SHPENDI TOPOLLAJ
PROF. DR. NUHI VINCA, SIMBOLI I SHPIRTIT TË PASTËR
ATDHETAR
In memoiam
U nda nga jeta në moshën 92 vjeçare strugani i madh, poeti dhe studiuesi akademik Prof. dr. Nuhi Vinca, aktualisht me banim në Prishtinë. Në nderim të jetës dhe veprës së tij në shërbim të Kombit, po ribotoj një nga shkrimet e mia për të.
E kush është ai që ka qenë qoftë dhe kalimthi në Strugë dhe nuk e ka parë se atje poezia është kudo; te liqeni i paqtë, te Drini i përrallshëm, tek ajo ura e drunjtë, te hijeshia e gjelbërimit, tek ato bustet e poetëve ndër lulishte, te Çarshia plot drita dhe kalldrëmi romantik i saj, te shëtitja që duket se nuk ndërpritet kurrë, te buzëqeshja e shitëseve, te Manastiri i bardhë i Kalishtës, te harmonia e kishave dhe xhamive, dhe mbi të gjitha te njerëzit e saj bujarë dhe gjithmonë të etur për lajme të mira nga Shqipëria. Dhe sa poetë, shkrimtarë, mësues ka nxjerrë ky qytet që një Zot e di se si të nuhasin e të gjejnë. Dhe vinë pastaj për të të qerasur me një kafe e ujë me xixa, për të të ftuar të nesërmen për një drekë. Sa të edukuar, sa të thjeshtë, sa të urtë dhe sa atdhetarë janë. Të bëhet sikur i ke miq të vjetër. Pastaj, nuk ke se si t`i harrosh ata njerëz të mirë dhe ndihesh i detyruar ndaj tyre. Le që ke me vete librat e tyre që t`i kanë dhuruar modestisht. Libra që i këndojnë përherë të mirës, bukurisë, dashurisë dhe sidomos Atdheut. Por edhe libra shkencorë, me analiza të thella, me kritika serioze, ku natyrisht bie në sy, dashamirësia për kolegun krijues dhe veçanërisht për folklorin e atyre viseve si një trashëgimi që të bën krenar. Le pastaj sa i ndjekin zhvillimet letrare në Shqipëri. Por përshtypje të bën edhe fakti që të gjithë venë nga venë dhe e shpien bisedën te mësuesi i tyre, burri me trup të vogël e me mendje e shpirt të madh, Prof. dr. Nuhi Vinca, vëllai i të mirënjohurit Agim Vinca.
Personalisht, kam vite që e kam njohur këtë shqiptar të shquar dhe ruaj për të konsideratën më të lartë. Në sytë e mi, me punën e tij, me mirësinë që e dallon dhe për vitet që mban mbi supe, ai është shndërruar në një intelektual që si pakkujt i shkojnë fjalët e Talmudit se “I lumtur është ai njeri që del nga jeta i pastër, ashtu siç ka hyrë.” Kam shkruar për të dhe veprën e tij të gjerë letrare, por dua të ndalem dhe të falenderoj nga zemra ekipin realizues të një dokumentari televiziv kushtuar jetës së veleshtarit të Strugës Nuhi Vinca, i cili punon pareshtur sipas motos se për të kompletuar poetikën e lirikës shqiptare, që ai e quan njësi të madhe e të pandashme gjithëkombëtare, duhen studiuar, duhen çmuar, duhen analizuar, duhen definuar, duhen sqaruar e përgjithësuar deri në kompletim, krahas lirikës deradiane, naimiane, çajupiane edhe ato opojane, strugane, prespane, çamërore, arbëreshe, drenicake etj. Pasi ai fjala vjen, teksa trajton këngët popullore, vëren se “… duke u shqyrtuar këngët e dashurisë përkah ky aspekt konstatohet se përveç tridhjetë e ca tipareve të bukurisë fizike ka edhe po aq veçori jofizike që vihen në pah dashnores apo trimit si: sharmi, ecja, gracioziteti, besnikëria, sinqeriteti, natyrshmëria, delikatesa (nazet), brishtësia, njomësia, naiviteti, thjeshtësia, të folurit, të qeshurit e shumë e shumë të tjera që ndihmojnë të krijohet portreti moral, shpirtëror, estetik, etik krahas atij fizik, që gjejnë trajtim të hollësishëm.”
E pra, këtij punëtori energjik të qëmtimit, evidentimit dhe analizimit të mrekullisë së gjeniut popull, i kanë kushtuar atë film dokumentar me titullin kuptimplotë “Valët shkruajnë emrin tënd”, me skenar të Avdush Canajt dhe folëse melodiozen Sabrie Haxhiu, ku ai në një sfond lasgushian dhe në krah të një mjelme, vozit me një varkë druri, ashtu sikurse kishte vozitur dikur i dërguari i zotit, Nuhu (Noe), duke predikuar dashurinë dhe besimin në radhë të parë tek Atdheu ynë, Shqipëria. Por ai nuk është deklarativ. Dashurinë e sheh siç di të shohë vetëm poeti. Ndaj në veshë na tingëllojnë vargjet popullore: Ç`i grise shamitë së lari në krua, / Sytë i ke tek ujët, mend i ke te mua, / Nga pragu te gardhi shkon thua më thua, / Si zog zemërtrembur, verdhur bërë ftua… / Kush na pat gojosur, le t`i thahet gjuha.
