Gazeta Nacional Albania

Rafaela Prifti: Le të kërkojmë të kemi një pullë postare kushtuar Fan Nolit në Amerikë, në vend që ta kthejmë në Shqipëri

Bashkësia shqiptare amerikane ka mundësinë ta vlerësojë këtë vigan që pati fatin e madh ta ketë kombi shqiptar me një sërë projektesh të tilla si vendosja e një mbishkrimi pranë ish-banesës së tij në Boston, një përkujtimore në ish-shtëpinë e tij në Fort Lauderdale, një dhomë studimi me emrin e tij në Universitetin e Harvard-it apo një bust në bibliotekë a në sallonin e hyrjes. Një prej ideve mund të ishte kërkesa për ta përjetësuar në një pullë postare. Mund të mos jetë akt aq i pabujshëm sa kthimi i eshtrave por ka domethënie dhe vlerësim të thellë që e ndjen kushdo kur sheh pullën me portretin e Nënë Terezës. Filatelia e Shqipërisë e ka nderuar Fan Nolin me rastin e njëqind vjetorit të lindjes në vitin 1982. Ky është një shembull brenda vendit por edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, shtete si Maqedonia e Veriut i kanë dhënë vend në koleksionin e pullave të tyre për figura historike dhe personalitete të shquara. Komuniteti shqiptar në Nju Jork arriti të përuronte rrugën Fan Noli në Bronx vitin e kaluar cka ishte një fillim i mbarë për ta pasur atë më të pranishëm në mesin tonë në Amerikë.
Propozimi për ta cuar Nolin në Shqipëri është i hershëm. Kërkesën e parë për kthimin e trupit të Nolit në Shqipëri e ka bërë qeveria shqiptare më 15 mars 1965, dy ditë pas njoftimit të vdekjes së Nolit, me anë të një telegrami drejtuar Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. E njëjta ide ka qarkulluar herë pas here dhe u paraqit si kërkesë në periudhën e kthimit të eshtrave të Faik Konicës në Shqipëri. Argumentet e atëhershme vlejnë edhe sot.
Përkrahësit e propozimit thonë se riatdhesimi i Nolit është kundërvënie ndaj Janullatosit. Kjo nuk qëndron sepse ata nuk kanë të njëjtin status në kontekstin kishtar. Vec të tjerave, të drejtat ekskluzive mbi eshtrat e Fan Nolit i përkasin Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Dhe nëse keni kureshtje të dini se ku prehen kryepeshkopët e parë të Kishës Autoqefale në Shqipëri nuk do ta dëshironit kthimin e Nolit në Shqipëri.
Pse nuk qëndron argumenti ‘fetar’ për kthimin e eshtrave të Nolit në Shqipëri për të eklipsuar Anastas Janullatosin? Përpara njohjes së Autoqefalisë, Kryepeshkopi i parë ishte Visarion Xhuvani. Nga viti 1929 në 1937 ai ishte Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë ose thjesht Kryepeshkopi i Shqipërisë, i cili është njëherit edhe Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, duke qenë gjithashtu kryetar i Sinodit të Shenjtë të kishës. Ndërsa Fan Noli ka status të vecantë. Si themelues i Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, të drejtat ekskluzive mbi trupin e tij i takojnë këtij institucioni.
Ku kanë përfunduar eshtrat e kryepeshkopëve të parë të Kishës Autoqefale në Shqipëri? Varri i Visarion Xhuvanit*, ish-Senator i Elbasanit, Kryepeshkop i Shqipërisë, Peshkop i Beratit dhe Dëshmor i Besimit dhe i Ndërgjegjjes, gjendet në fshatin Shijon, në Elbasan, në një rrëpirë rrethuar nga ferrat dhe balta. Pas njohjes së Autoqefalisë më 1937, Kryepeshkopi tjetër ishte Kristofor Kisi+ nga viti 1937 deri më 1948. Pas tij, ishte Paisi Vodica+ i cili shërbeu nga 1948 deri më 1966, dhe i fundit përpara mbylljes së Kishës ishte Damiani Kokoneshi për periudhën 1966-1973.
