“Gjatë Luftës së Kosovës, ambasadorin Hollbrook e kemi pritur disa herë në New York, konkretisht sa herë që vinte nga takimi me diktatorin Millosheviç në Beograd. Ai ishte i dërguari i Presidentit Bill Klinton në takimet me diktatorin serb dhe njeri me shumë influencë në Shtëpinë e Bardhë dhe administratën Amerikane. Mes të tjerash, zoti Hollbrook jepte shpesh edhe ndonjë detaj nga takimi me kasapin e Ballkanit në Beograd. Në takimin e tretë, na tha Hollbrook, Millosheviçi po pinte puro dhe konjak. I thashë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të të bien, do të bombardojnë, por ai ende nuk e besonte. Ai tregonte se si kishte qëndruar 11 orë në bisedime me të. Por tregonte edhe për nervozizmin e Millosheviçit dhe sjelljet e tij, në ato takime që përgatitën fundin e tij.”
Intervistoi: Mujë Buçpapaj
1.Si e mbani mend vizitën e parë në Shqipëri ?
-Në maj të vitit 1990 erdha në Shqipëri. Regjimi komunist, falë presionit të SHBA-ve, kishte dhënë disa shenja të vogla ndryshimi. Kishte lejuar telefonat me jashtë, kishte filluar një hapje të druajtur drejt botës, duke lejuar të vizitonin vendin edhe shqiptarë të Diasporës. Në këtë kuadër unë e mora vizën në Romë me ndërhyrjen e një mikut im arbëresh i cili ndërmjetësoi.
Ardhja në Shqipëri ishte një ngjarje për jetën time pasi po vizitoja Atdheun që na kishte mohuar dhe përndjekur për arsye ideologjike. Malli ishte i madh, por gjendja ekonomike që pashë ishte katastrofike, e pa imagjinuar për një qytetar Amerikan, pasi nuk gjeje të blije as gjërat më jetike të konsumit të përditshëm dhe radhët e gjata shiheshin kudo, dyqanet ishin bosh, restorantet ishin thuajse bosh, vendi ishte i rrënuar dhe njerëzit të dëshpëruar.
Pra mund të them se malli për vendin tim ishte i madh, por varfëria ekstreme e zbehu shumë këtë mall. Për herë të parë u takova pas 45 vitesh me njerëzit e familjes tonë. Baba ynë ishte shumë i lidhur me Tropojën, me Shqipërinë. Baba vdiq në SHBA me mallin për Shqipërinë.
Im atë ishte një patriot shqiptar. Përgjatë gjithë viteve të emigracionit nuk kishte një natë që nuk e sillte muhabetin për Shqipërinë, për Kosovën. Ai e bënte këtë që ne të mos e harronim kur Shqipërinë, sido që konsideroheshim armiq të regjimit komunist dhe na ishin mbyllur dyert e Atdheut për 50 vjet. Prindërit e mi ishin detyruar të largoheshin nga vendi me shumë mall, me shumë kujtime të paharruara dhe këtë ndjenjë donim me insistim të na e përcillnin edhe ne fëmijëve.
-Ngjarjet dhjetorit 1990 ndryshuan historinë e Shqipërisë. Vendi hyri në rrugën e pluralizmit politik. Si e përjetuat këtë zhvillim?
– Lëvizjen studentore të dhjetorit 1990 e pritëm me shumë gëzim. Pikërisht atëherë kur shpresat tona po zbeheshin për të parë ndryshimin e shumëpritur edhe në atdheun tonë, ky ndryshim erdhi nga brenda, nga studentët shqiptarë me në krye Azem Hajdarin. Tashmë regjimi komunist ishte i detyruar të pranonte pluralizmin politik dhe udhëheqësit e rinj të opozitës demokratike nën drejtimin e Dr. Sali Berishës po ia shkurtonin kohën e mbajtjes së pushtetit prej tyre.
–Ju keni qënë të parët që e keni pritur në New York
Prof. Dr. Sali Berishën dhe Prof. Gramoz Pashkon. Si e kujtoni atë vizitë ?
