Gazeta Nacional Albania

Shtepia Botuese “ Saraçi “boton librin: “Antologji e Gazetarisë Shqiptare “ (1913-1915)

28 NËNTOR 1912 – 28 NËNTOR 2022
110 VJET VETËQEVERIM

NJË ANTOLOGJI E FJALËS SË LIRË SHQIPE

“Antologji e Gazetarisë Shqiptare “ (1913-1915) është vijim i punës së shtëpisë sonë botuese të nisur me botimin e dy librave: “Detyra e Gazetarëve” të Mustafa Qullit dhe “Kush e do Shqipërinë? Ai që vdes për të,” të Haki Glinës. Shfletimi i periodikëve shqiptarë të fillimshekullit të njëzetë, në kërkim të emrit të Mustafa Qullit (ose Muç/o Qullit, 1887-1915) e më pas të Haki Glinës (1988?-1914) qe shkalla e parë drejt ngjizjes së idesë së një përmbledhjeje artikujsh gazetareskë të atyre viteve.
Antologjia e fjalës së lirë shqipe botohet për të sjellë edhe një herë para lexuesit atë çka më të bukur, fisnike, përparimtare dhe të vërtetë pasqyruan penat e gazetarëve shqiptarë. Sa e mundur ishte kjo? Sa ia kemi arritur? Është fakt i njohur që në vitet 1913-1915 trualli shqiptar, sheshi i betejave të tri luftërave: Luftës së Parë Ballkanike, Luftës së Dytë Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, ishte djepi i shtetit tonë. Pikërisht në përplasjet e dallgëve të këtyre ngjarjeve kombëtare dhe ndërkombëtare iu desh të zhvillonte veprimtarinë gazetaria shqiptare. Ajo u harlis në një numër periodikësh që, me gjithë copëzimet e tyre, shoqëruan lindjen e një shtetit të ri, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ato vite historikë.
Gazetaria shqiptare e viteve 1913-1915 shkëputet nga e kaluara nën pushtimin osman e nis të hedhë shtat. Ajo fi llimisht zgjidh çështjen e alfabetit të gjuhës së shkruar shqipe. Gazetat e kësaj kohe, në shumicën e tyre, botohen me alfabetin latin ashtu si e kemi sot. Gazetaria kthehet në një veprimtari që zhvillohet dhe organizohet në tokën shqiptare. Ajo qartësisht e në vazhdimësi përvijohet si një shkrimtarì e shqiptarëve në gjuhën shqipe, në truallin shqiptar. Është koha kur Vlora, Durrësi, Korça dhe Shkodra kthehen në qendra botimi në gjuhën shqipe. Shtypi rëndon në truallin shqiptar. Në këtë kohë botohen mjaft periodikë, si “Atdheu”, “Taraboshi”, “Shqypnia e re”, “Perlindja e Shqipëniës”, “Populli”, “Ushtimi i Krujës”, “Koha”, “Zana”, “Xgjimi”, “Hylli i Dritës”, “Lidhja Kombëtare”, etj. Pikërisht në këta periodikë jemi mbështetur për të analizuar lëndën e Antologjisë tonë.
Bibliografia e shtypit të kohës ndër shqiptarë është më e gjerë se sa kaq, por kriteri sasior i lëndës gazetareske në gjuhën shqipe si dhe ai sekularist kanë ravijëzuar punën tonë. Kuptohet që lënda e vjelë është më e begatë në gazetën “Perlindja e Shqipëniës”, prej 56 numrash, se sa në revistën “Xgjimi” prej vetëm pesë numrash. Duke pasur pikësynim pune fjalën gazetareske kombëtare shqipe jofetare, nuk kemi përfshirë shkrimet e botuara në periodikë fetarë, atyre në gjuhën osmane dhe në gjuhën greke, të cilët vijojnë të botohen krahas shtypit kombëtar shqiptar. Ndërkohë, për shkak të rrethanave të krijuara, Stambolli, Janina, Manastiri dhe Shkupi e humbin veprimtarinë botuese shqipe. Megjithatë, shtypi i themeluar para vitit 1912 nuk u tret menjëherë. Sofja, me botimin e periodikut “Liri e Shqipërisë”, Kostanca, me periodikun “Atdheu”, dhe Bostoni, me periodikun “Dielli”, janë të pashkëputur ende si shtyp në emigrim. Këta periodikë vazhdojnë të pasqyrojnë rregullisht ndodhitë e Shqipërisë, njëlloj