Site icon Gazeta Nacional Albania

SHKRIMTARI ADNAN MEHMETI PËRUROI NË UNIVERSITETIN EUROPIAN TË TIRANËS LIBRIN “SIMFONIA E UDHËTIMEVE”

“Shkrimtari dhe poeti shqiptaro-amerikan solli për lexuesit e tij ne Tiranë, një vepër të re me shënime udhëtimi, kujtime, portrete njerëzore dhe peizazhe kulturore nga vende të ndryshme të botës”.
Në Universitetin Europian të Tiranës u zhvillua sot (4 shtator 2026), veprimtaria letrare kushtuar përurimit të librit më të ri të shkrimtarit, poetit dhe publicistit shqiptaro-amerikan Adnan Mehmeti, “Simfonia e udhëtimeve”, një vepër që i kushtohet përvojës së udhëtimit, njohjes së botës dhe takimit me njerëzit, kulturat dhe hapësirat që autori ka përshkuar gjatë viteve.
Veprimtaria mblodhi në një prej mjediseve universitare të Tiranës shkrimtarë, poetë, studiues, pedagogë, botues dhe miq të autorit. I pranishëm ishte edhe vetë Adnan Mehmeti, i cili kishte ardhur posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë veprimtari dhe për t’u takuar me lexuesit, kolegët, shkrimtarët dhe miqtë e tij në Tiranë.
“Simfonia e udhëtimeve” shfaqet si një libër ku udhëtimi nuk mbetet thjesht një lëvizje nga një vend në tjetrin, por shndërrohet në një mënyrë të veçantë për të lexuar botën. Në faqet e tij ndërthuren përvoja personale, mbresa, peizazhe, personazhe, qytete, vende dhe episode që marrin kuptim përmes këndvështrimit të një autori që e njeh nga afër edhe përvojën e emigrimit, të diasporës dhe të komunikimit ndërmjet kulturave.
Një takim letrar me autorin dhe veprën
Veprimtarinë e hapi Suadela Balliu, drejtore e Botimeve UETPRESS, e cila edhe moderoi takimin. Ajo vlerësoi botimin e ri të Adnan Mehmetit dhe shprehu kënaqësinë për praninë e autorit në këtë veprimtari letrare në Tiranë.
Në vijim, prof. Henri Çili foli për rëndësinë që kanë në publicistikën dhe letërsinë dokumentare shqiptare vepra të tilla, të cilat ndërthurin vlerën dokumentare me atë estetike dhe letrare. Ai nënvizoi kontributin e Botimeve UETPRESS gjatë 24 viteve në promovimin e letërsisë, autorëve dhe veprave me rëndësi për kulturën shqiptare.
Prof. Çili prezantoi gjithashtu një album të ri me 100 piktura të Ismail Kadaresë, ndërsa foli edhe për planet e Botimeve UETPRESS për vitin e ardhshëm, i cili përkon me 25-vjetorin e këtij institucioni botues të njohur në Shqipëri dhe në hapësirat shqiptare.
Mujë Buçpapaj: Adnan Mehmeti sjell një përvojë të re të udhëpërshkrimit
Në këtë veprimtari foli edhe dr. Mujë Buçpapaj, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, studiues i letërsisë, poet dhe botues i gazetës letrare e kulturore “Nacional”.
Në kumtesën e tij, Buçpapaj u ndal gjerësisht në vlerat estetike dhe stilistike të librit “Simfonia e udhëtimeve”, duke vënë në dukje mënyrën se si autori e ndërton marrëdhënien ndërmjet udhëtimit, kujtesës, vëzhgimit dhe përjetimit njerëzor.
Ai e vlerësoi librin si një kontribut të ri në traditën e udhëpërshkrimit shqiptar, duke theksuar se Adnan Mehmeti sjell një përvojë të veçantë, e cila ndërthur dimensionin kombëtar me atë ndërkombëtar.
Në fjalën e tij, Buçpapaj e cilësoi Mehmetin një figurë të shumëanshme të kulturës shqiptare: poet, shkrimtar, publicist, botues dhe president i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, duke vlerësuar veprimtarinë e tij të vazhdueshme në promovimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në botë.
Sipas Buçpapajt, “Simfonia e udhëtimeve” dëshmon se udhëtimi mund të kthehet në një përvojë të mirëfilltë letrare, ku hapësira gjeografike bëhet njëkohësisht hapësirë e kujtesës, reflektimit dhe njohjes. Bucpapaj theksoi mes te tjerash se ” Në pikëpamje strukturore, Simfonia e udhëtimeve është një vepër me natyrë të theksuar ndërzhanrore. Ajo ndërthur udhëpërshkrimin me esenë, ditarin me kujtesën, publicistikën kulturore me reflektimin historik dhe prozën me poezinë. Kjo përzierje nuk është rastësore. Vetë udhëpërshkrimi modern komunikon me historinë, gazetarinë, antropologjinë, autobiografinë dhe studimet kulturore.
