Gazeta Nacional Albania

SHKRIMTARJA ZANA TAKO RREFEN NË NACIONAL SI E SHKROI ROMANIN E RI “GJAKU I MARTIRËVE TË KOMBIT” Intervistoi: Dr. Mujë Bucpapaj

-Zonja Tako. Sapo keni publikuar romanin “Gjaku i Martirëve të Kombit”, i konsideruar si një dëshmi letrare dhe kulturore e jetës së desidentëve politikë, kryesisht klerit katolik në sistemin e kampeve dhe burgjeve të Shqipërisë gjatë regjimit monist. Çfarë ju shërbeu si shtysë për të shkruar romanin?
– Romani “Gjaku i Martirëve të Kombit”, është dëshmi e gjallë dhe e pamohueshme e vuajtjeve, dënimeve, burgimeve dhe internimeve të njerëzve të pafajshëm, të cilët patën fatin të përjetonin vite nga më të rëndat në jetën e tyre, vite që dëshmojnë, se jeta nuk mund të burgoset, se njeriu nuk mund ta luftojë njeriun, duke e shpallur armik të popullit, në emër të diktatit të asaj kohe. Ky libër është shkruar përmes fakteve të gjalla dhe tronditëse për jetën njerëzore, fakte që dëshmojnë, se diktatura nuk i shërben njerëzimit, përkundrazi. Sot këto fakte duhet të bëhen të gjalla, edhe se ndokush mendon se duhen varrosur, ashtu si të varrosurit pa varre, dëshmi e zhdukjes së krimeve kundër njerëzimit.
-Zonja Zana, përse ky titull “Gjaku i Martirëve të Kombit”?
-Jo pak dashamirës të librit ma kanë bërë këtë pyetje. Vendi ynë ka shumë Martirë, dhe ky martirizim duhet të nderohet ashtu si e meriton. Martir i kësaj diktature të tejskashme, quhet edhe një foshnjë e pafajshme, edhe një nënë e pafajshme, edhe një bijë e pafajshme, edhe një vëlla, burrë, gjysh, gjyshe, kushërirë etj, etj, bij dhe bija nënash që u dhunuan, u burgosën, u internuan dhe u zhdukën pa lënë gjurmë. Kjo jetë e humbur në pafajësi, nuk mund të lihet në harresë, por duhet të ngrihet në lartësinë që i takon, për t’u krenuar çdo komb me Martirët e pafajshëm, gjaku, mundimet dhe sakrificat e të cilëve, dëshmojnë për të mos humbur dhe për të mos u harruar.
-Prifti Lazër është personazhi kryesor i romanit. Një prift dhe filozof, që deri në fund të jetës pavarësisht torturave makabre, nuk iu shua kurrë dashuria për njeriun, për jetën, dhe sidomos për lirinë. Sa i vështirë ka qenë për ty ndërtimi i një personazhi të tillë?
-Figura e priftit Lazër, është personazhi më i dashur për mua në gjithë këtë histori të shkruar dhe të ndërtuar me penë dhe gjuhë misteri. Shpirti i tij mban brenda një botë, ku ndërtohen themelet e dashurisë së njeriut për njeriun, të dashurisë për Krijuesin, i cili na do dhe na mbron, edhe në skutat më të errta të skamjes që kishte ndërtuar diktatura e asaj kohe. Në fjalët, mendimet dhe shprehjet e priftit gjatë komunikimit me bashkëvuajtës brenda qelisë, vihet re, mënyra e shprehjes së asaj mençurie, e cila nuk të braktis edhe në çastet më të vështira të jetës, por të mban të gjallë dhe me frymë, edhe kur ajo duket se po të shterrron nga torturat fizike, shpirtërore dhe mendore.
-Gjuha e mençur që godet ligësinë dhe shantazhin psikologjik, sfidon ata që e quajnë veten të pathyeshëm dhe fuqiplotë, përmes forcës që mendojnë se e zotërojnë. Prifti Lazër shpalos përmes kësaj mençurie, të ushqyer nga dashuria për Krijuesin dhe vëllazërinë, se njeriu është qenie e lirë nga dashuria, se njeriu nuk e ka në dorë jetën e njeriut. Fjala e tij mbi të vërtetën absolute dhe jo të përkohshme, buçet brenda mureve të trishtë të qelive të pista, ku ushqehen njerëz të gjallë, me gatime intrigantësh dhe manipulatorësh. Kjo e vërtetë e madhe, zgjon shpirtra për t’u bashkuar me të vërtetën që nuk mund të bëhet pis, edhe se shpirti vuan dhe bërtet nga dhimbja. Kjo e vërtetë në gojën e priftit, shëron dhe mjekon ata që i gjënden pranë në ato ditë e netë ferri. Kjo figurë është skalitur brenda burgut famëkeq, si simbol i lirisë dhe i dashurisë, duke triumfuar mbi torturat dhe mbi vdekjen.