si shtypi i botuar brenda kufi jve të shtetit të ri. Në vitin 1914 gazeta “Dielli” shitej rregullisht në Durrës. Gazeta “Atdheu” zhvendoset nga Kostanca në Durrës duke u përfshirë në grupin e gazetave vendore, ndërsa gazeta “Liri e Shqipërisë” në vitin 1915 e ndërpreu veprimtarinë e saj. Vetë shtypi në këto kushte, duke shfrytëzuar lirinë e krijuar ngrihet në një tjetër rrafsh. Periodiciteti i tij arrin përditëshmërinë. Në vitin 1913 botohet e para gazetë e përditshme shqiptare “Taraboshi”, e drejtuar nga Terenc Toçi (Nr. 1, datë 26 Shtator 1913). Në mars 1915 botohet gazeta “Populli”, e drejtuar nga Mustafa Qulli (e përditshme nga Nr. 47, datë 10 Maj 1915) ndërsa në nëntor të po atij viti “Dielli”, nën drejtimin e Kostandin Çekrezit (e përditshme nga Nr. 511, datë 9 Nëntor 1915). Këto janë tri simotrat e para të përditshme shqiptare. Me Toçin, Qullin dhe Çekrezin gazetaria shqiptare e ka arritur nivelin profesional të kohës. Të tre janë intelektualë, gazetarë dhe kryeredaktorë. Terenc Toçi dhe Mustafa Qulli janë edhe sipërmarrës, sepse janë botues e drejtues shtypshkronje. Këta tre intelektualë janë shembull i atij emancipimi shoqëror, kombëtar, teknologjik, kulturor e pune që ndodhi midis shqiptarëve në vitet 1913-1915. Po i përkujtojmë me penën e tyre. Arbëreshi Terenc Toçi në artikullin “Atdhetarizmi i jonë” kërkon respektin e fqinjëve dhe shkruan: “…. Programi i jonë i soçmi do t’permbledhet n’tri fjalë: bashkim, njisii, punë”. Me njisii e bashkim mund t’mrriim me mârrë n’Ballkan vendin qi na perket e i detyrojmë t’huejt me pasë për nèe at nderim qi mjerish jo t’tânë na njofi n. Me punë mund t’mjekojmë e mund t’shndoshim varrët e nji robniis sa qindëtare vjeç, mund t’fi tojmë kohen e bjerrun …….” Leskoviqari Mustafa Qulli në “Programi i gazetës” njëson veten me popullin dhe me gazetën : ““Populli” ka shpresë të madhe se do t’i japë të kupëtojë popullit që në Shqipërië të lirë s’ka fuqië ma të madhe se kanuni e që të gjithë shqiptarët janë një, kanë një të drejtë ……. ”. Kostandin Çekrezi është epik dhe idilik në atdhedashurinë e tij. Në artikullin “Shpresë, Punë, Bashkim” shkruan : “Në mes të flagëve dhe të bubullimeve të topave që buçisnin më të gjith’ anët e Ballkanit, në mes të luftave të shtetëve ballkanikë, dhe në mes të thirjeve gëzimi a helmi që arrinin nga të katër cepët të sinisiës së Ballkanit, u zgjua nga gjumi, e bukurë, kryenaltë dhe madhështorë, si nuse bardhoshe, Shqiperia e digjuarë……”
Por gazetaria shqiptare e viteve 1913-1915 është edhe më shumë. Pena trime e mjeshtërore ajo kishte mjaft. Përmendim Mihal komitin që u turret tradhëtorëve (Mihal Grameno, “Trathëtorët e Korçës”): “Do të hithnim prapa krahëvet të shkuarat—duke patur nënëvështrim që gjithë ligësitë rithnin nga qeverimi tiranik e despotik i Turqisë—edhe dëshëronim që do të nisnim historinë të përlindës Shqipërisë pa nxirë faqen, po mjerist, Iudat Iskariotët deshnin që të pinë kupën gjer më në funt duke lënë edhe ata emrat, në histori kombëtare, të shkruara me shkronja të zeza si trathëtorë”.Kristo Floqi edhe pse nuk është prift, me artikullin “Sot o kurrë!” u kujton shqiptarëve dashurinë që duhet të kenë ndërmjet njëri-tjetrit. Ai shkruan: “Asht koha, âsht moti, â nevoja maa e madhe sot, sot e jo nesër, të mshtillena si vllazën të lerni mërit’ e grinjet, e, për nji interes mâa t’shent, qi quhet «Shpëtim ´i jonë»….. Mos harojm fjalën e motshme «Atje ku âsht dashtnia, âsht vet Perêndia»……..”