Gazeta Nacional Albania

Raporti i CIA-s: Edhe vetë serbët u çuditën çfarë u bënin shqiptarët komunistë kosovarëve! Komunizmi në Kosovë s’ka lidhje me ideologji, por…

Raporti i CIA-s: Edhe vetë serbët u çuditën çfarë u bënin shqiptarët komunistë kosovarëve! Komunizmi në Kosovë s’ka lidhje me ideologji, por…
16 Shkurt, 2022 09:51Fotoja Ballina Ballina
Madhësia e tekstit:
Në pjesën e dytë të raportit të CIA-s për shqiptarët në Jugosllavi flitet për ndryshimet radikale pas vitit 1944, kur komunistët fituan. Nga një gjendje lirie nga viti 1941 deri në vitin 1944, raporti që u deklasifikua në vitin 2011, thotë se shqiptarët e Kosovës kaluan në mjerim. Ata u vranë, u burgosën dhe u varfëruan. “Komunizmi siç aplikohet në Kosovë nuk ka të bëjë fare me doktrinat marksiste. Është thjesht produkt i urrejtjes që kanë serbët dhe malazezët për shqiptarët. Këtu komunizmi synon të thyejë kosovarët, që ata të shuhen dhe pasuria e tyre të merret nga të ashtuquajturit çlirimtarë”, thuhet në një pjesë të raportit.

Në raportin top-sekret të vitit 1953 të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane, e njohur si CIA, që u deklasifikua pjesërisht në vitin 2011 dhe të cilin e ka siguruar Albanian Post, një pjesë e konsiderueshme i kushtohet situatës politike dhe dallimeve në regjime, para dhe pas ardhjes së komunistëve.

Sipas këtij raporti, nga viti 1941 e deri në vitin 1944, kur me Shqipërinë e bashkuar udhëhiqnin ata që njihen tani si “kolaboracionistët”, serbët dhe malazezët jetonin si qytetarë të barabartë brenda territorit. Kur komunistët fituan, gjithçka ndryshoi.

“Nga viti 1941 kur Kosova u bashkua me Shqipërinë, deri në vitin 1944 kur sllavo-komunistët morën pushtetin, nënshtetasit serbë dhe malazezë trajtoheshin njësoj si shqiptarët e Kosovës, domethënë me barazi të plotë, telashe kishte vetëm për ata individë që ishin kundër regjimit dhe të cilët merreshin me intriga politike”, thuhet në dokumentin e CIA-s të siguruar nga AP-ja.

“Kishte liri të plotë të adhurimit fetar. Rendi publik ishte shembullor. Shqiptarët, serbët dhe malazezët mund të udhëtonin të pashqetësuar drejt qyteteve të Shqipërisë; atje tregtarët shkonin për të shitur mallrat e tyre dhe për të blerë mallra të prodhuara për t’i marrë përsëri në prapa”.

“Askush nuk mbeti i uritur, sepse kishte ushqime të bollshme si në vend, ashtu edhe në qytete. Dyqanet ishin gjithmonë të pajisura mirë me mallra të ndryshme dhe dyqane të reja po hapeshin për qytetarët. Kostoja e jetesës u rrit gjatë viteve të luftës, por kjo ishte kryesisht për shkak se qeveria shqiptare kishte braktisur standardin e arit”, saktëson raporti.

Sidomos për shqiptarët e Kosovës, thotë raporti, ishin vite të arta të zhvillimit dhe emancipimit.

Tul Tulica
Raporti i CIA-s

“Pas tridhjetë vjetësh robërie, grupet e mësuesve dhe misionarëve vullnetarë të dërguar në Kosovë nga qeveria shqiptare ishin të parët që iu drejtuan kosovarëve në gjuhën shqipe. Lidhur me këtë, shkollat ​​shqipe u themeluan në Mitrovicë, shkollat ​​e mesme dhe gjimnazi u hapën në Prizren, shkolla normale në Gjakovë, dhe shkolla e mesme dhe normale e avancuar me konvikte për 500 nxënës u themeluan në Prishtinë”.

