Gazeta Nacional Albania

Saimir Maloku: Lista e 46 ushtarakëve anglezë që ranë për çlirimin e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore

Kontributi i Britanisë së Madhe dhe SHBA-së dhënë popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore
Lista e ushtarakëve anglezë që ranë për çlirimin e Shqipërisë
Oficerët britanikë që ishin misionarë ushtarakë në Shqipëri e kishin si kusht të mos shfaqnin interesim për politikën shqiptare dhe e kishin shpallur botërisht se përqendroheshin vetëm e vetëm për angazhimin e popullit shqiptar në luftën kundër okupatorëve gjermanë. Ndihma e madhe britanike me armë, municione, pajisje të ndryshme ndërlidhje, monedha ari etj. që ju dha LANÇ-it sidomos me armatosjen e Brigadës së I Sulmuese bëri që gjatë periudhës së dimrit 1943-1944 të mbijetoi kjo brigadë nga sulmet gjermane dhe balliste.
Qysh nga koha e pushtimit të Shqipërisë më 7 prill 1939 nga Italia fashiste, Britania e Madhe, nëpërmjet Shërbimit Informativ Sekret të saj (SIS), tentoi që nëpërmjet Jugosllavisë të dërgonte agjentë të saj me detyrë për të nxitur luftime sporadike kundër pushtuesve italianë në Shqipëri. Deri në mars 1941 këta agjentë ishin të komanduar nga nënkoloneli Oukli Hill.
Në vjeshtë të vitit 1940 krijohet Drejtoria e Operacioneve të Posaçme (SOE) si dhe B.B.C (Radio e Korporatës Britanike të Radiopërhapjes) për të bërë propagandë. U tentua dhe u arrit që të hedhin me parashutë 7 misione të oficerëve ndërlidhës britanikë gjatë periudhës gusht-shtator 1943.Midis tyre ishte dhe nënkolonel Bill Maklin dhe majori David Smajli. Pak më vonë, në tetor të vitit 1943, u hodhën me parashutë edhe gjeneral brigade Dejvis me grupin e tij, në mënyrë që të ndizej sa më shumë rezistenca popullore në Shqipëri.
Në mars të vitit 1943 u krijua Skuadrilja 148 e Forcave Ajrore Mbretërore (RAF) dhe u vendos në aerodromin e Derna Main të Cirenajkës të Libisë. Ajo kishte 14 avionë Halifax dhe 4 aeroplanë Liberator. Prej këtej furnizoheshin vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe Shqipëria. Grupe të ndryshme dhe të vogla të oficerëve britanikë hidheshin me parashutë në Shqipëri për të kryer misione të veçanta vëzhgimi dhe sabotimi në prapavijat e armikut. Furnizimet nga ajri me armë,municione, mjete radiondërlidhjeje, etj. ndihmuan në krijimin dhe me pajisje luftarake të Brigadës së I-rë (800 partizanë) në gusht të vitit 1943 në Vithkuq. Misionarët ushtarakë britanikë u vendosën pranë shtabeve të njësive partizane, të Legalitetit dhe të Ballit Kombëtar. Nëpër njësitë partizane, sapo niste hedhja nga ajri e furnizimeve përhapeshin shpesh fjalë se ato ishin të pa përshtatshme.
Diktatori E. Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërm në atë kohë nuk e patën të vështirë ta frynin këtë gjë. Kjo sepse ai me udhëheqësit e tjerë të L.N.ÇL. dhe P.K.SH. e shikonin Bashkimin Sovjetik si modelin e tyre,ndërsa Britaninë e Madhe dhe SHBA-në si aleat ushtarak, por jo politik. Oficerëve britanikë u ishte dhënë udhëzimi që të ndihmonin cilindo në Shqipëri që do të luftonte kundër armikut të përbashkët, si kundër italianëve dhe më vonë kundër gjermanëve. Shtabi kryesor i misioneve ushtarake britanike, i kryesuar nga gjenerali Dejvis dhe nënkoloneli Nikols, u vendos në Bizë të Martaneshit. Frederik Nosi ishte oficer ndërlidhës dhe përkthyes i tyre. Ky grup u hodh me parashutë në Bizë natën e 15 tetorit të vitit 1943 nga dy avionë të mëdhenj Halifax. Furnizimet nga ajri u bënë afër Dibrës, Pezës, Shëngjergjit, Tragjasit, Sheperit dhe pranë liqenit të Ohrit. Forcat aleate hodhën me parashutë shumë pushkë antitanke, mortaja, automatikë, pushkë, granata, mina antitanke, eksplozive dhe një shumë të konsiderueshme stërlina ari. Hedhje ngarkesash u bënë më vonë në Macukull, Kalis, Sheper, Voskopojë, etj.