!! Hilë Mosi, luftëtari i malësisë, në artikullin “Shqypnia e Re”, kërkon vetëqeverim për Shqipërinë dhe sulmon Moskovin: “…… Shqypnia ka me kên nji mbretni vetqeverimtare. Me shkue mbas disa giasave tjera, ose mâ mir me fol ndrejt, mbas programit qi ka Myskovi duket qi Shqypnia te qeverohej n’at mnyr si n’nji kohe u qeverue Gjiriti, do me thân me pas nji qeveri shqyptare nên nji komisar nên kontrol te pushteteve te mdha. Ky program i Moskovit nuk ka tjeter qellim veç n’e lân Shqypnien t’skatrrume e kshtu mbas disa kohet mandej me i gjetun rasen m’e shue krejt prei faqes se dheut……….”Faik Konica, në artikullin “Shqipëria e Lirë dhe kufi ret e saja”, mbon kufi jtë e atdheut në kancelaritë evropiane. Ai shkruan: “Që Korça do të mbetet shqiptare, ka shumë kohë që e kisha mësuar më të saktë. Një ditë, në Vienë, në ministorí të púnëve të jashtme, duké biseduar për çështjen e kufíreve të Jugës, më thanë: “Si-do-që në qoftë, Korça do të mbetet e Shqipërisë. Do të shkelim këmbë”. (“Dans tous les cas, Kortcha devra faire partie de l’Albanie. Nous y tenons, et nous insisterons”). Duké dalë nga Ministoria, renda në zyrë të telegrafi t edhé me një herë dërgova atë kabllon që botój Dielli.”Mit’hat Frashëri në artikullin “Shqipëria është e gjithë shqiptarëvet” i sheh të drejtat e shqiptarëve të mbrojtuara nga Evropa e ideve liberale. Sipas tij: “Duk me qënë se Mbreti ynë që është Evropian me ide liberale dhe duke me diturë se nomet themeltare tanë i ka pregatitur komisioni i kontrollit që edhe ay është Evropian ahere duhet të kemi gjithë sigurinë se të drejtat tona na i mpron vetë qeveria ose më mirë duhet të kemi besim që të drejtat tona munt t’i mprojmë ne vetë”.At Gjergj Fishta, në “Perlimi i perkohshmjes”, “Hylli i Dritës”, ashtu si dhe Floqi, me besim në fe, kërkon mbarësinë e familjes dhe përparimin e kombit shqiptar për lulëzimin e atdheut. Ai shkruan: “….. edhè perlimi asè programi i Perkohshmes s’onë, i cilli s’âsht tjeter, veç t’orrvatunt per lulzim t’Fees e t’Atdheut; per t’marë t’Familjes e zhdrivillim t’Dies n’Shqypnië, shka âsht njapernja se me thânë per gjytetnië e perparim t’vertetë t’komit shqyptaar”.Thimaq Naçi nga Bostoni në artikullin “Dëshpërimi i Nacionalistëve Shqiptarë” dëshpërohet por nuk dorëzohet: “Le të mos presim ndihmë vetëm nga të húajtë, se i huaji ësht’ i mirë për veten e tij. Le të mbétemi të pakë, po të ndershëm dhe besnikë gjer në fund. – Atá janë nacionalistët, atá janë udhëhéqësit, atá janë shpëtimtarët të Shqipërisë….”Fan Noli (Imzot), në artikullin “Shqipëria pa Toskërinë”flet për rrezikun që i kanoset atdheut, për toskët dhe për gegët: “…….. një mbretëri shqiptare pa Toskërin’ e butë dhe të qytetëruar, do të jetë një shtet i egër pa shpresë të shtrohet e të hyjë në rregull e në kanún. Nofta e tepërój, dyké i pikturuar gegët tanë më të zinj se djalli, po asnjë s’munt të thotë që foli kështú nga që është toskë. Është Inglía dhe s’ka asnjë interés që të lëvdojë toskët e të nxijë gegët”. Edukimi, arsimi dhe dija janë urdhëresa të kohës për shqiptarët, sipas pejanit Salih Gjuka, në artikullin “Ministria e Arësimit”: “Si çdo komb edhe Shqyptarët mâ të madhen rândësie kanë me ia dhânë degës s’arësimit, se vetém këtu e shohin, duhet me e paë uzdajën e qytetnimit. Veç me përparimt t’arësimit mund të humbet ô të tretet