Sipas këtij dokumenti të CIA-s, aq shumë mësues kishin ardhur nga Shqipëria në Kosovë, saqë “në një periudhë të shkurtër kohore kuadri i mësuesve u rrit shumë në Kosovë dhe u zvogëlua në vetë Shqipërinë, pasi qeveria e Zogut nuk e kishte vizualizuar kurrë domosdoshmërinë e një kuadri të gjerë mësimor”.

Sa i përket kornizës ligjore, sipas CIA-s, ishte bërë “një studim i plotë i ligjeve administrative serbe, në mënyrë që ato të mund të sinkronizoheshin me ligjet shqiptare”.

“U krijua një sistem i tërë administrativ, që përfshinte gjykatat, forcat e armatosura dhe policinë në fshatra, organizatat sportive, kampet verore për të rinjtë etj. Përveç kësaj, u krijuan pesëmbëdhjetë bursa për studentët që dëshironin të vazhdonin studimet e tyre në një nga universitetet e huaja. Qëllimi ishte edukimi për të ardhmen e një numri të caktuar specialistësh”.

Veç shkollimit, mësuesit e ardhur ishin kujdesur shumë që ta brumosnin frymën e nacionalizimit shqiptar.

“Inspektoriatet dhe drejtoritë e arsimit publik dhe shkollat ​​e nivelit të mesëm ishin të mirëpajisura me biblioteka me lëndë leximi shqip të gjitha llojeve”.

Kishte filluar që me shpejtësi të bëhej edhe botimi i librave shqip dhe pas një kohe “më shumë libra në gjuhën shqipe u botuan në Kosovë sesa në Shqipëri”.

“Mungesa e librave nuk ndihej as në shkollat ​​fillore dhe as në mesin e zyrtarëve të qeverisë”.

Kurse, serbët dhe malazezët ishin ankuar se qeveria nuk kishte krijuar një numër më të madh të shkollave fillore serbe, “megjithatë, arsyeja për këtë është se sllavët nuk kishin kërkuar kurrë zyrtarisht që kjo të bëhej”.

Por, kjo situatë e përshkruar nga CIA në këtë raport nuk zgjati shumë – veç tri vjet. Boshti po shkatërrohej dhe po e humbiste Luftën e Dytë Botërore dhe bashkë me ta po dobësoheshin edhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë.

Informatori i CIA-s përshkruan si u bë lëvizja e pushtetit dhe betejat mes komunistëve e nacionalistëve kolaboracionistë.

Tabloja është e turbullt, me shqiptarët që gjenden në dy fronte të ndryshme, duke mos e pasur shumë të qartë se për kë po luftojnë dhe cila është ana e drejtë në luftë.

“Të gjitha forcat nacionaliste vullnetare kundër komunizmit u mblodhën në streha malore nën udhëheqjen e Ymer Berishës, Mulla Idrizit dhe Lluan Gashit. Në vitin 1944, vullnetarët nacionalistë të Kosovës u mposhtën nga Brigadat 3, 5, 7 dhe 17 të Ushtrisë Shqiptare nën komandën e Shefqet Pecit, me origjinë nga Mallakastra. Të gjitha qytetet e Kosovës ishin të pushtuara nga këto brigada, të cilat udhëhiqeshin nga grupe të pavarura të partizanëve kosovarë. E gjithë popullsia e rajonit të pushtuar u rekrutua automatikisht, me urdhër ushtarak partizan, në ‘Ushtrinë Nacionalçlirimtare’. Vetëm një e pesta e njerëzve të aftë për punë, vullnetarët nacionalistë të Kosovës që mbetën në male, i shpëtuan mobilizimit”.

“Ndërkohë, Shaban Palluzha i Drenicës mori urdhër për të formuar një brigadë të re kosovare, e cila do t’u bashkohej brigadave shqiptare në ndjekje të gjermanëve”.