Më 20 dhjetor të vitit 1943 u hodh me parashutë edhe z. Reginald Hibbert, oficer britanik , i cili më vonë shkroi librin “Fitorja e hidhur”,duke pasqyruar në mënyrë reale kontributin e madh që dhanë Britania e Madhe dhe misionarët ushtarakë të saj në Shqipëri. Më 4 janar të vitit 1944 gjenerali britanik Dejvis dhe shtabi i tij u kapën rob nga trupat gjermane në fshatin Kostenjë. Por diktatori E. Hoxha në kujtimet e tij pretendon se gjenerali Dejvis iu dorëzua vetë gjermanëve dhe se e kishte kërkuar dorëzimin disa herë sepse nuk i duronte vështirësitë e dimrit.
Më 3 shtator të vitit 1943 forcat aleate zbarkuan në Italinë Jugore, pasi kaluan Ngushticën e Mesinës. Një avioni bombardues Halifax me katër motorë, i nisur nga aerodromi i Tokres në Cirenajkë të Libisë i duheshin 4 orë fluturim për të ardhur në Shqipëri. Prandaj gjatë periudhës 22-27 dhjetor 1943 Kuartieri i Regjimentit 334 të RAF u zhvendos nga aerodromi i Tokres në Cirenajkë të Libisë për në Brindizi në Italinë e Jugut.
Më 15 janar 1944 gjenerali amerikan Iker (Eaker) mori komandën e Forcave Ajrore Aleate të Mesdheut,duke përfshirë edhe regjimentin 334. Gjatë periudhës 22-31 janar 1944 skuadrilja 148 u zhvendos në Brindizi të Italisë. Atje ajo u bashkua edhe me Grupin Transportues të Trupave të Forcave Ajrore të SHBA që përbëhej nga tri skuadrilje me avionë amerikanë transporti C47 (Dakota) si dhe një skuadrilje bombarduesish të rëndë amerikan të tipit Liberator (U.S.A.A.F).Mbas marsit 1944 skuadrilja 148 u tërhoq nga furnizimi për Shqipërinë, sepse këto fluturime u bënë me aeroplanë transporti C.47. U rritën furnizimet për Shqipërinë sidomos në datat 23 mars, 21 prill dhe më 31 maj 1944. Nënkoloneli Nikols vdes më 11 shkurt 1944. Kjo si pasojë e sëmundjes së dizenterisë dhe plagët e rënda nga ngrirja e këmbëve nga të ftohtit.(Pas vdekjes ai dekorohet me Kryqin e Gjergjit, me motivacionin për kurajë dhe vendosmëri të jashtëzakonshme. Gjithashtu i rritet edhe grada ushtarake në gjeneral brigade).
Më 1 shkurt 1944, si pasojë e mjegullës së dendur dhe kohës së keqe një avion i madh transporti britanik që sillte ndihma për forcat partizane u përplas me majën e malit të Shën Ndoit të Vogël (Sinai i Vogël) në lartësinë 1600 metra në Bizë të Martaneshit. Si pasojë e këtij aksidenti tragjik ajror humbi jetën gjithë ekuipazhi britanik i avionit (Në pranverën vitit 1967 unë me një grup shokësh kemi qënë për disa ditë pranë vendit ku është rrëzuar avioni dhe ku janë mbeturinat e tij. Nga rrëfimet e barinjve të vjetër vendas na treguan se fshatarët e Martaneshit dhe të Shëngjergjit i transportuan dhe i varrosën me nderime trupat e pa jetë të këtyre pilotëve britanikë. Ata kujtojnë ndihmën e madhe që aviacioni dhe misionarët ushtarakë britanikë i dhanë popullit shqiptar gjatë luftës së dytë botërore.
