Zoti Pandeli, së pari ju uroj 80-vjetorin e ditëlindjes! Ju jeni një shkrimtar shumë i njohur në shkallë vendi me botimet në letërsinë për të rritur e për fëmijë po dhe në shkrimet e shumta që keni publikuar: kritika letrare dhe intervistat në televizionet kombëtare, si pedagog e gazetar. Ju keni një jetë që i jeni kushtuar letërsisë. Keni një përvojë të vyer si punonjës në institucionet shtetërore, po kaq shumë i angazhuar në letërsi. Si e ndien veten shkrimtari Pandeli Koçi në prag të 80-vjetorit të ditëlindjes? A jeni i plotësuar me gjithçka keni botuar deri tani?
Përgjigje: Ende nuk e ndiej veten plak, por jam i pakënaqur se nuk i kam jetësuar ato që kam ëndërruar se do të arrija t’i shkruaja.
Pyetje: Ju njiheni e shkruani me emrin letrar “Sazan Goliku”. A ka një arsye që ju është dashur të përdorni edhe pseudonimin?
Përgjigje: Nuk ka asnjë arsye ose shkak. Siç e thatë dhe ju, ky është një emër letrar dhe jo pseudonim (emër i rremë). Përdorimi i një emri letrar njihet në historinë e letërsisë dhe të artit deri në ditët tona. Kjo dukuri as e ngre as e ul vlerën artistike të veprës së krijuesit. Për mua ka qenë një tekë rinore, ndoshta për të imituar shkrimtarë të njohur shqiptarë dhe të huaj si Mark Tueini dhe Migjeni etj.
Pyetje: Arti juaj, si në prozë ashtu dhe në poezi, karakterizohet nga lakonizmi. Ju nuk rendni drejt faqeve të shumta. Cilat janë avantazhet e të shkruarit kështu?
Përgjigje: Çështje stili e autorit dhe parapëlqim i lexuesit. Nuk ka kurrfarë avantazhesh; ka rreziqe, se mund të biesh në proleksitet, kur shkruan gjatë, siç mund të biesh në cerebralitet kur shkruan shkurt.
Pyetje: Ju keni qenë edhe pedagog, keni dhënë leksione në universitetin e Tiranës në kursin special për letërsinë e Kosovës. Sa ndikoi ky kurs për njohjen e kësaj pjese të letërsisë shqipe nga studentët?
Përgjigje: Edhe një qiri të ndriçon në errësirë. Ishte caktuar që leksionet t’i jepja një herë në javë, ditën e hënë me studentët e vitit të katërt të gjuhë-letërsisë shqipe. Që nga viti 1971 ishin lejuar të botoheshin libra nga Kosova, po këta ishin të paktë dhe të kontrolluar. Unë lëvdohem që kam qenë i pari, i cili redaktoi e përgatiti për shtyp librat me poezi nga Kosova, po dhe romane, drama e letërsi për fëmijë.
Pyetje: Pra, keni një njohje më të thellë për letërsinë e Kosovës. Cili është sot niveli i letërsisë së Kosovës?
Përgjigje: Si niveli i gjithë letërsisë shqipe në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe në ngulimet shqiptare në botë.
Pyetje: A mund të kemi një mekanizëm, forum përbashkues, që letërsitë e dy shteteve tona të mund të promovojnë artin e kulturat si një të vetme? Kjo do të ishte një premisë afatgjatë që do t’i printe bashkimit të dy vendeve. Si mendoni ju?
Përgjigje: Letërsia shqipe është një e vetme kudo dhe cilido që shkruan shqip, pavarësisht ndryshimeve në botën që pasqyron, në dialektin ose nëndialektin që përdor, në parapëlqimet stilistikore, në metodat ose drejtimet letrare. Akademitë dhe institutet tona kanë ura e mundësi komunikimi e bashkëpunimi. Perspektiva historike mes hapësirave shqiptare është e pashmangshme.
Pyetje: Historikisht, libri i ka rezistuar rrebesheve të zhbërjes, por sot atë po e konkuron teknologjia virtuale që po ecën me ritme gjigande dhe po e nëpërkëmbë librin fizik. Cili është mendimi juaj për të ardhmen?
Përgjigje: Zhvillimet e shkencës e të teknologjisë historikisht kanë buruar nga librat. Unë nuk shoh konkurrencë mes tyre. Leximi në gur, në pergamen, në letër ose në kompjutër e kindëll është lexim, studim që e ka çuar më përpara shoqërinë njerëzore. Libri fizik dhe libri dixhital janë vazhdim dialektik i njëri tjetrit. Ne që jemi mësuar, si paraardhësit tanë, me letrën, e kemi të vështirë të pranojmë ndryshimin, jemi besnikë të librit tradicional. Dhe kjo do të vazhdojë për një kohë të gjatë. Që në kohën tonë shumë njerëz nuk përdorin më lapsin ose stilografin, por shkruajnë vetëm në PC. Duam apo nuk duam ne, kjo është dukuri universal e së ardhmes.