“Në mesin e njerëzve të rekrutuar nga Palluzha gjendeshin nacionalistë të shumtë. I vetëdijshëm për këtë fakt, profesori Ymer Berisha nga Drenica, dërgoi njerëzit e tij në vendngjarje për t’i bindur nacionalistët që të qëndronin në shtëpi. Kjo ndodhi më 16 janar 1945. Kur revolta ishte pjekur mjaftueshëm, Berisha u shfaq në mesin e revoltuesve dhe mbajti një fjalim të zjarrtë patriotik kundër bashkimit me brigadat shqiptare. Ai theksoi se Kosova po braktiset për serbët dhe malazezët, duke shtuar se sllavët po i heqin qafe shqiptarët duke i dërguar pas gjermanëve. Si rezultat, të gjithë iu bashkuan Berishës kundër serbëve”.

“Ngritja e nacionalistëve u nis në Drenicë dhe Llapë, banorët e së cilës ishin besnikë ndaj frymës nacionaliste të Xhafer Devës. Pas kësaj, në kryengritje u bashkuan militantë nga të gjitha anët e vendit. Betejat heroike të shqiptarëve kundër sllavëve u përsëritën edhe një herë në majat e vrazhda malore. Rreth 600 kosovarë ranë në betejë, por sllavët kishin 2 mijë e 500 të vdekur. Tri betejat kryesore të zhvilluara ishin në Drenicë, Gjilan dhe Ferizaj”.

Raporti flet edhe për një episod interesant kur komunistët kishin shkelur një pakt mirëbesimi për negociata dhe e kishin ekzekutuar myftiun Arsim Luzha.

“Komanda e përbashkët e Brigadës së 7-të ishte e vetëdijshme se kosovarët ishin të vendosur të luftonin deri në fund, prandaj ftuan myftiun Asim Luzha, ish-përfaqësues i Drenicës që të takohej me ta për gjoja negociata. Klauzola u shkel dhe Myftiu u qëllua në vend. Pas kësaj vrasjeje tinëzare, luftimet në mal u bënë edhe më të furishme dhe aty vdiq edhe Shaban Polluzha, në luftime”.

Në një paragraf tjetër përshkruhen dinamikat e luftimeve nëpër rajone të Kosovës dhe udhëheqësit e grupeve nacionaliste kundër partizanëve.

“Rajoni i Gjilanit u ngrit në kryengritje nën udhëheqjen e Mulla Idrizit, i përmendur në këngët popullore si ‘Muderris’, Idrizi i inkurajoi njerëzit e tij duke cituar vargje të Pashë Vaso Shkodranit, si ‘Feja e shqiptarit është Shqipëria’”.

Raporti tregon edhe për luftën në qytetin e Ferizajt, kur në pranverën e vitit 1945 forcat nacionaliste fituan betejën dhe e morën qytetin.

Por, “fitorja ishte jetëshkurtër për shkak të mungesës së municioneve, dobësimit të disiplinës dhe mungesës së planifikimit strategjik”.

Më pas, si reprezalje, komunistët kishin kryer masakra mbi popullsinë civile.

“Ndryshe nga popujt e tjerë të Evropës Lindore dhe Azisë që vuajtën nga komunizmi, kosovarët janë viktima edhe të shovinizmit serb. Për sa kohë që marrëdhëniet mes Marshall Titos dhe Enver Hoxhës ishin miqësore, kosovarët nuk u trajtuan mirë nga komunistët shqiptarë”.

“Kështu kosovarët, që luftuan me sllavët ose ikën në male për shkak të shtypjes serbe, u gjetën në një situatë mes ‘çekiçit dhe kudhrës’. Komunizmi, siç aplikohet në Kosovë, nuk ka të bëjë fare me doktrinat marksiste. Është thjesht produkt i urrejtjes që kanë serbët dhe malazezët për shqiptarët. Këtu komunizmi synon të thyejë kosovarët që ata të shuhen dhe pasuria e tyre të merret nga të ashtuquajturit çlirimtarë”.

Sipas CIA-s, nacionalistët shqiptarë të Kosovës do ta gjenin veten në rrugë pa dalje, meqë edhe “vëllezërit” e tyre nga Shqipëria i luftonin po njëjtë, në mos më shumë se serbët.

