Gazeta Nacional Albania

Rashel  Solomon vjen me librin me poezi  “DY GURË, DY FLAMUJ…” Studim nga Laureta Petoshati

 

 

Mbas vëllimit poetik “Një puthje për ty nga Jerusalemiʺ, poetja Rashel Solomon del para lexuesit me një tjetër vëllim poetik, të titulluar “Dy gurë, dy flamurë…”.  Ajo, që të bie në sy në këtë libër, është rritja e cilësisë poetike si në formë ashtu dhe në përmbajtje, madje kemi më shumë tema të përfshira në të. Edhe në këtë vëllim, ashtu si dhe në të parin, poetja Rashel Solomon shpaloset si një poete tejet e ndjeshme, vargjet e saj të emocionojnë dhe të bëjnë që të reflektosh mbi njerëzit në përgjithësi, të çfarëdolloj kombësie apo race qofshin, mbi jetën e tyre,  situatat jetësore, të kaluarën dhe të dhe ardhmen.  Vargjet e saj janë në harmoni të ëmbël e të ngrohtë me ëndrrat dhe realitetin, me trupin dhe shpirtin, me dimensionet shpirtërore dhe largësitë fizike, që shkaktojnë tronditje të forta për një shpirt të ndjeshëm dhe të sinqertë.  Po ta lexosh më vëmendje, vë re se poezia e saj është një mënyrë së qeni, një ekzistencë midis dëshirës dhe realitetit, midis pranisë dhe mungesës, midis mallit dhe çmallimit, midis Vlorës, Jerusalemit dhe Floridës.  Janë mbi gjashtëdhjetë poezi, që me tematikën e tyre janë shtrirë në të gjithë globin dhe flasin për një shpirt thellësisht të butë dhe të fuqishëm njëkohësisht, që të mahnit me thjeshtësinë dhe madhështinë e tij.  Këto poezi spikasin për dashurinë e madhe njerëzore që poetja shpreh në larminë e vargjeve të saj. Dashuria është shprehur me një gjuhë shpirti, gjuhë universale, që është pikënisje dhe pikëmbërritje në këtë vëllim poetik.  Poetja Rashel Solomon kudo që shkon është e shoqëruar nga malli për Vlorën, vendin ku lindi dhe u rrit, si dhe nga malli për vendin ku ka rrënjët e gjakut të saj, Izraelin. Madje, si në një trini të shenjtë ajo ndiqet pas nga tri dete: Joni, Adriatiku dhe Mesdheu. Këtë gjë ajo e shpreh  më së miri te poezia emblemë e këtij vëllimi “Dy gurë, dy flamurë…”, i cili shpreh me një vërtetësi që të çarmatos, jo vetëm gjendjen emocionale të autores, por dhe mallin e saj për këto dy vende. Nëse do të kishte njësi matëse malli apo dashuria e saj, apo nëse do ti merrnin si dy bashkësi dhe do ti fusnim te njëra tjetra, në këtë poezi do të shihnim se masa e njërës është e barabartë me të tjetrës, apo më mirë ato mbushin njëra-tjetrën dhe nuk kuptohet ku ndodhet vija e konvergjencës: “Në trastën e dhimbshme të kurbetit/nuk ka as bukë, as ujë të ftohtë/në zemrën e saj shtrënguar/ veç dy gurë të ngrohtë,/njëri nga Vlora – mëmëdhe, /mëmëdheu i bekuar,/tjetrin nga Jerusalemi – atdhe /atdheu i shenjtëruar.” Dashuria apo malli në poezinë e Rashel Solomon i shkatërron distancat, bëhet dallëndyshe për të kapërcyer detet realë që krijojnë ndarjen dhe detet e brendshëm që krijojnë dallgët e mallit. Ja, si shprehet ajo: “Ëndrra ime dallëndyshe,/ të tre detet i përshkon/ prej të treve me jetë vishet,/  bekimi i tyre e shoqëron.” Këtu dashuria, e shtrirë në hapësirën e tre deteve, bëhet pafundësi, kthehet në sublime. Ky intensitet ndjenjash e pushton autoren dhe në disa poezi të tjera, të cilat u kushtohen njerëzve dhe familjarëve të saj konkretë, por dhimbja dhe dashuria sa të thella dhe drithëruese, si në një hapësirë thithëse dhe të pashpjeguar, përfshijnë çdo lexues. Një nga këto poezi, është dhe poezia “Në engjëll shndërruar”,  kushtuar hallës së saj Fortunata, e cila kishte lindur në Vlorë dhe u martua në Janinë, ku gjatë pushtimit nazist internohet në kampet e përqendrimit bashkë me familjen dhe nuk u kthye më. Poezia është një elegji përlotëse dhe mallëngjyese, që flet për tmerrin e kaluar nga një familje e tërë, shuarjen e saj në mënyrë të tmerrshme, por dhe vajtimin tronditës të një nëne, që priste vajzën, e cila nuk u kthye kurrë nga kampi i shfarosjes në masë së bashku me familjen që pati ndërtuar në Janinë. Në këtë poezi,  poetja Rashel Solomon në mënyrë të drejtpërdrejtë e shndërron artin e saj poetik në një formë kujtese për atë që ka ndodhur: “Ndoshta shumë ke shpresuar në geto /me Shabat në zemër moj e mira teto,/ të shkriu, të përpiu, të gëlltiti nata/ me familjen engjëll, Fortunata.”

