SERBIA DHE SHQIPTARËT “E NDERSHËM”
Nga prof. Xhelal Zejneli
Sot Serbia i quan të ndershëm ata shqiptarë që shajnë Amerikën dhe lëvdojnë Rusinë dhe Iranin.
Për Serbinë janë të ndershëm edhe ata shqiptarë që shajnë dhe mohojnë Gjergj Kastriotin, Nënë Terezën dhe Ismail Kadarenë.
Segmentet e sipërthëna të shoqërisë shqiptare veprojnë kundër shqiptarisë duke e çuar ujin në mulli të Beogradit.
Feja e shqiptarit është shqiptaria. Feja e shqiptarit është gjuha shqipe. Feja e shqiptarëve është prejardhja ilire e tyre, autoktonia në brigjet e Jonit dhe të Adriatikut. Feja e shqiptarëve është vitaliteti i tyre dhe pastërtia e racës.
Për bujarinë, fisnikërinë, trimërinë, besën, mikpritjen dhe shpirtin human të shqiptarëve ka shkruar poeti i anglez me famë botërore – Bajron (George Gordon Byron).
* * *
Vitet e fundit Serbia dhe shërbimet sekrete të saj punojnë ditë e natë për të rekrutuar nga trojet shqiptare spiunë që do të vihen në shërbim të Beogradit.
Serbia e Vuçiqit, kriminelin e luftës të dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Kundër Njerëzimit e varros me nderime shtetërore. Në vitet 1991-1995, në luftën e Bosnjës dhe Hercegovinës serbët vranë mbi 100.000 veta. Prej 11 deri në 19 korrik të vitit 1995, serbët vranë në Srebrenicë 8372 veta. Kisha Ortodokse Serbe dhe ideologët serbomëdhenj, arkitektin e gjenocidit në Srebrenicë, Ratko Mladiqin, e konsiderojnë hero. Të tillë do ta shpallin edhe zjarrvënësin e Ballkanit – Slobodan Milosheviqin.
Të hash bukën shqiptarit dhe të punosh për të huajt, do të thotë të mos kesh asnjë fije vetëdijeje kombëtare. Të tillët e kanë të sigurt vendin në rrethin e nëntë të ferrit dantesk. S’ka mëkat më të madh sesa të punosh kundër popullit tënd. Mëkatarët e tillë, deri në jetë të jetëve do ta kenë në ndërgjegje mallkimin e historisë.
Shqiptarët e gjorë në Maqedoni e kanë sjellë punën që të luajë dhe të tallet me ta një popull me identitet të diskutueshëm, siç janë sllavo-maqedonasit. Edhe pas tridhjetë e pesë vjetëve të veprimit politik, demokratik dhe institucional, përfshi edhe luftën e 2001-shit, u duhet të luftojnë për gjuhën.
O tempora, o mores!
* * *
Në vitet 1985-1990 shtypi i Beogradit vuri në përdorim shprehjen shqiptar i ndershëm. Sipas serbëve, i ndershëm quhej ai shqiptar i cili shante Shqipërinë dhe lëvdonte Jugosllavinë.
Gjatë periudhës së pluralizmit, d.m.th. prej viti 1991 e deri më sot, edhe pushtetarët sllavo-maqedonas u përpoqën të rekrutojnë në radhët e veta, të afirmojnë dhe të shpërblejnë atë soj shqiptari i cili do ta pranonte konceptin qytetar të ndërtimit të Maqedonisë.
Ky farë shqiptari i cili pandeh apo i cili punon dhe vepron për një Maqedoni – shtet qytetar, nuk ka dallim thelbësor nga shqiptari i ndershëm i shtypit të Beogradit.
Shqiptarët e ndershëm:
– Janë vegla, mjete, instrumente të sllavo-maqedonasve;
– Janë shërbëtorë dhe argatë të sllavo-maqedonasve;
– Janë spiunë dhe tradhtarë të kombit;
– Janë antishqiptarë dhe antikombëtarë;
– Janë të mirë, të përshtatshëm dhe të pranueshëm për sllavo-maqedonasit.
A ka edhe sot, si dikur, shqiptarë të ndershëm?
Në Maqedoni dhe në Mal të Zi edhe sot ka shqiptarë të ndershëm, pikërisht si në serbosllavinë e viteve ’80 të shekullit XX. Numri i tyre kurrë s’ka qenë i madh. Ata numërohen në gishta. Por shtetet sllave të sipërthëna bëjnë të pamundurën që të krijojnë dhe të kultivojnë shqiptarë të ndershëm për t’i paraqitur pastaj si përfaqësues të popullit shqiptar.
Boshti antishqiptar i krimit Shkupi-Beogradi-Titogradi (Podgorica) i joshte shqiptarët e ndershëm me të mira materiale, me pozita politike e shoqërore dhe me karrierë. Kjo strategji e kohës së komunizmit të Josip Broz Titos (1892-1980) vazhdoi edhe në periudhën e pluralizmit dhe të demokracisë.
Për të mos shkaktuar huti ndër lexues, sintagmën e lartpërmendur duhet shkruar në thonjëza, pra “shqiptar i ndershëm”.
“Shqiptarët e ndershëm” i gjen aty ku nuk i gjen dot “shqiptarët e pandershëm”. I gjen nëpër do komisione, borde, këshilla drejtues dhe kabinete ku nuk mund të hyjnë “shqiptarët e pandershëm”.