– Në fillim të vitit 1991 erdhi në SHBA Dr. Berisha, me Gramoz Pashkon, për një dëshmi në Kongresin Amerikan. Kemi dalë dhe i kemi pritur në aeroport bashkë me Sergion. Për nder të tyre shtruam një darkë në restorantin tonë të njohur “Mineta Tavern”. Kishim ftuar rreth 60 vetë nga shqiptarët e Amerikës, veprimtarë të njohur të çështjes shqiptare, nacionalistë, patriotë të dëshmuar në vite. Dr. Berisha mbajti një fjalim interesant rreth gjendjes së re në Shqipëri të krijuar pas lindjes së Partisë Demokratike, synimeve të saj për të hapur vendin, për ta zhvilluar atë dhe për ta kthyer në familjen e popujve të zhvilluar, në miqësi të ngushtë me SHBA-të, por edhe për vështirësitë që po ndeshte opozita demokratike me regjimin e PPSH-së, akoma në fuqi.
Unë e kam pasur banesën sipër restorantit dhe aty ka fjetur Dr. Berisha, bashkë me Gramozin. Pas darke, Gramzoi më tha se kishte dëshirë të dilte pak në qytet në Greenëich Village, në Manhatan, ndërsa Berisha tha: “Jo nuk do të vij pasi do të përgatitem për nesër, por ju mund të dilni.” Me Gramozin kemi dalë atë natë deri në orën 2 të mëngjesit. Të nesërmen kemi shkuar me tren në Washington, ku Berisha dhe Pashko kanë bërë dëshminë e tyre para Komitetit të Kongresit Amerikan. Kur u kthyem në New York organizuam një konferencë me pjesëmarrjen e drejtuesve të rinj të PD-së e cila doli shumë mirë. Berisha përsëri la përshtypje shumë të mira si një njeri serioz, punëtor dhe me vision për të ardhmen demokratike të vendit.
– Është thënë nga kundërshtarët e Berishës atëherë se lobi i tropojanëve në SHBA e mbështeti atë pranë qarqeve amerikane për të qënë ai udhëheqësi i ri i Shqipërisë dhe këtu ju përmendinin ju, vëllezërit Bytyçi, zotin Elez Biberaj ish-shef i seksionit shqiptar të Zërit të Amerikës, gazetarë të njohur të kësaj radioje si Idriz Lamaj etj?
– Sigurisht që Lobi i Tropojës, dhe jo vetëm ai, e mbështeti Berishën në SHBA, por jo pse ai ishte me origjinë nga Tropoja, ashtu si edhe ne, por sepse ai ishte kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, të së parës parti opozitare të krijuar në vend pas gati 50 vjetësh. Ai dëshmoi në atë pak muaj se i kishte aftësitë për të organizuar opozitën dhe më vonë për të hapur vendin drejt SHBA dhe perëndimit dhe zhvilluar atë. Ai në fjalimin inagurues të PD-së në dhjetor 1990 kishte deklaruar se çështja kombëtare dhe bashkimi kombëtar do të ishin si yll polar për PD-në. Kjo thuhej për herë të parë publikisht nga një udhëheqës politik në Shqipëri pas rreth 50 vjetëve, dhe për ne si vëllezër Bytyçi, që i ishim kushtuar çështjes shqiptare kishte shumë rëndësi.
-Unë kam qënë në SHBA dhe e kam njohur nga afër kontributin tuaj dhe gjithë vellëzërve Bytyçi, për çështjen shqiptare, por edhe historinë e restorantit tuaj “Mineta Tavern” që ishte si një seli e komunitetit shqiptar në SHBA?
-“Mineta Tavern”, ishte një landmark (momument) dhe vendi më historik në zonën Greenwich Village, në Manhatan. Në këtë restorant kanë ardhur nga njerëzit më të shquar të Amerikës, artistë të famshëm, profesorë të shquar edhe gjithë shqiptarët e njohur si: Prof. Dr. Rexhep Krasniqi, Anthony Athanas, Dom Rrok Mirdita, Isa Hoxha, Agim Karagjozi, Isa Nderu, Seit beg Kryeziu, Gjon Buçaj, At Artur Liolin, Albert Akshija, por edhe mysafirë nga Atdheu si, Ibrahim Rugova, Engjëll Sejdaj, Bujar Bukoshi, Josepf Dio Guardi, Papas Antonio Belusci, Skënder Buçpapaj etj.
