Gazeta Nacional Albania

Shqipëria me 51 qytetarë të prekur nga COVID-19. Nga Ilirian Agolli

Ministria e shëndetësisë bëri sot të ditur se u ngjit në 51 raste numri i qytetarëve të prekur nga Covid-19, nga 42 që ishte dje.

Nga 31 teste tek persona të dyshuar, qytetarë dhe personel shëndetësor, në 24 orët e fundit u konfirmuan kështu edhe 9 raste të reja me COVID-19. Rastet e reja u shtuan 8 në Tiranë dhe një në Fier.

 

Tirana ka sot 34 raste nga 26 që ishin dje, Fieri ka 6 raste nga 5 që ishin dje, Durrësi ka 5 raste, ndërsa Lushnja, Elbasani, Rrogozhina me nga 2 raste përkatësisht.

Zëvendës ministrja e shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha sot se në Spitalin Infektiv janë shtruar 20 persona nga Tirana, Durrësi, Fieri, Lushja dhe Rrogozhina.

Tre prej tyre janë në terapi intensive, një 66 vjeçar nga Lushnja, një 61-vjeçare nga Fieri dhe një 50 vjeçar nga Tirana. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të qëndrueshme.

Janë testuar gjithsej deri tani 563 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë 51 raste me COVID-19.

Zonja Rakacolli shtoi se nga testimi i personelit shëndetësor dolën pozitivë me COVID-19 edhe 4 punonjës në spitalin “Shefqet Ndroqi”, një mjek dhe 3 infermierë. Ata kanë qenë në kontakt me një pacient, i cili u vizitua nga një i afërm i tij, që vinte nga Italia, por nuk e deklaroi këtë fakt.

 

Pacienti i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, i cili u infektua nga i afërmi dhe më pas ua kaloi virusin 4 punonjësve të shëndetësisë, tashmë është transferuar në Spitalin Infektiv.

 

Mjeku dhe 3 infermierët e Spitalit “Shefqet Ndroqi” që rezultuan pozitiv, janë pa simptoma, në gjendje të mirë shëndetësore dhe të vetëizoluar.

Ministria e shëndetësisë u kërkoi qytetarëve të mos shkojnë nëpër spitale për vete apo për vizita tek të afërmit, të moshuarit të mos dalin nga banesat, ndërsa ata që testohen duhet të tregojnë saktë nëse kanë udhëtuar jashtë vendit ata ose familjarë të tyre, që të mos rrezikojnë personelin shëndetësor.

Qeveria miratoi një akt normativ me masa të posaçme për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të Covid-19. Masat që u zbatuan në Tiranë e Durrës këtë javë do të shtrihen në të gjithë Shqipërinë.

Qeveria vendosi që të ndalojë edhe qarkullimin e këmbësorëve në gjithë vendin, duke nisur nga sot në orën 18 me orën lokale. Qytetarët jashtë këtij orari do të gjobiten.

 

Shqipëria ka bllokuar sot të gjithë pikat kufitare dhe udhëtimet me vendet fqinje, si dhe ka bllokuar gjatë fundjavës qarkullimin rrugor, baret, restorantet dhe ka mbyllur sistemin arsimor dhe të gjithë objektet, stadiume, kinema ku ka grumbullime masive të qytetarëve.