-Interesante janë edhe dialogjet e personazheve me hetuesin e burgut, ku vihet re ashpërsia e gjuhës së përdorur me terma dhe metodologji, duke na bërë të konstatojmë si zgjuarsinë, ashtu edhe hipokrizinë dhe mashtrimin, dy kahe të kundërta të natyrave të personazheve brenda burgut.
-Nëpërmjet dialogjeve, do të vemë re shkallën e lartë të zgjuarsisë, do të kuptojmë rrënjën e mashtrimit, gjuhën e ironisë therëse, gjuhën e pafajësisë në limitet e naivitetit shpirtëror të personazheve shumë të dashur, të cilët relativizojnë një mori ngjarjesh dhe kthesash, brenda dialogjeve që e shoqërojnë deri në fund këtë roman. Është përdorur stil dhe dialekt, të cilët formojnë një renditje të ekuilibruar të shprehjeve dhe frazeologjive të ndryshme, pa të cilat do të zbehej bukuria e karakterit të personazheve. Kemi të bëjmë me personazhe negative dhe pozitive. Por të ndërthurësh mendim dhe dialog nuk është e lehtë. Mendimet negative kundërshtojnë ato pozitive, e në këtë luftë që nis në fushë të hapur, duhet që lojtari të ruajë fort portën e tij. Por porta nuk mund të ruhet pa qenë lojtar i mirë dhe i stërvitur. Kjo stërvitje shihet qartë në rrjedhjen e ngjarjeve brenda qelive të burgut, ku qenies njerëzore të pastërvitur me skutat e errësirës, i duhet të mësojë në dhimbje për çdo frazë të saj, për çdo lëvizje të saj, për çdo sulm të saj. Romani mbart ngarkesë të madhe emocionale, por që në fund të fundit, emocionet janë ato që i japin vlerë çdo faqeje të këtij romani misionar për jetën.
-Thuhet se tek një roman, autori zgjedh të fshihet pas një personazhi, me të cilin dëshiron të identifikohet si filozofi dhe qëndrim ndaj jetës. Kam përshtypjen se tek prifti gjejmë edhe qëndrimet e tua intelektuale dhe filozofike?
-Jeta është një oqean i madh me të papritura si pozitive ashtu edhe negative. Ne jemi qenie që bashkëjetojmë dhe bashkëveprojmë si me të mirën ashtu edhe me të keqen. Por e rëndësishme është të dimë të dallojmë dhe të ndajmë, çfarë na vlen për të jetuar në denjësi. Në këtë mënyrë kemi zgjuar brenda nesh atë ndjenjë, e cila na bën të bukur dhe të dashur me njeri-tjetrin. Filozofia mbi jetën nuk mund të zbukurohet me dije boshe, e cila tingëllon pa kuptim për veshë që nuk duan ta dëgjojnë atë. Sot morali është bërë gjuhë e dalë jashtë mode. Modë dhe risi e jetës sot është individualiteti, i cili ndan dhe nuk bashkon. Por çfarë na bën individualistë dhe jo bashkëveprues? Është një urë, e cila shkelet për t’u kaluar vetëm nga ata që e kuptojnë shpirtin njerëzor në dhimbje, në hall dhe në nevojë. Nuk është e thënë që kjo jetë të kalojë pa e kuptuar dhimbjen e dashurisë, sepse gjithkush e ka prekur atë në mënyra të ndryshme, por e rëndësishme është të kuptojmë, çfarë është dhimbja, pa e përkufizuar atë me terma që e prekin përciptas dhimbjen. Gjuha e filozofisë prek dhe dhuron ndijim, i cili godet duke zgjuar shqisa të fjetura brenda heshtjes që nuk prodhon. Por kur njeriu nuk prodhon quhet shterues, e kjo shterpësi nuk i vlen jetës, të cilën mendojmë ta ndërtojmë mbi themele dashurie, dhe jo mbi themele në tokë shterpë.