“Në Shqipërinë komuniste, Koci Xoxe, një serbofil, ishte përgjegjës për marrëdhëniet e jashtme me Jugosllavinë. Mirëpo, servilizmi që ai dhe ndihmësit e tij treguan në arrestimet dhe torturat e nacionalistëve kosovarë i habiti edhe vetë jugosllavët”.

“Ramë Bllaca ish-ministër; Profesor Selman Riza, kryetar i Partisë Irredentiste dhe ish-kryetar i komunës së Pejës; Muharrem Mitrovica; Kapiten Gjon Destanishta; dhe shumë civilë e ushtarakë të tjerë u arrestuan në Tiranë dhe iu dorëzuan qeverisë jugosllave, ku u gjykuan dhe u dënuan me dënime të ndryshme me punë të rënda. Të tjerë u dënuan me vdekje”.

Dokumenti 33-faqësh i CIA-s flet edhe për vrasjen e Miladin Popoviçit në Prishtinë, njërit nga themeluesit e komunizmit në Shqipëri.

“Më 14 mars 1945, Haki Taha, një mësues, vrau Popoviçin në Prishtinë. Si rezultat, Taha u arrestua, u pushkatua dhe u tërhoq zvarrë nëpër rrugë, me një tabelë të ngjitur me ironi në gjoks ku shkruhej ‘Vdekje tradhtarëve! Liri shqiptarëve!’”.

Sllavo-komunistët ishin hakmarrë për vdekjen e Popoviçit dhe këtë e bënë edhe duke vrarë kosovarë të caktuar, përkundër se ata ishin deklaruar komunistë.

“U pushkatuan 1 mijë e 600 anëtarë kosovarë të brigadave komuniste të vendosur në Tivar të Malit të Zi. Dëshmi tjetër e masakrës së këtyre burrave është fakti se në Tivar nuk ka asnjë të vdekur në listat zyrtare komuniste për 17 dhe 18 mars”.

“Që nga tetori i vitit 1944, komunistët mbanin një regjistër mjaft të saktë të emrave të atyre personave në rajonet e Kosovës dhe Metohisë, për të cilët ishin shqiptuar dënime të mëdha, duke përfshirë edhe dënimet me vdekje. Emrat e dëshmorëve shqiptarë të varur apo pushkatuar mund të gjenden të shënuara në regjistrat e të ashtuquajturave Gjykatat e Popullit. Dënime të tilla me vdekje në fakt janë diktuar nga Partia Komuniste dhe teksti i përcjellë nga UDB-ja dhe vetëm janë shqiptuar nga Gjykata gjatë paraqitjeve të shkurtra para gjyqtarëve të të pandehurve, për të krijuar përshtypjen e një gjykimi të drejtë demokratik”.

Dokumenti Dokumenti Dokumenti
“Gjatë netëve të errëta dhe të ftohta të viteve 1944, 1945 dhe 1946, të burgosurit e dënuar me vdekje nxirreshin nga qelitë e tyre, futeshin në kamionë dhe dërgoheshin në lokalitete të shkreta si Gërmis, Karakaci, Llukaci, Moglice, Giafe dhe Kalas, ose në kodrat e Ibrit, Sveçanit dhe Gjilanit, ku u urdhëruan të hapnin varret e tyre. Pas ekzekutimit, varret u mbuluan me ngut me pak tokë ose borë. Kur bora u shkri, kufomat e dekompozuara dilnin në sipërfaqe”.

“Kur mund të kryhen vepra të tilla të tmerrshme në një shtet, është e kotë të flitet për liri. Ngjarjet, ashtu siç kanë ndodhur, flasin vetë. Për shembull, kur po përgatiteshin zgjedhjet e përgjithshme, gjoja për të rikthyer shprehjen e lirë të popullit të Kosovës, autoritetet sllave organizuan një mbledhje në Prizren, ku merrnin pjesë vetëm ata me ftesa, në fillim të majit 1945, dhe delegatët u zgjodhën ekskluzivisht nga ‘nacionalçlirimtarët’. Pikërisht në këtë mbledhje, Komiteti Shqiptar për Kosovë e Metohi dhe organizata e frontit popullor nxorën një rezolutë ku thuhej se ‘populli shqiptar me vullnetin e tij të lirë shpreh dëshirën për të qëndruar brenda kufijve të Jugosllavisë’”.