Pas vitit 1990 i kemi pritur me bujari të gjitha delegacionet shqiptare, emigrantët e rinj etj, që i kemi ftuar vëllazërisht në restorantin tonë. Delegacionet i kemi nderuar me aq sa kemi mundur, ndërsa emigranteve u jemi gjendur si vëllezër. Po kështu kemi ndihmuar intelektualët shqiptarë, shkrimtarët dhe gjithë veprimtarët e komunitetit, shoqata të ndryshme, ente kulturore dhe fetare për veprimtari të ndryshme dhe kudo që e thërriste nevoja e kërkesa për përkrahje dhe ndihma, pa përfituar kurrë asgjë. Ne na ka mjaftuar mirënjohja e komunitetit, fakti që ata na kanë çmuar si njerëzit ma bujarë dhe bukëdhënës të komunitetit.
Kemi përkrahur veprimtaritë kulturore por edhe botimin e librave etj.
Njëri prej tyre është edhe poeti i njohur Tahir Desku, i cili gjatë luftës së viteve 1998-1999, u kthye në Kosovë dhe dha një kontribut të njohur me UÇK-në.
Kemi ndihmuar VATRËN dhe kontribuar me përkushtim aty. Sejdia prej mbërritjes në SHBA dhe po kështu edhe unë pa ndërprerë për 50 vjet me radhë, deri më sot kemi qënë mbështetës të VATRËS. E kemi ndihmuar, qysh kur ishte Arshi Pipa kryetar i VATRËS, biles edhe mbledhjet i bënim sipër restorant Minetës. Vatra është shumë e rëndësishme për ne si vëllezër.
Po kështu kemi bashkëpunuar me Agim Karagjozin si kryetar i VATRËS, ai ishte njeri i bashkëpunimit, i hapur, inteligjent dhe i respektuar në komunitet. Ne kemi punuar me të për shumë kohë.
Pastaj me kryetarin tjetër të VATRËS Dr. Gjon Buçën, një njeri i ndershëm, patriot, i komunikueshëm. Me Gjonin, Sergio, vëllai i madh njihej qysh në Prishtinë dhe kjo na bënte shumë të afërt me të.
–Lobimi i komunitetit shqiptar në SHBA gjatë Luftës së Kosovës ka qenë i madh, por edhe kontributit juaj si vëllezër Bytyçi ka qënë prezent dhe i admirueshëm ?
-Ne vëllezërit Bytyçi jemi anëtarë dhe bashkëthemelues të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, nën udhëheqjen e ish-kongresmenit Josiph Dio Guardi. Ne Bytyçët iu bashkuam LQSHA qysh në fillim, biles organizata u formua në tavolinat e restorantit tonë “Toscana”, nga ku u paraqitën çeqet për American PAC, American Albanian Foundation, Maj 1988. Qysh në fillim ishim 12 anëtarë që paguanim nga 12 mijë dollarë në vit. Kjo Ligë siç dihet ka luajtur një rol të madh për njohjen e çështjes shqiptare dhe posaçërisht atë të Kosovës në Washington.
– Ju si vëllezër gjatë Luftës së Kosovës bëtë lobing të madh, si e kujtoni këtë periudhë?
-Dihet tashmë ky kontribut. Ne si vëllezër nuk kemi kursyer asgjë. Ne bashkë me shumë shqiptarë të shquar bëmë një lobing të madh në Washington, duke informuar për çështjen shqiptare njerëz të rëndësishëm që mbanin poste kyçe në Washington dhe që kishin rol në marrjen e vendimeve atje.
Unë kam qënë në Rambuje në shkurt të vitit 1999. Ishim një grup me Eliot Engell, Harry Bajraktarin etj.
Kërkuam takim me delegacionin shqiptar, por na thanë se ata i prisnin vetëm të huajit dhe jo shqiptarët. Kongresmeni Engel tha se unë për ju kam ardhur në Rambuje, ju me jepni votën në Amerikë, me mbështesni, prandaj edhe kam detyrime për t’ju gjendur pranë këto ditë.
Me ndërmjetësimin e Dino Hasanajt, na thanë se na prisnin në takim të nesermën, në orën tetë.
-Si shkoi ai takim?