Poetja Rashel Solomon, nuk është viktimë e holokaustit për moshën e saj të re, por pjesa e familjes së saj në Janinë ishte. Ndaj ajo, si pasardhëse e këtyre njerëzve, futet në mënyrë të tërthortë, në radhën e poetëve të kujtesës, që e përjetuan vetë holokaustin si: Dan Pagis, Paul Celan, Anna Rabinoëitz, Micheal O’Siadhail, Miklos Radnoti, Primo Levi, Janos Pilinszky, etj. Në këtë poezi elegjiake kujtimin e hallës së saj, në mënyrë metaforike e shndërron në dritë: “Ti dritë na bëhesh kur afrohet nata/halla jonë prej drite Fortunata.”

Por poetja, kur kujton Holokaustin dhe njerëzit simbole të tij, si për shembull Anna Frank, është mirënjohëse për Shqipërinë dhe shqiptarët, e cila nuk lejoi që asnjë prej tyre të kishte fundin e saj. Këtë gjë, ajo e shpreh më se miri te poezia  “Bija të Vlorës e të Jerusalemit, unë e ti Anna”, që i kushtohet kushërirës së saj Dr. Anna Kohen, e cila është një veprimtare e shquar e komunitetit shqiptar dhe atij hebre në Amerikë. Ja, me sa bukuri e dashuri flet ajo për Vlorën e Rrugicën e Hebrenjve në këtë poezi: “Si dy lule hapat e para  hodhëm/ në rrugicën tonë të vogël, por të pacak /kaçurrelat tona dhe  dallgët i lodhën / kur shpupurisnin flokët qoftë edhe për pak/ …U rritëm të bukura, shkëlqenim si zambak,/ asnjëra prej nesh s’u bë, jo Anna Frank.”

Për poeten Rashel Solomon dashuria fillon nga familja dhe shtrihet pastaj në mënyrë horizontale deri në pafundësi për të gjithë njerëzit dhe natyrën. Ajo në këtë vëllim poetik ka një poezi mjaft të ndjerë, që i kushtohet nënës së saj, Xhokonda Sollomoni, të titulluar  “Sytë e bukur të nënës time”, ku për shkak të këtyre tipareve dhe ngjyrës së syve, jo vetëm që u dashurua i ati i saj, por dhe Rashel, ishte fryt i asaj dashurie, që për poeten mbetet sublime, hyjnore, kur thotë: “Me ata sy, babai im u dashurua/ me ata sy depërtues, gri në blu/ si qiell nga qielli tani më sheh mua/ me magjepsësit, të kthjellëtit sytë e tu.” Po aq të ndjera janë dhe dy poezitë që i kushton të atit të saj Loni Sollomoni: “Ëndrra  ime” dhe  “Ditëlindjen tënde me mall kujtoj…”

Poezia “Ëndrra  ime”  tregon se poetja kërkon shtigje surrealiste, apo onorike për të shprehur të pashprehurën, për të komunikuar me të atin e saj të larguar nga jeta tokësore. Këtë komunikim ajo e bën në mënyrë vertikale, me ndërmjetësimin e Zotit, që ajo në hebraisht e thërret “Elokim!” Poezia dhe ëndrra janë vendi ideal për të komunikuar ndjenja kaq të thella, me një mënyrë transcendentale tejet origjinale. Këtë gjë e bën dhe Yehuda Amichai, poeti i parapëlqyer i Rashel te poezia e tij “Babai im”, ku në vargjet e tij thotë: “Kujtimi i babait tim është i mbështjellë/ me letër të bardhë, si sandviç që merret për në punë./ Si një magjistar që nxjerr kulla dhe lepuj/ nga kapela e tij, ai nxjerr dashuri nga trupi i tij i vogël…”

Edhe te poezia “Ëndrra  ime”e Rashel Solomon, ka jo vetën një dashuri të pashoqe, por dhe një formë ndryshe të shprehuri të kësaj dashurie. Malli e bluan dhe e gërryen, por ajo e përballon me kujtimet dhe mësimet që i ka lënë i ati.

