Gazeta Nacional Albania

Saimir Maloku: Si u fsheh nga regjimi komunsit ndihma e SHBA për Shqipëri gjate Luftes se Dyte Boterore

Roli i misionin të parë të shërbimit sekret amerikan OSS gjatë Luftës II në Shqipëri

“Edhe SHBA-ja ashtu si Britania e Madhe furnizoi nëpërmjet rrugëve ajrore dhe detare me armë, municione, ushqime, shërbime sekrete dhe këshilltarë ushtarakë Lëvizjen Nacional Çlirimtare. Seksioni shqiptar i OSS-së ishte i vendosur në Bari të Italisë dhe drejtohej nga Herri Fulci, i cili ishte një njohës shumë i mirë i Shqipërisë dhe ish drejtor i Shkollës Teknike të Tiranës të hapur gjatë regjimit të Mbretit Zog në Shqipëri.”

Pergatiti për botim Saimir Maloku

Më 18 nëntor të vitit 1943 Majori amerikan Dejl Mekadu udhëhoqi misionin e parë të shërbimit sekret amerikan të OSS-së (Zyra për Shërbime Strategjike) i cili së bashku me Don Orahud (një teknik radioje) dhe Ismail Karapicin (përkthyes shqiptar) zbarkoi pranë Gadishullit të Karaburunit duke u vendosur në shpellën e Panoramës (Sea Vieë). Kjo ishte një shpellë tepër e maskuar në breg të Detit Jon.
Me kalimin e kohës aty zbarkuan nëpërmjet detit oficerët amerikanë të OSS-së si Kapiteni Thoma Stefani, Kapiteni Xhejms Hudson, Kapiteni Sterling Hajdn, Togeri Nik Kukiç, Togeri Xhon O’kifi, Rreshter Stefan Pers, Tetar Kosta “Guc” Ruci si dhe një grup prej afro 20 njerëzish të tjerë si Xhelil Çela dhe shumë emigrantë shqiptarë në SHBA.
Gjithashtu më vonë bashkë me ato u fut edhe Majori britanik Antoni Kuejl – oficer i SOE-së. Seksioni shqiptar i OSS-së ishte i vendosur në Bari të Italisë dhe drejtohej nga Herri Fulci, i cili ishte një njohës shumë i mirë i Shqipërisë dhe ish drejtor i Shkollës Teknike të Tiranës të hapur gjatë regjimit të Mbretit Zog në Shqipëri. Kjo shkollë amerikane u hap në vitin 1922 falë financimit nga Kryqi i Kuq i të Rinjve Amerikanë. Në vitin 1933 shkolla u shtetëzua nga qeveria e Zogut.
Duhet të theksojmë se Herri Fulci ka qenë një ish veteran i shquar amerikan i Luftës së Parë Botërore. Misionarët amerikanë të OSS-së bashkëpunuan me kolegët e tyre britanikë të SOE-së sidomos në mbledhjen e informacioneve sekrete në Shqipëri.
Edhe SHBA-ja ashtu si Britania e Madhe furnizoi nëpërmjet rrugëve ajrore dhe detare me armë, municione, ushqime, shërbime sekrete dhe këshilltarë ushtarakë Lëvizjen Nacional Çlirimtare.
Grupi i Shërbimit Amerikan të Zbulimit i OSS-së kishte për detyrë zbulimin dhe shpëtimin e pilotëve aleatë të aeroplanëve të rrëzuar sepse shumë skuadrilje avionësh bombardues të rëndë aleatë kryenin misione të gjata dhe të rrezikshme të nisur nga Italia drejt fushave naftëmbajtëse të Ploeshtit në Rumani. Shpesh herë ata ishin të detyruar të braktisnin avionët e tyre në rrugën e gjatë të kthimit si pasojë e defekteve të ndryshme, mbarimit të karburantit apo goditjeve nga topat kundërajrorë dhe nga aeroplanët gjuajtës gjermanë, etj. Misionarët ushtarakë amerikanë dhe britanikë i gjenin këta pilotë dhe me anë të ndihmës së popullit dhe të njësive partizane, të çetave të Ballit Kombëtar dhe të Abaz Kupit, i sillnin në bregdetin e jugut të Shqipërisë dhe që aty me anije të fshehta dhe të shpejta i kthenin në Itali.
