Në qarqet diplomatike europiane e kanë të vështirë të kuptojnë përse Athina duhet të ndërmerrte këto ditë një hap të ri të rindezjes së sherrit me Turqinë për të drejtat e minoritetit turk në Greqi, kur ajo ka njëqind probleme të hapura dhe të pazgjidhura me fqinjin e saj të madh. Ka problemet e kufijve detarë në detin Egje, ka problemin e kërkimeve energjetike në Mesdheun Lindor, të zonave ekonomike ekskluzive në pellgun e Mesdheut, problemin e Qipros, problemin e vendosjes së forcave ushtarake greke në ishujt ngjitur me Turqinë duke shkelur Traktatin e Lozanës, problemin e refugjatëve të Lindjes së Mesme që kalojnë nga njeri shtet te tjetri, etj. Nuk u kuptua përse Greqia në datën 2 gusht vendosi që të mbyllë 12 shkolla fillore në Thrakën Perëndimore, që i përkasin minoritetit turk atje. Me dekret të Ministrisë së Arsimit të Greqisë të datës 2 gusht për minoritetin turk tetë shkolla fillore në Rodop dhe katër shkolla fillore në Ksanthi do të mbyllen. Mbyllja u ndërmor në kohën e pushimeve verore dhe në prag të hapjes së vitit të ri shkollor, pa u njoftuar dhe pa u konsultuar me komunitetin turk të Thrakës Perëndimore dhe me organizatat e tij.
Në datën 2 gusht reagoi Ministria e Jashtme e Turqisë dhe nxori një komunikatë, ku dënon vendimin e qeverisë greke për mbylljen e shkollave të minoritetit turk, duke e cilësuar si “reflektim të politikës qeveritare greke të asimilimit dhe të shtypjes të ndjekur kundër minoritetit turk në fushën e arsimit”. MPJ e Turqisë e cilëson vendimin grek si një shkelje të Traktatit të Lozanës të vitit 1923 midis dy vendeve dhe të Konventës dhe të protokolleve të nënshkruara midis dy shteteve për mbrojtjen e minoriteteve respektive. Ministria e Jashtme e Greqisë u kundërpërgjigj brenda ditës në 2 gusht, duke deklaruar se shkollat fillore po mbyllen sepse nuk ka nxënës, dhe se nuk ka shkelje të Traktatit të Lozanës.
Me një fjalë dy shtetet u futën në një cikël të ri tensioni diplomatik lidhur me çështjen e të drejtave të minoritetit turk në Thrakën Perëndimore, në një kohë që kanë njëqind probleme të hapura plot tensione midis tyre dhe në kohën që të dy shtetet janë përfshirë nga zjarret masive të verës dhe kanë nevojë për ndihmë ndaj njeri tjetrit si dy shtete fqinjë anëtarë të NATO-s. Siç shkruante gazeta greke “thenational herald” në 3 gusht: “Beteja e Greqisë dhe Turqisë për shkollat e minoritetit mysliman në Greqi”.
Në fakt përplasja midis dy shteteve për çështjen e minoritetit turk në Thrakën Perëndimore, që numëron 150 mijë veta, është problem i vjetër i pazgjidhur midis dy shteteve, që krijon tensione sa herë që qeveria greke ndërmerr masa për kufizimin e të drejtave te tyre. Acarimin e ri të tanishëm lidhur me mbylljen e shkollave fillore të minoritetit turk vëzhguesit e paanshëm diplomatikë në Athinë e quajnë të panevojshëm që të ndërmerrej tani hapi i qeverisë greke. Së pari, ai shkaktoi protesta në minoritetin turk në Greqi dhe në çarje të re në marrëdhëniet e tij me qeverinë e Athinës. Këshilli Konsultativ i Minoritetit Turk në Thrakën Perëndimore deklaroi në 2 gusht se vendimi i Greqisë për mbylljen e shkollave fillore të minoritetit turk “është pjesë e përpjekjeve të planifikuara dhe keqdashëse kundër minoritetit”.
Çështja është se mbyllja e tanishme e 12 shkollave të minoritetit turk nuk është rast i izoluar. Ka një politikë sistematike arsimore të qeverisë greke për mbylljen e shkollave për minoritetin dhe detyrimit të minoritetit që të çojnë fëmijët vetëm në shkollat greke dhe të mos mësojnë në gjuhën e tyre amtare. Që nga vitit 2011 qeveria greke ka mbyllur 132 shkolla fillore të minoritetit turk, çka tregon për një planifikim sistematik të izolimit etnik arsimor të minoritetit. Qeveria greke ka refuzuar vazhdimisht që të japë leje për një shkollë të mesme të kërkuar nga minoriteti turk, sepse çdo vit mbi 1000 fëmijë turq atje mbarojnë shkollën fillore.
