Gazeta Nacional Albania

SHBA: Nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim territoresh Kosovë – Serbi

 

Shtetet e Bashkuara theksuan të ënjtën se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se bisedimet ndërmjet të dyja vendeve duhet të çojnë në njohje të ndërsjellë.

Këto komente u bënë në një deklaratë të përbashkët të ambasadorit Richard Grenell i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovës – Serbi, ambasadori amerikanë në Kosovë, Philip Kosnett dhe përfaqësuesit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

 

Në deklaratë thuhet se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah qytetarëve të Kosovës. “Ne i vlerësojmë përpjekjet e vazhdueshme të profesionistëve të shëndetësisë dhe të tjerëve që janë duke punuar shumë, ndonëse nën rrezik, për të penguar zgjerimin e COVID-19 në Kosovë. Në këtë kohë të pasigurisë, ne i nxisim udhëheqësit e Kosovës që të veprojnë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe sundimin e ligjit. Ne jemi të përkushtuar që të punojmë me çdo qeveri të formuar përmes procesit kushtetues”.

Për më tepër, thuhet në deklaratë, “vazhdojmë t’u bëjmë thirrje udhëheqësve të Kosovës që të heqin tarifat tërësisht. Besojmë se tarifat po dëmtojnë qytetarët e Kosovës duke penguar bashkëpunimin rajonal kundër COVID-19 – përfshirë edhe pengimin e hyrjes në Kosovë të furnizimeve të nevojshme, dhe duke penguar rritjen ekonomike”.

“Duam ta bëjmë të qartë, se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç kanë spekuluar disa. I dërguari i posaçëm presidencial, Richard Grenell, nuk e ka parë dhe as diskutuar kurrë një plan të tillë” thuhet në deklaratë në të cilën nënvizohet se “përqendrimi i qeverisë amerikane në mbështetjen e marrëveshjeve të fundit për të rivendosur lidhjet ajrore, hekurudhore dhe autostradën midis Kosovës dhe Serbisë synon të përmirësojë ekonominë dhe të krijojë një vrull ekonomik. Ne besojmë se ky vrull do t’i japë energji të re një procesi dialogu që do të çonte në njohje të ndërsjellë”, thuhet në deklaratë.

Deklarata e diplomatëve amerikanë u bë një ditë pasi që parlamenti i Kosovës miratoi mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Kosovës, që u hodh nga Lidhja Demokratike.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha të enjten se “qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes. Ndërkaq kuptimi i mosbesimit ishte porosia ambasadorit Grenell: në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial”.

VOA