mjergulla e errsiës së verbuëshme; kështu fi tohet lumnia e shekullit qi ndodhemi; ndryshe nuk shitohet kulshedra e padijes”.Bashkim dhe vetëqeverim kërkon “Shkëmb i Bletës”, në artikullin “Kufi t e Shqipërisë”: “Shqiptarët e gjithë këndeve sot ndodhen përpara një fusheje të gjerë; për të dëftyer fuqinë, mëndjen, qytetërimin dhe zotërin e tyre përpara Evropës, e cila dyshon si-do-mos për vetëqeverimin e kombit shqiptar. Cilido komp në krye është krijuar i vogël po duke punuar pa reshtur së bashku për mbi themele kurdoherë të forta, është xgjeruar dhe rritur prej çdo pikëpamje.”Salih Nivica, tek artikulli “Shqiptari më i mirë” kërkon të gjejë shqiptarin e sfi dave të kohës: “Qahemi se s’kemi e s’iemi shqiptarë, shqiptarë të mirë e të vërtetë, shqiptarë që të qëndroin e të desin për një ide, për një qëllim; …..Qenë disa atdhetarë të lëvduar e të digjuar që ishin përpiekë e munduar për çështien kombtare, por dhe këta, deshi Perëndia e pruri koha e i pàm, i njohëm e i provuam”.Nikollë Ivanaj, me “Zbardhi drita e liriës”, është përkrah Komisionit të Kontrollit, kundër qeverisë së Vlorës dhe asaj të Durrësit. Sipas tij: “Komisioni i Kontrollit (shtetet rojsepruese të Shqypniës) i hetoj e msoj mirë punët, lojt e dredhinat e Vlonës e të Durcit; përsè i shtërngoj t’ulen prej kaalit, t’apin lejen në qeverim; edhe e muër qeverimin në duër të veta, që do t’a mbajnë përpak dit, deri që të vinë n’atëdhe t’onë rregji yne i êmnuem …….”. Dom Ndoc Nikaj me artikullin “Shqyptarët e moçmë e shqyptarët e soçmë” evokon historinë: “………. Shqyptaret e soçme nuk janë kahë lânë gjâa t’mangut t’moçmeve por me gairet t’vet shtyeinë dielmt e mirë atie ku i lypë erzi e ndera e Shqypniis, per mos me u kthye ndryshei veç se me fl amur fi tues: e t’pritun me nderim qi i perket kreshnikve t’komit e t’qindresës Shqyptare”.“Yll’ i Shqipërisë”, në artikullin “Shqiptari me pushk ka hump, pënda ka me e naltësu”, shkruan për pushkën dhe penën: ”Vllazën Shqiptár! Tue me dashtë të kemi sy e faqe t’bardhë përpara botës huej duhet të dim se tri gjërra t’kemi para sysh; të parën atë pëndën veglën e mëndjes me t’cilën njeriu çquan për se ka arth në kët botë dhe të jet njerí i vërtetë dhe për se ajó naturë e ka kriú të dyjtën trimnien si gja e gjallë dhe e treta puna me djers që t’mujt t’roj në jet.” Suljoti i shkodranizuar, Spiridon Kacarosi, në artikullin “Monopoli” ndien lojrat e Italisë dhe Austrisë në kurriz të Shqipërisë: “Shqypnija âsht e shqyptarve; Shqypnija âsht mikneshë me miq; Shqypnija don me jetue me punë e me ndierzii! Ky âsht e do t’jetë gjithmonë programi i Shqypniis rishtas t’lindun.Italija e Austrija s’kân farë arsyejet me lypë e me urdhnue qi t’mund t’bâjnë n’Shqypnii shkâ ka bâa Rusija n’Bullgarii …….”Stërnip i Pirros dhe i Gjergj Kastriotit, në mbrojtje të Epirit, shfaqet Paskal Aleksi në artikullin “Franca kërkon të vjedhë Shqipërinë”: “Pas planit t’ Italisë, Çamëria lipset t’i mbetet Shqipërisë, duké i dhënë grekut Prevezën, Mecovën, edhé një pjesë të vilajetit të Janinës! Po sot, që në fron të Shqipërisë hipi mbret evropián, kemi shpresë që Shqipëria, e mbledhur me kufi ret e saj natyrale, të mbarojë plottërísht qëllimin e saj …..”