Marre nga Zeri i Amerikes
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian shprehën të mërkurën shqetësimin me tensionet në veriun e Kosovës, ndërsa u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë të punojnë për krijimin e një mjedisi për pajtim dhe qëndrueshmëri rajonale.
Në një komunikatë të përbashkët të zyrtarëve të DASH-it dhe BE-0së u bëhet thirrje të gjithëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të zbutur pa kushte situatën dhe të përmbahen nga provokimet, kërcënimet apo frikësimet.
“Ne po punojmë me presidentin (Aleksandar) Vuçiç dhe kryeministrin Albin Kurti për të gjetur një zgjidhje politike për të zbutur tensionet dhe për të rënë dakord për rrugën përpara në interes të qëndrueshmërisë, sigurisë dhe mirëqenies së të gjitha komuniteteve lokale”, thuhet në komunikatë në të cilën mirëpriten “garancitë e udhëheqjes së Kosovës që konfirmojnë se nuk ekzistojnë lista të qytetarëve serbë ë do të arrestohen apo ndiqen penalisht për protesta/barrikada paqësore. Në të njëjtën kohë, sundimi i ligjit duhet të respektohet dhe çdo formë dhune është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet”.
Shtetet e Bashkuara, thuhet më tej do të mbështesin punën e Bashkimit Evropian përmes Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), i cili në përputhje me mandatin e tij, “do të vazhdojë të vëzhgojë nga afër të gjitha hetimet dhe procedurat pasuese për të promovuar respektimin e të drejtave të njeriut. Kjo përfshin, në veçanti, garancitë e gjykimit të drejtë, si dhe mbrojtjen dhe trajtimin e barabartë për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë në Kosovë”.
Në komunikatë thuhet se Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen krijimit të një mjedisi të favorshëm për pajtimin, qëndrueshmërinë rajonale dhe bashkëpunimit për të mirën e qytetarëve të tyre.
“Të gjitha detyrimet që dalin nga bisedimet duhet të zbatohen plotësisht dhe pa vonesë”, përfundon komunikata.