Shpresa Breçani përgënjeshtron zyrtarisht lajmin e rremë: Vendimi i gjykatës provon se nuk ka qenë ortake apo administratore e “ROYAL HILL” sh.p.k.
Shpresa Breçani përgënjeshtron zyrtarisht lajmin e rremë: Vendimi i gjykatës provon se nuk ka qenë ortake apo administratore e “ROYAL HILL” sh.p.k.
TIRANË – Znj. Shpresa Breçani ka përgënjeshtruar në mënyrë përfundimtare lajmet e rreme që qarkulluan së fundmi në disa media, sipas të cilave ajo pretendohej se kishte qenë bashkëortake apo administratore e shoqërisë tregtare “ROYAL HILL” sh.p.k.
Në mbështetje të këtij përgënjeshtrimi, znj. Breçani ka bërë publik vendimin zyrtar të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, të datës 26.04.2016, i cili provon qartë se ajo është emëruar administratore e përkohshme e falimentimit, dhe jo administratore e shoqërisë apo ortake e saj.
Sipas “vendimit gjyqësor nr. 7063 Akti, Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Tiranë, me gjyqtare znj. Antonela Prendi, vendosi:
- hapjen e procedurës së falimentimit për subjektin tregtar “ROYAL HILL” sh.p.k.;
- caktimin e znj. Shpresa Breçani si administratore e përkohshme e falimentimit, duke përcaktuar qartë detyrat dhe kompetencat e saj në kuadër të kësaj procedure ligjore.”
Znj. Breçani sqaroi perseri se administratori i falimentimit emërohet ekskluzivisht nga gjykata, i përgjigjet vetëm asaj dhe ka për qëllim mbrojtjen, administrimin dhe ruajtjen e pasurisë së debitorit, pa ushtruar funksione drejtuese të zakonshme dhe pa pasur asnjë lidhje ortakërie me shoqërinë.
“Pra siç provohet edhe ne kete vendim gjykate nuk kam qenë kurrë ortake e shoqërisë ‘ROYAL HILL’ sh.p.k., as administratore e emëruar nga pronarët e saj. Roli im ka qenë strikt ligjor, i kufizuar dhe i përcaktuar nga gjykata, në kuadër të procedurës së falimentimit,” – thekson znj. Breçani në reagimin e saj zyrtar.
Breçani ka kërkuar nga mediat që kanë publikuar informacionin e pavërtetë që përgënjeshtrimi të botohet me të njëjtën hapësirë dhe dukshmëri, në respekt të së vërtetës dhe të etikës profesionale të informimit.
Rasti i zonjës Breçani, solli në vemendje se spekulimi mediatik i ndërtuar mbi informacione të paverifikuara përfaqëson një nga shfaqjet më shqetësuese të degradimit të standardeve profesionale në një pjesë të medias shqiptare. Mungesa e verifikimit të fakteve, shpërfillja e parimit të domosdoshëm të dy burimeve dhe përjashtimi i palës së prekur nga e drejta për t’u shprehur përbëjnë shkelje të rënda të etikës së informimit dhe cenojnë drejtpërdrejt përgjegjësinë publike të gazetarisë.
Në këto kushte, media rrezikon të humbasë funksionin e saj themelor si ndërmjetëse e së vërtetës dhe të shndërrohet në instrument spekulimi, ku opinioni serviret si fakt dhe insinuata zëvendëson provën. Pasojat janë të dyfishta: dëmtohet padrejtësisht integriteti i individëve si në rastin e zonjës Breçani dhe minohet besimi i publikut tek informacioni si e mirë publike.
Shpifja nuk është thjesht devijim etik, por vepër penale e dënueshme nga legjislacioni i Republikës së Shqipërisë, si dhe nga instrumentet ndërkombëtare që mbrojnë dinjitetin dhe reputacionin e individit.
Në përfundim, rasti i zonjës Breçani rikthen në vëmendje domosdoshmërinë e respektimit rigoroz të standardeve profesionale të gazetarisë, ndarjen e qartë të faktit nga opinioni dhe respektimin e së drejtës për përgjigje, si kushte themelore për një media të lirë, të përgjegjshme dhe në shërbim të së vërtetës.
Mujë Buçpapaj