Më 8 nëntor të vitit 1943, një aeroplan amerikan transporti Dakota C-53 në të cilën ndodheshin 13 infermiere, një grup mjekësh dhe 4 pilotë amerikanë (afro 30 vetë) i nisur nga brigjet e Italisë për defekte teknike dhe kushte të vështira atmosferike u detyrua të fluturojë në hapësirën ajrore të Shqipërisë.
Pranë qytetit të Lushnjës avioni u godit edhe nga forcat kundërajrore gjermane dhe si rezultat i kësaj goditje bëri ulje të detyruar dhe tepër të rrezikshme në fshatin Peshtan që ndodhet midis Elbasanit dhe Beratit. Për arsye se u dëmtua rëndë një krah i avionit gjatë uljes ai doli jashtë përdorimit. Falë ndihmës së popullit të asaj zone i gjithë personeli amerikan i aeroplanit u strehua në shtëpitë e tyre duke mos rënë në duart e gjermanëve.
Më 27 nëntor të vitit 1943 u bënë përpjekje që të ulesh në aerodromin e Gjirokastrës fshehurazi ndonjë avion aleat Velington për të evakuuar për në Itali këtë grup mjekësh dhe infermierësh amerikanë të këtij avioni të rrëzuar. Kjo gjë ishte e pamundur sepse terreni i pistës së aerodromit ishte i butë dhe i lagësht.
Nëpërmjet çetave dhe njësiteve partizane dhe atyre të Ballit Kombëtar si dhe në bashkëpunim me misionarët britanikë dhe amerikanë u arrit që nëpërmjet bazave të fshehta në bregdet (asaj të Gramës dhe të Panoramës) ky grupim i madh amerikanësh të dërgohesh natën e 9 janarit 1944 në Itali nëpërmjet motovedetave të shpejta aleate.
Interesimi kryesor i OSS-së ishte të vendoste lidhje me grupet e rezistencës, të mblidhte informacione dhe njoftime për luftimet dhe manovrat e divizioneve gjermane në Shqipëri. Pesë grupe të shërbimit të fshehtë të OSS-së ishin të vendosura në këtë kohë pranë grupimeve të mëdha partizane që kontrollonin zona të mëdha të çliruara si dhe vazhdonin luftën në pjesë të tjera të Shqipërisë.
Kapiteni Thoma Stefani ishte shef i misionit amerikan të OSS-së në vendin tonë. Në prill të vitit 1944 ai së bashku me Tetar Kosta Ruci dhe vëllain e tij Xhorxh (emigrantë shqiptarë në Amerikë) si radio ndërlidhës u vendosën pranë Shtabit të Përgjithshëm të LNÇ-së që ndodhesh në fshatin Odriçan të Korçës. Këto ndenjën atje deri sa u çlirua Shqipëria. Thoma Stefan pati marrëdhënie të mira pune dhe bashkëpunimi me Enver Hoxhën. Ky i fundit e bëri atë mik të ngushtë dhe e ftoi edhe në Helmës po ashtu edhe në qytetin e Përmetit ku u bënë dy kongrese.
Një ndër vendimet kryesore të Kongresit të Përmetit ishte se ushtria partizane mori emrin Ushtria Nacional Çlirimtare dhe se Shef i Shtabit i saj u caktua Spiro Moisiu i cili ishte një ushtarak tepër i përgatitur. Gjithashtu ju ndalua ardhja e Mbretit Zog në Shqipëri, etj.