Në veri ishte Misioni Stables i vendosur në fshatin Kalis, që përbëhej nga oficerët britanikë si Majori Riçard Ridëll,kapiteni Toni Simkoks, kapiteni Majkell Lis, oficeri Reginald Hibbert, rreshteri Gregson Ollkoti dhe tetari Dejvis. Në Macukull si dhe në zonat zogiste të Krujës dhe Matit ishin Majori Sejmur, togeri Smith dhe kapiteni Bulman. Më vonë më 15 mars 1944 erdhi kapiteni Xhon Hiberdini, së bashku me radistin Jan Merreti. Në prill vjen përsëri Maklini dhe Xhulian Emeri. Në jug u caktuan majori (më vonë nënkolonel) Alen Palmer i Artilerisë Mbretërore, kapiteni (më vonë major) Viktor Smith, i Pushkatarëve të Laukashirit.
Më vonë pranë misioneve Suifter dhe Sculptor u vendos nënkolonel Uiler, kapiteni(major) Markus LLajenin, kapiteni E. Northrop, kapiteni Xhek Dymulen (mjek), majori Gordon Layzell (i cili u vra në fillim të shkurtit 1944 në Staravecke nga një aksident me armën e tij). Gjatë periudhës shkurt-mars aty erdhën edhe kapiteni Brijën Ensor, majori P.M.Rous, kapiteni C.L.D. Njuell si dhe togeri J.A.Jang (infermier). Pranë Shtabit të Përgjithshëm partizan ishte oficeri epror britanik Alan Palmeri. Në jug pra ishin 11 oficerë britanikë, ndërsa në veri 13 deri në 16 oficerë britanikë (duke ardhur edhe majori Shou, kapiteni Rajt si dhe togeri Merri. Oficeri tepër i rëndësishëm britanik Filip Liku (P. Martin Leake) u vra nga një copë predhe kur aeroplanët gjermanë sulmuan fushimin e britanikëve në Sheper të Zagorisë.
Ushtarakë amerikanë zbarkuan fshehurazi afër bregdetit të Vlorës. Nëpërmjet plazhit të Borshit partizanët morën furnizime. Oficerët britanikë merrnin pjesë në aksione duke minuar rruga dhe ura, në mënyrë që të pengonin lëvizjen e trupave gjermane.
Ofensiva gjermane e Qershorit të vitit 1944 me 15000 ushtarë gjermanë goditi rëndë forcat partizane në veri dhe në jug të vendit. Aeroplanët Spitfire të RAF nga bazat ajrore në Itali u thirrën nëpërmjet misioneve të BLO në Jug për të sulmuar kolonat gjermane, duke u dhënë një mbështetje të rëndësishme forcave partizane. Vetëm gjatë muajit maj të vitit 1944 pati 34 fluturime të aeroplanëve Dakota, që hodhën secili nga 2 ton furnizim. Gjithashtu u hodhën në 2 fluturime 20 pjesëtarë të një grupi komandosh me pajimet e tyre. Këto ishin pjesa e parë e një vargu operacionesh në Shqipërinë e Jugut nga ana e Forcave të Shërbimeve të Posaçme të Forcës 266, me synimin për të ndërprerë komunikimet veri-jug të trupave gjermane. Gjithashtu pati edhe inkursione amfibe për hedhjen e grupeve komando në bregdetin e jugut. Nga fundi i qershorit 1944 një operacion i trupave komando të ushtarakëve britanikë të LRDG-së (Grupi i Shkretëtirës i Distancave të Largëta) nën drejtimin e kapitenit Xhon Olivej, likuidoi një garnizon gjerman prej 150 vetash si dhe një stacion roje bregdetare të saj në Spile të Himarës. Gjatë këtij aksioni ranë dëshmorë disa trupa komando britanike. Ky operacion i suksesshëm i trupave komando britanike bëri që të dobësohej mjaft kontrolli i trupave gjermane gjatë zonës bregdetare midis Sarandës dhe Vlorës.