.Mihal Xoxe, tek shkrimi “Ca fjalë për grekërit”, demaskon vllazërinë e rrejshme të armiqve grekë dhe ambicjen e tyre pa kufi . Ai shkruan: “Me gjith këto prapë nuk i shohim, po do t’ju them vetëm vëllezërvet (sic) e mi grekër, pse u bashkuat e bëtë luftën ballkanike? Përse o vëllezër u gëzuat kur Shkodra ra në duart e armikut t’uaj? Për se u gëzuat që Shqipëria të përndahëshe? Për se u gëzuat që Kosova të bjerë në duart e sërbëve? Kështu janë vëllezërit?” Lufta vllavrasëse dhe fanatizmi shkojnë së bashku kundër interesit të shqiptarëve. Jan Lehova, në artikullin “Vllavrasja në Shqypni” kallëzon: “Kështu duhet quajtur lufta e tanishme në të cilën luftojnë bijt e Skenderbegut, dy vëllezër, njeri kundër tjatrit. Vëllavrasje, vëllavrasje thëresën që të dy anët, e njohën që nuk bëjnë mirë dhe prapë nuk japën fund luftës, nuk’ i mbledhën trutë …….”.Evropa e padrejtë dhe barbaritë e shovinistëve janë burimet e luftës së shenjtë për mbrojtjen e atdheut shqiptar. Kristo Dako në artikullin “Do të lëftojmë”shkruan: “Padrejtësia e Evropës dhe barbaritë që po bëjnë dit për dit grékërit ndë Shqipëri të Jugës, janë bërë shkak që të frynjë, në mes të shqipëtárëvet nacionalistë të Amerikës, një erë e çuditëshme, një erë që tregón furtunë”. “Dashuni e Shqipëniës”, në artikullin “Nacionalistë! Gati në veprim!”, tregon se është duke luftuar ku të mundet kundër armiqëve grekë dhe serbë. Ai shkruan: “Me qënë që shqiptarë dhe bullgarë mbeten nënë xgjedhë t’asasínëve sërbë dhe evgjítëve grekë, andaj si robër të dy palët që mbeten, të vijnë në një marëveshje dhe të punojnë së bashku. Le të hedhin bomba nëpër udhët e trenave ……..”!Haki Glina, tek artikulli “Njerëzit e z. Esad pashës dhe gazeta jonë. Odhisea e një korrespondenti” përshkruan përballjen e tij me Esad pashën: “Me të zbritur prej vaporit, vjen një polic e më thotë se armën duhet ta le në zyrën e policisë, duke më premtuar se kam të drejtë ta marr kur të shkoj. I zura besë atij njeriu dhe ia dhashë armën. Dola pastaj të gjej një kafshë, që të nisem sa ma shpejt për Elbasan. Me të gjetur atë që kërkonja, u kthyesh të marr armën. Po, çudi! Polici më thotë se pasha bani emër që unë të kthehem prapë nga kam ardhur”. Jani Vruho kujton Shahin Kolonjën i cili shkruante te “Drita”: “Do të vinjë një ditë, kur do t’i vënë drunë Dovletit Alies nga viset e Evropës – nga Shqipnia – atëhere shqiptarët të pa qënë të zotët e të pa organizuar, të pa mësuar gjuhën e tyre, të pa rregulluar e të pa bashkim të qëndrojën si një komp i gjallë e me shpirt, dotë nisen të ikin duke lënë vendin e tyre duke u bërë muhaxhirë ……”Milto Gurra në artikullin “Dobi e dëm” kërkon lumturi, liri dhe fytyrë të pacënuar për shqiptarët. Sipas tij: “E nga këto kupëtojmë që qeveria provizore sillet shumë monarkisht. Thamë dhe tjatër herë: S’duam vetëm lirinë dhe lumtërinë e Shqipërisë. Duam lumtërin e shqiptarit; duam lirinë e fjalës dhe të shtypit, mostakimin e fytyrës dhe të tjerat gjëra nga të cilat do të mundim ta quajmë një njeri të lumtur me kupëtimin e plotë të fjalës ……”Autorët e mësipërm janë vetëm më zulmëmëdhenjtë e ushtarëve të taborit të gazetarëve shqiptarë. Ata me penat e tyre iu gjendën Shqipërisë atëherë kur ajo kishte më shumë nevojë.Veprimtaria gazetareske e atyre viteve nuk është vetëm mjeshtëri pene e periodicitet kryeartikujsh. Faqet e gazetave shqiptare janë pasqyrë e kontributit të mjaft intelektualëve të cilët mblatojnë me dinjitet në gazetarinë shqiptare. Po përmendim disa disa prej tyre: Dhimitër Zografi , Argus, Abdyl Ypi, Dhuronjësi, Dhimitër Beratti, Stefan Kaçulini, Agostin