up to the Pyramid of Tirana in the center of Tirana. Albania

Rafaela Prifti, Ardian Murraj: Qentundësi dhe të tjera komedi politike të zeza parathonë të ardhmen

Ndarja midis skicave humoristike, subjekteve të trilluara dhe ‘skenarëve’ të vërtetë politikë po bëhet përherë e më “e hollë”. Duke qenë se arti ka dalë parashikues i realitetit në politikë mund t’ia vlejë të përqendrohemi tek disa momente nga të dyja kategoritë për të ndjerë prirjet e pranishme në Shqipëri. Ky shkrim kërkon përgjigjen e pyetjes se çfarë kanë të përbashkët Qendtundësi, çështja McGonigal, aferat e qeverisë shqiptare, kodi i mafias dhe rrobaqepësi. Sa për fillim, dy prej tyre janë tituj filmash të shfaqur ndërsa të tjerët intrigojnë për t’u bërë filma. Në shkallë të gjerë publiku reagon si ndaj komedisë së politikës ashtu dhe ndaj politikës në komedinë e zezë.
Njëzetepesë vjet më parë komedia e regjisorit amerikan Barry Levinson e pasuroi fjalorin e Anglishtes me shprehjen “të tundësh qenin” (wag the dog) modifikim i ‘tundjes së bishtit’. Fraza, që zuri vend shpejt në leksikun e shkencave politike dhe në atë të përditshmin, nënkupton krijimin e një realiteti fiktiv për të shmangur një problem aktual. Kur satira politike i kapërcen kufijtë e kohës së vet, ajo arrin te realiteti i hidhur i të ardhmes, i një të ardhme kur faktet nuk kanë epërsi mbi fshehjen e realitetit dhe vërtetësia është alternative. Rrjedhimisht marrëdhënia me realitetin dhe të vërtetën bëhet përherë e më relative.
Në komedinë Wag the Dog, lufta imagjinare, e cila ka si synim të zhvendosë vëmendjen nga një skandal i bujshëm presidencial në një vit zgjedhor, trajton me humor, por me mendjemprehtësi marrëdhënien e politikës me artin, më konkretisht Hollivudin. E para çon popujt në luftëra, e dyta i bën luftërat të besueshme në ekran. Në politikë zhvendosja e vëmendjes krijon hutim dhe zhgënjim te publiku, por e njëjta teknikë është zbavitje në komedi. Fabrikimi i një lufte në dobi të interesave politike ishte ideja frymëzuese nga libri me të njëjtin titull. Në vitin 1998 ideatorët e përshtatën skenarin e filmit dhe sa për kureshtje Klintoni ishte president kur filmi u shfaq në ekranet e kinemasë. Për ta bërë sa më të besueshme idenë se “vendi ka hyrë në luftë” thirret me urgjencë një ekip me kineastë dhe regjisorë të zotë. Por janë detajet historike që e pasurojnë ngjarjen, qoftë edhe vetëm për ekranin si p.sh. dhoma e vogël pas Zyrës Ovale që ishte një nga sugjerimet e diplomatit Richard Holbrook për mikun e tij De Niro, pasi aktori dhe producenti ia dha të lexonte skenarin. Nga aktorët, Xhim Belushi luan vetveten në film sepse Shqipëria është në qendër të ngjarjes. Për atë rol, ai ka thënë se përsëriti në shqip shprehjet a sharjet që mbante mend nga gjyshja e tij, dhe nga si film, origjina e tij shqiptare mori përmasa të papara deri në atë kohë. Historia u ndërtua e thjeshtë: një operativ i regjur i Uashingtonit vjen në kryeqytet me kërkesën urgjente të Këshilltares së Marrëdhënieve Publike të Presidentit në kohën kur kanë mbetur 11 ditë nga zgjedhjet presidenciale. Ata rekrutojnë një producent Hollivudi që të sajojë “një gjoja luftë me Shqipërinë” për ta larguar vëmendjen e opinionit nga skandali që ka dalë në media për ngatërresën e presidentit me një vajzë minore.
Premisa e komedive me temë politike nuk ngjall ndonjë entuziazëm ngaqë publiku ndjehet i ngopur me farsën e fakteve për të justifikuar politikën e elitës apo veprimet e ndërmarra në emër të saj, përfshirë madje edhe shpalljen e luftërave. Por në art edhe një përmbajtje traumatike mund të sjellë një përjetim sa zbavitës aq edhe reflektiv te shikuesit të cilët në fund të dhjetorit 1997 shkuan në kinematë e përzgjedhura për të parë filmin Wag the Dog. Një vit më pas Amerika vihet në krye të Aleancës EuroAtlantike në luftën e Kosovës dhe rasti me shqiptarët nga filmi në realitet doli profetik. Madje gazetarët amerikanë shkuan në shtëpinë e regjisorit Levinson pas shpërthimit të luftës për ta intervistuar atë: Çfarë kishte ditur ai një vit përpara? Boris Yeltsin, presidenti i Rusisë, në librin e tij shkruante se kineastët i kishin rënë pikës me atë film. (Kulmi i ironisë!) Në të vërtetë filmi Wag the Dog ishte i trilluar dhe nuk kishte të bënte as me Kosovën, as me Klintonin.