Gjatë kësaj kohe oficerët e tjerë amerikanë të OSS-së u vendosën pranë brigadave partizane, ku Togeri Xhon O’Kifi u vendos pranë Brigadës 22 në Pezë të komanduar nga Myslym Peza, Togeri Nik Kuçiç pranë Brigadës së Parë Sulmuese, etj.
Duhet të theksojmë se në muajin gusht të vitit 1944 OSS-ja kishte 60 oficerë amerikanë të vendosur pranë shtabit të ushtrisë jugosllave ku ndodhesh udhëheqësi komunist Josif Broz Tito dhe Gjenerali nacionalist Drazha Mihailloviç ndërsa në Greqi ishin 15 oficerë amerikanë të OSS-së si dhe 160 agjentë.
Kurse në vendin tonë OSS-ja kishte 4 grupe, 5 oficerë dhe 25 agjentë.

Veprimet ushtarake të Forcave Ajrore Amerikano-Britanike dhe të misionarëve të tyre në Shqipëri, në Kosovë dhe në trojet shqiptare gjatë vitit 1944

Më 3 shtator të vitit 1943 Forcat Aleate zbarkuan në Italinë Jugore, pasi kaluan Ngushticën e Mesinës. Një avioni bombardues Halifax me katër motorë, i nisur nga Aerodromi i Tokres në Cirenajkë të Libisë i duheshin 4 orë fluturim për të ardhur në Shqipëri. Prandaj gjatë periudhës 22-27 dhjetor të vitit 1943 Kuartieri i Regjimentit 334 të RAF u zhvendos nga Aerodromi i Tokres në Cirenajkë të Libisë për në Brindizi në Italinë e Jugut.
Bazuar në dokumentet e Drejtorisë së Operacioneve të Posaçme Britanike (SOE) në Kajro jepen të dhëna të sakta për shumën e përgjithshme të armëve, të municioneve dhe të ndihmave të tjera të dërguara në Shqipëri për forcat e rezistencës me anë të ajrit dhe të detit deri në 24 dhjetor të vitit 1943 të cilat konsistojnë sa më poshtë vijon: pushkë kundërtanke 150 copë, mortaja 40 copë, automatik 300 copë, pushkë gjysmë automatike 400 copë, pushkë 350 copë, granata 4500 copë, mina kundërtanke 1000 copë, eksplozivë 3 tonë, etj.
Gjithashtu janë dërguar me dhjetëra tonë ushqime, ilaçe, veshmbathje, aparatura radio-ndërlidhje, etj. Gjatë kësaj kohe u dërguan edhe 4823 sterlina ari me të cilat janë blerë qindra mushka si dhe mjaft ushqime për forcat partizane dhe forcat e tjera të rezistencës popullore.
Vetëm në një sulm me raketa që bënë më datë 13 tetor të vitit 1943 një grup i madh avionësh gjuajtës bombardues britanik Beaufighter në Aerodromin e Tiranës bëri që 12 aeroplanë gjermanë që ndodheshin aty të shkatërroheshin.
Në luftimet e ndryshme ku morën pjesë trupa komando britanike u vranë dhe mjaft pjesëtarë të tyre. Më datë 20 tetor të vitit 1943 u vranë Kapiteni A.Careless i Korpusit të Blinduar Mbretëror (31 vjeç) si dhe ushtari D. Ë. Rockingham i Forcave Zbuluese Mbretërore (21 vjeç). Ndërsa më datë 22 dhjetor të vitit 1943 u vra Tetar S. G. Roberts. MM. i Forcave Këmbësore të Durhamit (29 vjeç).
Më datën 2 dhjetor të vitit 1943, dhjetëra avionë bombardues gjermanë bombarduan Portin e Barit – Itali. Flota ajrore gjermane me një sulm të befasishëm dhe të fuqishëm që i kapi në befasi Forcat Aleate plotësisht të papërgatitura, mbyti shtatëmbëdhjetë anije aleate, shumica e të cilave prisnin të shkarkonin ngarkesat me furnizime ushtarake, municione dhe karburant.