Serreqi, Haxhi Beqari, Hasan Ballanca, L.K., Ibrahim Shyti, Kordha P., Milo Duçi, Sotir Gjika, Bregdetasi, Emin Matraxhiu, Sotir Kolea, Shiti, Shes shpirt, Kolë Rodhe, etj., etj. Prej këtyre punëtorëve të shtypit kemi lajme të rregullta nga qytetet e krahinat e Shqipërisë dhe përshkrime të ngjarjeve në vend. Dhimitër Zografi vjen në këtë Antologji me vetëm një shkrim: “Si u-kasnecua vetëqeverimi i Shqipërisë”: një përshkrim i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, që, për mendimin tonë, është pasqyrimi më i gjërë gazetaresk i kohës i kësaj ngjarjeje kombëtare. “….. Ishte e enjte, ora 1 pas dreke, dhe tellalli kish thirrur që në këtë orë do të kasnecohet Shqipëria më vete. Të gjithë delegatët ishin mbledhur në shtëpi të Xhemil Beut, në një sallón të math. U-ngrit Ismail Qemali, dhe si përshkrojti humbjen e Turqisë edhé të vójturat dhe gjëndjen e Shqipërisë mi rezikun e math që ndodhet Atdheu ynë, tjatër shpëtim, tha, s’ka përvéç se të ngrehim flámurin e Shqipërisë dhe të kasnecojmë vetëqeverimin. “Rroftë Shqipëria jonë!” thrritnë të gjithë. “Rroftë flámuri i Shqipërisë!”……. Një komisión i zgjedhur vajti edhé nguli flámurin e Shqipërisë nëpër tërë zyrat publike, ku një ditë më parë valonte ay i Turqisë…..”Madje prej siglës L.K. (“Le të shpresojmë”, Dielli, nr. 330, July 17, 1914) kemi dhe një fatthënie: “Në qoftë se Evropa nuk i jep dorën një kombi që dëshirón të përparojë, të qytetërohet, po përkúndrazi i sjell pengime, gjaku që po derdhet në Shqipërí do të çpërblehet me një luftë të përgjíthëshme që kurrë gjer më sot nukë ka parë bota që kur se është krijuar”. A kemi mundur të përmbledhim në një antologji të gjithë autorët që kanë shkruar shqip ndërmjet viteve 1913-15? Ka qenë një synim i yni evidentimi se cilët ishin gazetarët e kohës. Kush shkruante në ato vite? Në Antologji janë përfshirë 86 nënshkrime të njohura e të panjohura (pseudonime). Në fakt, përcaktimi i të gjitha penave gazetareske do të kërkonte, para së gjithash, një punë kërkimore bibliografi ke, gjë, e cila i kapërcen mundësitë e një shtëpie botuese. Kjo kërkon hulumtime sistematike bibliografike rreth pseudonimeve e siglave që nënshkruajnë në periodikët e atyre viteve. Jemi të mendimit se shpjegimet e shprehura ndër vite të studiuesve të ndryshëm për pseudonime të veçanta janë të pavërtetuara përfundimisht.
Kjo Antologji mund të konsiderohet edhe Antologji Historike ose Antologji e Gazetarisë Historike Shqiptare. Ky karakter historik i veprës, që e ka fillesën në pasqyrimin e vërtetë të ngjarjeve në artikujt e përmbledhur në këtë antologji, shpresojmë të jetë një ndihmesë për të kuptuar dhe shpjeguar më thellë historinë tonë. Jemi kujdesur që artikujt e mbledhur në lëndinën e gazetarisë shqiptare të jenë në një tërësi kronologjike. Nga ana tjetër, jemi përpjekur që artikujt e autorëve të jenë përfaqësues për idetë që përcjellin edhe sot. Të gjitha penat e kësaj Antologjie ngjallin interes historik për botëkuptimin e tyre ideor në ato vite. Një shqyrtim i këtyre ideve do t’i kalonte kufijtë e kësaj parathënie. Në këtë pikë, “Zêdhënje” (“Perlindj’ e Shqipnies”, numri i parë i datës 3 gusht 1913), është shkrimi gazetaresk që shpreh e pasqyron më përmbledhtas idetë e kohës në fushën e gazetarisë e më gjërë. Ky dokument, manifest i gazetarisë shqiptare, i pastudiuar deri sot, ka vendosur pikat dhe vlerat e shtypit nacionalist shqiptar.