Media dhe Politika 25 vjet pas – Përfituesit e Mëdhenj të Realitetit Fiktiv
Pas njëzetepesë vjetëve të daljes së filmit manipulimet e ngjarjeve reale janë më në sipërfaqe se kurrë falë mediave sociale dhe teknologjisë së informacionit. Skandalet ndodhin para syve tanë dhe kufiri midis asaj që shohim jashtë dhe brenda ekraneve bëhet gjithmonë e më i padukshëm. Ku është kufiri i medias dhe politikës, sa përfitojnë të dyja nga koha e sotme dhe opinioni publik? Rreziku që paralajmëroi Wag the Dog nuk është se në politikë bëhen dhe ka manipulime sepse kjo dihet, por të dëmit që sjell falsiteti në besueshmërinë e çdo lloj informacioni. Humbja e besimit çon në përfundimin se çdo lajm është i rremë dhe prej këtej vihet në pyetje e vërteta, vihen në dyshim faktet, zbulohen dhe fshihen rrugët për tek e thelbi dhe pak nga pak arrin në konkluzionin se e vërteta nuk ekziston. Pyetja është se cilët janë përfituesit më të mëdhenj në një realitet që nuk ekziston?
Komedia e Politikës dhe Politika në Komedinë e Zezë
Në kinemanë amerikane filmat me subjekte Shqipërinë dhe shqiptarët kanë hyrë në zhanrin e komedisë së zezë, aksionit, krimit dhe trafikut njerëzor, prostitucionit, drogës, shitjes së armëve dhe pastrimimit të parave në produksione si Wag the Dog, Taken, Dogs of War, Run All Night, My Mom’s NewBoyfriend dhe në forma më tangente edhe në disa filma të tjerë si Inside Man, Jackie Brown, dhe seriale policore si The Blacklist, Law and Order etj.
Shqipëria në mbi tre dekada tranzicioni ushqen idetë e kineastëve, është një vend me një shoqëri ku ligjet zbatohen me dy dhe me më shumë standarte, ku demokracia është një fasadë që mezi mbahet në këmbë dhe vendi ku varfërimi i shtetasve pasuron një elitë në pushtet dhe korrupton ndërkombëtarët. Pushteti autokratik që ka si synim vetëm jetëgjatësinë prandaj bën zgjedhje dhe jetës politike zgjidhjen të njëjtat figura. Në përmbajtjen gjeografike Evropa Juglindore përkatësisht Ballkani është terreni i preferuar jo thjeshtë i skenave tërheqëse për xhirimet, por trualli i krimit ku fermentimi i kalbësirës-shtet kthehet në minierë ari dhe parajsë për lojtarët që pasurohen me shumë rritëm prej saj. Kur protagonistët e lartë përfundojnë përpara drejtësisë ndjekja e lidhjeve me krimin të shpie në portat e një shteti. Në këtë rast çelja e një lajmi do ishte “qeverisja dhe partia-shtet i kontrollon të gjitha pushtetet” ndërsa në filma tema do kishte trajtime subjekti të zhanrit kriminalistik-psikologjik si produksioni amerikan The Outfit (2022).
Edhe këtu krahasimi ka rëndësi për kuptimin leksikor meqë emërtimi i plotë i një bande krimi të organizuar ishte Chicago Outfit, referencë edhe për kodin e veshjes së gangsterëve të familjes italiano-amerikane në 1910. “I mbështetur në një ngjarje të vërtetë” ndodhia në Çikago e rrobaqepësit me klientët gangsterë mund t’i takojë Shqipërisë rreth viteve 2000 si kapërcimi i pragut mes dy shekujve deri në ditët tona. Ja si do ishte ideja për film Rrobaqepësi Shqiptar. Aktori kryesor që përfaqëson kryeministrin pak kohë para ditës së votimit mban një qëndrim modest kur gazetari në studio i bën një pyetje provë për të parashikuar reagimin në rast të humbjes. Politikani që synon kreun e qeverisë shprehet se; “do t’i kthehej pasionit të stilimit të veshjeve, pra të një rrobaqepësi në mbyllje të karrierës politike” duke nënkuptuar qetësinë familjare dhe riafrimin me artin e pikturës të cilin e ushtron dhe e trashëgon. Kaq mund t’i duhej gazetave apo portaleve që çdo gazetar dhe gazetare të shprehnin gatishmërinë për të rendur pas të resë dhe për të ndarë pak para zgjedhjeve ose për t’u marrë me një realitet absurd atëherë, por të rëndësishëm tani kur malli stok i copave është mbi dhjetëvjeçar. Një stok që barazohet me vitet e pushtetit si dhe me veshjen dhe ndryshimin e përshtatshmërisë që shpreh një gjallesë zvarranike si kameleoni. Primitiv për atë që kërkon zhvillimi, por efektiv në përshtatshmëri për të gjetur prehën, ushqimin dhe mbijetesën. Ideja e filmit mban intrigat dhe emocionin e një subjekti të jetuar dhe në proces para syve tanë. Në Shqipëri, aty ku gazetaria e përdor fjalën “skenar” për realitetin politik ose kontekstin e ngjarjeve politike ndjekja e fakteve sugjeron se si ky term u përshtat dhe vijon përdorimin gjatë përcjelljeve të lajmeve si dhe jo pak në dialogun e tryezave të studiove televizive ku flitet për rolin e drejtësisë dhe çështjet hetimore ku shpesh përmenden dosjet në proces si “të kopsitura”, “qepura”. Vetë kryeministri i sotëm thoshte se në “rast se ai do të dilte nga politika do të merrej me stilimin si një rrobaqepës”.
