Gazeta Nacional Albania

Senatorja amerikane Shaheen: Tragjedia e së dielës në Kosovë, nënvizon rrezikun e paralizës politike

Senatorja Jeanne Shaheen, anëtare e lartë e Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, dënoi të mërkurën sulmin e dhunshëm ndaj policisë së Kosovës duke e cilësuar atë si “brutal” dhe kërkoi që autorët të vihen para drejtësisë.
Ajo shprehu keqardhjen e thellë për vrasjen e pjesëtarit të policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në një deklaratë për Zërin e Amerikës senatorja Shaheen, e cila drejton nënkomisionin e Senatit për Evropë dhe bashkëpunim në fushën e sigurisë, tha se zhvillimet ishin pasojë e ngërçit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Është për të ardhur jashtëzakonisht keq që Presidenti Vuçiç dhe Kryeministri Kurti vazhdojnë të refuzojnë të tregojnë gadishmëri për t’u angazhuar për zgjidhje të qendrueshme. Tragjedia e së dielës nënvizon rrezikun e vërtetë të mosveprimit – nuk mund të lejojmë që jetë të pafajshme të paguajnë çmimin e paralizës politike,” deklaroi ajo.

Senatorja Shaheen u bëri thirrje dy udhëheqësve që të punojnë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, t’u japin përparësi përpjekjeve diplomatike për të shmangur dhunën e mëtejshme dhe që pa vonesë t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian./VOA/