Përse ka rëndësi? Autoqefalia e cila është një nga sukseset e punës atdhetare të Nolit e ka gjenezën në Shtetet e Bashkuara, pikërisht në Ohio. “Krijimi i një juridiksioni të Ortodoksisë Shqiptare nuk mund të ndodhte gjatë periudhës së luftës ballkanike. Patriotët shqiptarë i përqendruan përpjekjet në Amerikë. Theofan Noli nën udhëheqësinë e të cilit ishte krijuar Vatra në Boston arriti një fitore diplomatike duke ia paraqitur personalisht kërkesat e Shqipërisë Presidentit amerikan Udrou Uilson. Ai hartoi një memorandum të nënshkruar nga priftërinjtë ku kërkonte përkrahjen e Presidentit si dhe refuzimin e pretendimeve se shqiptarët ortodokse janë grekë. Me synim që të krijonte fronin episkopal në atdhe, Noli dhe i Përndrituri Vagjel Camce shkuan në Kongresin e Metropolitanës Ruse në Ohio, në mars 1918. Ortodoksët shqiptarë dhe rumunë, të persekutuar nga kishat e tjera, kishin gjetur përkrahjen e Patrikanës së Moskës në kërkesën për të krijuar dioqezën e tyre. Kongresi e pranoi kërkesën por e vonoi vendimin duke pritur dhënien e lejes nga Patriarku i Moskës. Pavarësisht nga kjo pengesë, Kongresi mori vendim më 24 mars 1918 që të krijohej Misioni i Ortodoksisë Shqiptare në Amerikë nën drejtimin e Të Përndriturit Theofan Noli. (Fragment nga libri The Albanian Orthodox Church, A Political History, 1878-1945, Ardit Bido* p.56) Dekreti shënon pikënisjen e Kishës Autoqefale Shqiptare.
Kush e ka kërkuar së pari kthimin e trupit të Fan Nolit në Shqipëri? Qeveria shqiptare më 15 mars 1965, dy ditë pas njoftimit të vdekjes së Nolit, kërkonte kthimin e trupit të tij në Shqipëri me anë të një telegrami drejtuar Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Tirana u shprehte ngushëllime “gjithë vëllezërve patriotë për humbjen e rëndë të atdhetarit të madh dhe luftëtarit të zjarrtë e të paepur për pavarësinë dhe lulëzimin e Shqipërisë…” dhe me këtë rast përconte dëshirën në emër të popullit shqiptar, që trupi i Nolit “të sillet e të prehet përjetë në atdheun e tij të shtrenjtë…” Autori Shefqet Salihu shkruan në librin Mërgata legjendare e Amerikës se “një kërkesë e tillë, sado e drejtë dhe legjitime që dukej, ndeshi në pengesa e kundërshtime dhe krijoi probleme. Vetë Noli nuk kishte shprehur ndonjë dëshirë të dokumentuar për vendvarrimin, aq më tepër për t’u varrosur në Shqipëri. Por më e rëndësishme ishte se, mes shqiptarëve të Bostonit, e sidomos në Këshillin e Peshkopatës dhe nga vetë “Vatra”, u shfaqën mendime dhe qëndrime të ndryshme, duke e kthyer këtë kërkesë në një problem të nxehtë politik. Një palë mendonte se Noli duhej të varrosej në Shqipëri, kurse pala kundërshtare, kërkesën zyrtare të Tiranës e konsideronte si shkelje dhe ndërhyrje në punët e brendshme të SHBA-së.” Në datën 20 mars 1965 pas kryerjes së riteve fetare kushtuar një kleriku të lartë, u mbajt mitingu mortor me pjesëmarrjen e afro 2000 vetëve. Si në fjalën panegjerike të Ikonomit Sokrat Sotiri në gjuhën shqipe edhe në atë të Atit Sotir Dilogjika në anglisht, u përcua dhembja e gjithë shqiptarëve për humbjen e prijësit të tyre të madh… popullariteti i të cilit vjen i dyti pas Skënderbeut” thanë ata. Përcjellja në varrezat kryesore në anën jugore të Bostonit u përmbyll me fjalët lamtumirëse të ndarjes nga Imam Vehbi Ismaili dhe Baba Rexhepi që e quajtën Nolin “kalorës të fundit të epokës… që u shkëput prej gjirit tonë për t’u përkitur kohëve, për t’u bërë histori”.
