Gazeta Nacional Albania

Rafaela Prifti: Pashka e parë postkomuniste në ish Katedralen e re të Ungjillëzimit në Tiranë dhe Arkimandriti* Theofan

Episodi i hapjes së ish Katedrales të Ungjillëzimit dhe mbajtja e Pashkës së parë postkomuniste në Tiranë karakterizohen nga një atmosferë pasigurie por edhe guximi dhe shprese të përmasave kombëtare. Në atë kohë e ardhmja ndonëse “e prekshme” ishte e paqartë dhe e paparashikueshme por megjithatë mbarte në vete një perspektivë premtuese për shqiptarët dhe Shqipërinë – një nga temat që po qëmtojmë në bisedën tonë me Arkimandritin Theofan të Katedrales Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit në Boston

Mes shërbesave të shumta ndaj besimtarëve në periudhën e Kreshmës së Madhe për përgatitjen e Pashkës së Shenjtë në Katedralen Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit në Boston, Arkimandriti Theofan sjell në kujtesë Pashkën e parë në Tiranë pas ndërrimit të sistemit në Shqipëri. “Vetëm nga binaja e jashtme dhe stili arkitekturor mund të mendoje se ajo kishte qenë kishë sepse ish Katedralja e re e Ungjillëzimit në Tiranë ishte kthyer në sallë fizkulture,” thotë Arkimandriti Theofan. “Historia e saj si kishë kishte qenë jetëshkurtër,” vëren Urata, “sepse u ndërtua dhe inagurua në vitin 1964 dhe shërbeu vetëm tre-katër vite si e tillë përpara se të mbyllej në 1967,” që përkon me vitin e parë të lindjes së tij. Pas dy dekadave, fati do bashkonte përsëri pinjollin e familjes patriote të njohur dhe respektuar Koja me Kishën Ortodokse, nga ku do përcaktohej më së shumti drejtimi që mori jeta e tij. Stërgjyshi i tij, Pavllo Koja ishte një nga bamirësit dhe përkrahësit e mëdhenj dhe të rëndësishëm të Komunitetit Ortodoks të Tiranës dhe kontribuesi kryesor për ndërtimin e Kishës së Shën Prokopit.
Pas përfundimit të studimeve të lartë në Fakultetin Ekonomik në Tiranë 1988-1989, ai u emërua Inspektor në Kontrollin e Lartë të Shtetit në fabrikën e Azotikut të Fierit. “Mund t’ju kujtohet se në atë kohë vjedhjet e shpërdorimet kishin arritur përmasa të jashtëzakonshme aq sa gjatë rrugës përgjysmoheshin thasët e uresë përpara se të vinin te magazinat ku vazhdonte firasja në stacionin e vjetër të mallrave të trenit në Tiranë, aty ku më kishin caktuar të punoja. Po atë vit dolën nenet përkatëse për atë që quhej “demokratizimi dhe sistemi multipartiak” si edhe mësuam se “do hapej feja”. Unë nuk aderova dhe nuk kam qenë asnjëherë anëtar i asnjë partie politike. Por u ndihmova nga rrethanat meqë dy xhaxhallarët e mi, Skënder dhe Pavllo Koja, anëtarë të Këshillit Kombëtar për krijimin e grupit të Partisë Demokratike morën nismën për riaktivizimin e jetës fetare në Shqipëri. Ne ishim Grupi nismëtar për hapjen e institucioneve fetare. Anëtarësia ishte aq e vogël sa gishtat e dorës, por me ne u bashkuan shumë të tjerë midis tyre edhe pensionistë ordotoksë. Atëherë morëm në dorë çelësat e Katedrales së Ungjillëzimit, ndërtesë e cila ishte kthyer në sallë palestre për atletikën e Klubit Sportiv “17 Nëntori,” kujton Arkimandriti Theofan.
“Binaja” ndodhej te Fusha e Zezë, e njohur ndryshe si “Parku i xha Tomit” në fund të rrugës së “Kavajës” në Tiranë, por përveçse nga ana e jashtme dhe stili arkitekturor nuk kishte shenja të tjera identifikuese të saj si kishë. Detajet e imëta me të cilat ai e risjell momentin e hyrjes në mjediset e brendshme duke nisur nga kubeja e plasaritur te xhamat e thyer dhe gjithë gjendjen e mjerueshme të saj janë rrënqethëse: “Brenda kishës, afreskot e pikturuara nga motrat Androniqi dhe Sofia Zengo në gjithë hapësirën e saj, ishin mbuluar me gëlqere pas mbylljes së kishës. Mirëpo Motrat Zengo, mbase kishin pasur një vegim nga lart, sepse i kishin mbuluar me vernil ose lyer me llak afreskot prandaj pastrimi i pikturave në mure ishte deri diku i thjeshtë. Për afreskot e tavanit nevojitej të gjenim mjete të tjera, ndërsa për ta kthyer kishën në gjendje të pranueshme funksionale duhej edhe më shumë punë përfshirë edhe disa zgjidhje krijuese zdrukthtarije siç ishte ngritja e parketit që ndan Altarin nga Naosi, pjesa ku rrinë besimtarët e cila është e