Dhe si për t`i dhënë rëndësinë e duhur, ky dokumentar që ka në favor shkëlqimin prej perle të natyrës së asaj treve, merr dëshmi nga njerëz të kulturës dhe poetë, dikur dhe nxënës të tij si Vahid Nasufi, Fejzi Boku, Xheladin Muça, Sabit Jaka e të tjerë si Adem Fejzullahu që e quan me të drejtë, intelektual të shquar shqiptar, të cilët kur flasin, kanë parasysh se elokuenca më e madhe dhe vërtetësia, nuk vjen nga goja, por nga shpirti.
Dhe pikërisht pse dëgjoi në radio në vitin 1967 “Buzë liqenit”, dhe kuptoi shpirtin e tij, pogradecari Tomi Mato edhe pse nuk e kishte takuar ndonjëherë, i tregon me entusizëm për të, Lasgushit dhe thotë: “Paça fatin dhe unë moj erë që të veja si ti në Strugë.” Ndodh kjo pasi Kombi, te kënga, te vargjet, te vallet, te folklori, sikurse shprehet Renan, ka shpirtin e tij, ka nismën e vet shpirtërore. Te vargjet e dajës së tij Sabit Kica që ishte i pashkolluar, por i etur për dije dhe që vargëzonte “Po qan Kosova e po derdh lot”, u frymëzua dhe u shpirtërua edhe vetë Nuhiu i vogël dikur. Ka kaluar një kohë e gjatë qyshkurse ai botoi “Këngë pune e pushimi”, “Vrulle lirike”, “Kënga e lundërtarit”, “Dallgë jugu”, për të cilat e kishte lavdëruar edhe Ali Podrimja me shokë, dhe vargut të veprave të tij ju shtuan sa e sa botime shkencore, deri te “Poetika e lirikës popullore shqiptare”. Por çfarëdo që shkroi Nuhi Vinca, kishte lidhje me atë thënien e hershme se “në vdeksha, veç një dëshirë kam: ta shoh atë vend që i thonë Shqipëri.” Por rruga e tij për ta mbërritur këtë ditë ka qenë e gjatë dhe e mundimshme. Kreu shkollat me vështirësi e vullnet të madh, punoi si mësues që nga vendlindja e deri në gjimnazin “Dr. Ibrahim Temo” të Strugës, “7 Marsi” në Belicë, në Kaçanik, Ferizaj dhe e përndoqën autoritetet antishqiptare. Veç ai kujton me nostalgji atë ditën e parë kur në shkollën “Liria”, i kërkoi klasës të recitonin diçka dhe nxënësi që zgjodhi poezinë për “Skënderbeun”, nuk e dinte se autori i saj ishte mësuesi që po e pyeste, ai që kishte hedhur hapat e para te revistat “Gëzimi” e “Fatosi”.
Është gjetje e bukur nga autorët e dokumentarit, skena e shkuarjes së mësuesit të moshuar në shkollën “Fejzi Vinca”, ku dikur nuk kishte asnjë mësuese dhe tani qenë plot të tilla; të qeshura, të hovshme, plot gjallëri, kulturë dhe emancipim. Paralel me këto pasazhe, Feti Nasufi e kujton Nuhiun, poetin që siç thuhet në dokumentar, dinte qysh herët të lexonte ëndrrat e fëmijëve, edhe si veprimtar të kudogjendur, derisa gjithë përkushtim atdhetar, vinte në skenë pjesën domethënëse “Halili dhe Hajria”.
Për jetën dhe veprën e Prof. dr. Nuhi Vincës, për kontributet e tij në përhapjen e dijes dhe kulturës, për frymën patriotike që ka kultivuar pareshtur, pra për këtë burrë të thjeshtë e largpamës, aq të dashur për këdo dhe i cili qysh kur nisi të shkruaj dhe botojë poezitë e para e dinte se ato janë si fara për tokën, nuk do mjaftonin disa dokumentarë. Por edhe ky që pashë, do vlerësuar dhe përshëndetur si një përpjekje mjaft e suksesshme për të përjetësuar figurat e rëndësishme që shqiptarët e mrekullueshëm të Maqedonisë, kanë nxjerrë ndër vite. Se a nuk ishte vetë Niçja që vërente se “Kemi artin për të mos vdekur e vërteta”? Fundja, ashtu si ajo mjelma që shoqëron e qetë, krenare dhe e madhërishme në lundrimin e saj nëpër liqer gjithë sekuencat e filmit, dhe na mbetet në mendje, edhe njerëzit e shquar, edhe pse mund të jenë të rrallë (dhe ndofta pikërisht për këtë), nuk shqiten kollaj nga memorja e historisë. Emrat e tyre, nuk mjafton t`i shkruajnë valët e liqenit; ato duhen gdhendur në shkëmbinjt e atyre maleve hijerënda që e rrethojnë atë, dhe akoma më tej; në ndërgjegjen e gjithsecilit. Lamtumirë i nderuar mik e atdhetar i shquar që po largohesh jo vetëm duke na lënë ato dhjetra vepra të rëndësishme letrare, por edhe me ëndrrën e realizuar, për ta parë lirshëm dhe pa të penguar më ai guri i kufirit Shqipërinë tënde që e deshe dhe të deshi aq shumë!