Hyrja e trupave të aleate në Romë më 4 qershor dhe hapja e Frontit të Dytë më 6 qershor u pritën me një gëzim të jashtëzakonshëm në Shqipëri. Formacione të mëdha të Forcave Ajrore të SHBA me bombardues Liberator fluturonin shpesh në hapësirën ajrore të vendit tonë, me objektiv bombardimin e fushave të pasura me naftë të Ploeshtit (Rumani). Në 18 maj të vitit 1944 gjatë këtyre bombardimeve u dëmtua rëndë një aeroplan bombardues amerikan B-24 ku si pasojë u vranë 2 oficerë të SHBA-së. Ndërsa personeli tjetër i avionit u hodhën me parashutë në afërsitë e Peshkopisë, në fshatin Llapkuidoll. Dy prej tyre, perkatesisht oficeret Harold Helfrich dhe David Ficher u strehuan në çetat partizane ndërsa gjashtë veta të tjerë u kapën rob nga forcat gjermane dhe u internuan nëpër kampet naziste. Oficeret amerikane te shpetuar u derguan prane misionit anglez në vendin tone se bashku me nje grup te madh prej 18 infermieresh dhe personeli perkates te nje avioni amerikan i cili beri ulje te detyruar per arsye defekti ne Dumre te Elbasanit. Me ane të mjeteve të fshehta detare ky personel amerikan se bashku me dy aviatoret e shpetuar më pare, u kthyen pranë trupave aleate në Italine Jugore. Nje ndihme te madhe dhane forcat partizane dhe populli i ketyre krahinave shqiptare ne strehimin, ushqyerjen dhe fshehejen e tyre nga forcat gjermane te cilet perpiqeshin t’i zbulonin dhe t’i kapnin rober.
Natën e 27 dhe 28 korrikut të vitit 1944 shumë aeroplanë të RAF dhe amerikanëve hodhën me parashutë materiale të shumta luftarake për Brigadën e I. Me kërkesë të forcave partizane shumë avionë të Beaufighter të RAF më 10 dhe 11 gusht 1944 shkatërruan kazermat gjermane në Dibër me zjarrin e raketave. Forca ajrore e Ballkanit i sulmoi ato përsëri duke u shkaktuar humbje të mëdha në njerëz dhe materiale luftarake. Nga sulmet ajrore dhe ato të forcave partizane rreth 400 ushtarë gjermanë u vranë. Çdo muaj 140 tonë furnizime hidheshin nga ajri dhe 300 tonë nga deti i dërgoheshin Ushtrisë Nacional-Çlirimtare nga forcat aleate anglo-amerikane. Më 9 gusht 1944 u hodhën me parashutë një grup komando britanike prej 36 vetësh në zonën ndërmjet Tiranës dhe Elbasanit. Këto komandoheshin nga oficerët britanikë të LRDG-së Sten Istvudi dhe Ron Tinkeri. Me anë të këtyre trupave komando u bënë sulme në rrugët Tiranë-Elbasan dhe Elbasan-Strugë për të vështirësuar tërheqjen e trupave gjermane nga Greqia. Këtu pati edhe të vrarë në radhët e trupave komando britanike në zonën e Baldushkut.
Në muajin Shtator 1944 u planifikua një operacion i madh i trupave komando britanike “Hound Force”. Pikësynimi i këtij operacioni që do të zhvillohesh më datën 22 shtator 1944 ishte çlirimi i qytetit të Sarandës dhe izolimi i Korfuzit.
Brigadat komando britanike Nr. 40 dhe Nr. 2, të pajisura me një sasi të konsiderueshme artilerie nën komandën e gjeneralit të brigadës Tom Çurçilli, në bashkëpunim me brigadat tona partizane të XII, XIV dhe të XIX çliruan më 9 tetor 1944 qytetin e Sarandës. Si pasojë e këtyre luftimeve, garnizoni gjerman në Korfuz, nisi të dorëzohet më 12 tetor 1944. Disa marinarë britanikë të grupeve komando dhanë jetën gjatë këtyre luftimeve të përgjakshme.
