TË RIKRIJOSH HARTEN E GRISUR TË ATDHEUT PËRMES LETËRSISË
“Vetëm një njohës i thellë i historisë së kombit të vet si Pajtimi mund ta hedhë një rrugëtim të tillë kaq të madh, duke na i sjellë para syve, të gjallë, të prekshëm,ashtu,heroikë dhe krenarë paraardhësit tanë pellazgë, ilirë, epirotë e maqedonë.”
Nga Verona e Italisë du të shkruaj pk radhë për shokun dhe mikun e fëmijërisë, të gjimnazit e të jetës në vijim, Pajtim Xhelon, një prozator i shkelqyer dhe mjeshter i tregimit. Po ndihem i dehur nga një krenari e ligjshme, sepse sapo lexova historianin e lashtësisë, Herodotin që përmend se qytetin e Romeos e të Zhulietës e kanë themeluar dardanët ilirë, ashtu si edhe Trojën.Dhe natyrisht nuk mund të veçoj këtë fakt nga tematika e tregimeve të Pajtimit, tematikë që nis rrugëtimin historik të kombit tonë, kombit më të vjetër në Europë, që nga Pellazgët e Ulpianës, Draudakut, Pelas, Ambrakisë, tek ilirët e Skodrës, Dyrrahut e Lisit, Mathis, Amantiies, Taulantisë, epirotëve të Thesprotisë, Molosisë dhe Kaonisë e deri te Çamëria, , Dardania e sotme, Kosturi, Konica, Follorina etj. Vetëm një njohës i thellë i historisë së kombit të vet si Pajtimi mund ta hedhë një rrugëtim të tillë kaq të madh, duke na i sjellë para syve, të gjallë, të prekshëm,ashtu,heroikë dhe krenarë paraardhësit tanë pellazgë, ilirë, epirotë e maqedonë. Pasi lexon këto tregime zhytesh thellë në oqeanin e kohës, përkundesh, nanuritesh e përplasesh në dallgët e tij që e grryen dhe e tkurrën kombin tonë në mijëravjeçarë. Ky përjetim është më i fuqishëm te ne shqiptarët jashtë atdheut që fati i keq na degdisi nëpër udhët e botës në kërkim të fatit të mirë. Nuk ke si të mos derdhësh lotë të hidhur kur lexon tregimin ” Legjenda e Braktisjes”, apo tregimin ” Kish lulëzuar Qershia” apo ” Shtëpia buzë lumit” e disa tregime të tjerë, ku me mjeshtëri artistike shkrimtari ynë i dashur trajton në mënyrën më njerëzore dhëmbjen e dikujt, për ta hedhur pastaj si lumë dhëmbjeje masive në një shtrat të trazuar nga kohët.
Pellazgët, ilirët, epirotët,maqedonët ilirë , të parët tanë janë gdhendur mjeshtërisht nga arti i përkryer i Pajtimit tonë si personazhe që përfaqësojnë heroikën, sakrificat për mbijetesë të ngritura shpesh deri në piedestal legjende,veç një lloj legjende që ka jetuar e jeton krahas fatit të keq të kombit tonë. Të duket ndonjëherë se ata janë aty, të rreshtuar në legjione shpirtërash të përjetshëm, të pavdekshëm, në përjetësimin e të cilëve ka ndikuar dukshëm pena e artë e Pajtimit. Me sa thjeshtësi te tregimi ” Çudia e Triestes” shkrimtari njehëson jetën e ditëve të sotme në atë qytet me të kaluarën e largët ilire , madje pellazge me anë të fjalëve të një njeriu në komë, kuptimin e të cilave e dha vetëm gjuha shqipe. E, pra ky është art i vërtetë. Me vërtetësi, me paanshmëri, me objektivitet, autori trajton miqtë dhe armiqtë e kombit, me siguri dhe me trimëri mban qëndrim ndaj pashallarëve tradhëtarë të dikurshëm të vendit si dhe ndaj politikanëve të papërgjegjshëm të sotëm, të zhveshur nga morali dhe idealet kombëtare e njerëzore. Në art nuk ka nevojë të përdorësh sharje e fyerje për të paraqitur të keqen dhe keqbërësit. Mënyra si i tregon Pajtimi ngjarjet akuzon ëmbël dyfytyrësinë dhe imoralitetin politik