A duhet të cënohet simbioza Noli dhe Kisha Ortodokse Shqiptare në Amerikë? Një mbishkrim që ruhet në këtë kishë, të cilën Noli e themeloi në 1908 dhe së cilës i shërbeu deri sa u nda nga kjo botë në 1965 shpreh në mënyrë të thukët simbiozën e tyre: “Nga të gjithë aktivitetet e mia, dashuria ime e parë është kisha. Hyrja ime e parë në lëvizjen shqiptare ish leximi i Dhjatës së Re të përkthyer nga Kostandin Kristoforidhi në shqip kur unë isha dhjetë vjeç’’.
A duhet të shkojë Fan Noli 7,000 kilometra larg Bostonit? Vendprehja e fundit e Nolit dallohet nga bazorelievi në varrezat Forest Hills, Boston. Në një pllajë të valëzuar ngjitur me Nolin është varri i Peshkop Stefan Laskos, pasardhësit të tij besnik, i cili gjithmonë i qëndroi pranë kryezotit të vet shpirtëror. Pranë tij prehet një tjetër mik i vjetër e bashkëkohës besnik që iu gjend në krah në ditë të vështira, At Arallam Dode.
Pse nuk është jetësuar ky propozim i paraqitur herë pas here? Një propozim i paraqitur në muajin nëntor 2015 për riatdhesimin e Nolit gjeti vend në faqet e Gazetës Dielli të muajit Dhjetor. Kryeeditori Dalip Greca shkruante se “situata e sotme në Shqipëri nuk është e përshtatshme për transferimin e eshtrave të Imzot Nolit.” Kryesia e atëhershme e Vatrës e ka marrë në konsideratë këtë ide fillimisht të përmendur me rastin e riatdhesimit të eshtrave të Faik Konicës në Shqipëri, sipas disa kujtimeve të ish-Sekretarit të Vatrës Naum Prifti. Sic është dokumentuar, procedura kërkon koordinim mes Kishës Ortodokse në Shqipëri, Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë si edhe autoriteteve zyrtare. Kryetari i atëhershëm i Vatrës z. Gjon Bucaj ka pasur konsultime me At Artur Lionin dhe i ka shprehur mirënjohje për informimet dhe sqarimet me rëndësi rreth argumentit. Gjashtë vjet më pas propozimi për kthimin e eshtrave të Fan Nolit në Shqipëri filloi të qarkullonte përsëri. Në gusht 2021 unë kam biseduar me administratoren e Katedrales së Shën Gjergjit në Boston si edhe me Kancelarin e atëhershëm të Përndriturin At Artur Liolin. Për cështjen e riatdhësimit të Nolit, ai përsëriti se imzot Noli nuk e ka lënë këtë amanet dhe nuk ekziston dokumentacion ku të jetë shprehur kjo dëshirë nga ana e tij.
Pse riqarkullon edhe sot e kësaj dite ideja e riatdhesimit? Mbase nga mosnjohja apo padija e nismëtarëve në lidhje me juridiksionin e cështjes që duan ta shtrojnë për diskutim por gjithsesi përpara se të na shkoj mendja të pyesim për të kthyer eshtrat e Nolit në Shqipëri, ne mund të bashkojmë forcat të arrijmë atë që kemi mundësi ta bëjmë, duke nisur me kërkesën për një pullë postare amerikane.
——————————————————————————————————————————-
Ardit Bido – Autor, Drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivit, Tiranë, dhe lektor në Universitetin Metropolitan të Tiranës
+Kristofor (Kisi) Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare (1937-1949), Vendi i Prehjes në varrezat e fshatit Tufinë, Tiranë
+Paisi (Vodica) Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare (1949-1966), Vendi i Prehjes në varrezat e fshatit Sharrë, Tiranë