Gjithashtu u shkatërruan dhe u mbytën mjaft anije mallrash dhe dhjetëra anije peshkimi italiane duke përfshirë edhe një destrojer si dhe 2 anije të mëdha cisterna. Nga ky bombardim ajror gjerman u dëmtua rëndë edhe anija amerikane “Xhon Harvi” e ngarkuar me 100 ton gaz helmues Iprit ( që të bllokon frymëmarrjen dhe lotshpërthyes), që mbahej nëse trupat gjermane shkelnin Konventën e Luftës për mospërdorimin e lëndëve kimike helmuese në luftë.
Si pasojë e këtyre bombardimeve të ashpra dhe shpërndarja e gazit helmues në zonën e Portit të Barit u vranë afro 1000 ushtarë e marinarë aleatë si dhe mjaft civilë të pafajshëm. Gjashtë torpedinierë dhe një nëndetëse e prodhimit italian shpëtuan nga ky bombardim.
Kjo ngjarje tepër e dhimbshme u cilësua në atë kohë si një “Perl Harbur i dytë i përmasave të vogla”. Ky bombardim ajror gjerman i dha një goditje të madhe Forcave Aleate dhe dëmtoi mjaft furnizimet detare aleate për forcat e rezistencës popullore në vendin tonë. Prandaj furnizimet ajrore aleate për vendin tonë u bënë më kryesoret dhe tepër të nevojshme deri në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore.
Më 15 janar të vitit 1944 Gjenerali Amerikan Iker (Eaker) mori komandën e Forcave Ajrore Aleate të Mesdheut,duke përfshirë edhe Regjimentin 334.
Gjatë periudhës 22-31 janar të vitit 1944 Skuadrilja 148 u zhvendos në Brindizi të Italisë. Atje ajo u bashkua edhe me Grupin Transportues të Trupave të Forcave Ajrore të SHBA që përbëhej nga tri skuadrilje me avionë amerikanë transporti C47 (Dakota) si dhe me një skuadrilje bombarduesish të rëndë amerikan “B-24” Liberator (U.S.A.A.F).
Mbas marsit të vitit 1944 Skuadrilja 148 u tërhoq nga furnizimi për Shqipërinë ,sepse këto fluturime u bënë me aeroplanë transporti C 47. Furnizimet për Shqipërinë u rritën sidomos në datat 23 mars, 21 prill dhe më 31 maj të vitit 1944. Aviacioni aleat bombardoi shpesh Aerodromin e Tiranës gjatë muajve shkurt, prill, maj, qershor dhe korrik të vitit 1944. Nga bombardimet ajrore aleate u dëmtuan dhe u shkatërruan shumë aeroplanë gjermanë.
Duhet të theksojmë se për arsye të bombardimeve ajrore të Forcave Aleate që u bënë nga lartësi të mëdha prej afro 4000 metrash prej avionëve të tyre bombardues të rëndë katër motorësh si pasojë e devijimit të bombave nga era, lartësia e madhe dhe inercia në datat 27 prill dhe 14 maj të vitit 1944 u shkatërruan edhe mjaft shtëpi të banorëve të Tiranës dhe për pasojë pati edhe mjaft viktima midis popullsisë civile.
Për të rritur saktësinë e bombardimeve ajrore në Tiranë dhe qytete të tjera më vonë u përdorën aeroplanë britanikë gjuajtës bombardues Beafighter, që fluturonin me shpejtësi dhe në lartësi më të ulët nën 2000 metra dhe duke rritur precizionin e bombardimeve të tyre me raketa ndaj vendndodhjeve të reparteve gjermane në Tiranë. Trupat gjermane kishin vendosur artileri kundërajrore me topa të kalibrit 88 mm për të mbrojtur hapësirën ajrore të Tiranës nga aviacioni aleat.
Në përgjithësi furnizimet ajrore me anë të aeroplanëve amerikanë Dakota, kishin precizion të ulët sepse hedhjet bëheshin nga lartësi të mëdha në krahasim me avionët bombardues anglezë Halifaks që fluturonin më ulët. Si pasojë e kësaj, rreth 50 % e furnizimeve ajrore vidheshin nga banorët përreth.
Në veri ishte Misioni Stables i vendosur në fshatin Kalis, që përbëhej nga oficerët britanikë si Majori Riçard Ridëll, Kapiteni Toni Simkoks, Kapiteni Majkell Lis, Kapiteni Reginald Hibbert, Rreshteri Gregson Ollkoti dhe Tetari Dejvis. Në Macukull si dhe në zonat zogiste të Krujës dhe Matit ishin Majori Sejmur, Togeri Smith dhe Kapiteni Bulman.
Më vonë më 15 mars të vitit 1944 erdhi Kapiteni Xhon Hiberdini, së bashku me radistin Jan Merreti. Në prill vjen përsëri Bill Maklini dhe Xhulian Emeri. Në jug u caktuan Majori (më vonë Nënkolonel) Alen Palmer i Artilerisë Mbretërore, Kapiteni (më vonë major) Viktor Smith, i Pushkatarëve të Laukashirit.
Më vonë pranë Misioneve Suifter dhe Sculptor u vendos Nënkolonel Uiler, Kapiteni(major) Markus LLajenin, Kapiteni E.Northrop, Kapiteni Xhek Dymulen (mjek), Majori Gordon Layzell (i cili në moshën 31 vjeçare u vra në datën 2 shkurt të vitit 1944 në Staravecke nga një aksident me armën e tij). Gjatë periudhës shkurt-mars aty erdhën edhe Kapiteni Brijën Ensor, Majori P.M.Rous, Kapiteni C.L.D. Njuell si dhe Togeri J.A.Jang (infermier).
Pranë Shtabit të Përgjithshëm partizan ishte oficeri epror britanik Alan Palmeri. Në jug pra ishin 11 oficerë britanikë, ndërsa në veri 13 deri në 16 oficerë britanikë (duke ardhur edhe Majori Shou, Kapiteni Rajt si dhe Togeri Merri.
Ushtarakë amerikanë zbarkuan fshehurazi afër bregdetit të Vlorës. Nëpërmjet plazhit të Borshit partizanët morën furnizime. Oficerët britanikë merrnin pjesë në aksione duke minuar rruga dhe ura ,në mënyrë që të pengonin lëvizjen e trupave gjermane.
Bombardime dhe mitralime të shumta të aviacionit aleat kundër forcave gjermane ka pasur edhe në qytetin e Lezhës dhe fshatrat përreth më datë 27 mars të vitit 1944 ora 11, ndërsa në rrugën e Kakarriqit u dogj një makinë gjermane. Dëme të mëdha patën forcat gjermane nga këto bombardime sidomos në fshatrat Zejmen, Rritë, Shënkoll, etj.
Bombardime dhe mitralime të shumta, ka bërë aviacioni aleat më 30 mars të vitit 1944 nga ora 12 deri në ora 13 në qytetin e Tiranës ku trupat gjermane patën humbje të shumta në njerëz dhe në dëme materiale.
Më datë 15 prill të vitit 1944 shumë aeroplanë aleatë kanë mitraluar rrugën Librazhd Prrenjas dhe kazermat e forcave ushtarake gjermane në qytetin e Librazhdit ku si pasojë u vranë 4 gjermanë dhe u dogjën dhe u shkatërruan 15 makina, ndërsa në rrugën e Prrenjasit u vranë 8 ushtarë gjermanë.
Më datë 29 prill të vitit 1944 rreth orës 15 dhe asaj 17.30, aviacioni aleat mitraloi dhe bombardoi kazermat e ushtarëve gjermanë në qytetin e Librazhdit duke i shkaktuar armikut dëme materiale dhe në njerëz.
Në mbrëmjen e datës 24 qershor të vitit 1944 shumë avionë aleatë kanë fluturuar mbi qytetin e Ferizajt dhe kanë hedhur ndihma materiale dhe municione për çetat partizane në fshatin e Lubetenit. Gjithashtu avionët aleatë kanë bërë gjatë kësaj kohe bombardime të shumta mbi forcat ushtarake gjermane në qytetet e Pejës, të Ferizajt, të Gjilanit, të Gjakovës, etj. duke i shkaktuar dëme të mëdha forcave ushtarake gjermane. Gjithashtu për arsye se kazermat dhe artileria kundërajrore gjermane ishin pranë zonave të banuara pati edhe viktima të shumta në popullsinë civile. Gjithashtu vlen të theksojmë se shumë avionë anglo-amerikanë janë rrëzuar atje si dhe shumë pilotë janë vrarë apo kapur rob nga forcat kuislinge dhe ato gjermane.
Më datë 29 qershor të vitit 1944 ora 19,30 shumë avionë britanikë kanë mitraluar dhe bombarduar shumë objektiva ushtarake gjermane si kazerma dhe makina në qendër të Pukës si dhe gjatë rrugës Pukë-Rrapë duke qëlluar mbi autokolonën ushtarake ku u dogjën 8 makina dhe u vranë shumë ushtarë gjermanë.
Gjatë viteve 1943-1944, aviacioni aleat ndërmori aq shumë inkursione ajrore bombardimi kundër trupave gjermane në të gjithë territorin e Shqipërisë, të Kosovës dhe në trevat shqiptare sa që e detyroi Qeverinë e Tiranës të formonte një Komitet për Mbrojtjen Kundërajrore duke vënë edhe një shumë të madhe financiare në Franga Ari nga buxheti i shtetit për kompensimin e këtyre dëmeve.
Ofensiva gjermane e Qershorit të vitit 1944 me 15000 ushtarë gjermanë goditi rëndë forcat partizane në veri dhe në jug të vendit. Divizioni i parë partizan i përbërë nga Brigada e I e IV dhe e V mori goditje të rëndë dhe u zhvendos në Helmës. Po e njëjta gjë ndodhi edhe me Brigadën e VI, VII dhe të VIII të cilët vepronin në zonën ndërmjet Vlorës dhe Gjirokastrës. Aeroplanët Spitfire të RAF nga baza ajrore e Brindizit në Itali u thirrën nëpërmjet misioneve të BLO në Jug për të sulmuar kolonat gjermane duke u dhënë një mbështetje të rëndësishme forcave partizane. Gjatë kësaj kohe nëntë brigada partizane ishin të angazhuara me trupat gjermane të armatosura rëndë. Aeroplanët aleatë sollën deri në 41 furnizime ajrore për forcat partizane. Këto furnizime dhe sulme ajrore të aviacionit aleat e ngriti shumë moralin e forcave partizane.
Vetëm gjatë muajit maj të vitit 1944 pati 34 fluturime të aeroplanëve Dakota, që hodhën secili nga 2 ton furnizim. Gjithashtu u hodhën në 2 fluturime 20 pjesëtarë të një grupi komandosh me pajimet e tyre. Këto ishin pjesa e parë e një vargu operacionesh në Shqipërinë e Jugut nga ana e Forcave të Shërbimeve të Posaçme të Forcës 266 me synimin për të ndërprerë komunikimet veri-jug të trupave gjermane. Gjithashtu pati edhe inkursione amfibe për hedhjen e grupeve komando në bregdetin e jugut.