Të drejtat e njeriut, kolektive dhe individuale të minoritetit turk në Greqi, mbeten një çështje e pazgjidhur për shkak të politikës së gabuar, që kanë ndjekur dhe ndjekin qeveritë greke për mosnjohjen e asnjë minoriteti etnik në Greqi, përfshirë edhe atë turk. Gabimi i parë i Athinës është se nuk e njeh dhe përpiqet ta fshijë identitetin etnik turk të atij minoriteti, të cilët janë turq, flasin turqisht dhe deklarohen turq. Në vend që ta emërtojë zyrtarisht si minoritet turk, Athina e klasifikon ”minoritet mysliman”. Është një absurditet të caktosh si kriter identiteti etnik përkatësinë fetare të atij komuniteti. Sepse me këtë lloj kriteri arbitrar qeveritar grek do të duhej që në Greqi të njihej “minoriteti katolik”, “minoriteti protestan”, “minoriteti budist, induist”, etj. Përkufizimi i minoritetit sipas përkatësisë fetare përbën një diskriminim fetar zyrtar ndaj atij minoriteti.
Qeveria dhe MPJ e Greqisë justifikohen se në Traktatin e Lozanës të vitit 1923 për shkëmbimin e popullsive midis Greqisë dhe Turqisë ka referencë për komunitetin mysliman dhe prandaj ajo e quan sot ashtu. Mirëpo Traktati i Lozanës është shoqëruar me Konventën dhe Protokollet përkatëse të firmosura nga të dy shtetet, ku referencat janë për turq dhe grekë. Edhe në dokumentet e lëshuara nga Komisioni i përbashkët turko-grek në atë kohë për qytetarët e dy vendeve, që nuk ishin subjekt i shkëmbimit të popullsive, u referohet si turq dhe grekë dhe jo si myslimanë apo jomyslimanë. Në vitet ’50 qeveria greke e bëri të detyrueshme për minoritetin turk që të quhej “turk” dhe shkollat e minoritetit të quheshin shkolla turke. Edhe legjislacioni grek i vitit 1954 i referohet shkollave të minoritetit turk si shkolla turke. Pastaj qeveria greke ndryshoi kursin dhe e etiketoi si “minoritet mysliman”, siç vazhdon dhe sot e kësaj dite. Është e qartë se me zhdukjen e emrit të përkatësisë etnike zhduket e drejta themelore e identitetit të minoritetit turk për përkatësi kombëtare. Greqia zyrtarisht ndalon tani vendosjen e emërtimit turk për shoqatat dhe organizatat e minoritetit. Duke qenë se kjo përbën një shkelje themelore dhe flagrante të të drejtave kolektive dhe individuale njerëzore të minoritetit turk, ky minoritet e paditi Greqinë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Në vitin 2008 Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut dha vendimin juridik që komuniteti turk në Greqi ka plotësisht të drejtë dhe duhet t’i garantohet liria e vendosjes së emrit “turk” në shoqatat, organizatat, shkollat, dhe kudo që ai përfaqëson veten. Por Athina ka 13 vjet që nuk e zbaton këtë vendim të detyrueshëm të Gjykatës Europiane dhe jo vetëm nuk e zbaton në komunikimin zyrtar, por edhe e ndalon minoritetin turk ta vendosë përkatësinë etnike në identifikimin e tij. Kjo shkelje shkon deri në nivelin e kryeministrit grek K.Micotaqis, i cili në muajin maj e provokoi duke e quajtur fshatin turk Pashevik me emrin Pomakohori, kurse fëmijët e minoritetit turk i quajti fëmijë grekë. Në 30 maj Myftiu i Ksanthit, ku afër gjysma e banorëve janë të minoritetit turk, protestoi ndaj këtij qëndrimi të kryeministrit grek, duke deklaruar se “as grekët dhe as bullgarët nuk mund të vendosin për etnicitetin tonë”. Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mesut Çavushogllu, në prill të këtij viti në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e jashtëm grek Dendias, iu drejtua atij me deklaratën: “Nëse ata thonë se janë turq, ata janë turq dhe ju duhet ta pranoni këtë”.
