Site icon Gazeta Nacional Albania

“Shkolla që frymëzon, jo vetëm që meson”. Nga Estela Gecaj

“Shkolla që frymëzon, jo vetëm që meson”

 

 

Në një kohë kur arsimi përballet me sfida të shumta, shpesh vëmendja përqëndrohet te programet mësimore, teknologjia apo infrastruktura. Të gjitha këto janë të rëndësishme, por një element mbetet vendimtar: drejtimi i shkollës. Një shkollë cilësore nuk është produkt i rastësisë; ajo ndërtohet çdo ditë përmes një drejtimi me vizion, profesionalizëm dhe përgjegjësi.

Nga përvoja ime, kam kuptuar se një shkollë nuk ndryshon nga një vendim i vetëm dhe as nga një projekt i vetëm. Ajo ndryshon përmes punës së vazhdueshme, bashkëpunimit dhe një vizioni të përbashkët. Pikërisht ky vizion e shndërron shkollën nga një institucion ku thjesht zhvillohen orët e mësimit në një komunitet ku nxënësit ndihen të motivuar për të mësuar, për të krijuar dhe për të marrë pjesë.

Në vitet e fundit, në shkollat tona janë ndërmarrë nisma që synojnë ta bëjnë arsimin më gjithëpërfshirës dhe më afër interesave të nxënësve. Projekte si “Art, Zeje dhe Sport”, “Festivali i Shkencës”, “Toka në Shkollë”, përdorimi i Inteligjencës Artificiale në procesin mësimor, si edhe zhvillimi i modelit të Shkollës Qendër Komunitare, janë shembuj të mënyrave se si shkolla mund të krijojë më shumë hapësira për zhvillimin e çdo fëmije.

Këto iniciativa nuk kanë vlerë vetëm sepse sjellin aktivitete të reja. Ato u japin mundësi nxënësve të zbulojnë aftësi që ndonjëherë nuk shfaqen gjatë një ore të zakonshme mësimi. Një nxënës mund të mos jetë më i miri në matematikë, por mund të jetë një sportist i talentuar, një artist krijues, një debatues i shkëlqyer ose një i ri me aftësi të spikatura në teknologji. Detyra e shkollës është t’i krijojë secilit mundësinë të gjejë vendin ku mund të shkëlqejë.

Pikërisht për këtë arsye, klubet e ndryshme në shkollat qendër komunitare, si Klubi i Librit, Klubi i Shëndetit, Klubi i Sportit, Klubi i Debatit, Klubi i Shkencës apo klubet artistike, kanë një rol të rëndësishëm. Ato krijojnë mundësi që nxënësit të bashkëpunojnë, të zhvillojnë aftësi sociale, të forcojnë vetëbesimin dhe ta shohin shkollën si një vend ku ia vlen të qëndrosh, jo vetëm sepse duhet, por sepse ndihesh pjesë e saj.

Edhe Inteligjenca Artificiale po hap një kapitull të ri në arsim. Ajo nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë mësuesin, por mund të bëhet një mjet i vlefshëm për të personalizuar të nxënit, për të nxitur kreativitetin dhe për t’i përgatitur të rinjtë për sfidat e së ardhmes. Sfida jonë si drejtues dhe si mësues është të dimë ta përdorim këtë teknologji me përgjegjësi dhe në shërbim të edukimit.

Besoj se suksesi i një shkolle nuk matet vetëm me rezultatet në provime apo me numrin e nxënësve ekselentë. Ai matet edhe me buzëqeshjen e nxënësit që më parë nuk merrte pjesë në asnjë aktivitet dhe sot është pjesë e një klubi; me fëmijën që gjen guximin të prezantojë një projekt shkencor; me të riun që zbulon talentin e tij në sport, art apo letërsi. Këto janë fitore që nuk pasqyrohen gjithmonë në statistika, por që ndikojnë në formimin e individit dhe në kulturën e shkollës.

 

Një drejtim me vizion nuk synon vetëm rezultate më të larta akademike. Ai synon të ndërtojë një shkollë ku çdo nxënës ndihet i pranuar, i respektuar dhe i motivuar për të dhënë më të mirën sipas mundësive të veta. Kjo është, në bindjen time, përgjegjësia më e madhe e çdo institucioni arsimor.

Çdo brez meriton një shkollë që jo vetëm u mëson nxënësve njohuri, por u zgjon kureshtjen, u ushqen ëndrrat dhe u jep besimin se mund të arrijnë më shumë. Një shkollë e tillë ndërtohet nga mësues të përkushtuar, mbështetet nga prindër që besojnë te partneriteti me shkollën dhe udhëhiqet nga drejtues frymëzues. Sepse, në fund të fundit, një shkollë e mirë nuk ndërtohet rastësisht; ajo drejtohet me vision.

 

Estela Gecaj, nëndrejtore shkolle

Exit mobile version