-Takuam gjithë grupin me Qosen, Thaçin, Rugovën etj. Presidenti Rugova ishte në qoshe dhe dukej shumë i mërzitur. Engëll iu drejtua Rogovës dhe ndau me të shumë pikëpamje për situatën dhe për nevojën urgjente të nënshkrimit të marrëveshjes e cila do t’i hapte rrugë ndërhyrjes ajrore ndërkombëtare. Situata u acarua, kur përkthyesi zyrtar, një shqiptar që punonte në New York, i tha Engëllit: “Unë nuk përkthej për Rugovën.” Kjo na la përshtypje shumë negative.
Engëll ishte shumë familjar me çështjen e Kosovës si një lobist i madh në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongres.
Duke qënë me kaq njohje, Presidenti Bill Klinton para se të fillonte fushatën ajrore kundër makinerisë usharake të Millosheviçit me 24 mars 1999, e mori Engëllin në një udhëtim 4 orësh në avion vetëm për të biseduar me të për Kosovën, sepse Engëll ishte bërë si një ekspert i Kosovës dhe çështjes shqiptare.
-Si e përjetove Kosovën e lirë ?
-Çlirimi i Kosovës nga pushtuesit serbë ishte gëzimi më i madh në jetë. Ajo çfarë kishim punuar dhe ëndërruar ne si vëllezër por edhe të gjithë shqiptarët ishte bërë realitet. Menjëherë me një grup prej 15 vetësh, me kongresmenin Engëll dhe një tjetër kongresmen nga Ohaja, mbërritëm në Shqipëri. Në këtë grup kanë qënë edhe Antoni Athanas, Eqrem Bardha, Harry Bajrakari etj.
Morëm një autobus dhe u nisëm për në Prishtinë nga Maqedonia. Në Shkup takuam presidentin maqedonas Trajkovski. Kongresmeni Engëll i kërkoi atij që të mos bënte me shqiptarët etnikë në Maqedoni gabimin që Millosheviçi kishte bërë me shqiptarët në Kosovë. Sido që Boris Trajkovski dukej më i afërt me shqiptarët, Engëll i dha atij mesazhin e duhur. Kur hymë në Kosovë më shpëtuan lotët, po kthehesha për herë të parë pas 40 vitesh.
Falë SHBA dhe aleatëve perëndimorë tashmë Kosova ishte një vend i lirë, por edhe i shkatërruar nga lufta, mijëra të vrarë, të humbur por edhe shumë familje të mbetura në mjerim të plotë. Shumë shtëpi ishin të shkatërruara, të djegura, të rrënuara.
Bëmë një vizitë edhe në Bonstill, në bazën ushtarake Amerikane në Ferizaj, aty na kthyen edhe një drekë. U gëzova pasi aty ishte një bazë shumë serioze. Bëmë fotografi dhe u ndamë si miq. Si çdo shqiptar, edhe për delegacionin tonë mirënjohja për SHBA-të ishte shumë e madhe dhe e përjetshme.
Prej aty shkuam në Gllogjan, ku na ka pritur me shumë dashuri dhe bujari Ramush Haradinaj. Engëll u kënaq shumë. Ishte një pritje e paharruar.
Të nesërmen na priti edhe Thaçi, ku na shtroi një drekë shumë të mirë.
Vizituam edhe Prekazin, kullat e Jasharëve legjendarë. Na shpëtuan lotët nga dhembja e madhe. Një familje ishte flijuar për lirinë e Kosovës.
–Një tjetër mik i madh i shqiptarëve gjatë Luftës ishte edhe Ambasadori Hollbrook, si e keni njohur atë?
-Gjatë Luftës së Kosovës, ambasadorin Hollbrook e kemi pritur disa herë në New York, konkretisht sa herë që vinte nga takimi me diktatorin Millosheviç në Beograd. Ai ishte i dërguari i Presidentit Bill Klinton në takimet me diktatorin serb dhe njeri me shumë influencë në Shtëpinë e Bardhë dhe administratën Amerikane.
-Çfarë thoshte?
-Mes të tjerash zoti Hollbrook jepte shpesh edhe ndonjë detaj nga takimi me kasapin e Ballkanit në Beograd. Në takimin e tretë, na tha Hollbrook, Milloshevici po pinte puro dhe konjak. I thashë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të të bien, do të bombardojnë, por ai ende nuk e besonte. Ai tregonte se si kishte qëndruar 11 orë në bisedime me të. Por tregonte edhe për nervozizmin e Millosheviçit dhe sjelljet e tij në ato takime që përgatitën fundin e tij.
Hollbrook njëherë, i prekur në sedër nga reagimi i një shqiptari në rrjetet sociale, i cili i kishte paragjykuar takimet e tij me Millosheviçin, na tha se unë jam zyrtari më i lartë i Amerikës që ju mund ta takoni. Një nga ju me ka ofenduar në internet, më ka thënë tradhëtar apo proserb. Unë jam mik i shqiptarëve dhe personi që më ka fyer kaq rëndë të më kërkoi këtu falje publikisht, ose unë largohem nga takimi dhe u ngrit.
Shqiptari që ishte i pranishëm në këtë takim i kërkoi falje të sinqertë. U ulëm përsëri dhe bashkëbiseduam. Pas mbledhjes Hollbrook e takoi personin që i kërkoi falje duke i thënë: “Shqiptarët dhe SHBA-të e kanë rrugën e të ardhmes bashkë.”
–Presidenti Rugova si rrallë herë për ndonjë shqiptar tjetër shprehej publikisht për ty se “Sabitin e kam mikun tim më të mirë.” Si e keni njohur Rugovën?
-Presidentin Rugova e kam patur mik të madh. Sa herë që gjëndej në New York, ai vinte patjetër tek vëllezërit Bytyçi. Miqësia jonë vetëm sa është forcuar, pavarësisht rrethanave. E kemi takuar në shtëpinë e tij në Prishtinë edhe dy muaj para se të ndahej nga jeta, ndërsa po kalonte një gjendje të rëndë shëndetësore dhe për këtë shkak i kishte ndërprerë thuajse të gjitha takimet, por për hir të respektit që kishte për ne na priti si gjithmonë me dashamirësi dhe bujari. Ishte dobësuar shumë, por nuk e jepte veten. Rugova ishte një njeri me karakter të fortë.
Rugova ishte një udhëheqës mirënjohës, një demokrat i madh dhe prandaj shqiptarët e donin aq shumë. Ai nuk harronte kurrë kontributin e çdokujt për çlirimin e Kosovës. Ai kujtohej të na ftonte në të gjitha veprimtaritë që organizonte në Prishtinë pas çlirimit të vendit nga pushtuesit serbë. Rugova pati themeluar traditën e “Festës së Lamës”, në praktikën e “Ditës së Falenderimeve” në SHBA, ku ne merrnim pjesë me shumë gëzim, pasi kjo festë shkonte me traditën shqiptare që organizohej çdo vjeshtë, në çdo familje pasi mblidheshin bereqetet e vjeshtës.
-Kur e keni takuar për herë të parë Rugovën?
-Ibrahim Rugovën e kam takuar për herë të parë më 1989 në SHBA ku ishte ftuar për të mbajtur një ligjeratë për Pjetër Bogdanin në Fordham University, në New York. Siç dihet Rugova ishte studiuesi më i kompletuar i Bogdanit dhe dallohej nga të tjerët për pavarësinë e gjykimit dhe analizën e stilit perëndimor.
Rugova atëherë ishte vetëm kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe ishte bërë i njohur me artikujt dhe ligjeratat e tij të guximshme dhe patriotike në mbrojte të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, ndërsa federata po shkatërrohej dhe fati i shqiptarëve dukej i paqartë.
Ai qëndroi për një javë në New York, kohë gjatë së cilës e kam shoqëruar me shumë kënaqësi dhe shëtitur në vendet më të njohura të qytetit të madh.
Rugova atëherë ishte vetëm kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe biseduam gjatë dhe lirshëm për të gjitha çështjet shqiptare.
Ishte një njëri i urtë, inteligjent, shumë i edukuar dhe i vendosur për të mbrojtur çështjen e shqiptarëve në ish-Jugosllavi.