Hyrja e trupave aleate në Romë më 4 qershor dhe hapja e Frontit të Dytë më 6 qershor të vitit 1944 u pritën me një gëzim të jashtëzakonshëm në Shqipëri. Formacione të mëdha të Forcave Ajrore të SHBA me avionë bombardues të rëndë “B-24” Liberator fluturonin shpesh në hapësirën ajrore të vendit tonë, me objektiv bombardimin e fushave të pasura me naftë të Ploeshtit (Rumani). Dy aviatorë të SHBA u hodhën me parashutë në afërsitë e Peshkopisë, sepse u ishte dëmtuar aeroplani në këto bombardime ajrore. Ata u strehuan në çetat partizane.
Në qershor të vitit 1944 u krijua Forca Ajrore e Ballkanit (Balkan Air Force) ku si komandant i saj ishte Nën-marshalli Uilliam Eliot. Kjo forcë ajrore ishte gjithashtu brenda komandës së Gjeneralit Amerikan Iker që ishte Komandant i Forcave Ajrore Aleate për Mesdheun. Ndërsa Komandant Suprem i Forcave Aleate për Mesdheun ishte Gjenerali Britanik Sër Henri Meitland Uillson.
Aviacioni aleat i shtoi bombardimet e tija ajrore kundër objektivave gjermane në Shqipëri. Më 15 qershor të vitit 1944 ata mitraluan autokolonën gjermane që shkonte gjatë rrugës Librazhd-Prrenjas duke shkatërruar 15 makina dhe duke vrarë shumë ushtarë gjermanë. Po ashtu ata bombarduan edhe autokolonat gjermane që shkonin gjatë rrugës Fier-Vlorë si edhe puset e naftës në Kuçovë ku u vranë dhjetëra ushtarë gjermanë dhe ndër të tjera u shkatërruan 13 makina të tyre.
Më datë 7 qershor të vitit 1944 si pasojë e një mitralimi që bënë aeroplanët gjermanë në Sheper të Zagorisë, ku ndodhesh Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional Çlirimtare u vra Majori Britanik S. P. Martinleake i Forcave të Zbulimit Mbretëror (38 vjeç). Ai u varros në këtë vend me nderime të mëdha.
Më datë 20 qershor të vitit 1944, majori Dejvid Smajli dhe Rreshteri Xhenkins së bashku me një grup luftëtarësh zogistë hodhën në erë urën e Gjoles që ndodhesh në rrugën automobilistike Tiranë-Durrës. Kjo urë ishte tepër e rëndësishme sepse aty çdo ditë kalonin autokolona të shumta gjermane. Gjithashtu kjo urë ishte e treta për nga gjatësia në vendin tonë. Në këtë ditë para shkatërrimit të urës, këto dy misionarë britanikë vendosën 300 kg. lëndë plasëse të cilat i kishin transportuar fshehurazi natën me mushka duke rrezikuar edhe veten e tyre sepse ajo zonë kontrollohesh nga trupa gjermane. Nga shpërthimi i fuqishëm ura u shkatërrua plotësisht si dhe dy automjete gjermane me ushtarët në të që po kalonin mbi atë.
Trupat gjermane nga frika e ndonjë zbarkimi aleat në bregdetin e Durrësit dhe të Golemit, vendosën në atë kohë me dhjetëra mijëra mina kundërtanke dhe kundër këmbësorisë si dhe mjaft tela me gjemba në një gjatësi prej 20 kilometrash. Po ashtu ushtria gjermane e minoi detin me mjaft mina detare tepër të mëdha të mbushura me 100 dhe 250 kilogramshe eksploziv.
Pas çlirimin ishte flota britanike që bëri çminimin e brezit ujor të detit. Ndërsa për 20 vite me radhë ka vazhduar aksioni për heqjen e minave të mësipërme tokësore ku morën pjesë mjaft specialistë italianë, gjermanë, francezë dhe rusë ku disa prej tyre gjatë këtyre aksioneve dhanë edhe jetën.
