Gazeta Nacional Albania

Rafaela Prifti: Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i thotë Presidentit serb Vucic “Kërkoji Falje të Mbijetuarve të Pranishme në Sallë”

Seanca e sotme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shqyrtimin e raportit gjashtëmujor të Përfaqësueses së Posaçme të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe Drejtueses së UNMIK-ut Caroline Ziadeh, u mbajt si pjesë e takimit të rregullt gjysmë vjetor të kësaj instance që jep vlerësimin nga i cili rrjedhimisht ripërtërihet mandati i UNMIK-ut.

Në raportin e Përfaqësueses së Posaçme Ziadeh u theksuan arritjet dhe projektet e misionit të OKB-së siç ishte takimi i parë në janar 2024 i Grupit për personat e zhdukur, pas tri vjetëve pa aktivitet, dhe e punës së institucioneve të vendit veçanërisht në forcimin e besimit të popullatës në proceset demokratike dhe të bashkëpunimit të vazhdueshëm si baza e përparimit në të gjitha aspektet.

Këtë herë mbledhja përkon me 25 vjetorin e operacionit ajror të NATO-s kundër forcave serbe në fushatën e tyre të spastrimit etnik në Kosovë, që u bë pikë referimi nga delegacionet e vendet pjesëtare, veçanërisht midis përfaqësuesve të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ambasadori i Misionit Amerikan Robert Wood iu përgjigj pretendimeve të palës ruse dhe serbe për mungesën e legjitimitetit të fushatës së NATO-s nga Ambasadori rus me fjalët: Kjo ka mbaruar! (Get over it!)

Në fjalën e saj Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani vuri në dukje se çfarë shembulli ka arritur të jetë Kosova sipas treguesve ekonomik, juridik, në indekse mediatike etj. si një demokraci e lindur në lirinë që ia mundësoi NATO. Ajo tha se akuzat dhe deklaratat për “persekutimin e serbëve të Kosovës nga regjimi i Kurtit” të cilat u përsëritën nga Presidenti Vucic në mbledhjen e sotme “janë të pavërteta, të pabaza dhe të hedhura poshtë nga institucionet verifikuese përkatëse të Brukselit”. Ajo e fajësoi Beogradin dhe politikën e Presidentit Vucic për tensionet në fushën e sigurisë dhe sulmet serbe ndaj forcave të NATO-s dhe policisë së Kosovës, siç ishte rasti në shtatorin e kaluar, dhe pengimin e lëvizjes së lirë të shtetasve të Kosovës nga patrullat serbe, siç ndodhi javën e kaluar.

Duke dhënë argumente për mbrojtjen e të drejtave kushtetuesve të banorëve të Kosovës, Presidentja Osmani u ndal në zgjedhjet e kryetarëve të komunave të veriut të Kosovës dhe mundësinë që iu dha së fundmi popullsisë vendase për të rizgjedhur kandidatët e vet, që përsëri u bojkotua me pjesëmarrjen e ulët të serbëve, “nën presionin e Beogradit,“ siç vërejti ajo.

Pika më e nxehtë e mbledhjes ishte pjesëmarrja e katër të mbijetuarave të luftës së Kosovës, të cilat ishin të pranishme si pjesë e delegacionit presidencial të Kosovës. Fragmente të përjetimeve të djegieve të familjarëve, të rasteve të përdhunimit dhe personave të zhdukur përkatësisht nga znj. Elhame Muçolli, Vasfije Krasniqi Goodman, Shyrete Tahiri Sylejmani, Fahrije Hoti, u cituan nga Presidentja Osmani përpara anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Ndërsa përballen me sfidat e lëna nga lufta dhe pasojat e spastrimeve etnike ndaj serbëve në Kosovë në 1999, kontrasti midis tyre dhe palës tjetër, tha ajo, është se “ato nuk kërkojnë hakmarrje por drejtësi.” Presidentja e Kosovës shprehu mbështetje për votimin e projekt-rezolutës për gjenocidin në Bosnjë nga Asambleja e Përgjithshme në datën 2 maj.

Ambasadori rus Nebenzya u ankua pranë Presidencës, që për këtë periudhë është Malta, duke e quajtur pjesëmarrjen e katër të mbijetuarave “shkelje të rregullave dhe protokollit të Këshillit të Sigurimit”, pasuar nga Presidenti serb Vucic që e shpalli atë një “teatër politik”. Në kundërpërgjigje Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani shpjegoi se ato të katra janë pjesë e kabinetit presidencial prandaj kanë të drejtë të jenë të pranishme në delegacionin e saj. Në fund, ajo iu drejtua vetë Presidentit Vucic me fjalët: “Kërkoji falje të mbijetuarave të pranishme në sallë. Provo se ke një grimcë humaniste.”

Gjatë seancës së sotme që vazhdoi mbi tre orë, delegacionet e vendeve pjesëtare dhanë vlerësimet e tyre për misionin e OKB-së duke vënë theksin te ecuria e dialogut si e vetmja rrugë për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit. Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbahet vetëm gjashtë ditë pas miratimit për anëtarësim që mori Kosova nga Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës.