Gazeta Nacional Albania

Sabri Hamiti: 9 FAKTE PËR KRIJUESIN IBRAHIM RUGOVA

Janë bërë 17 vjet nga ndarja me Presidentin Kosovës, Ibrahim Rugova. Karakterin e tij po e rikujtojmë sot dy decenie të krijimtarisë letrare e të formimit intelektual të Ibrahim Rugovës (1967-1987), për të kuptuar formatin kulturor e nacional të njeriut që për dy deceniet në vazhdim (1987/8 – 2006) u bë prijësi politik i Kosovës.

1. Leonardo Da Vinçi, piktor dhe shpikës gjenial, në fund është trembur nga madhështia e natyrës, qoftë me veprën e vet të kulturës. Mbasi ka krijuar pikturat e famshme, “Mona Liza” e “Darka e fundit”, në fund të jetës ka bërë “Auto­portretin”. Çështja është ballafaqimi i fortë natyrë/kulturë. E para mban misterin e krijuesit suprem. E dyta mban drithërimën e krijuesit njeri, i cili padashur bie në mëkatin e ëndrrës të rivalizimit me krijuesin suprem. Është ëndrra e fëmijës që nuk ka fund, për t’u bërë Krijues (ai që shpik). Kurse, e matur me jetën e njeriut, mbërrin vetëm të bëhet Autor (ai që shton).

2. Tani jemi në fushën e kulturës dhe Ibrahim Rugova shkrimin e librin i kishte dhe i bëri kult në rini. Këtë e pa empirikisht në Shkollën Normale në Pejë, duke mësuar që ka një mospajtim ndërmjet shkollës (dijes) e krijimit. Pikërisht atëherë kur Mësuesi nuk ia pranoi Krijimin, duke e parë tepër të përkryer për një Nxënës, duke e rezervuar përkryerjen për Krijuesin.

3. Këtë mister Ibrahim Rugova u nis ta zgjidhë pas ardhjes në Prishtinë në studimet letrare, më 1967; e sidomos kur u bë Autor mbas vitit 1968, së pari te revista “Fjala” me esetë “Zenite letrare”, ku në veprën letrare kërkonte ta gjente Autorin, duke bërë të kundërtën e zotërimit të mendimit të atëhershëm. Ese që u botuan në librin “Prekje lirike” në vitin 1971. Në rrethin kulturor letrar të brezit të 68-tës në Universitet, kjo u bë vepër në shkrime, botime e bisedime për krijimin në rrethin më të ngushtë, ku ishin Rexhep Ismajli, Eqrem Basha, Beqir Musliu, Teki Dervishi, unë, që po dëshmoj, e të tjerë. Krijuesit e rrethit i botonin punimet te gazeta “Bota e re”, te revista “Dituria” dhe librat te ky botues. Artikulimet e tyre letrare me synim rimarrjen e trashëgimisë shqipe në komunikim me modernitetin evropian, u dukën si alternativë letrare e rrafshit të përparshëm të etabluar. Kulti i ri letrar u bë libri, dalja e të cilit quhej festë, e përcjellë me diskutime. Në këtë komunikim letrar dhe kulturor, Ibrahim Rugova u shqua si lexuesi i parë publik i botimeve të reja.

4. Ibrahim Rugova hyri në Institutin Albanologjik më 1972, për t’u ngritur deri në nivelin e titullit të Këshilltarit Shkencor. Tashmë me staturën e Autorit e të autoritetit letrar, Ibrahim Rugova ngjitej shkallëve të ekselencës. Në një anë, duke gjurmuar letërsinë klasike shqiptare për të rimarrë trashëgiminë. Në anën tjetër, duke lexuar e vlerësuar letërsinë bashkëkohore. Në thelb, duke thelluar njohjen e aktit krijues, studimin e formave letrare, për të kurorëzuar teorinë e kritikës e të letërsisë, duke u ballafaquar me metodat moderne evropiane. Për ta parë identitaren shqiptare në vallen e universalieve të letërsive të tjera bashkëkohore. Risi, shumësi metodash, pa fetishizime, nënvizonte atëherë Rugova. Pamja e kritikut u shfaq: si bibliograf, si interpretator, si teorik, madje si kronikan në vështrimin e “Kohëtores” të Faik Konicës. Po edhe duke u matur me metoda kërkuese e disiplina bashkë­kohore, si strukturalizmi e semiologjia.

5. Ibrahim Rugova më 1977 shkoi për qëllim studimi në Paris, në Collège de France, ku takoi Rolan Bartin profesor, duke qenë vetë “élève libre” [nxënës i lirë]. Në parantezë: Collège de France është institucion akademik krejt i veçantë ku nuk ka studentë të rregullt; nuk ka regjistrim, mësimi është falas, institucioni nuk lëshon asfarë diplome, prania në kurse është e lirë, mund të hyjë gjithkush. Këto nuk janë aspak kurse të vulgarizimit, por të ekselencës; profesorët duhet të paraqesin kërkimet e tyre në rrjedhë (“në çastin e të bërit”). Ata flasin çka duan, pasi nuk ka detyrime as diplomë, por kjo duhet të jetë përherë e re. Nuk ka të drejtë asnjëherë të përsëritet kursi.

Pra, Rugova nuk shkoi në Francë për të bërë një diplomë, e as që mori diplomë. Mirëpo, aty gjeti një parajsë diturie, ku shpirti hapet i lirë për të shfaqur të gjitha kapacitetet e të vërejturit dhe të filozofimit. Ky duhet të ketë qenë viti më frytdhënës në botën e tij intelektuale, kur e poq ndërgjegjen fundamentale: për mendimin e lirë dhe njeriun e lirë.

6. Me t’u kthyer në Prishtinë Ibrahim Rugova iu kthye studimit të veprës së Pjetër Bogdanit, “Cuneus Prophetarum”, studim të cilin e kurorëzoi për tri vite dhe e botoi me titullin “Vepra e Bogdanit: 1675-1685” në vitin 1982. Aty Rugova shpaloi e dëshmoi diturinë sistematike e pasionin letrar, duke zbuluar vlerat fundamentale të letërsisë filobiblike shqiptare, të lakuara në fushat e semiologjisë, të mitologjisë e të humanistikës. Libri u çmua me Shpërblimin e Dhjetorit për letërsi.

7. Ibrahim Rugova e mbrojti tezën e doktoraturës me temë “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare: 1504-1983” në Prishtinë më 1984. Libri u botua dy vite më vonë. Është kjo një histori e padeklaruar e kësaj forme letrare në letërsinë nacionale. Në vitin 1987 botoi veprën “Refuzimi estetik”, që është libri i fundit i botimeve të tij letrare. Ai aty ngrente procedurën e kontestimit të diktaturës e të totalitarizmit, duke mbrojtur në të njëjtën kohë natyrën e letërsisë. Sepse ushtrimi i lirisë deri në fitoren kolektive kërkon forma të tjera të kontestimit, të gjuhës në veprim e të aktantit dhe të autoritetit. Shkurt: nga “Refuzimi estetik” kalohet në “refuzim politik” të shqiptarëve ndaj dhunës.

8. Në gjashtë libra shfaqet profili kritik i Ibrahim Rugovës: leximi krijues te vepra “Prekje lirike” (1971), specifika e qenësia letrare te vepra “Kah teoria “ (1978), kritika e vlerësimi i poezisë te libri “Strategjia e kuptimit” (1980), filozofia e semantika letrare te “Vepra e Bogdanit” (1982), sistematizimi i kritikës shqipe te vepra “Kahe e premisa të kritikës letrare shqipe: 1504-1983” (1986), raporti i intelektualit me pushtetin te libri “Refuzimi estetik” (1987).

9. Askush nuk shkruan pasthënie të veprave të veta. Edhe Rugova e shkroi tekstin e fundit (“Xhojsi, shqipja, Aristoteli”) si parathënie për kërkimet e veta të mundshme teorike-filozofike-letrare, që nisin nga Antikiteti. Imagjinonte se do të vijonte të kërkonte Krijuesin te vetja, por ylli i tij i tha ndryshe: do të bëhesh Krijues në një fushë tjetër, të lirisë së njeriut, të lirisë së vendit. Më 1988 Rugova u bë kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, duke ia falur zemrën dhe shpirtin artikulimit të vullnetit të popullit të vet. Më 1989 krijoi formacionin politik, demokratik e pavarësist të Kosovës (LDK), dhe u bë prijës shpirtëror dhe politik i Kosovës deri sa ndërroi jetë