Bombardime të shumta të aviacionit aleat pati edhe në viset shqiptare në Maqedoni, Kosovë dhe në Mal të Zi. Më datë 23 Qershor të vitit 1944, një flotë e jashtëzakonshme ajrore aleate prej 350 avionësh bombardues katërmotorësh kaluan mbi Prishtinë dhe Shqipëri dhe u shpërndanë në drejtime të ndryshme si Serbi , Bullgari dhe Rumani duke bërë bombardime të shumta në pozicionet ushtarake gjermane në këto vende.
Po këto ditë dy prej këtyre avioneve bombardues aleatë kanë bombarduar forcat gjermane të vendosura në fshatin Pleshinë të Ferizajt. Gjithashtu po dy avionë të tjerë aleat kanë bombarduar dhe mitraluar forcat gjermane në fshatrat Babush dhe Shtimje të Ferizajt. Nga bombardimi që bënë ndaj forcave gjermane të vendosura në Prishtinë nga aviacioni aleat u shkaktuan dëme të shumta ushtarake dhe materiale.
Duhet të theksojmë se në Prishtinë pati edhe mjaft viktima në popullsinë civile. Kjo ishte si pasojë e bombardimeve ajrore aleate në lartësi të mëdha për t’ju shmangur nga goditjet e artilerisë kundërajrore gjermane.
Misionarët britanikë ishin të vendosur edhe pranë çetave nacionaliste të Kosovës. Në betejën që u bë më datë 25 korrik të vitit 1944 për çlirimin e Gjakovës u plagos rëndë edhe misionari britanik Simkoks i cili ishte i vendosur pranë çetës së Gani Kryeziut.
Natën e 27 dhe 28 korrikut të vitit 1944 shumë aeroplanë të RAF dhe amerikanë hodhën me parashutë materiale të shumta luftarake për Brigadën e I Sulmuese.
Natën e 29 korrikut të vitit 1944, çetat zogiste që gjendeshin në kodrat përreth Tiranës goditën një avion bombardues gjerman që sapo ishte ngritur nga Aerodromi i Tiranës. Avioni gjerman mori flakë në ajër dhe u rrëzua në tokë ku si pasojë i gjithë ekuipazhi i tij mbeti i vrarë.
Më datë 29 korrik të vitit 1944, Forcat Komando Britanike të LRDG-së nën drejtimin e Kapitenit Xhon Olivej sulmuan një garnizon ushtarak gjerman prej 150 vetash që ndodhesh në Himarë dhe që kontrollonte rrugën automobilistike që lidhte Vlorën me Sarandën si dhe një stacion roje bregdetare gjermane në Spillè të Himarës. Si pasojë e luftimeve të ashpra garnizoni gjerman u dorëzua, u vranë 30 ushtarë gjermanë dhe u shkatërrua një anije ushtarake e tyre. Por gjatë luftimeve u vranë 6 ushtarakë britanikë dhe një vullnetar i forcave partizane. Në këtë betejë të përgjakshme u vranë Togerët A. M. Sennet (23 vjeç) dhe H. Aveyard (29 vjeç) si dhe ushtari N. Sëanney (24 vjeç) të Forcave Këmbësore Malore, Reshteri J. E. Moores (37 vjeç) i Regjimentit Mbretëror të Norfolkut si dhe ushtarët A. Barr (29 vjeç) dhe J. Casey (22 vjeç) të Forcave Zbuluese Mbretërore.
Me kërkesë të forcave partizane shumë avionë të Beaufighter të RAF më 10 dhe 11 gusht të vitit 1944 shkatërruan kazermat gjermane në Dibër me zjarrin e raketave. Forca ajrore e Ballkanit i sulmoi ato përsëri duke u shkaktuar humbje të mëdha në njerëz dhe materiale luftarake. Nga sulmet ajrore dhe ato të forcave partizane rreth 400 ushtarë gjermanë u vranë.