Shtypi i atyre viteve shfaq edhe tipare të tjera, që dallohen në rrjedhën e ngjarjeve, ku përplasej në atë kohë shteti i sapolindur shqiptar. Kështu, bie në sy karakteri antifeudal i tij. Ky tipar dallohet si në qëndrimin ndaj asaj pjese të elitës së kohës të njësuar me pushtuesin otoman, ashtu edhe ndaj personave të veçantë, si Esad pashë Toptani dhe Ismail Qemali. Në këtë pikë, qëndrimi i shtypit kushtëzohet nga veprimtaria e politikanëve të kohës, në raport me Perandorinë Osmane nga një anë dhe shtetin shqiptar në anën tjetër. Në përgjithësi, shtypi shqiptar, duke qenë proevropian, është natyrshëm përkrahës i Princ Vidit. Gazeta shqiptare, si një vegël kombëtare dhe qytetarie, është në luftë të hapur me reaksionin antishqiptar proturk, progrek, proserb, madje dhe me manovrat proitaliane dhe proaustrohungareze, kur në lojë janë fatet e Shqipërisë.
Gazetaria shqiptare është prozë e shkurtër politike. Për këtë arsye, ky botim është sa një paraqitje e zhvillimit të prozës së shkurtër shqipe, po aq dhe një vlerësim ndaj nënzhanrit të saj politik, që e tejkalon dukshëm prodhimtarinë e prozës letrare të kohës. Për penat nacionaliste të atyre viteve ndoshta nuk ka një vijë ndarëse të qartë ndërmjet asaj që është prozë politike dhe që është letrare. Ndoshta shkrimtaria e asaj kohe mund të përfshihet në një tjetër nënzhanër, si prozë patriotike ose prozë e angazhimit shoqëror. Po japim një shembull nga artikulli i Salih Gjukës, “Gjamë e Shpnesë”, si shembull i prozës së shkurtër sa politike, po aq letrare të kohës:“O zêmbrë, oj loke, o dashtnië, or shpirt’i jetes s’ime, moj Shqypnië; o yndyra e nderes së botes, o Atme: ti më keë rritë, më keë yshqyë e mylmyë; në tyë jam shtruë, me tyë jam mbluë; te ti po ankohem, te ti mujë me u nderue; mbi tyë po falem, me tyë kam besë; fl amuri i yt më kâ hije, putha e jote më knaqë, n’erë t’ande marr shije; ti jeë aq e çmueshme sà s’del gjâë me të paguë, ti më jeë lulishtë e çerdhe në ket jetë, ti jeë shtrat i gjithmoënshëm per atë jetë;…..”.
Një fakt a dukuri e viteve 1913-1915 paraqet një rëndësi të veçantë. E kemi fjalën për Korrespondencën Shqiptare. Veprimtaria e Korrespondencës Shqiptare në atë kohë është një tjetër provë e rolit të medias shqiptare, sa në hapësirën territoriale shqiptare, aq dhe në atë ndërkombëtare.
Një përmbledhje artikujsh apo Antologji Gazetarie? Përmbledhje për atë që u shkrua apo antologji për gazetarinë që mbeti? Ndoshta Antologji për çka mund të krahasojmë sot. Mjaftojmë të ndërmarrim një kërkim në Katalogun Online të Bibliotekës Kombëtare. Vërejtëm se botimet e këtij lloji janë pothuajse të paqena. E çuditshme ose jo, po e tregojmë konkretisht. Kërkimi me titullin “Antologji” në katalog evidentoi 831 regjistrime si “Njëqind poetë për Naimin: antologji”, “Satia Sai Baba: Avatari që tani ndodhet mes nesh: antologji:”, “Lirika antike greke: antologji”, “Antologji e fjalës së mënçur”, etj. Në këtë mori titujsh është e vështirë të gjesh atë që dëshiron. Prandaj e rinisëm kërkimin tone me titullin “antologji/gazetari”. Numri i regjistrimeve të gjetura është 1 dhe shënon librin “Mendimi shqiptar për gazetarinë: nga fillimet e Rilindjes sonë Kombëtare deri në fund të viteve 1930: trajtesa shkencore dhe antologji”/Luan Zelka; Asllan Xhafa, 185 faqe. Sado rastësor mund të duket ky rezultat, kërkojmë përsëri, duke gërshetuar fjalën kyç “antologji” me kufi za të tjera si “poezia”. Për “antologji/poezi” – kullon 148 regjistrime, me