Libri “Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe Maqedonia” është një monument ku valëvitet kujtesa e kombit
Të nderuar miq,
sot, pata kënaqësi të marrë pjesë në një ngjarje me rëndësi të veçantë, ku bashkërisht e përuruam një vepër kolosale me titull: “Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe Maqedonia”, nga autori, gjenerali Kudusi Lama. Është e admirueshme dhe meriton respekt të veçantë puna e atyre që me vetëmohim sjellin në vëmendje të opinionit publik pjesë nga e shkuara e lavdishme e një populli.
Shpesh thuhet se ngjarjet e mëdha e ndjekin njëra-tjetrën, veçanërisht kur ato pasqyrojnë historinë e një kombi. Përurimi i kësaj vepre, që nxjerr në pah vlerat e lirisë, sakrificës dhe përkushtimit kombëtar, përkon me përvjetorin e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.
Kjo marrëveshje, e nënshkruar 24 vjet më parë, e vendosi paqen në vendin tonë, riktheu pajtimin mes etnive dhe e orientoi Republikën e Maqedonisë drejt integrimeve euro-atlantike. Megjithatë, edhe sot, ne qëndrojmë para kujtesës sonë më të shtrenjtë, para historisë së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e cila, me guximin e saj, ndezi flakën e lirisë. Në një kohë kur harresa kërcënon të mbulojë të vërtetën, libri i Prof. Dr. Kudusi Lamës e ruan të kaluarën tonë historike dhe na shërben si një thesar për të ardhmen.
Vepra “Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe Maqedonia” është një monument ku valëvitet kujtesa e kombit, si amanet për brezat, se liria nuk është dhuratë, por fitore e paguar me gjak dhe sakrificë të madhe.
Sot nuk e përuruam thjesht një libër…
Sot e rikthyem në kujtesë një histori që nuk shuhet kurrë.
Selam Sulejmani: U promovua libri “Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe Maqedonia”