Sa Qentundës i Duhen një Politikani Rrobaqepës si Rama për Zgjedhjet e 2025?
Në pritje të vendimit final të datës 16 shkurt për dosjen shqiptare të Charles McGonigal, gjykatësja e kësaj çështje ka rënduar akoma më shumë pozitën e ish-agjentit të lartë të FBI, të akuzuar për korrupsion për llogari të Edi Ramës. Gjykatësja Colleen Kollar-Kotelly ka dhënë vendimin e saj të fundit përpara se të japë dënimin për pretencën e kërkuar nga prokuroria, e cila thotë se McGonigal duhet të vuajë edhe 30 muaj burg për dosjen shqiptare. Përveç kësaj, McGonigal duhet të paguajë edhe 95 mijë dollarë gjobë. “Rrobaqepësit” Rama i duhet që dalja i paprekur nga çështja McGonigal, ai të jetë një agjent i tre-katërfishtë falë mediokritetit qeverisës dhe i shpallur qëndrimit të pafajshëm nga drejtësia për një “happy ending” të stilit të Hollivudit. Personazhi që ka pranuar fajësinë, McGonigal ka bërë një jetë të dyfishtë familjare dhe profesionale prej më se 20 vitesh. Në qendër të vendimit të fundit të gjykatëses është fakti se akuza ndaj McGonigal është rënduar me tre nivele. McGonigal e ka pranuar fajin për akuzën e ‘fshehjes së fakteve materiale’ por avokatët e McGonigal thanë se niveli bazë i këtij krimi, përllogaritur në ligjet penale amerikane, është 6. Për shkak të rrethanave rënduese, prokuroria thotë se ky nivel ka shkuar në 16. Avokatët e McGonigal e kanë quajtur përllogaritjen të gabuar, dhe kanë kërkuar nga gjykatësja rrëzimin e kërkesës së prokurorisë. Megjithatë, gjykatësja thotë se përllogaritja është e saktë dhe se niveli total i krimit të McGonigal është 16 dhe jo 6 duke dhënë arsyetimet mbi baza ligjore të përgjegjësisë penale për aktet e shkeljeve përfshirë ndërhyrje në zbatimin e drejtësisë dhe shpenzime të panevojshme të burimeve të konsiderueshme qeveritare ku hyn edhe një rishikim i brendshëm për ‘të siguruar se nuk kishte komprometim në radhët e agjencisë FBI. Ndërkohë që pritet vendimi më 16 shkurt, prokuroria amerikane ka pranuar për herë të parë se qeveria shqiptare e Edi Ramës ka korruptuar një agjent të lartë të FBI për llogaritë e tij politike. Aq sa po zgjat gjyqi aq duket se po vazhdon edhe dëmi ndaj kundërshtarëve politik. Një qëllim i përkohshëm ku korrupsioni dhe frika nga dyshimet ka copëtuar opozitën shqiptare.
Në mediat shqiptare lajmi “i huq faktet” dhe çfokusohet, ndërsa në kinema faktet e ushqejnë trillimin madje edhe atë komik. Dosjet e drejtësisë mund të bëhen filma “mbështetur në ngjarje dhe karaktere të vërteta”. Njëzetepesë vjet më parë zhvendosja e problemeve për të mbuluar skandalet u quajt me një shprehje që hyri nga libri dhe u përshtat në filmin Qentundësi. Ashtu si në Outfit, kodi zbulohet aty ku financa depozitohet, pikërisht aty ku klientët shik vijnë për të dhënë ofertat. Rrobaqepësi ynë Kryeministër me VKM-t e tij, me një shkumës në dorë dhe me gërshërë pret copa nga Shqipëria për paguesit dhe klientët me xhepa të mëdhenj. Nëse fantazia e hetimit ashtu siç e shohim në filma kërkon provat, prokuroria dhe drejtësia shqiptare mund të ndërtojnë besimin te qytetarët se të pakorruptueshmit e kryejnë detyrën duke ndëshkuar të paprekshmit me para dhe me pushtet. Aferat korruptive politike dhe dosjet hetimore japin subjekte të gatshme për të kaluar drejt e në produksion filmi të zhanrit policor apo nëse trajtohen me humor në komedi të zezë të përditshmërisë ku, sipas gjasave, parathuhet e ardhmja.