Njëherë i tregova edhe për vuajtjet e mia dhe të vëllezërve të mi nga emigracioni i gjatë, por edhe për suksesin që kishim arritur në SHBA me shumë punë, mund dhe sakrifica. Rugova pasi më dëgjoi me vëmendje më tha se vetëm vuajtjet tuaja dhe mundimet deri sa keni arritur deri këtu është një fakultet më vete.
Rugova disa muaj më vonë do të krijonte Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe do të vinte në SHBA si udhëheqës i shqiptarëve të Kosovës, si President i zgjedhur nga populli i tij dhe si lider me famë ndërkombëtare, por gjithnjë do të vizitonte vëllezërit Bytyçi, me thjeshtësinë dhe ngrohtësinë e dikurshme, duke qënë mirënjohës për ndihmën tonë për çështjen shqiptare dhe lirinë e Kosovës.
-Ju e keni shoqëruar vazhdimisht Rugovën në çdo vizitë të tij në SHBA, përfshirë edhe në një takim me Presidentin Klinton?
-Kur Rugova do të takohej me Presidentin Klinton, e kemi shoqëruar për në Shtëpinë e Bardhë. Kam qënë bashkë më mikun tim Harry Bajraktari. Rugova ishte shumë i qartë për takimin dhe se çfarë do të kërkonte prej Presidentit Amerikan, por për të patur sa më shumë sukses ne shkuam dhe takuam James Hooper, një ish këshilltar i Presidentit Regan dhe njohës shumë i mirë i situatës në Ballkan dhe sidomos i çështjes shqiptare. James Hooper në atë përudhë ishte shumë aktiv në mediat amerikane dhe ndërkombëtare për çështjen e Kosovës. Për koinçidencë vëllai im Sergio e njihte James Hooper qysh prej vitit 1974. Hooper na priti shumë mirë dhe kur i shpjeguam se për çfarë ishim të interesuar të kishim këshillën e tij, ai u shpreh i gatshëm të na jepte sygjerimet e tij.
James Hooper më tha se takimi ishte shumë i rëndësishëm. Ai u shpreh se ka shtete edhe me nga 20 milionë banorë dhe më shumë dhe nuk u jepet rasti të takojnë Presidentin Amerikan.
Na tha gjithashtu se duhet të bisedoni me Presidentin Rugova dhe t’i thoni që të jetë i qetë, konçiz dhe të kërkojë vetëm tre -katër gjëra, jo më shumë.
I thamë Rugovës se kështu na kishte porositur një këshilltar i njohur i Presidentit Regan. Pasi na dëgjoi me vëmendje Rugova më tha: “Sabit, unë nuk do baj boks me të, por do të bisedoj për Kosovën.”
Rugova i fali një gur të Kosovës Presidentit Klinton, me të cilin pati një miqësi të përherëshme deri sa Rugova ndërroi jetë.
Kur dolëm i thashë se do të pimë nga një uiski, pasi e pashë se ishte në stres dhe ashtu bëmë, por kurrë nuk e kam parë të dehur.
Rugova e ruante anën njerëzore. Fliste pak por i zinte vend fjala. Edhe me amerikanët i dëgjonte, por tek kërkesa për pavarësi nuk lëshonte pe. Ai thoshte gjithmonë se për ne shqiptarët janë vetëm Zoti dhe Amerika. Rugova ishte i qetë në bisedime, një njeri që e shprehte natyrën e tij prej intelektuali të ditur dhe të urtë, por kërkesat e tij i bënte me këmbëngulje.
–Tashmë jeni një familje e madhe me nipa dhe mbesa. A gjeni kohë për t’iu përkushtuar atyre?
Familja ime është zgjeruar, fëmijët janë rritur. Fitimi, Iliri, Mentori dhe vajza Dorentina. Të dy djemtë e mi, Iliri dhe Mentori jetojnë me mua dhe bashkë me djalin e madh janë si unë, punëtor, shumë të aftë dhe të përcaktuar për ndjeshmerinë ndaj komunitetit dhe çështjes shqiptare. Që të tre kanë kryer studimet e larta me rezultate të shkëlqyera.