“Kur njerëzit pyesnin komisarët politikë gjatë zgjedhjeve pse nuk kishte kuti shqiptare, këta zyrtarë përgjigjeshin: ‘Pse? E gjithë bota e di se Enver Hoxha, Tito dhe Stalini janë një. Nuk do të ketë më kufij mes nesh dhe Shqipërisë. Jemi bërë vëllezër nga gjaku që derdhëm bashkë, asgjë nuk do të na ndajë më’”.

Tentimet e nacionalistëve shqiptarë nuk kishin pushuar, thekson raporti, por shumica prej tyre ose ishin vrarë, ose arrestuar e dënuar me burgim. Shkurtazi përmenden disa emra dhe vendet ku ishin burgosur.

“Më 11 gusht 1946, të burgosurit në burgun e Pejës tentuan arratisjen. Fatkeqësisht ata u kapën dhe me këtë rast humbën jetën Dr. Sylejman Lleshi, Skënder Curri, Mirteza Kryeziu dhe Bajram Shllaku, të gjithë anëtarë të një organizate nacionaliste, dhe 10 të burgosur të tjerë. Anëtarët e organizatës nacionaliste të Prishtinës, në mesin e tyre Gjon Sereqi nga Ferizaji dhe Sylejman Aliu nga Prizreni, u arrestuan në pranverën e vitit 1945. Ky grup kishte ndihmuar Lluan Gashin dhe shokët e tij. Anëtarët e një organizate tjetër nacionaliste, në krye me At Bernadin Llupin, klerik i Pejës, u arrestuan në verën e vitit 1946. At Llupi kishte mbajtur kontakte me profesor Ymer Berishën, shef i forcave nacionaliste që vepronin në Jugosllavi me agjent ndërlidhës Ndue Perlleshin. Anëtarë të tjerë të grupit të At Llupit ishin Marija Shllaku dhe mësuesi Gjergj Martini, të dy nga zona e Shkodrës, të cilët më vonë u vranë në një përplasje me partizanët. Ata ishin agjentë ndërlidhës mes nacionalistëve të Shkodrës dhe atyre të Gjakovës, Prizrenit dhe Prishtinës”.

“Të gjitha organizatat sekrete dhe degët e tyre lokale vartëse u përpoqën mes viteve 1945 dhe 1947 të mbanin kontakte me liderët politikë të fshehur në Kosovë. Në këtë mënyrë, organizata e Halim Spahiut mbajti kontakte me Ymer Berishën dhe Muharrem Bajraktarin, ndërsa organizata e Sylejman Lleshit ishte në kontakt me Ymer Berishën dhe Jup Binjakun. Binjaku, nga ana tjetër, u përpoq të vendoste kontakte dhe t’i koordinonte veprimet e tij me ato të Dem Ali Pozhanit. Organizata e At Bernardin Llupit kishte kontakte me Ymer Berishën, Ndue Perlleshin, Pashuk Bibën, dhe Ndoc Mirakajn. Organizata e Prishtinës ishte e lidhur me Ymer Berishën, Lluan Gashin, Gjon Sereqin dhe Abdyl Hensin. Organizatat e Gjilanit mbanin kontakte me Mulla Idrizin. Agjent ndërlidhës i organizatave të Vitisë, Kamenicës dhe Preshevës ishte Sul Hoti”.

Nacionalistët shqiptarë nuk ishin shumë të fuqishëm dhe gjithashtu nuk kishin kurrfarë ndihme nga jashtë vendit, derisa në anën tjetër OZNA, paraardhëse e UDB-së, ishte bërë shumë e fuqishme.

Ndodhte jo rrallë që OZNA de-konspironte planet dhe takimet e fshehta të nacionalistëve.

“Menjëherë pasi komunistët morën pushtetin në Kosovë, ata filluan një fushatë aktive propagandistike, duke shpërndarë fletëpalosje në të gjithë rajonin dhe duke organizuar kurse indoktrinimi, të cilat ishte detyruese të ndiqeshin”.

