Site icon Gazeta Nacional Albania

Shkrimtari Namik Dokle fiton çmimin për romanin më të mirë në Panairin e Parë të Librit Shqip në Shkup

 

Shkup, 7 qershor 2026

Romani “Asnjë trokitje në qiell” i shkrimtarit, publicistit dhe personalitetit të njohur të jetës publike shqiptare, Namik Dokle, është shpallur fitues i çmimit “Romani më i mirë” (Proza më e mirë) në edicionin e parë të Panairit të Librit Shqip, i mbajtur nga 4 deri më 7 qershor në sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Shkup.

Ky aktivitet, i organizuar për herë të parë, mblodhi në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut autorë, botues, studiues dhe dashamirës të librit shqip nga të gjitha trojet shqiptare, duke u shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të vitit. Në përfundim të panairit, juria profesionale ndau vlerësimet kryesore në kategoritë e prozës, poezisë, studimeve letrare, përkthimit dhe letërsisë për fëmijë.

Juria e çmimeve, e kryesuar nga akademiku Ali Aliu dhe me anëtarë studiuesit e njohur Arta Marku dhe Behar Gjoka, vlerësoi nivelin cilësor të veprave pjesëmarrëse, duke e cilësuar romanin e Namik Dokles si një nga arritjet më të spikatura të prozës shqipe të viteve të fundit.

Një moment i veçantë i ceremonisë ishte edhe ndarja e Çmimit të Karrierës për botuesin e njohur kosovar Abdullah Zeneli, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij shumëvjeçar në promovimin e librit dhe kulturës shqiptare.

Pas marrjes së çmimit, Namik Dokle falënderoi organizatorët e panairit, Komunën e Çairit dhe Institutin e Librit dhe Promocionit në Tiranë, si dhe anëtarët e jurisë për vlerësimin e dhënë. Në fjalën e tij, ai kujtoi me emocion çmimin e parë letrar të fituar dekada më parë nga një juri e drejtuar prej shkrimtarit të madh Ismail Kadare, duke e konsideruar këtë vlerësim si një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e tij krijues.

Suksesi i romanit “Asnjë trokitje në qiell” në Panairin e Parë të Librit Shqip në Shkup konfirmon jehonën dhe interesin që kjo vepër ka zgjuar në kritikën dhe publikun shqiptar, ndërsa vetë panairi dëshmoi potencialin për t’u kthyer në një traditë të rëndësishme kulturore mbarëshqiptare, duke forcuar lidhjet mes autorëve, botuesve dhe lexuesve në të gjitha hapësirat shqiptare.

 

 

 

  1. Ndarja e çmimeve kurorëzon Panairin e Parë të Librit Shqip “Shkupi 2026”

Shkup, 6 qershor 2026

Dita e tretë e Panairit të Parë të Librit Shqip “Shkupi 2026” u shënua nga ceremonia e ndarjes së çmimeve letrare, një nga momentet më të rëndësishme të kësaj ngjarjeje kulturore, ku u vlerësuan autorë, studiues dhe përkthyes të shquar nga hapësira mbarëshqiptare.

Juria e përbërë nga akademiku Ali Aliu, studiuesi dhe kritiku letrar Behar Gjoka dhe shkrimtarja Arta Marku, pas shqyrtimit të veprave pjesëmarrëse, ndau pesë çmime kryesore dhe dy çmime speciale, duke vlerësuar kontributet më të spikatura në letërsinë dhe kulturën shqiptare.

Çmimi për “Prozën më të Mirë” iu akordua shkrimtarit Namik Dokle për romanin “Asnjë trokitje në qiell”, ndërsa çmimi për “Poezinë më të Mirë” iu dha poetit të njohur nga Maqedonia e Veriut, Resul Shabani.

Në kategorinë e përkthimit, çmimi për “Përkthimin më të Mirë” iu nda shkrimtares dhe përkthyeses Ana Kove, ndërsa çmimi për “Studimin më të Mirë” shkoi për studiuesin dhe shkrimtarin kosovar Kujtim Shala. Çmimi për “Librin më të Mirë për Fëmijë” iu dha autores Rovena Rrozhani.

Ceremonia u pasurua edhe me ndarjen e dy vlerësimeve të veçanta. Çmimi i Karrierës iu dorëzua botuesit të njohur Abdullah Zeneli, për kontributin e tij shumëvjeçar në promovimin e librit shqip, ndërsa Çmimi Special pas vdekjes iu akordua poetes dhe studiueses së shquar Lindita Ahmeti, në nderim të trashëgimisë së saj letrare dhe intelektuale.

Në ndarjen e çmimeve morën pjesë, përveç anëtarëve të jurisë, edhe kryetari i Këshillit Komunal të Çairit, Muhamed Murtezi, botuesi dhe bashkëorganizatori i panairit Fatmir Toçi, si dhe ministri i Ekologjisë Muhamed Hoxha.

Një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes ishte interpretimi artistik i aktorit të njohur Xhevat Limani, i cili recitoi vargje nga krijimtaria e Naim Frashërit. Mes tyre spikati edhe vargu i famshëm “Gjuha jonë sa e mirë…”, i cili shërbeu si moto frymëzuese e këtij edicioni të parë të panairit.

Veprimtaritë letrare të ditës së tretë zgjuan po ashtu interes të madh te publiku. Vëmendje të veçantë mori promovimi i librit “Jeta ime me Jakovin” të autores Dhurata Xoxa, bashkëshortja e shkrimtarit të madh Jakov Xoxa. Për veprën diskutuan akademiku Ali Aliu, studiuesi Behar Gjoka, shkrimtarja Majlinda Nana Rama dhe Agron Xoxa, i biri i autorit.

Interes të konsiderueshëm ngjalli edhe promovimi i studimit “E vërteta për ngjarjet e Bit Pazarit (1992)” të studiuesit të njohur Qerim Lita, si dhe prezantimet e veprave të romancierit dhe skenaristit Bashkim Hoxha, tregimtarit Ylljet Aliçka, studiueses dhe poetes Majlinda Nana Rama dhe autorit Rexhep Hoti.

I organizuar nga Komuna e Çairit dhe Instituti i Librit dhe Promocionit në Tiranë, me drejtor botuesin Fatmir Toçi, Panairi i Parë i Librit Shqip në Shkup dëshmoi vitalitetin e kulturës shqiptare dhe nevojën për hapësira të përbashkëta që promovojnë librin, autorin dhe dialogun kulturor në mbarë botën shqiptare.

 

Exit mobile version