Diçka tjetër që e bën të veçantë librin e Pajtimit është është njehësimi i trojeve tona etnike me karakteristikat e përbashkëta të jetesës, zakoneve dhe sjelljeve të personazheve. Sa bukur dhe natyrshëm bëhet kjo gjë ! Edhe pse në kohë të ndryshme , personazhet duket sikur njerën këmbë e kanë vendosur në Dalmati, tjetrën në Artë e Prevez. Të tjerë njerën këmbë në Dardani e tjetrën në Selanik. Persona që veprojnë buzë detit Adriatik e Jon, buzë detit Egje, në malet e Sulit e në Kerauni, në malet e Sharrit e në Thesproti. Të gjithë flasin gjuhën e lashtë pellazge. Sa të madhe e të përjetëshme ta japin tregimet e Pajtimit Shqipërinë. Të madhërishme e të madhe. Le të marrim shembull nga dashuria e habitëshme e këtij njeriu për kombin dhe atdheun, dashuri që i ngjan një burimi që nuk do shteri kurrë. Ky njeri ka gërrmuar në çdo kilometër të trojeve tona si një arkeolog i palodhur për të zbuluar gjurmët e dhimshme të fatit tonë të keq, mbuluar me dhimbje e gjak, ka folur me historiografë, gjeografë dhe studiues të lashtësisë, ka krahasuar thëniet e tyre për popullin e tij dhe ka dalë në përfundime logjike e me vërtetësi tëpakundërshtueshme se se Ilirët, Epirotët, Maqedonët e Thrakët ishin vëllezër e kushërinj të parë pellazgë nëBallkan mijëra vite para se të vinin aty grekët. Këto ai i mbron me fakte dhe arsyetime logjike dhe ajo që është me vlera unikale është se na i jep artistikisht në krijimtarinë e tij
Në laitmotivin e atdhedashurisë së tregimeve të Pajtimit, tregimet për Çamërinë Shqiptare, të martirizuar e përvëluar nga genocidi fashist racist e kishtar i shtetit të grek, zene një vend të rëndësishëm, krahas atyre të trojeve shqiptare të Kosovës, Maqedonisë, e Malit të Zi. Me kurajo atdhetari, me art brilliant e dashuri njerëzore, autori mundohet të kulmojë atë heshtje gjysmë shekullore të diktaturës për këtë krahine të lavdishme, që u sakrifikua për shqiptarizmin dhe mostjetersimin. Sot, që në pazarlleqet e politikanëve të Tiranës, Çamëria dhe kauza e saj anashkalohet ose tregtohet, vepra e P. Xhelos, merr vlera të shumëfishta :artistike, atdhetare e politike.
Ndërkohë që njerëzit që duhet të merren me historinë e gjuhësinë, duke filluar që nga akademikët tanë pranojnë Himarën si minoritet dhe absurdin që myzeqarët janë ilirë të sllavizuar apo të tjera antikombëtarizma të këtij lloji, Pajtimi denoncon marrëveshjet serbo- turke dhe greko – turke për shpopullimin e Kosovës, Hotit e Grudës, Sanxhakut , Çamërisë, Konicës,Follorinës e Kosturit, sidomos këto tre të fundit që historianët dhe studiuesit shqiptarë nuk i përmendin asnjëherë, sikur të mos kishin qenë kurrë shqiptare. Mund të flasësh aq shumë për vlerat e krijimtarisë së mikut tonë, Pajtimit, por, jam i sigurt se edhe ato që përmenda janë të mjaftueshme për t’i dhëne atij përmasa kombëtare. Le t’i urojmë udhëtim të gjatë mendjes, shpirtit dhe penës së Pajtim Xhelos!