“Shqiptari i ndershëm” s’ka ndjenja shqiptari. Ai shndërrohet në rrëqebull dhe në mercenar. Është i shitur dhe i blerë për para dhe për njëfarë karriere. Është kërmill që ngjitet në maje të plepit për arsye se nuk ka kurriz. Është jokërbishtor, butak dhe poltron. Ideal s’ka, ka synim. Objektiv i tij është arritja e interesit meskin. Ai s’është formuar në frymën e shqiptarisë, të prejardhjes ilire, të autoktonisë, të vjetërsisë së gjuhës, të lashtësisë së popullit, të pastërtisë së racës, të luftërave të Gjergj Kastriotit (1405-1468), të idealit të rilindësve, të humanizmit të Nënë Terezës, përkatësisht Anjezë Gonxhe Bojaxhiu (19010-1997), të universalizmit të veprës së Ismail Kadaresë (1936-2024), të qëndresës së Adem Demaçit (1936-2018), të vizionit properëndimor të Ibrahim Rugovës (1944-2006), të qëndresës epike të Adem Jasharit (28 nëntor 1955 – I pavdekshëm), të luftërave heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
Me konceptin qytetar të shtetit, sllavo-maqedonasit nënkuptojnë: Të gjithë jemi të barabartë, por shteti dhe pushteti, sot e mot, janë në duart tona. Në duart tona janë: ushtria, policia, punët e jashtme, ekonomia, financat, kultura, investimet, grandet, arsimi, shëndetësia, doganat, shërbimi sekret, diplomacia … Gjuha shtetërore është jona. Tonat janë edhe flamuri e himni. Ju s’jeni veçse lidhëse në rripin tonë. Ju mund të jeni vetëm dekor në qeveri.
Ndonjëherë flitet edhe për shoqëri multietnike. Këtë farë shoqërie multietnike shqiptarët e njihnin që nga koha e Josip Brozit. Për fjalën “multietnik” ai e përdorte shprehjen vëllazërim-bashkim. Ishte një parullë e komunistëve jugosllavë që porosiste: “Ruajeni vëllazërim-bashkimin si bebëzën e syrit”. Vëllazërim-bashkimi i Josip Brozit ishte njëfarë sinonimi i bashkëjetesës midis “kombeve dhe kombësive”.
Në fillim të viteve ’90 të qindvjeçarit XX krijesa artificiale e quajtur Jugosllavi e AVNOJ-it (KAÇKJ) u shpërbë në gjak. Vëllazërim-bashkimi s’e shpëtoi dot.
Me shpërbërjen e “Jugosllavisë së Titos” në vitin 1991, nga amalgama e saj u shkëput edhe Maqedonia. Sipas kryetarit të Maqedonisë, Kiro Gligorov (1917-2012) dhe VMRO-së, trashëgues të shtetësisë së Maqedonisë janë vetëm sllavo-maqedonasit. Siç shihet, shqiptarët nuk u përfillën fare.
Qëndrimi i VMRO-istëve është i qartë: mbartës të shtetësisë në Maqedoni janë sllavo-maqedonasit. Të tjerët janë pakica të cilat duhet t’i nënshtrohen dhe t’i binden popullit shtetformues, d.m.th. sllavo-maqedonasve.
LSDM-istët duket sikur mendojnë pak më butë. Por edhe për ta shtetësia mbetet në duart e sllavo-maqedonasve. Sipas tyre, çështja shqiptare në Maqedoni është e mbyllur, ndaj tani është koha për ndërtimin e shtetit sipas konceptit qytetar.
Për ta sendërtuar këtë farë koncepti qytetar, pushtetarët, qeveritarët dhe shërbimet e tyre i kanë vënë nën kontroll edhe një pjesë të konsiderueshme të mediumeve – studiot televizive, gazetat ditore, revistat dhe portalet.
Pjesë e kësaj infrastrukture janë edhe të ashtuquajturit këshilltarë të kabineteve të pushtetarëve si dhe një pjesë e analistëve politikë.
Kontrollimi i këtillë i mediumeve dhe censura e pushtetarëve të sotëm të Maqedonisë ta përkujton gjeneral Zhdanovin* në Bashkimin Sovjetik të kohës së Josip Visarionoviç Xhugashvili Stalinit (1879-1953).
Ata të cilët e kundërshtonin dhe e kundërshtojnë krijimin e një Maqedonie sipas konceptit qytetar, cilësoheshin dhe vazhdojnë të cilësohen si nacionalistë apo si individë me pikëpamje radikale dhe ekstremiste. Për këta thonë se janë kundër bashkëjetesës me popullin sllavo-maqedonas. Por duhet thënë se sllavo-maqedonasit me bashkëjetesën nënkuptojnë që i tërë pushteti të jetë në duart e tyre, shqiptarët ndërkaq të jenë dekor në qeveri, pikërisht si në vitin 1991.
Zgjedhjet e 21 prillit të vitit 2019 ia bënë me dije kryeministrit Zoran Zaev (1974- ), LSDM-së, opinionit sllavo-maqedonas dhe faktorit ndërkombëtar se Maqedonia:
– s’është dhe s’mund të jetë shtet qytetar; dhe
– kurrë s’ka për të qenë shtet qytetar.
Zgjedhjet e lartpërmendura dëshmuan se Maqedonia është shtet dyetnik, i përbërë prej dy bashkësive etnike – shqiptarëve dhe sllavo-maqedonasve. Vetëm barazia e plotë midis tyre e stabilizon atë. Asnjë bashkësi etnike në botë që posedon kapacitet shtetformues nuk cilësohet dhe nuk përkufizohet si 20 përqindësh.
* * *
Shënim: Andrej Aleksandroviç Zhdanov (1896-1948) ka qenë politikan sovjetik. Stalini e konsideronte si trashëgimtar të vet. Ideologjia e tij njihet si zhdanovizëm. Promovonte realizmin socialist në letërsi. Në vitin 1949, i biri Jurij u martua me të bijën e Stalinit – Svetllanën. Martesa e tyre zgjati deri në vitin 1960.