Pyetje: Në faqet letrare të disa organeve të shtypit shkruhet në të dy dialektet, pra, jo në gjuhën letrare të miratuar nga Kongresi i Drejtshkrimit. Aktualisht nuk ka një akt përfaqësimi kombëtar që ta përjashtojë Kongresin edhe pse ai u bë në diktaturë. A keni ju një mendim ndryshe për këtë dukuri?
Përgjigje: Gjuha shqipe standarde është një arritje e madhe popullit shqiptar, e shtetit dhe kombit tonë. Përdorimi i saj në institucionet shtetërore, në institucionet arsimore etj, është një detyrim ligjor. Nuk ka asnjë ndalim përdorimi në familje dhe në shoqëri. Në krijimtarinë letrare çdo autor përdor në shkrimet e librat e tij edhe dialektin ose nëndialektin përkatës dhe askush nuk e ka ndaluar.
Pyetje: Ka një numër të madh përkthimesh të librave të nobelistëve, të shkrimtarëve të traditës e bashkëkohorë botërorë që ribotohen te ne për çdo vit. Mos po e konkuron tregun e librit botimi i autorëve të huaj?
Përgjigje: Po, e konkurron. Është detyrë atdhetare e botuesve dhe e institucioneve përkatëse shtetërore të investojnë për letërsinë shqipe, për të arritur atë që na këshillon Faik Konica: “Duhet të botojmë 50% letërsi shqipe dhe 50% letërsi të huaj”.
Pyetje: Cili është vendi dhe roli i kritikës letrare në Shqipëri? Kritika profesioniste sot nuk ekziston. Si do të shkojë fati i kritikës letrare në të ardhmen?
Përgjigje: Dihet që kritika letrare është mbështetëse e letërsisë. Me analizat e vlerësimet e saj për krijimtarinë artistike dhe dukuritë letrare, ajo krijon hierarkinë e vlerave dhe kundërvlerave, spikat të bukurën nga banalja e mediokriteti. Edhe te ne kritika ka bërë deri diku përgjithësime e vlerësime objektive, por zig-zaket e saj janë kushtëzuar nga një sërë faktorësh, si: mungesa e fakulteteve ose kurseve të posaçme për përgatitjen teorike dhe estetike, mungesa e gatishmërisë për të lejuar shprehjen e mendimit pa kompromis, dalja e një reviste ku do të pasqyrohej mendimi kritik etj.
Pyetje: Cili është mendimi juaj për vendin që zë letërsia shqipe në tryezën e simotrave europiane apo dhe botërore?
Përgjigje: Pak, shumë pak. Dhe kjo shpjegohet jo aq me nivelin e saj artistik, po me problemin e njohjes, mungesën e përkthimit me nivel të veprave shqipe në gjuhët e mëdha. Janë bërë disa nisma nga Ministria e Kulturës, për të nxitur përkthimet nga shqipja në gjuhë të huaja, por kërkohet vijëmsi e pandërprerë.
Pyetje: Cili është sipas jush raporti i modernes me tradicionalen në letërsi?
Përgjigje: Nuk mund të flitet për raporte apriori mes tradicionales e modernes, sepse ato ekzistojnë së bashku në të njëjtën kohë, madje edhe te një shkrimtar. Është cilësia artistike e një krijimi letrar, qoftë tradicional ose modern, që përcakton vlerën e vërtetë.
Pyetje: Ka libra të huaj dhe të “autorëve” vendas, që personazhet hyjnë e dalin dhe bëjnë llojet e seksit, sikur jeta qënka vetëm seks (!?) Cili është qëndrimi juaj rreth këtij problemi?
Përgjigje: Librat komercialë, pornografikë ose rozë kanë qenë botuar dhe botohen ende në botë. Edhe te ne pas vitit ’90 nisën të botohen libra të tillë, po me kohë sikur kanë rreshtur, edhe pse ende mund të gjeshë në “buks trotuar” po dhe në librari serioze. Por lexuesit me nivel kulturor nuk i afrohen kësaj letërsie banale ose pa vlera artistike.
Pyetje: Shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare ka qënë disa herë në prag për çmimin “Nobel”. Organizma letrarë dhe personalitete letrare botërore kanë sugjeruar me shkrim mbështetjen për dhënien e këtij çmimi. Nga ana tjetër, disa individë shqiptarë, kanë bërë të kundërtën. Cili është opinioni juaj për këtë problem?
