Gazeta Nacional Albania

Rafaela Prifti: Ekspozita e librave antikuara për Skënderbeun për herë të parë në SHBA

Koleksionistja britanike Patricia Nugee e ‘zbuloi’ Shqiperine pas magjepjes nga Skenderbeu

-Ekspozita përsonale e saj e librave antikuara për Skënderbeun paraqitet për herë të parë në SHBA-

“Ai rendte pas lirisë jo pas pushtetit…(ishte) ushtar, mbret dhe kristian…mishërimi më i mirë i kësaj tresheje, nëse ka pasur ndonjëherë diçka të tillë,” lexon koleksionistja britanike Patricia Nugee nga botimi i Edinburgh i vitit 1753 që e ka sjellë me vete në Kishën Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit në Boston. (The Life of George Castriot, King of Epirus and Albania commonly called Scanderbeg, ESTC ka vetëm 3 kopje – Jeta e Gjergj Kastriotit, Mbret i Epirit dhe Shqipërisë i njohur me emrin Skënderbe)
Në 11 dhe 12 mars, ekspozita shëtitëse e librave antikuare për Skënderbeun mbledhur për rreth katër dekada nga Patricia Nugee erdhi për herë të parë në Shtetet e Bashkuara nën kujdesin e organizatorëve nga Shoqata Shqiptare Amerikane e Masaçusets – Maas Besa, Kisha Ortodokse Shqiptare e Shën Gjergjit dhe Qendra Kulturore e Biblioteka Fan Noli. Këtu “është vendi i natyrshëm për paraqitjen e koleksionit për shkak të historisë së tempullit të shqiptarëve, ” thotë Robert Tochka, me profesion gjykatës, një nga anëtarët e grupit organizator, duke ju referuar faktit se Noli e pagëzoi kishën me këtë emër si nderim ndaj heroit kombëtar si edhe ne emer të shenjtit mbrojtës së Shqipërisë, Shën Gjergjit.”
Prandaj edhe koha e ardhjes së ekspozitës përkon me dy përvjetorë, 555 vjetori i vdekjes së heroit tonë kombëtar dhe 58 vjetori i amëshimit të një prej korifenjve të kombit dhe themeluesit të kishës ortodokse shqiptare në Amerikë, Atë Fan Nolit.

Patricia Nugee tregon se e ka filluar mbledhjen e koleksionit që nga koha kur punonte në librarinë e librave antike në Londër dhe dëgjoi për herë të parë emrin e Skënderbeut. Ajo shfletoi një nga vëllimet e Enciklopedisë Britanike dhe u magjeps nga cilësitë dhe virtytet e këtij heroi legjendar i cili kishte qene krejtësisht i panjohur për të deri në atë kohë. Aty nisi zanafilla e mbledhjes së botimeve të rralla për Skënderbeun duke qëmtuar sipas rasteve në katalogje dhe ankande të ndryshme të librave. Për vizitorët që kanë kureshtje të mësojnë për koston e botimeve, Patricia buzëqesh me mirësi dhe përmend me shumë modesti botime që nuk kanë kushtuar më shumë se disa “shilinga”. Ekspozita përmban 37 tituj të cilat i përkasin jo vetëm historisë por edhe fushës të letërsisë. të shkruara “në 12 a 13 gjuhë” thotë ajo.
Ndër botimet e para të jetës dhe veprës së Skënderbeut është libri i priftit shqiptar Marin Barleti. Botimi i tij dhe shumë përkthimeve të kësaj vepre në disa gjuhë përbëjnë një pjesë të koleksionit. Një ekzemplar nga Barleti ajo ia ka dhuruar bibliotekës kombëtare të Prishtinës në javën përkujtimore kur u paraqit me koleksionin e saj me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar në vitin 2017. Botimi i dhuruar nga Nugee është vepra shumë e vlefshme dhe njëherit më e hershmja e arsenalit të bibliotekës të Prishtinës. Sipas katalogëve të botuesve ekzistojnë rreth 1,000 vepra të shkruara për Skënderbeun në 20 gjuhë. Dy poetë, në të dyja anët e oqeanit Atlantik, poeti anglez Edmund Spenser i viteve 1500 dhe poeti amerikan Henry Ëadsëorth Longfelloë (Henri Longfellou) i viteve 1800, i kushtuan Skënderbeut krijime dhe vargje të mrekullueshme. Koleksioni i Patricia Nugee i cili gjithashtu shtrihet përgjatë kësaj periudhe trishekullore është më i pasuri që i përket një personi.
Në Evropë nuk mungojnë statujat e Skënderbeut e ngritura në disa kryeqytete evropiane. Busti i gdhendur për të në Londër mban dedikimin “Mbrojtës i Qytetërimit Perëndimor” por janë punimet e mbledhura, të ruajtura dhe të paraqitura nga koleksionistja Nugee në Evropë dhe së fundi në Amerikë, që kryejnë funksionin e një ekspozite shëtitëse, e cila mungon dhe për të cilën ka nevojë.
Patricia Nugee e quan veten koleksioniste dhe jo historiane por falë pasionit të saj për këtë figurë historike shqiptarët kanë një thesar të vyer për historinë dhe ardhmërinë e tyre. Gjatë prezantimit hapës të ekspozitës në Katedralen e Shën Gjergjit, Mark Kosmo, një nga organizatorët kryesorë, e pyeti se ç’do të bëhet me koleksionin në të ardhmen. Patricia tha se do t’i dhurohet Muzeut të Skënderbeut në Krujë, por deri atëherë shpreson të ketë mundësinë t’a sjellë këtë thesar të kombit shqiptar edhe në Nju Jork, Florida, Miçigan dhe shtete të tjera me shumicë shqiptare.