Gazeta Nacional Albania

REZULTATI I KONKURSIT TË MINISTRISË SË KULTURËS NËNÇMON FNP “DITËT E NAIMIT”.

Dje u shpallën rezultatet e Konkursit Vjetor të Ministrisë së Kulturës. Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” morri një buxhet fyes e nënçmues. Komisioni kishte brenda vetes edhe dy poetë shqiptarë, të cilët kanë vendosë për projektet shqiptare: Lulzim Haziri dhe Ahmet Selmani.
Anëtari i parë, i cili ishte pjesë e Komisionit edhe vitin e kaluar, nga një milion denarë (afër 16 mijë euro) sa merrte më parë Festivali, e zbriti me një të tretën e shumës, vlerën e fondit. Duke mos u kënaq me kaq, ky anëtarë komisioni, këtë vit e uli edhe për diç më shumë se një të tretat, shumën e vitit të kaluar, pra, në 301 402 denarë (4900 euro). Kështu, po të analizosh, vëren prirjen për ta thelluar edhe më shumë diferencën që Festivali maqedon ndërkombëtar i poezisë “Mbrëmjet strugane” ka marrë (10 000 000 denarë apo 163 mijë euro). Në anën tjetër shuma e ndarë për “Ditët e Naimit” afrohet (sa për krahasim) me një manifestim “letrar” një ditor “Takimet poetike në Sharr”, që mbahen në katundin tim të origjinës, në vlerë prej 261 515 denarë (4250 euro) duke i dhënë opinionit pasqyrën e vlerës së barabartë me te.
Nuk po flasim për fondin që ka marrë i vetmi projekt libri, e i cili është i lidhur ngusht me mbarëvajtjen e Festivalit, pra Antologjia me poezi të poetëve pjesëmarrës të Festivalit, ku shihet qartë shuma përçmuese monetare.
E habitshme, se si ky anëtar i Komisionit pranoi që edhe ketë vit të jetë shpërndarësi i të hollave të tagrapaguesve shqiptarë, ku vitin e kaluar u protestua në mënyrë të organizuar dhe të vazhdueshme, e u botuan mbi dhjetë reagime nëpër mediumet e mbarë hapsirës shqiptare, për ndarjen jo të drejtë të buxhetit. Ku është morali i këtij anëtari të Komisionit, i cili pranoi dhe guxoi të kryejë atë funksion edhe në mandatin e dytë?!. Ai, gjatë periudhës sa ishte në këtë post, ndihmoi të hartohen nga Ministria parime për aplikim në konkurset vjetore, që dromcojnë dhe penalizojnë letërsinë shqipe, ku poetët shqiptarë jashtë vendit nuk mund të botohen, përkthyesit e gjuhëve të ndryshme duhet t’i pjellë hapsira e ngushtë vendore e kritika jonë lokale të konsiderohet e mjaftueshme për vlerësimin estetik. Krejt kjo, shenjon përçudnimin e vet aktit të botimit tek ne, ku aplikuesit në konkurs u gjendën në rrethin absurd.
Atë ditë që dolën rezultatet e Konkursit, ky poet anëtar i Komisionit bëni ate që u dignostifikua si “Të bësh patriotin për qëllime të ngushta personale është POSHTËRSI!” Informoi opinionin se, nuk e ka nënshkruar Raportin e Rezultateve të Konkursit. Dhe reagimet që janë shfaq e po shfaqen nuk mund ta kenë target ate, “heroin”. Shtrohet, pyetja! Pse nuk e dha dorëheqjen kur pa se, gjatë punës së vlerësimit hasi në pamundësinë për të kaluar edhe ndonjë autor “të vlefshëm”. (Ku e gjeti guximin të shkoj ta bëjë vlerësimin e letërsisë në atë komision, kur ai, në CV-në e tij nuk ka një studim shkencor letrar apo kritikë letrare të botuar e as shkollën e letërsisë).
Dhe në fund, “po ç’pate me Urën”. Drejtoria e festivalit “Ditët e Naimit” të ftoi në mbi shtata a tetë edicione si pjesëmarrës, ku lexove poezinë tënde e u prezentove në Antoligjitë e tij, hëngre e pive në më shumë edicione se sa ishe i ftuar. Dhe tani, që t’u dha mundësia ta tregosh veten, të bëhesh vlerësues e mirënjohës, të ndash buxhetin për këtë projektshenjues kulturor e letrar të njohur në shkallë ndërkombëtare, me një traditë një çerekshekulli ndërkomunikimi, ku në te kanë marrë pjesë, janë vlerësuar dhe kanë lexuar më shumë se njëherë, thuajse të gjithë poetët dhe intelektualët e rëndësishëm shqiptarë e arbëresh, si dhe autorë nga meredianet e ndryshme të botës, ku është paraqitur përmes një ndërveprimi interdisiplinarë kultura, letërsia, arti, shkenca, muzika, etnografia, arti pamor, botimi shqip,… ti bëne krimin, duke ulë shumën e fondit në një shifër fyese.
Mendove ti, që me një të rënë të lapsit t’i groposësh. “Ditët e Naimit”.
Gabove!
Festivali ka parë sfida nga më të ndryshmet dhe nuk e ka ndalë rrugëtimin. Ai, do të mbahet në vazhdimësi, ngase letërsia, kultura, arti jonë, poetët shqiptarë, kanë nevojë dhe e quajnë të dobishme e të domosdoshme ndërkomunikimin me të tjerët.
Më vjen keq, që futesh në historinë e Festivalit me këtë fytyrë.

Tetovë, 20. II. 2022 MLN “Ditët e Naimit”
Shaip Emërllahu