“Ata që mungonin pa arsye u akuzuan për sabotim, u arrestuan, u rrahën dhe më pas përcilleshin nga zyrtarët e OZNA-s”.

OZNA, më pas UDB, ishte veçanërisht aktive në vitin 1946. Persona të shumtë u vranë ose thjesht u zhdukën.

“Nga ana tjetër, edhe shqiptarët ishin mjaft aktivë në atë vit në krijimin e organizatave të fshehta nacionaliste. Nuk ekzistonte asnjë ligj i veçantë, sipas të cilit të parashikohej dënimi i individëve të pakënaqur me situatën e krijuar, prandaj OZNA ishte e detyruar t’i cilësonte ata si kriminelë politikë. Nëse kjo nuk ishte e mundur, individët që konsideroheshin të padëshirueshëm akuzoheshin se i përkisnin ndonjë grupi politik dhe dënoheshin nga Gjykata Popullore lokale me nga gjashtë muaj deri në një vit punë të rëndë. Kryetarët e këtyre gjykatave ishin agjentë konfidencialë të caktuar posaçërisht për këtë qëllim”.

“Situata e kosovarëve nuk kishte qenë kurrë e rrezikshme dhe aq e rëndë sa ishte mes viteve 1944 dhe 1948, kur alternativat e tyre të vetme ishin burgu, vetëvrasja ose pranimi i përulur i zgjedhës komuniste dhe sllave”.

Një pjesë të konsiderueshme të raportit të CIA-s flitet për numrin e madh të shqiptarëve të Kosovës që burgoseshin vazhdimisht.

“Gjatë kësaj kohe, në burgjet e Republikës së Serbisë kishte të paktën trefish më shumë shqiptarë se sa sllavë. Çdo qytet kishte dy ose tre seksione të OZNA-s dhe secili seksion kishte burgun e tij, të ruajtur nga ushtria. Edhe policia/milicia kishte burgjet e veta”.

“Burgjet e Kosovës ishin të mbushura me shqiptarë. Burgu më i madh në rajonin e Kosovës, ku nuk kishte kurrë më pak se 1 mijë të burgosur shqiptarë, gjendej në Prishtinë”.

“Aktualisht në këtë qytet po ndërtohet një burg me kapacitet për dy mijë të burgosur”, saktëson raporti.

“Burgu më i madh në Republikën e Serbisë ishte në Nish. Ai përmban rreth pesë mijë të burgosur, katër mijë prej të cilëve ishin shqiptarë. Këtu, ku shpirti i të burgosurit formësohet nga torturat ndaj trupit, zbatohen metodat më të rafinuara për të thyer patriotizmin e kosovarëve përmes ‘riedukimit’”.

“Burgu ka dy departamente, një i njohur si ‘Ferri’, dhe tjetri si ‘Purgator’. Ky i fundit përmbante 4 mijë të dënuar në vitet 1946-1948, 2 mijë e 500 prej të cilëve ishin shqiptarë”.

“Në burgjet e Mitrovicës, Pozharevcit dhe Kragujevcit, katër të pestat e të dënuarve ishin shqiptarë. Gjysma e të burgosurve në burgun Idrizov në Shkup ishin shqiptarë nga Maqedonia, të cilët keqtrajtoheshin nga gardianët në të njëjtën mënyrë si kosovarët”.

Veç vrasjeve e burgosjeve, sistemi komunist i kishte prekur shqiptarët e Kosovës edhe në ekonomitë familjare.

Sipas raportit, “partizanët filluan në vitin 1944 me themelimin e bujqësisë kolektive ose kooperativave. Kjo kontribuoi shumë në varfërimin e popullsisë. Fshatari që më parë kishte mjaftueshëm për të jetuar, përfundimisht u bë i varfër”.

“Produktet bujqësore dhe bagëtitë thjesht iu morën fshatarëve nga anëtarët e bordit lokal të Partisë Komuniste. Familjet me bukë të mjaftueshme edhe në ditët e festave ishin të rralla, sepse shteti i merrte grurin fshatarit shqiptar dhe si këmbim i jepte vetëm pak misër”./Albanian post