Gazeta Nacional Albania

Shqipëri, zgjaten pa afat masat shtrënguese kundër koronavirusit

 

Në Shqipëri, autoritetet ahtetërore zgjatën pa afat të gjitha masat shtrënguese, që janë në fuqi për t’u mbrojtur ndaj virusit COVID-19. Shkollat, restorantet dhe gjithë mjediset publike do të mbahen të mbyllura, ndërsa oraret e lëvizjes jashtë banesave do të jenë të kufizuara deri në një sinjal tjetër nga specialistët për tolerime në të ardhmen.

Drejtuesit e shëndetësisë publike njoftuan sot vdekjen e 16-të nga COVID-19, një 78-vjeçari nga Durrësi. Ai ishte në gjendje të rëndë prej 3 ditësh dhe nuk arriti të mbijetojë, megjithë përpjekjet e mjekëve. Instituti i Shëndetit Publik bëri të ditur se ka zbuluar 18 raste të reja me COVID-19, nga 96 testet e 24 orëve të fundit.

Deri tani janë kryer mbi 1 mijë e 900 teste dhe janë zbuluar 277 persona të prekur me COVID-19. Midis tyre janë edhe 8 fëmijë. Numri i të shëruarve është 76 vetë.

Qyteti më i prekur nga COVID-19, midis 17 qendrave të banuara, është Tirana me afro gjysmën e të prekurve në shkallë vendi. Pas kryeqytetit, ndër qytetet më shumë të prekura vijnë Durrësi, Fieri, Korça dhe Shkodra.

VOA