Prandaj, vepra kërkon një lexim ndërdisiplinor. Edhe profili krijues i Adnan Mehmetit e ndihmon këtë lexim. Si poet, prozator, publicist, botues dhe figurë e rëndësishme e jetës kulturore shqiptaro-amerikane, ai e sjell në libër përvojën e individit, por edhe vështrimin e intelektualit që e vendos përvojën personale në marrëdhënie me historinë, kulturën dhe komunitetin.
Në fund, udhëtimi i Mehmetit fiton edhe një dimension filozofik. Njeriu niset për të parë botën, por gjatë rrugës zbulon veten. Niset për të njohur qytetet, por takon historinë. Niset për të parë monumentet, por ndeshet me kujtesën.Niset për të njohur kulturat e tjera, por rikthehet te pyetjet themelore mbi identitetin dhe përkatësinë. Në këtë pikë, udhëtimi bëhet metaforë e vetë ekzistencës njerëzore: nga vendlindja drejt botës, nga e kaluara drejt së tashmes, nga kujtesa drejt së ardhmes, dhe nga vetvetja drejt njohjes së vetvetes”.
Emi Krosi: Një vepër që pasuron traditën e udhëpërshkrimit
Studiuesja e letërsisë Emi Krosi vlerësoi gjithashtu librin, duke u ndalur në gjuhën, stilin, fjalorin dhe fuqinë përshkruese të autorit.
Ajo theksoi se Mehmeti arrin të ndërtojë një tekst ku përshkrimi i vendeve dhe i personazheve shoqërohet me reflektime që i japin udhëtimit një dimension më të gjerë kulturor dhe njerëzor.
Sipas saj, kjo vepër nuk pasuron vetëm bibliografinë e autorit, por edhe fondin e udhëpërshkrimit shqiptar.
YllkaLezo: Pasuri personazhesh, ambientesh dhe pamjesh
Për librin foli edhe Yllka Lezo, botuese e gazetës “Diaspora”, e cila u ndal te pasuria e personazheve, ambienteve dhe pamjeve që autori sjell në faqet e veprës.
Ajo e cilësoi “Simfonia e udhëtimeve” një libër të veçantë dhe përgëzoi autorin për këtë botim, i cili, sipas saj, i jep lexuesit mundësinë të udhëtojë përmes fjalës dhe përvojës së autorit.
Përparim Hysi: Një krijimtari e lidhur me kulturën dhe identitetin shqiptar
Shkrimtari Përparim Hysi foli për vlerat e librit dhe krijimtarinë e gjerë të Adnan Mehmetit. Ai vlerësoi autorin si shkrimtar, poet, publicist dhe kritik të letërsisë, duke nënvizuar njëkohësisht lidhjen e fortë të krijimtarisë së tij me kulturën dhe identitetin shqiptar.
Kozeta Zavalani interpretoi poezitë e autorit
Një moment i veçantë i veprimtarisë ishte interpretimi i dy poezive të Adnan Mehmetit nga poeteshë Kozeta Zavalani.
Ajo i interpretoi poezitë me mjeshtëri artistike, duke i shoqëruar me një koment mbi librin dhe vlerat e tij estetike, dokumentare dhe shkrimore.
Interpretimi poetik i dha veprimtarisë një dimension të veçantë artistik, duke krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet poezisë së autorit dhe botës së përshkruar në “Simfonia e udhëtimeve”.
Takime me lexuesit dhe planet për panairin e librit në SHBA
Veprimtaria u mbyll me një koktej të shtruar me këtë rast, ku autori pati mundësi të takohej dhe të bisedonte me pjesëmarrësit, të bënte fotografi dhe t’u përgjigjej pyetjeve të shumta lidhur me librin, krijimtarinë e tij dhe projektet e ardhshme.
Në qendër të bisedave ishte edhe panairi i librit që pritet të zhvillohet gjatë muajit tetor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të një veprimtarie të përbashkët të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë në SHBA, Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Kjo veprimtari synon të shërbejë si një hapësirë e rëndësishme për promovimin e letërsisë shqipe, autorëve shqiptarë dhe librit shqip në diasporë, duke forcuar lidhjet kulturore ndërmjet shkrimtarëve shqiptarë në Shqipëri, Kosovë dhe në komunitetet shqiptare jashtë vendit.
Për Adnan Mehmetin, përurimi i “Simfonia e udhëtimeve” në Tiranë ishte një rikthim simbolik te lexuesi shqiptar, ndërsa për publikun letrar të kryeqytetit, veprimtaria ishte një mundësi për të njohur nga afër një vepër të re dhe një autor që prej vitesh zhvillon veprimtarinë e tij krijuese dhe kulturore në hapësirën shqiptare dhe atë ndërkombëtare.
GAZETA NACIONAL
Exit mobile version