Ushtarakët britanikë që qëndronin pranë njësive të mëdha partizane, me kërkesë të tyre dërgonin njoftime pranë njësive të mëdha ajrore të RAF. Këto sulme ajrore u bënë më të shpeshta. Oficeri britanik Sten Istvudi dhe patrullat e tij të LRDG-së qëndruan në Shqipëri edhe gjatë kohës së betejës për çlirimin e Tiranës duke ju dhënë një ndihmë të madhe forcave partizane të Divizionit të I sulmues.
Vetëm në një ditë nëntori të vitit 1944, 28 aeroplanë Beafighters të RAF, të pajisur me raketa, sulmuan në Tiranë kazermat e fortifikuara dhe pozicionet e topave të forcave gjermane, duke u shkaktuar humbje të shumta atyre. Pasi ra Tirana ata ndihmuan në rivënien në funksionim të aerodromit të saj dhe për ta bërë të përshtatshëm atë për qarkullim ajror nga fundi i nëntorit 1944. Dy patrulla të tjera britanike të LRDG-së të komanduara nga oficeri britanik Xhek Eitken, u dërguan për të goditur forcat gjermane që tërhiqeshin në rrugën drejt veriut të Shqipërisë deri në Shkodër.
Oficerët britanikë që ishin misionarë ushtarakë në Shqipëri e kishin si kusht të mos shfaqnin interesim për politikën shqiptare dhe e kishin shpallur botërisht se përqendroheshin vetëm e vetëm për angazhimin e popullit shqiptar në luftën kundër okupatorëve gjermanë. Ndihma e madhe britanike me armë, municione, pajisje të ndryshme ndërlidhje, monedha ari etj. që ju dha LANÇ-it sidomos me armatosjen e Brigadës së I Sulmuese bëri që gjatë periudhës së dimrit 1943-1944 të mbijetoi kjo brigadë nga sulmet gjermane dhe balliste. Kjo gjë i siguroi bërthamën, rigjallërimin dhe zgjerimin fenomenal të LANÇ –it dhe të ushtrisë partizane në pranverën e vitit 1944. Ndihma tjetër britanike me rëndësi thelbësore për furnizimet u bë në fund të korrikut dhe gjatë muajit gusht 1944 kur divizioni i parë partizan u rifurnizua nëpërmjet ajrit gjatë betejës për çlirimin e Dibrës. Pa këtë ndihmë, Divizioni i I ndoshta do të ishte detyruar të tërhiqej drejt jugut të Shqipërisë.
Duhet të theksojmë se gjatë Luftës së Dytë Botërore Britania e Madhe, nga prilli i vitit 1943 deri në 31 tetor 1944, dërgoi rreth 76200 stërlina ari në ndihmë të forcave partizane, të Legalitetit dhe të Ballit Kombëtar. 46 ushtarakë britanikë dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë gjatë luftës së Dytë Botërore.
Më 28 nëntor 1944 me rastin e çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë në Tiranë u organizua parada e madhe e forcave të armatosura shqiptare. Gjashtë bombardues të mëdhenj anglezë Halifax hodhën me dhjetëra mijëra fletë volante urimi për fitoren mbi nazifashistët. Populli i Tiranës mbante parulla të mëdha për fitoren si dhe parulla të tjera ku falënderonte Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe. Gjatë parakalimit ceremonial në krah të personaliteteve të larta të vendit ishin oficerë të shumtë britanikë dhe amerikanë që kishin kontribuar pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-çlirimtare.
Më 8 Maj 1945, Kryeministri i Britanisë së Madhe, U. Çurçill, nëpërmjet radios, i jep lajmin tepër të gëzueshëm të popullit anglez kudo në botë për fitoren e forcave aleate ndaj forcave naziste. Në ora 17 Mbretëresha e Anglisë, nga Pallati Mbretëror Bukingam, përshëndet popullin e Londrës. Lufta mbaroi por qindra mijëra vetë ranë dëshmorë. Për 47 vjet, regjimi komunist për arsye ideologjike dhe politike, u mundua të mbulojë kontributin e madh që dha Britania e Madhe si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në çlirimin e Shqipërisë nga fashistët italianë dhe nazistët gjermanë.