Dua të theksoj këtu, se tema e mallit është një nga temat më të spikatura në këtë vëllim. Por duhet thënë se poetja Rashel Solomon ka shkruar dhe poezi me tema sociale duke vënë gishtin në plagët e shoqërisë si poezitë: “Hej doktor”,  “Pa dashuri”, “Gjuha e nënës, gjuha e identitetit”, “Në Emër të Popullit”, “Dielli do lindë”, etj., të cilat i bashkohen frymës poetike të Nolit, Ali Asllanit, Migjenit, Fishtës, Fatos Arapit, Ndoc Gjetjes, etj.
Po ashtu një temë e trajtuar është dhe dashuria, mungesa e njeriut që dashuron, pamundësia për të qenë bashkë, që trajtohen në shumë poezi si: “Loja e shahut”, “Pas të më ndiqje”, “Të dashurohesh me ajrin”, “Lëmshi i zjarrtë”, “Me jetën përqafuar”, “Balanca nuk ekuilibrohet”,  “Përshëndetje mik!”,  “Nuk jam penduar…”, “Si një meteor…”, “Bletë mëkatare”, “Bilanci i vitit”, “Unë, ti dhe dashuria”, etj. Madje duhet thënë se këto poezi i bën të veçanta retiçenca, e quajtur ndryshe dhe aposiopesi, e cila  është një figurë retorike që bën ndërprerjen e vargut, apo të fjalisë, për t’ia lënë në dorë lexuesit që të kuptojë se çfarë nuk thuhet dhe ta përqendrojë vëmendjen mbi të vërtetën e fshehur. Ka raste, që retiçencën poetja Rashel Solomon, e përdor që në titull të poezisë, si te poezitë: “Dy gurë, dy flamurë…”, “Nuk jam penduar…”, “Si një meteor…”, “Pres …”, “Thjesht ajo quhet…”, etj. Kjo gjë e bën poezinë e saj një vepër të hapur siç thotë Umberto Eco për të tilla raste dhe lë shteg për interpretime e analiza të ndryshme. Shumë interesant në poezinë e Rashel Solomon është dhe përdorimi i alegorisë, që është një figurë retorike, ku, diçka abstrakte shprehet përmes një imazhi konkret. Kjo gjë është e theksuar te poezitë “Bletë mëkatare”, “Unë, ti dhe dashuria” ,“Lëmshi i zjarrtë”, etj. Te poezia “Bletë mëkatare”,  bleta përfaqëson vetë njeriun, apo më mirë një grua të dashuruar, e cila është e palodhur si bleta, por thumbon nga xhelozia. Ndërsa lëmshi i zjarrtë, te poezia me të njëjtin titull, përfaqëson ndjenjën e dashurisë, që lind midis dy njerëzve. Tepër e veçantë është alegoria e përdorur te poezia “Unë, ti dhe dashuria”, që poetja dhe pse nuk e thotë imazhin konkret e lë të nënkuptuar se dashuria është si një qenie njerëzore që i bashkëshoqëron kudo, si në vargjet: “Unë, ti dhe dashuria/ në një akuarium si peshq lodronim/ i vogël akuariumi për ne të tre / aq sa frymën, sa s’na e mori.”

Duhet theksuar se i gjithë vëllimi dallohet për një origjinalitet të dukshëm, për vargje të ngrohta, plot muzikalitet dhe rrjedhshmëri vargu, si dhe nga përdorimi i shumë figurave letrare si epitete, krahasime, retiçenca, metafora dhe anafora. Për më tepër, anaforat e përdorura në poezitë “Balanca nuk ekuilibrohet”, “Pa dashuri”, “Përshëndetje mik!”, “Pres …”,“Lëmshi i zjarrtë”, etj, me anë të përsëritjes së fjalës në fillim të rreshtit krijojnë një efekt zanor, një muzikalitet të ngrohtë, një atmosferë intime, një ritëm të harmonishëm me ndjenjat, emocionet dhe mesazhin poetik. Te poezia “Balanca nuk ekuilibrohet”, anafora “unë” është e alternuar jo vetëm në renditje, por dhe me metafora të shumta, si në vargjet: “Ti ishe dielli, që mëngjeseve më zgjonte,/ unë isha hëna, që netëve të shoqëronte,/ unë isha busulla, që rrugën të tregonte, / ti, kapiteni, që erërat i qetësonte.”  Ndërsa te poezia “Përshëndetje mik!”, anafora “për ata që”, e cila kuptohet që është një togfjalësh dhe përsëritet plot 11 herë, jo vetëm që e thekson mesazhin poetik, por gjithashtu, forma dhe përmbajtja e forcojnë njëra-tjetrën dhe janë në unitet të plotë. Në fakt, këtë unitet e gjejmë në të gjithë vëllimin poetik “Dy gurë, dy flamurë…”, të poetes Rashel Solomon, e cila i ka dhënë lexuesit një buqetë poezish si një buqetë lulesh të freskëta, shumëngjyrëshe dhe të merme, aroma e të cilëve të ngelet gjatë në kujtesë.