Mentori ka trashëguar zellin tim, ndërsa Iliri merret edhe me venën që vjen nga Italia. Vajza, Doruntina ka mbaruar fakultetin dhe po vazhdon specializimin. Vajza e flet më mirë shqipen dhe vjen në Shqipëri. I pëlqen Tirana. Shtatorin e kaluar ishim në një dasmë në Tiranë. Kemi qenë edhe në Valbonë, ku vajza u kënaq shumë, u qetësua ma shumë se kudo tjetër në botë, aq sa ka fjetë dhjetë orë pa ndërprerje.
Iliri ka dy djem, Mentori ka dy vajza. Nipi i madh është 6 vjeç dhe është i interesuar për kuzhinën shqiptare dhe shqipen dhe për këto e ndihmon shumë bashkëshortja ime, e cila i gatuan shumë gjellë të kuzhinës shqiptare që atij i pëlqejnë shumë, pasi i kërkon vazhdimisht.
Nipat dhe mbesat na e kanë zbukuruar jetën tonë. Unë dhe bashkëshortja ime Hatixhja, tashmë kemi edhe angazhime të reja. Nipat dhe mbesa shkojnë në kopsht dhe në klasë të parë. Kopshti ka një ditë të javës ditën e gjyshërve dhe ne shkojmë me kënaqësi të madhe, pasi aty bashkëbisedohet direkt me vogëlushët e kopshtit dhe u përgjigjem pyetjeve të tyre. Është një gjë që duhet ta përshtasin edhe kopshtet në Shqipëri, pasi aty fëmijët flasin për problemet e tyre, komunikimin dhe ndjehen shumë mirë në praninë tonë. Ky bashkëbisedim i ndihmon shumë mësueset e kopshtit që të ndërtojnë punën e tyre me secilin fëmijë dhe për të patur sukses.
E fundit
-Si e komentoni komunitetin shqiptar sot në SHBA?
-Amerika është një vend që i ka mirëpritur dhe dashur shqiptarët në të gjitha kohët. Pas vitit 1990 kur edhe u hap Shqipëria, dhe pas Luftës së Kosovës më 1999, komuniteti shqiptar u rrit shumë. Sot në New York jetojnë rreth 200 mijë shqiptarë, sot ka të rinj profesiontë në punë shumë të mira në administratën Amerikane, por edhe avokatë, mjekë, njerëz të mirë dhe të talentuar kudo, por edhe në biznes.
Për shembull vetëm në N.York dhe N. Jersey, rreth 50 % e restorantëve janë me pronarë shqiptarë.
Më 1973 kemi qënë vetëm ne 4 vëllezërit Bytyçi që kemi patur restorante, ndërsa sot ky tregues flet vetë.
Por sot, ashtu siç kanë mbërritur njerëz të aftë dhe të talentuar që e kanë kërkuar dhe arritur suksesin me punë, ka edhe ndonjë që përpiqet vetëm të përfitojë nga standardet e Amerikës. Emigracioni i parë, ta zëmë, i të rinjve të pas Luftës së Dytë Botërore, që ishte një emigracion politik, nuk kërkonte asistencë sociale, ndërsa sot ka nga ata që vijnë për të përfituar. Kjo bën përshtypje të keqe tek brezi im që kemi punuar shumë dhe me orë të zgjatura.
– Duket sikur lobingu shqiptar në Washington pas Luftës së Kosovës është zbehur pak?
-Është zbehur pak, krahasuar me kohën e Luftës së Kosovës kur komuniteti shqiptar qe shumë i bashkuar dhe bëri atë që tashmë e njohim të gjithë botërisht, si lobing pranë Kongresit Amerikan dhe administratës së lartë Amerikane. SHBA-të janë qendra më e madhe vendimmarrëse e botës dhe është fat që shqiptarët priten dhe dëgjohen në Washington, që interesat strategjike shqiptare dhe ato amerikane përputhen.
Lobingu është përherë i nevojshëm për të çuar përpara çështjen shqiptare dhe interesat shqiptare në rajon, por edhe pse lobingu serb është forcuar.
Ne prapë i kemi lidhjet e forta, mbledhim fonde për ta dhe i ruajmë dhe forcojmë kontaktet. Ne shqiptarët jemi me fat që kemi mbështetjen e SHBA, por është detyra jonë që ta ruajmë dhe forcojmë këtë miqësi që ka patur si rezultat, lirinë demokracinë, sipërmarrjen e lirë dhe zhvillimin e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe Ballkan.