Duke filluar nga data 8 Maj 2010, për çdo vit, me rastin e përvjetorëve të çlirimit të Evropës, shoqatat e të përndjekurve politik, sindikatat dhe shoqëria civile në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Bashkinë e Tiranës kanë bërë homazhe tek varrezat e 46 ushtarakëve anglezë që ndodhen pranë kodrave të liqenit artificial te Tiranës.
* Këto të dhëna janë marrë nga kujtimet e botuara të oficerëve anglezë, që ishin misionarë ushtarakë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe libra të tjerë të botuar në Shqipëri, nga burime ushtarake angleze etj. Reshit Maloku, i ati i autorit të këtij shkrimi, pasi mbaroi shkollën amerikane të H.Fulcit, në vitin 1937, ishte shoqërues dhe përkthyes i Elizabet Barker, personalitete e rëndësishme britanike gjatë vizitës së saj në Alpet e Veriut. Gjatë viteve 1965-1974 shtëpia e S. Malokut ka pritur shumë miq anglezë. Në maj të vitit 1976, Saimir Maloku, me urdhër të diktatorit komunist arrestohet si i dyshuar për agjenturë angleze dhe vuan për afro 9 vjet dënim politik në burgun e Burrelit e të Spaçit për agjitacion e propagandë. Saimir Maloku ka shkruar shumë reportazhe në gazeta mbi kontributin e madh anglo – amerikan për çlirimin e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu Saimiri gjatë homazheve në nderim të 46 dëshmorëve ushtarakë britanike ka mbajtur fjalimet e rastit.
Lista emërore e ushtarakëve anglezë që ranë dëshmorë për çlirimin e Shqipërisë gjatë luftës së dytë botërore.
1. A.F.C. NICHOLLS. Kolonel, komandant dhe shef i shtabit të Gardës Goldstream.
Vdekur më 11.02.1944 në moshën 33 vjeç. Dekoruar me Kryqin e Gjergjit pas vdekjes dhe me Gradën Gjeneral.
2. G.E. LAYZELL. Major i Regjimentit të Lankashirit Jugor. Vdekur më 02.02.1944 në
moshën 31 vjeç.
3. S.P. MARTINLEAKE. Major i trupave të zbulimit. Vdekur më 07.06.1944 në moshën 38 vjeç (varrosur në Sheper të Zagorisë).
4. G.A. PARSONS. M.C. Kapiten i Forcave Këmbësore të Somersetit. Vdekur më 09.10.1944.
5. A.CARELESS. Kapiten i Korpusit të Blinduar Mbretëror. Vdekur më 20.10.1943 në moshën 31 vjeç.
6. P.B. WHITEHOUSE. Kapiten i Xhenjos Mbretërore. Vdekur më 09.10.1944 në moshën 26 vjeç.
7. M.S. MACPHERSON. Kapiten i Forcave Detare Mbretërore. Vdekur më 09.10.1944.
8. W.J. HILES. Kapiten i Forcave Detare Mbretërore. Vdekur më 09.10.1944.
9. G.B. BANTING. M.A. Prift ushtarak i Departamentit të Forcave Mbretërore. Vdekur më 10.10.1944 në moshën 32 vjeç.
10. R.E. STANLEY. Oficer fluturimi i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 01.02.1944 në moshën 21 vjeç.
11. J.G. DOUGLASS. Toger i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 22.10.1944 në moshën 26 vjeç.
12. R. N. CULLEN. DFC. Toger i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 04.03.1941 në moshën 23 vjeç.
13. A.M. SENNETT. Toger i Forcave Këmbësore. Vdekur më 29.07.1944 në moshën 23 vjeç.
14. J.A. COYLE. Toger i Artilerisë Mbretërore. Vdekur më 09.10.1944.
15. H. AVEYARD. Toger i Forcave Këmbësore. Vdekur 29.07.1944 në moshën 29 vjeç.
16. P.V.WADDELL. Kapter i Forcave Ajrore Mbretërore Australiane. Vdekur më 30.03.1944 në moshën 25 vjeç.
17. J.S. BAIN. Kapter i Forcave Detare Mbretërore. Vdekur më 09.10.1944 në moshën 32 vjeç.
18. D. STOTT. Tetar i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 15.11.1940 në moshën 23 vjeç.
19. S. G. ROBERTS.MM. Tetar i Forcave Këmbësore të Durhamit. Vdekur më 22.12.1943 në moshën 29 vjeç.
20. J.L. DEVINE. Rreshter dhe Inxhinier i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 01.02.1944 në moshën 22 vjeç.
