Gazeta Nacional Albania

Shkrimtarja e njohur Irma Kurti botohet në Kanada, Kamerun dhe Filipine

Shkrimtarja e njohur Irma Kurti botohet në Kanada, Kamerun dhe Filipine

Përmbledhja me poezi titullohet “Love, you don’t know” dhe mban logon e Shtëpisë Botuese Ukiyoto në Kanada

Poetja dhe shkrimtarja shqiptare me banim në Itali, Irma Kurti boton përmbledhjen e saj poetike me titull “I dashur, ti nuk e di”, nën logon e Shtëpisë Botuese Ukiyota në Toronto të Kanadasë. Kopertina e librit është e fotografit Biagio Fortini.
Përmbledhja përmban 70 poezi që ndahen në katër pjesë: “Në një livadh ëndrrash”, “Magjia e dashurisë”, “Dhembje” dhe “Qielli im i melankolisë”. Poezitë zbulojnë emocione dhe ndjesi në momente të ndryshme të jetës së autores: gëzim dhe lumturi, melankoli dhe trishtim.
Vargjet janë të shkruara me një stil të thjeshtë dhe të rrjedhshëm; ata rreken të zbulojnë kompleksitetin e ndjenjave njerëzore. Fjalët mbërrijnë lehtësisht dhe drejtpërdrejt te lexuesit. Ato fokusohen në çastet e përditshme, dashurinë si dhe bukuritë e natyrës. Poezitë e shoqërojnë lexuesin në zbulimin e vendeve të afërta dhe të largëta, por më tepër në një udhëtim të brendshëm për të njohur shpirtin, ndjenjat dhe emocionet.

Libri në gjuhën franceze titullohet “Les souvenirs en vers” dhe mban logon e shtëpisë botuese “Glory Editions” në Kamerun

Doli nga shtypi përmbledhja me poezi e autores shqiptare “Les souvenirs en vers” (Kujtimet në vargje) nën logon e shtëpisë botuese “Glory Editions” në Yaoundé në Kamerun. Në të gjen poezi që i kushtohen bukurive të natyrës si dhe mallit për atdheun, ndjesive të emigrantit, jetës së vrullshme dhe frenetike që nuk të lë kohë të përqendrohesh e të dëgjosh zërin e shpirtit. Në këtë rendje, autorja përpiqet të gjejë të bukurën në natyrë, por mbi të gjitha njërëzoren, ndjenjat e vërteta dhe jo të shtirura në një teatër njerëzor. Ashtu siç shprehet në një nga poezitë me titull “Rreziku” bota e sotme kërcënohet nga një rrezik i madh që nuk është bomba atomike, por vetmia dhe mungesa e dashurisë.
Vargjet përcjellin dëshirën, mallin për të folur gjuhën shqipe, ëmbëlsinë që të lënë në buzë fjalët e saj pikërisht në një vend të huaj. Autorja përcjell me natyrshmëri ndjenjat njerëzore të përjetuara në vetën e parë. Përkthimi i poezive nga anglishtja në frengjisht është bërë nga përkthyesi dhe poeti Gaya Esau. Dy kopje të librit do të jenë pjesë e Bibliotekës Kombëtare “Peuples Noirs” në Kamerun.

Romani në gjuhën angleze titullohet “The last days of a city” dhe botohet nga “Poetry Planet Book” në Filipine.

Pas botimeve të librave me poezi “I dashur, ti nuk e di” dhe “Kujtimet ne vargje” përkatësisht në Kanada dhe në Kamerun, krijimtaria e poetes dhe shkrimtares Irma Kurti kapërcen përsëri kufijtë e Italisë me një botim në prozë të titulluar: “The last days of a city”. Ai mban logon e Shtëpisë botuese “Poetry Planet Book” (Ditët e fundit të një qyteti) në Filipine. Kopertina e librit është e fotografit Biagio Fortini.
Kjo vepër e shkruar gjatë periudhës së mbylljes nga pandemia, në versionin në gjuhën italiane u shpall fituese në Konkursin “Letteratura” 2022, të organizuar nga Instituti Italian i Kulturës në Napoli, në seksionin e romanit të pabotuar.
Në parathënien e librit Manuela Raciti shkruan: “Në një Bergamo të shkretë, të shoqëruar nga vikatja e pandërprerë e ambulancave, fillon historia e Evës. Ky qytet, simbol i vuajtjes dhe i forcës, do të jetë mjedisi perfekt për t’i dhënë jetë këtij romani. Me një stil delikat dhe, në të njëjtën kohë, të drejtpërdrejtë, shkrimtarja Irma Kurti na shpalos jetën e protagonistes, duke treguar të kaluarën – intensive dhe të rëndësishme – të Evës. Falë zhvendosjeve kohore mjeshtërore, si dhe zgjedhjes së një këndvështrimi të shumëfishtë, do të zbulohet lidhja e thellë e saj me nënën, raporti konfliktual midis protagonistes dhe të vëllait, brishtësia emocionale për arsye të mungesës së figurës së babait dhe përpjekja për të krijuar një familje.”
Librat e Irma Kurtit janë botuar në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Itali, Rumani, Kosovë, Filipine, Kamerun dhe Indi.