E vërteta e minoritetit të rëndësishëm turk në Greqi është historike dhe nuk mund të mbulohet dot as me etiketat fetare dhe as me izolimin e tij arsimor dhe zyrtar. Pikërisht se është e vërtetë historike, detyrohen qeveritë dhe diplomacia greke që të lejojnë dhe të pranojnë vizitat zyrtare dhe takimet direkte të udhëheqësve të Turqisë me minoritetin turk në Thrakën Perëndimore, kur ata shkojnë në Greqi për vizita shtetërore. Kështu veproi presidenti i Turqisë Erdogan kur shkoi për vizitë zyrtare në Greqi në vitin 2017, kështu veproi edhe ministri i jashtëm turk Mesut Çavushogllu, kur shkoi për vizitë zyrtare në Greqi në 30 maj të këtij viti.
Qeveria dhe diplomacia greke i përmbahen pikëpamjes autosugjestive se në Greqi nuk ka asnjë lloj minoriteti dhe mendojnë se ia arrijnë këtij pretendimi duke e emërtuar sipas përkatësisë fetare. Por ky është një mision i pamundur, sepse bota diplomatike, akademike dhe mediatike e dinë fare mirë se në Greqi ka disa minoritete etnike. Në 18 shkurt të vitit 2009, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, është shpërndarë një raport i OKB, i hartuar nga ekspertja e pavarur ndërkombëtare e çështjeve të minoriteteve, juristja amerikane Gay McDougall, ku i bëhet thirrje Greqisë të njohë minoritetin turk dhe maqedonas dhe “të përqendrohet në mbrojtjen e të drejtës për vetë-identifikim, për lirinë e shprehjes dhe lirinë e shoqatave për ato komunitete”. Athina e neglizhoi raportin e OKB, por rrota e historisë lëviz përpara. Shkaktoi një tërmet politik, publik dhe historik reportazhi profesional i prestigjiozes britanike BBC, i transmetuar në datën 24 shkurt 2019, me titullin: “Minoriteti i padukshëm i Greqisë-maqedonasit sllavë”. BBC shprehet: “Duke ratifikuar një marrëveshje me Republikën e Maqedonisë së Veriut të sapo emërtuar, Greqia në mënyrë të nënkuptuar njohu ekzistencën e gjuhës dhe të etnicitetit maqedonas. Ajo ka përgënjeshtruar ekzistencën e minoritetit të saj maqedonas për dekada. A do të ndryshojë diçka tani?”. BBC citon historianin grek Leonidas Embiricos që vlerëson se numri i maqedonasve sllavë, që jetojnë në rajonin grek të quajtur “Maqedoni” është mbi 100 mijë vetë.
Shkelja dhe mohimi i të drejtave të minoritetit turk në Greqi evidenton disa realitete, që duhen marrë në konsideratë me seriozitet nga BE, nga Këshilli i Europës apo Parlamenti Europian, dhe që kanë të bëjnë me politikën dhe praktikën qeveritare greke të mohimit të të drejtave të minoriteteve etnike dhe të ekzistencës së tyre.
Së pari, kemi realitetin e asimilimit dhe të shtypjes nëpërmjet instrumenteve shtetërorë të të drejtave dhe të ekzistencës së minoriteteve. Së dyti, kemi antitezën dhe demagogjinë e madhe të qeverisë greke me rivendikimet që Athina paraqet ndaj shteteve fqinjë, ku ka minoritete greke. Athina pretendon zyrtarisht se minoritetet greke kanë të drejtën e vetë identifikimit, kudo që ndodhen. Sipas Athinës zyrtare kanë të drejtë të quhen minoritarë grekë kushdo që thotë se “jam grek”, edhe pa paraqitur si provë dokumentet e prejardhjes familjare nga gjendja civile. Sipas Athinës zyrtare vetë identifikimi i minoritarëve grekë duhet të zbatohet në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut apo në Bullgari, kurse minoritarët në Greqi nuk e kanë të drejtën e vetë identifikimit, sepse qeveria greke nuk e pranon. Athina pretendon që në shtetet fqinjë minoriteti grek të ketë të drejtën e diskriminimit pozitiv dhe të gëzojë të drejta përtej numrit të vogël të tij në shtetet fqinjë. Por brenda në Greqi jo vetëm nuk e zbaton diskriminimin pozitiv për minoritetet, por i persekuton dhe i diskriminon hapur, duke mos i njohur zyrtarisht dhe duke mos i lejuar të përdorin as identifikimin e tyre etnik.
