Gazeta Nacional Albania

Shqipëri: Vazhdojnë zjarret në male, një i vdekur dhe dëme mjedisore të konsiderueshme

Një banor ka humbur sot jetën prej zjarreve në fshatin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës prej zjarreve të përhapura në krahinë.

Sipas burimeve policore, ngjarja ka ndodhur pasi zjarret u shtuan në disa fshatra të Luginës së Drinos, duke u përhapur me shpejtësi nga era në sipërfaqe pyjore dhe duke rrezikuar zonat e banuara të disa fshatrave si “Arshi Lengo”, Krinë dhe “Asim Zeneli”.

Forcat zjarrfikëse kanë pak mundësi të ndërhyjnë për shkak të terrenit ndërsa pushteti vendor ka pak mjete për të përballuar zjarre të këtyre përmasave.

Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve që të largohen nga zona e rrezikshme, ndërkohë që ushtria dhe zjarrfikëset luftojnë me zjarret.

Edhe opozita bëri thirrje banorëve për evakuim në mbrojtje të jetës.

Kryetari i Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha tha në një mesazh ngushëllues për familjen e të ndjerit, se masat e qeverisë​ ishin gjysmake përballë​ situatës alarmante të zjarreve. “Si në rastin e tërmetit, emergjencat civile dhe qeveria ndodhen totalisht të papërgatitura për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe për të shmangur pasojat e katastrofave natyrore. Përgjegjësi i kësaj situate vijon turet e inagurimeve false duke lënë në mëshirë të fatit banorët dhe qindra hektarë që po digjen prej ditësh” – tha zoti Basha.

Në Shqipëri vazhdoi edhe sot situata e rënduar me zjarret në malet e Qarkut të Vlorës, ku vatra më serioze është ajo në gadishullin e Karaburunit.

Rreth 500 trupa ushtarake, 50 automjete nga toka, si dhe 3 helikopterë nga ajri po bashkëpunojnë për të shuar zjarret, që rrezikojnë banesat dhe Parkun Kombëtar të Llogarasë.

Një numër i konsiderueshëm forcash ushtarake dhe të emergjencave civile punuan edhe sot pa ndërprerje për të shuar zjarret në qarkun e Vlorës.

Ata frenuan zjarret, që ishin drejtuar bazës ushtarake të Pashalimanit dhe po përpiqen të frenojnë zjarret mbi Dukat, që janë afruar parkut kombëtar të Llogarasë.

Zyrtarët renditin, krahas Vlorës, edhe një seri operacionesh kundër zjarreve me sipërfaqe të mëdha në Fier, Përmet, Ksamil, Mamurras dhe në malin e Tomorrit, ku kanë marrë pjesë disa qindra ushtarë dhe punonjës të tjerë.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha pas mbledhjes së Komitetit të Mbrojtjes Civile, se në këtë periudhë nuk mund të sjellin ndihmë vendet e rajonit, si Kroacia, Greqia e Turqia, që gjithashtu po luftojnë me zjarret, ndërsa forcat shqiptare po bëjnë maksimumin e mundësive të tyre.

“Rreziku që ne duam të shmangim me çdo kusht është përhpja e zjarrit drejt Parkut të Llogarasë. Vatrat e tjera i kemi nën kontroll, Kemi patur një situatë jo të lehtë me zjarret që po i afroheshin Bazës së Pashalimanit. Me dhjetra efektivë të Forcave të Armatosura i fikën ato vatra. Kemi patur sukses në Fier, Ksamil, Përmet, në Mamurras. Tani jemi përqëndruar këtu në Karaburun. Kemi edhe 2-3 vatra të tjera në Shqipëri por kjo është më seriozja” – tha për shtypin ministri i mbrojtjes, Niko Peleshi, pak para se nisej drejt Gjirokastrës.

Në operacionin për shuarjen e flakëve në Gadishullin e Karaburunit janë rreth 500 forca të ushtrisë, 50 mjete, 3 helikopterë, zjarrfikëse e auto-ambulanca.

Fshati Dukat është nën rrezikun e flakëve, të cilat po shtyhen nga era drejt Parkut të Llogarasë, ndërsa forcat dhe mjetet po përpiqen ta shmangin këtë rrezik.

Sipas të dhënave zyrtare, fshatin Cukal në Shllak të Vaut të Dejës po ashtu ka rënë zjarr në pemë e shkurre, dhe forcat zjarrfikëse po punojnë për kontrollin e tij.

Një tjetër zjarr u riaktivizua në fshatin Qesorat në Lunxhëri të Gjirokastrës, ku ka shkuar edhe ushtria për të ndihmuar zjarrfikësit.

Autoritetet ende nuk kanë dhënë një përshkrim mbi shkallën e dëmeve materiale, që kanë shkaktuar këto zjarre mbi ekonominë e krahinave.

Jozyrtarisht numërohen qindra hektarë kullota e pyje të djegura, pemë frutore si dhe dëmtime të mëdha mjedisore.