21. V.J. MORGAN. Rreshter i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 07.11.1940 në moshën 24 vjeç.
22. D.H. POTTER. Rreshter i Forcave Ajrore Mbretërore Australiane. Vdekur më 01.02.1944 në moshën 21 vjeç.
23. H.V.BUTTON. Rreshter i Regjimentit të Blinduar Mbretëror. Vdekur më 12.10.1944 në moshën 21 vjeç.
24. F.C.R. BURLEFINGER. Rreshter, ndërlidhës dhe mitraljer i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 01.02.1944 në moshën 26 vjeç.
25. W.TUBBERDY. Rreshter, ndërlidhës dhe mitraljer i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 18.12.1940 në moshën 21 vjeç.
26. E.B. CHILDS. Rreshter i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 15.11.1940 në moshën 22 vjeç.
27. E.D.S. TENNANT. Rreshter i Forcave Ajrore Mbretërore Australiane. Vdekur në fillim të shkurtit 1944 në moshën 31 vjeç.
28. J.G. STEWART. Rreshter, mitraljer i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 15.11.1940 në moshën 24 vjeç.
29. J.E. MOORES. Rreshter i Regjimentit Mbretëror të Norfolkut. Vdekur më 29.07.1944 në moshën 37 vjeç.
30. G.N. BROOKS. Rreshter i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 07.11.1940 në moshën 24 vjeç.
31. S. NEWMAN. Rreshter, ndërlidhës dhe mitraljer i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 16.03.1941.
32. D.C. MURRELL. Rreshter i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 1941.
33. G. GARDNER. Rreshter i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 01.02.1944 në moshën 19 vjeç.
34. H.WILLIAMS. Rreshter, mitraljer i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 20.10.1943 në moshën 18 vjeç.
35. W. ELLAM. Rreshter, ndërlidhës dhe mitraljer i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 07.12.1940 në moshën 23 vjeç.
36. D.M. TURNER. Rreshter, mitraljer i Forcave Ajrore Mbretërore. Vdekur më 19.03.1944.
37. D.W. ROCKINGHAM. Ushtar i Forcave Zbuluese Mbretërore. Vdekur më 20.10.1943 në moshën 21 vjeç.
38. G.S. PRATT. Marinar i Forcave Detare Mbretërore. Vdekur më 09.10.1944 në moshën 22 vjeç.
39. J.V. SALT. Marinar i Forcave Detare Mbretërore. Vdekur më 09.10.1944 në moshën 20 vjeç.
40. W.J. ST. ANGE. Marinar i Forcave Detare Mbretërore. Vdekur më 09.10.1944 në moshën 24 vjeç.
41. N. SWANNEY. Ushtar i Forcave Këmbësore. Vdekur më 29.07.1944 në moshën 24 vjeç.
42. A. BARR. Ushtar i Forcave Zbuluese Mbretërore. Vdekur më 29.07.1944 në moshën 29 vjeç.
43. A.J.D. CLARKE. Ushtar i Artilerisë Mbretërore. Vdekur më 09.10.1944 në moshën 23 vjeç.
44. R. PINCHER. Marinar i Forcave Detare Mbretërore. Vdekur më 10.10.1944 në moshën 19 vjeç.
45. H. GEE. Ushtarak i Regjimentit Special të Besueshëm. Vdekur më 10.10.1944 në moshën 24 vjeç.
46. J.CASEY. Ushtar i Forcave Këmbësore. Vdekur më 29.07.1944 në moshën 22 vjeç.
SAIMIR MALOKU