-Rezistenca Hyjnore e priftit Lazër dhe dialogu i tij me Zotin, është i denjë për çdo shkrimtar të madh të letërsisë bashkëkohore. Sa punë ju është dashur për të realizuar këtë personazh jo vetëm për jetën, por edhe mistikën dhe frymëzimin e tij?
-Edhe kjo pyetje ka rëndësinë e saj. Shpesh me veprimet tona e mohojmë praninë e Zotit, por kjo nuk na bën krenarë, përkundrazi. Nuk është virtyt të mohosh babë e nënë, ashtu sikurse nuk jemi të denjë, të mohojmë Zotin që na ka krijuar. Prania e Zotit gjendet kudo. Kjo prani flet me gjuhën e misterit, i cili ruan të fshehta, brenda të cilave njeriu mund të depërtojë vetëm nëpërmjet dijes-dhuratë. Por njeriu këtë dije-dhuratë e nënvlerëson, duke e lënë mënjanë kur gjendet në ditë të mirë, dhe e afron pranë vetes në ditë të vështirë. Por nuk është vetëm rreziku ai që bën të kujtohemi për Zotin, sepse ashtu si fëmija dhe prindi nuk duhen me kushte. Zoti na do pa asnjë kusht, e ne i vemë kushte Zotit.
Modeli i priftit Lazër, është shembull i dhurimit shpirtëror si në ditë të mirë ashtu edhe në ditë të vështirë. Gjuha që prifti Lazër përdor në marrëdhënie me Zotin, është modeli i dhurimit shpirtëror tek Krijuesi. Njeriu i dhurohet në bindje dhe besim pranisë së Shenjtë, duke dhuruar fuqinë dhe shpresën tek fuqia e të Madhërishmit. Gjithçka ka rrjedhur natyrshëm në krijimin e këtij dialogu madhështor, me personazhe të gjallë dhe realistë.
-Unë mendoj se e gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër letrare që të na shërbejë si një katarsis, si një pastrim ndërgjegjeje. A do të presim libra të tjerë me këtë temë për të ardhmen?
-Mendoj se shoqëria shqiptare ka nevojë për të njohur rrënjën e saj, prejardhjen, traditën, kulturën, pa të cilat asnjë komb nuk do të quhej i pavarur. Varësia vjen nga zhveshja e realitetit dhe e origjinës. Nëse lejojmë të na zhveshin nga vlerat që na mbrojnë si në kulturë, art dhe trashëgimi, atëherë nuk do mund të transmetojmë dhe të përvetësojmë vlerën që na takon si shtetas të këtij kombi.
Shoqëria e sotme ka nevojë për një mori vlerash edukuese dhe integruese. Nuk jemi në rotacion kulturor dhe trashëgimor, pasi ato i kemi me shumicë dhe duhet të mburremi për to. Por jemi në stadin e ruajtjes së këtyre vlerave, të cilat na identifikojnë si komb me traditë dhe kulturë të lashtë. Nëse lejojmë që të na mposhtë antivlera, atëherë mjerisht duhet të pranojmë, se po shpërbëhemi drejt shkatërrimit. Ndaj na del për detyrë si çdo qytetar dhe bashkëqytetar, t’i ruajmë fort vlerat që kemi.
Mund të them se libri im i radhës nuk do të ketë këtë tematikë, por është një libër me poezi me titull: “Kur takohen dashuritë”. Gjithashtu po punoj edhe me një libër tjetër të titulluar: “Filozofia e shpirtit njerëzor”, me tematikë krejt ndryshe nga librat e mi të mëparshëm. Brenda tij do të zbuloni çfarë përmban shpirti njerëzor në rrugëtimin e tij.
-Romani u promovua edhe në Panairin e Librit Tirana 2021, ku pati një pritje të shkëlqyer dhe interes edhe të kritikës. A do ta prezantoni librin edhe në qytete të tjera në Shqipëri apo në Kosovë, ku ka ndjeshmëri të madhe ndaj kësaj teme?
-Rrugëtimi i librit fillon me pjesëmarrjen e tij në Panair, ku gjithçka u zhvillua sipas standartit që lejonin kushtet e Panairit. Por prezantimi i tij nuk mbaron këtu. Jam duke përgatitur një projekt, i cili do ta promovojë librin edhe më gjerë, duke qenë i pranishëm aty ku ka nevojë për shërim dhe shpërblim shpirtëror. Shpresoj që ky libër të mbërrijë shumë shpejt për atje ku është nisur, duke përshkruar kështu udhëtimin e tij misionar, në çdo vatër ku dëshmohet shqiptarizëm dhe vëllazëri.