Gazeta Nacional Albania

Rafaela Prifti: David Kostelancik ripropozohet nga Biden si Ambasador i Amerikës në Shqipëri,

David Kostelancik ripropozohet nga Biden si Ambasador i Amerikës në Shqipëri, Senatori i Ohios J D Vance ka bllokuar emërimin në 2023
Rafaela Prifti
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë nuk ka Ambasador që nga muaji qershor 2023. Diplomati i karrierës David J. Kostelancik, i propozuar nga Presidenti Joe Biden vitin e kaluar, për të zëvendësuar në këtë detyrë ish-ambasadoren Yuri Kim, është bllokuar nga Senatori i Ohios J. D. Vance. Rregullorja për emërimet e pakonfirmuara i njeh Presidentit të drejtën ta paraqesë kandidatin për herë të dytë dhe Shtëpia e Bardhë e ka dërguar emrin e z. Kostelanick në Senat për seancën e vitit 2024. Në kalendarin ekzekutiv të Senatit, seanca figuron të jetë caktuar për datën 27 prill. https://www.congress.gov/nomination/118th-congress/135
Siç e parasheh procedura, konfirmimi i David Kostelancik, si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, paraqitet në Komisionin e Punëve të Jashtme pranë Senatit, ku ambasadori duhet të raportojë dhe t’i përgjigjet përsëri pyetjeve të Senatorëve. Nëse propozimi refuzohet apo nuk kalon për herë të dytë atëherë presidenti duhet të paraqesë një kandidat tjetër.
Në një letër të Këshillit Shqiptar Amerikan drejtuar Senatorit të Ohios J. D. Vance në 16 janar 2024 theksohet rëndësia që ka vota e tij për miratimin e z. Kostelancik në postin e Ambasadorit të Shqipërisë, “një vendi kyç për forcimin e partneritetit dhe përballjen me sfidat e periudhës që po kalojmë.” Letra shtron argumentet për pasojat e dëmshme lidhur me mungesën e ambasadorit amerikan në Tiranë për sa i takon fushës kritike të sigurisë për Ballkanin Perëndimor dhe gjithë rajonit. Në anën tjetër, vakumi i përfaqësimit në nivel ambasadorial të një vendi të NATO-s “dëmton interesat amerikane dhe ato të aleancës” sepse lejon hapësirë për influencë nga palët kundërshtare si Rusia dhe Kina, thuhet në letër. Veçanërisht “takimi i ardhshëm i NATO-s në muajin korrik në Uashington e rithekson përparësinë dhe urgjencën e emërimit të Ambasadorit amerikan në Shqipërisë.”
“Si diplomat karriere me përvojë të gjatë dhe të shumanshme, z. Kostelancik gëzon përkrahjen e bashkësisë shqiptare amerikane përfshirë komunitetin tonë në shtetin e Ohios,” thuhet aty.
Letra thekson kualifikimin profesional të z. Kostelancik si në shërbimin diplomatik ashtu edhe në sferën e kulturës, e përforcuar edhe me njohjen e mirë të gjuhës shqipe. Ai ka qenë përfaqësuesi për çështjet politike dhe ekonomike në Ambasadën amerikane në Tiranë në kohën e rihapjen e saj në vitet 1992-1994. Në postet dhe detyrat e karrierës 30 vjeçare si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Drejtor për Çështjet e Evropës Lindore dhe Jugore, ai ka qenë vazhdimisht i angazhuar dhe i mirinformuar për etapat që ka kaluar vendi dhe gjithë rajoni.
Në përgjithësi votimet në Senat ndjekin linjat partiake. Për shkak se në këtë Senat, partia republikane dhe ajo demokrate kanë 50 anëtarë, kjo i jep potencialisht një vote fuqi vendimtare.
Një prej lajmeve të fundit nga Senati mund të jetë me pasoja për vendimet e ardhshme të tij. Kryetari i mazhorancës republikane Senatori 82 vjeçar i Kentakit, Mitch McConnell, një politikan i regjur dhe me influencë, pas 40 vjet shërbimi në Senat, tha se do largohet nga ky post drejtues në fund të vitit. Mbetet për tu parë se cili do jetë ndikimi i tij tek kolegët republikanë për votimet në Senat nga tani deri në nëntor, një prej të cilave, me rëndësi për shqiptarët, është miratimi i emërimit të Ambasadorit amerikan në Shqipëri, David Kostelancik.