Përgjigje: Kadareja ka fituar disa çmime të rëndësishme me famë botërore. Vepra e tij nderon letërsinë dhe gjuhën tonë. Ne jemi krenarë si shqiptarë që kemi një gjigant të tillë në fushën e artit letrar. Dhënia ose jo e çmimit “Nobel” nuk ka të bëjë me madhështinë e Kadaresë. Është problem i jurisë së “Nobelit” që është “infektuar” nga disa keqdashës, shpirtvegjël dhe zilarësh fatkeq.
Pyetje: Ju keni drejtuar për një periudhë Shoqatën Kombëtare të Shkrimtarëve të Letërsisë për Fëmijë e të Rinj. Cilat kanë qenë gjurmët që ju keni lënë në krye të kësaj shoqate?
Përgjigje: Nuk do të ishte medeste të flas për punën time si kryetar i kësaj Shoqate për 8 vjet. Bashkë me shokët e kryesisë, ku dhe ju jeni anëtar, jemi përpjekur t’i kryejmë detyrat tona edhe pa mundësi financiare dhe pa seli. Ministria e Kulturës e të dy krahëve të politikës ka qenë shurdhe ndaj kërkesave tona për gjallërimin e veprimtarisë sonë dhe përkrahjen e nxitjen e letërsisë për fëmijë e të rinj.
Pyetje: Cilat janë veprat e tuaja letrare?
Përgjigje: Kam botuar 11 libra me poezi, 8 me prozë dhe mbi 30 me poezi e prozë për fëmijë. Por mendoj se shifrat në art nuk janë tregues i vlerave. Ka shkrimtar si Migjeni që me një libër ka mbetur në historinë e letërsisë shqipe. Unë kam shkruar relativisht pak, po në jetëgjatësinë time nuk e kam lëshuar penën nga dora edhe si redaktor për mbi 50 vjet në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, në Kuvendin e Republikës, për revista shkencore etj.
Pyetje: Keni një libër që e mbani më për zemër? Pse?
Përgjigje: Libri me poezi “Epidemi kozmike” (1996). Ndoshta ngaqë ishte libri im i parë, kur u liruam nga dogmat e realizmit socialist dhe nga zhgënjimi i asaj periudhe kur po i shkruaja ato poezi. “Kohët e reja kanë nevojë për stile të reja” ka thënë shkrimtari Robert Musil.
Pyetje: Po të ishit ju deputet i Kuvendit të Republikës, çfarë projektligji do të përpilonit e miratonit për të mbështetur letërsinë e artet?
Përgjigje: Është miratuar në vitet ’90 një ligj për sponsorizimin nga ana e privatëve të veprimtarive letrare dhe artistike, por nuk funksionoi, se organet e pushtetit nuk nxorën aktet nënligjore përkatëse.
Pyetje: Bibliotekat e qyteteve tona nuk furnizohen rregullisht me librin e ri. Çfarë propozoni ju që libri të shkojë deri në bibliotekën e qytetit të fundit të Shqipërisë?
Përgjigje: Po, ky është problem, por më shqetësues është fakti që mungon interesimi i Ministrisë së Arsimit dhe i qendrave arsimore të bashkive për të vajtur libri edhe në bibliotekat e shkollave të fshatrave më të largëta. Kur flasim e shkruajmë për librin, kemi parasysh njerëzit tanë të së ardhmes.
Pyetje: Ç’mendim keni për konkurset letrare? A ka subjektivizëm te ne në dhënien e çmimeve dhe si mund të përsoset procedura e dhënies së çmimeve?
Përgjigje: Natyrisht që ka. Nuk mund t’i shmangesh plotësisht subjektivizmit, se kemi të bëjmë me artin, me shijet e ndryshme, por mund ta minimizosh, duke zgjedhur anëtarë jurie të ndershëm, me përvojë, profesionalizëm e integritet.
Pyetje: Nëse Pandeli Koçit do t’i binte “Telebingoja”, sa libra njëherësh do të botonte? A keni libra gati për botim dhe nuk keni financë për t’i botuar?
Përgjigje: Unë nuk mbaj mend të kem blerë bileta llotarie ose të shkoj të luaj në lodrat e fatit. Nuk kam dashur të fitoj para pa punuar, pa derdhur djersë. Kam gati disa libra, por për një pensionist është e vështirë të përballojë botimin pa sponsorizim dhe shtëpitë botuese kanë përparësi të natyrshme fitimin. Gjithsesi, vazhdoj të shkruaj e të lexoj…
-Ju faleminderit!
-Faleminderit juve që u kujtuat për këtë intervistë në prag të 80-vjetorit të ditëlindjes sime. Një falenderim special kam për të përjavshmen korrekte letrare-artistike “NACIONAL” dhe botuesin e saj, z. Mujo Bucpapaj, ish-studentin tim.
Me këtë rast i uroj të gjithë shqiptarët e në veçanti krijuesit: Gëzuar Vitin e Ri 2022!