Greqia e ka pasur shumë të lehtë të mohojë minoritetin shqiptar në Greqi, sepse Tirana kurrë nuk ka shtruar në bisedimet dypalëshe apo të ketë kërkuar minoritet shqiptar në Greqi. Turqia dhe Maqedonia e Veriut kane shtruar në bisedimet dypalëshe dhe kanë kërkuar vazhdimisht të drejtat e minoriteteve të tyre, dhe prandaj bota diplomatike sot flet për minoritet turk dhe maqedonas në Greqi, por nuk flet për minoritet shqiptar. Athina mohon ekzistencën e minoritetit shqiptar në Greqi, në një kohë kur në periudhën midis dy luftërave botërore qeveria greke ka pranuar zyrtarisht ekzistencën e minoritetit shqiptar në Çamëri, madje e ka deklaruar edhe në Lidhjen e Kombeve. Pas represionit të jashtëzakonshëm të qeverive greke ndaj popullsisë çame në Greqi, është e kuptueshme se Athina do të këmbëngulë që të mos hapet dosja e çështjes çame. Tragjizmi në rastin e minoritetit çam në Greqi është se Shqipëria nuk arriti dot asnjëherë të ngrihej as në nivelin e Shkupit në përpjekjet për njohjen statusit të minoritetit çam në Greqi dhe për realizimin e të drejtave të tij të humbura. Sepse është vërtet skandaloze që në vitin 2017 qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë pranuan që qeveria greke të mos lejonte përfshirjen e çështjes çame në të ashtuquajturën paketë të çështjeve të pazgjidhura në bisedimet midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ky qëndrim i papranueshëm shqiptar ishte në kundërshtim me vetë programin zyrtar të qeverisë socialiste, të miratuar në Kuvend në shtator të vitit 2013, ku afishohet çështja çame si çështje politike e dosjes së bisedimeve midis dy vendeve.
Çështja e të drejtave të minoritetit etnik turk në Greqi është bërë një çështje e mprehtë diplomatike në marrëdhëniet midis Turqisë dhe Greqisë, sepse Athina nuk zbaton as të drejtat minimale të minoritetit, që i takojnë sipas Konventave Europiane, të cilat i ka nënshkruar edhe Athina. Këtu del një mësim i madh për diplomacinë dhe për qeverinë e Shqipërisë, të cilat duhet të ndjekin me vëmendje politikën dhe qëndrimet greke ndaj minoriteteve në Greqi, para se të plotësojnë pretendimet megalomane dhe rivendikimet e paligjshme të Athinës për minoritetin e vogël grek në Shqipëri. Qeveritë dhe diplomacia shqiptare do të jenë në nivelin e duhur të detyrave të tyre shtetërore dhe kushtetuese, kur të zbatojnë reciprocitetin dhe të kërkojnë njohjen e minoritetit shqiptar në Greqi që nga Thesprotia e deri në Athinë. Kryeministrat, presidentët dhe ministrat e jashtëm të Shqipërisë duhet të marrin shembull nga udhëheqësit e Turqisë për protokollin e vizitave të tyre në Greqi, sepse asnjë udhëheqës turk nuk ka bërë vizita në Greqi pa shkuar dhe te rajonet e minoritetit turk atje. Ky është një borxh i madh i pashlyer kombëtar dhe shtetëror i gjithë udhëheqësve shqiptarë gjatë 30 viteve të postkomunizmit, që nuk shkuan njëherë t’i hedhin një sy rajoneve të minoritetit shqiptar nga Parga deri në Kostur. Ndaj një orë e parë duhet që çdo kryeministër apo ministër i jashtëm i Shqipërisë kur të shkojë në Greqi të kujtohet për këtë borxh kombëtar. Nuk ka ndodhur kurrë deri tani për shkak të kompleksit permanent të inferioritetit shqiptar, por besimi është se do të vijë dita kur Shqipëria do të ngrihet në nivelin e shteteve të tjera sovrane të rajonit. Siç kam theksuar në librin tim të fundit “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë”: “Historia vonon, por nuk harron për të nxjerrë nga dheu të vërtetat e groposura. Edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare ka diçka të ngjashme me arkeologjinë. Të varrosura në dekada e shekuj, dalin në dritë artefaktet e pamohueshme, që dëshmojnë nevojën e korrigjimeve dhe të rivendosjes së historisë dhe të së drejtës. Kështu po ndodh e do të ndodhë edhe me çështjen e minoriteteve në Greqi. Do apo nuk do, Greqia po përballet me çeshtjen e minoritetit turk, maqedonas, shqiptar, etj.” (Tiranë 2021,fq.61). DITA