ndarë nga vendi i Ikonostasit me tre shkallë. Ato jo vetëm ishin sheshuar plotësisht por mbi to kishin vënë parket.” Në sajë të aftësive tona improvizuese dhe me ndihmën e të njohurve u arrit të krijohej ose rikrijohej dekori i një pjese të kishës për të kryer shërbesat e Pashkës së parë pas rrëzimit të sistemit të mëparshëm. “Me parketin e përdorur në sallë u improvizua rikrijimi i Ikonostasit. Me ndihmën e komshiut tim, i cili ishte shefi i Zyrës së Financës të Kombinatit të Përpunim Drurit “Misto Mame” ku prodhohej një material që quhet “letër imitacion druri” që përdorej për mobilje, siguruam disa topa të mbështjella. Vumë blloqe betoni që i shtruam rreth e qark Altarit duke u vënë përsipër dërrasa që të ngrinim sheshin nja 40-50 centrimetra mbi nivelin e dyshemesë, ku do të ecte Papa Gaqi Petri. Ideja ishte gjeniale por edhe e rrezikshme! I ndjeri Papa Gaqi, prifti 80 e ca vjeçar i kishës, i cili kishte mbetur gjallë, vinte rrotull Altarit, por e mbanin nga të dy krahët dy vetë dhe e ruanin se mos binte kur ecte mbi platformën e improvizuar si mbi një “tra ekuilibri”. Këto janë të dokumentuara edhe në disa fotografi të asaj kohe. Pra në të tilla kushte i bëmë shërbesat e para dhe Pashkën e parë të cilën e mbaj mend si tani dhe pse kanë kaluar më shumë se njëzet vjet. Kishte aq shumë njerëz sa në disa raste dikujt i digjeshin flokët nga qirinjtë që mbanin në duar ngaqë nuk kishte vend dhe hapësirë të mjaftueshme për të gjithë mes një zhurmë të hatashme sikur të ishe në kosheren e bletëve. E mbaj mend që u kthyem në shtëpi me qirinjtë e ndezur dhe me vezët e kuqe. Ndonëse kishim ardhur nga ora tre a katër e mëngjesit, vetëm pak orë më vonë, të parët që telefonuan për të na vizituar dhe uruar Pashkët ishin disa miq myslimanë të familjes.”
Por ishte viti 1991 dhe “sigurimi i shtetit shqiptar ishte ende i fuqishëm dhe vepronte me metodat e veta ndaj anëtarëve të grupit,” vëren Arkimandriti, i cili është pjesëtar i një brezi që u lind dhe rrit në periudhën e mohimit të besimit dhe mungesës së institucioneve fetare ku trumbetohej me të madhe vetëshpallja e Shqipërisë “i vetmi vend ateist në botë”. Një prej veprimtarëve të grupit nismëtar për hapjen e institucioneve fetare, Thoma Çomorra, i cili ishte pensionist, u zhduk për një javë dhe as familja dhe asnjeri nuk e dinin ku ishte dhe çfarë kishte ndodhur me të, vazhdon të tregojë Urata. “Thoma Çomorra, i cili vinte nga një familje e respektuar nga bregu, ishte një erudit. Ai kishte kryer katër fakultete njëherësh në Rumani, dhe ishte martuar me një shtetase rumune, Zoica, me të cilën jetonin në Tiranë bashkë me dy djemtë e tyre. Asaj i kishin kërkuar të largohej nga Shqipëria dhe nuk ia dhanë kurrë nënshtetësinë shqiptare por ajo kishte refuzuar ta linte familjen dhe prandaj për vite me radhë i duhej të paraqitej çdo muaj në degën e policisë së Tiranës. Siç mësuam më vonë, Thomai ishte rrëmbyer nga operativët e sigurimit. Sali Berisha dhe disa drejtuesë të Këshillit Kombëtar të PD-së paraqitën notë proteste duke kërkuar lirimin e anëtarit të rrëmbyer. Më pas Thomai vetë na tregoi se e kishin mbajtur mbyllur në një ndërtesë ku i bënin presion që të mos hapej kisha dhe të hiqte dorë nga puna e grupit. Por Thomai ishte një patriot i paepur dhe nuk u tërhoq kurrë,” përfundon rrëfimin hyrës Arkimandriti Theofan.
Shënim: Ndonëse fonetikisht titulli paraqitet të jetë Arhimandrit, këtu kemi ruajtur termin e përdorur nga Fjalori i shqipes së sotme: Arkimandrit~i -Titulli më i lartë për murgjit dhe kryetarët e manastireve

Foto të dërguara nga Arkimandriti Theofan:
Foto e Kupolës Qendrore me afreskot origjinale të motrave Zengo gjatë funksionimit të Katedrales së re të Ungjillëzimit (1966) dhe foto e Kupolës Qendrore me afreskot e zhdukura të motrave Zengo mbas kthimit të saj në palestër gjimnastike (1985)
Motrat Sofia (majtas) dhe Androniqi Zengo (djathtas) piktoret e Kishës së Ungjillëzimit në Tiranë (1964-1965)
Pamje e jashtme e fasadës së ish Katedrales së re të Ungjillëzimit në gjendje të degraduar mbas kthimit dhe funksionimit të saj për 23 vite si palestër gjimnastike 1991