SHKRIMTARI IZET DURAKU PËRCILLET NË BANESËN E FUNDIT, NË FASHTIN E TIJ TË LINDJES NË MORIN TË KUKËSIT
Kukës, 23 tetor 2026. U përcoll në banesën e fundit shkrimtari, studiuesi dhe publicisti i mirënjohur Izet Duraku, një nga zërat e spikatur të jetës letrare, kulturore dhe intelektuale shqiptare. Ai do të prehet pranë të të pareve të tij, në varrezat e familjes Duraku, në fshatin e tij të lindjes, Morin të Kukësit, në tokën ku nisën kujtimet e para të jetës së tij dhe me të cilën mbeti i lidhur deri në fund.
Në ceremoninë e përcjelljes morën pjesë familjarë, të afërm, miq, kolegë dhe dashamirës të tij nga Kukësi, Tirana dhe hapësirat shqiptare, të cilët bënë homazhe dhe u përkulën me nderim përpara kujtimit të intelektualit, kulturologut dhe patriotit Izet Duraku.
Izet Duraku u nda nga jeta më 22 tetor 2026, pas një sëmundjeje të rëndë, i rrethuar nga kujdesi dhe dashuria e familjes së tij: bashkëshortes, Kujtimes, vajzës, Evës, djalit, Vetonit, si dhe njerëzve të afërt të fisit, të cilët e deshën dhe i qëndruan pranë deri në frymën e fundit.
Me ikjen e Izet Durakut, kultura shqiptare humbi një intelektual të formuar, një studiues erudit dhe një penë të përkushtuar, por edhe një personalitet që la pas jo vetëm një vepër të çmuar letrare e publicistike, por edhe kujtimin e një njeriu të respektuar në mjediset letrare, akademike, kulturore dhe publicistike.
Vepra dhe fjala e tij mbeten pjesë e kujtesës sonë kulturore, ndërsa prania e tij njerëzore do të vazhdojë të jetojë në kujtimet e familjarëve, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin e të bashkëbisedojnë me të.
Gazeta letrare dhe kulturore “Nacional” i shpreh edhe një herë ngushëllimet më të ndjera familjes Duraku, komunitetit të shkrimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë, si dhe të gjithë miqve, kolegëve dhe dashamirësve të Izet Durakut.
Qoftë i paharruar kujtimi i tij!
Shenim: Fotot janë realizuar nga Demir Reshiti


