Gazeta Nacional Albania

Shqipëri, Dita e parë e shkollës me Abetare të njëjtësuar me Kosovën

• Ilirian Agolli
________________________________________
Marre nga Zeri i Amerikes

Në Shqipëri, qindra mijëra nxënës nisën sot vitin e ri shkollor në sistemin para-universitar.
Klasat e para marrin për herë të parë në duar Abetaren e njëjtësuar me Kosovën.
Qeveria përmendi një seri investimesh në shkolla të reja, ndërsa opozita shprehu shqetësim për rënien e numrit të nxënësve në shkolla për shkak të emigracionit.
Qindra e mijëra fëmijë shkuan pranë shkollave me tufa lulesh në duar për të takuar mësueset dhe moshatarët e tyre.
Shqipëria dhe Kosova nisën për herë të parë këtë vit përdorimin e Abetares së përbashkët në klasat e para. Ajo tashmë po shpërndahet në të dy vendet.
Autoritetet shtetërore renditën sot investime të shumta në ndërtim shkollash të reja, për shkak të tërmetit apo lëvizjes së banorëve të rinj, po hartohen kurikula dhe libra të rinj, po zhvillohet digjitalizimi i procesit mësimor dhe sistemit të karrierës së mësuesve.
Krahas Abetares së njëjtësuar me Kosovësn, kryeministri Edi Rama tha në Kongresin e Arsimit se “në të njëjtën rrugë janë edhe Fjalori i Gjuhës Shqipe dhe Fjalori Enciklopedik”.
Ai tha se “gjuha shqipe mund të futet në të gjithë nivelet e sistemit arsimor, sepse ajo po rrezikohet nga keqpërdorimi”.
Opozita vlerësoi Abetaren e përbashkët si një lajm shumë i mirë. Deputetja e Partisë Demokratike të opozitës, shkrimtarja Flutura Açka, kryetare e komisionit parlamentar të edukimit, deklaroi se Abetarja e Njëjtësuar është një hap me rëndësi për integrim mes shqiptarëve.
Por ajo shtoi se “buxheti për arsimin është në minimum, pagat e mësuesve të pamjaftueshme, emigrimi po largon mijëra fëmijë në mes të vitit shkollor dhe po mbyll shkollat, ndërsa numri i nxënësve sa vjen e bien nga viti në vit, dhe sot janë regjistruar 33 klasa më pak, baras me dy shkolla më pak”.
Dukuria e rënies së numrit të nxënësve në sistemin parauniversitar duket se ka prekur edhe universitetet.
Ministrja e arsimit, Evis Kushi, thotë se një sfidë mbetet largimi i të rinjve nga Shqipëria, një dukuri që sistemi arsimor po e përballon me ndërkombëtarizim të universiteteve, financim shtesë dhe programe studimi të dyfishta me universitete europiane të njohura për të rritur vlerën e diplomave shqiptare, bursa për bujqësinë, mësuesia, turizmi.
Statistikat zyrtare janë ende të paplota për shkak të metodës së re të regjistrimit, por jozyrtarisht vlerësohet se afro 29 mijë fëmijë nisën mësimin në klasat e para dhe 28 mijë në klasat e dhjeta, krahas disa qindra mijë të tjerë në të gjithë vitet klasa e dytë deri në klasën e 12.
Krahasimet me vitet e mëparshme flasin për një rënie tjetër të numrit të nxënësve si në sistemin parauniversitar.