TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka dalë me një mesazh tjetër sot, ku ka folur për vendimin e ministrave të BE për hapjen e negociatave për Shqipërinë por edhe për situatën nga koronavirusi. Rama deklaroi se dera e BE u hap por se rruga vazhdon dhe puna për t’u bërë është ende e madhe.

Shefi i qeverisë theksoi se nuk do të bënim festë dhe sikur kjo ‘Po’ e shumëpritur dhe plotësisht e merituar prej disa kohësh të na gjente në kohë paqeje. “Sot ka vetëm një festë në mendjen time, festa e çlirimit nga ky armik i padukshëm. Sot un jetoj çdo ditë për atë ditë. Atë ditë çlirimi kur t’ia kemi dalë. E dua atë ditë si një ditë lotësh, dhimbjesh për ata që nuk i mbijetuan dot dhe pastaj lot gëzimi për shpëtimin e mijëra jetëve për solidaritetin e madh”, deklaroi Rama.

MESAZHI 

“Mirëdita, mirëdita! Sot Shqipëria mori viston për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Më në fund! Më në fund se për atë Zot u bëmë bajat, shty e shty e sajo lloj-lloj vicklash. Po! Ne nuk lodhemi, nuk tundemi nga e jona dhe dhe megjithëse kjo botë nuk është rrotulluar kollaj kurrë për shqiptarët, Shqipëria nuk ka për të humbur asnjë betejë dhe asnjë luftë. As betejën me virusin e vjetër të organizmin tonë shtetëror që do t’i shkatërrojmë deri në fund me reforma modernizuese e me durim, as betejën me virusin arkaik të paragjykimeve të të huajve karshi nesh që do ta asgjësojmë pak e nga pak me të vërtetat tona e me durim, as luftën me këtë virusin e ri që po i bën zbor gjithë botës që do ta zmbrapsim me forcën e rezistencës sonë e me durim të shumëfishuar.

Po-ja në bllok nga 27 shtete anëtare, dera e dhomës së pritjes së shtëpisë së BE-së u hap më në fund, me një kohë të mallkuar kur dyert e gjitha shtëpive tona janë të mbyllura dhe në shtëpitë tona nuk presim dot askënd. Shqipëria hyri në një fazë të re të historisë së saj mu në mes të një lufte botërore që askush nu ke di akoma kur do të mbarojë. Ky i sotmi është një lajm i bukur edhe pse i vonuar jo për shkakun tonë. Sidoqoftë nuk kemi humbur asnjë ditë duke punuar dhe duke i bërë detyrat e shtëpisë, njësoj si ta kishim marrë PO-në qëkur e merituam. Po njësoj do vazhdojmë dhe po njësoj do i bëjmë të gjitha detyrat e kësaj shtëpie. Jo se na e kërkojnë ata që thanë sot më në fund Po, por se na e kërkon amaneti i të parëve dhe borxhi që iu kemi fëmijëve tanë. Ne nuk do ndalemi në plotësimin e çdo detyre, deri sa të hyjmë dhe të ulemi në dhomën e madhe të ndenjies në shtëpinë e BE-së ku më në fund fëmijët tanë do të luajnë në të njëjtin kopsht të fëmijëve të mbarë Europës dhe ku më në fund eshtrat e rilindësve e të heronjve tanë do të prehen të qeta në varrezat e dëshmorëve të Europës. Ku më në fund do të valëvitet i barabartë mes të barabartësh edhe flamuri i mrekullueshëm kuq e zi i Gjergj Kastriotit por deri atje rruga vazhdon dhe është ende e përpjetë dhe puna për t’u bërë është ende e madhe. Nuk do të bënim festë dhe sikur kjo ‘Po’ e shumëpritur dhe plotësisht e merituar prej disa kohësh të na gjente në kohë paqeje. Por sot ka vetëm një festë në mendjen time, festa e çlirimit nga ky armik i padukshëm. Sot un jetoj çdo ditë për atë ditë. Atë ditë çlirimi kur t’ia kemi dalë. E dua atë ditë si një ditë lotësh, dhimbjesh për ata që nuk i mbijetuan dot dhe pastaj lot gëzimi për shpëtimin e mijëra jetëve për solidaritetin e madh. E dua atë ditë si një ditë të madhe kombëtare e qytetare për forcën dhe mirësinë e shpirtit shqiptar që po sprovohet fortë. Do na sforcojë por do na bëjë më të mirë si njerëz por edhe si vend. kini besim e bëni durim. Të shohim bashkërisht jo vetëm errësirën por edhe dritën që ka sjellë me vete kjo errësirë. Dritën që na kujton se jemi të gjithë njësoj. Jemi të pandashëm nga njërit-tjetri në këtë atdhe për sa kohë do të kemi frymë”, deklaroi Rama.