fjalën kyç “prozë”, për “antologji/prozë” – kullon 20 regjistrime, me “tregim”, për “antologji/tregim”, kullon 26 regjistrime, me “kulturë”, për “antologji/kulturë”, – kullon 7 regjistrime, me “letërsi”, për “antologji/letërsi”, kullon 30 regjistrime, me “histori”, për “antologji/histori”, – kullon 10 regjistrime të gjetura, me “artikuj”, për “antologji/artikuj”, – kullon “No records found”. Përpiqemi me një tjetër gërshetim: atë “Antologji/publicistikë”. Kullojnë tri gjetje: “Dibra, 2007 …”, “V. 2: publicistikë, kritikë letrare, antologji …”, “55 vjet publicistikë: antologji vetjake …”. Sado i dhënë pas fjalës “antologji”, edhe pse kërkimi në katalogun elektronik të BK mund të mos jetë tregues i domethënies së vlerës së gazetarisë, në përpjestim me fushat e tjera të kulturës në shoqërinë tonë, por vetëm një statistikë numerike, ngushëllimin e gjeta në gërshetimin “antologji/politikë” – kullimi ishte i njëjtë me dyshen “antologji/gazetari”: gjithësej 1. Nuk kërkojmë të japim një përshtypje të gazetarisë shqiptare duke u nisur vetëm nga një fjalë me kuptimin tufë lulesh. Kështu kërkimi mund të kryhet me një fjalë kyç tjetër, “Gazetaria”. Përfundimi është 157 gjetje. Një numër i tillë regjistrimesh të gëzon dhe të krijon një tjetër prespektivë, nisur nga titujt bibliografi kë të shfaqur, si: “Gazetaria me përkushtim”, “Gazetaria”, “Gazetaria televizive”, “Gazetaria investiguese”, “Gazetaria e saktë”, “Gazetaria politike”, “Gazetaria Televizive”, “Gazetaria – një ferr, a parajsë?”, “Gazetaria televizive”, “Gazetaria-tekst didaktik e praktik”, “Gazetaria shqiptare ne tranzicion”, “Gazetaria dhe publicistika”, “Gazetaria shqiptare në internet”, “Gazetaria si profesion”, “Gazetaria qytetare”, “Gazetaria-mision fi snik”, “Gazetaria e vetëpërgënjeshtrimit”, “Gazetaria Kallashnikov”, “Gazetaria televizive kërkon cilësi dhe guxim intelektual”, etj, etj. Një begati e tillë temash e titujsh rreth një çështjeje është tregues i gjelbërimit të llojeve të këtij profesioni elitar të shoqërisë sonë.Por interneti, sado bashkëkohor, nuk është gjithëçka. Në të vërtetë, në fushën e botimeve të artikujve gazetareskë kemi qenë më të suksesshëm para vitit 1990. Studiuesi i Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë të ASH të RPSH, Zihni Haskaj, në vitet 70’, nën titullin “Mendimi politik e shoqëror i Rilindjes Kombëtare Shqiptare” (përmbledhje artikujsh nga shtypi), ka përgatitur dy vëllime, përkatësisht: Vëllimi I për vitet 1879–1908 (512 faqe) dheVëllimi II për vitet 1908–1910 (648 faqe). Nuk mund të mëtojmë meritën e pionierit në këtë drejtim. Megjithatë, vërejmë se editoria ideologjike shqiptare arrin deri në vitin 1910 me përmbledhjen e artikujve të Rilindjes Kombëtare. Pse nuk e kaloi këtë cak kohor? Po artikujt e viteve 1911, 1912, 1913, 1914 dhe 1915 pse nuk u përmblodhën në një Vëllim III nga Akademia e Shkencave? Sa shumë është folur e shkruar për historinë e shpalljes së pavarësisë dhe të themelimit të shtetit shqiptar: pse nuk është arritur në një botim përmbledhës për gazetarinë e asaj kohe? Sot duhet të pranojmë se, si para viteve 90′ ashtu edhe pas viteve 90′, asnjëherë nuk ka qenë dëshira dhe as vullneti institucional për të studiuar gazetarinë nacionaliste të viteve 1911-1915. Nëse do të kishte një vullnet për të sipërmarrë një hap të tillë, faktet e pasqyruara nga shtypi i atyre viteve, idetë frymëzuese të penave të përgjakura, shembujt heroikë do të ishin para syve të lexuesve të shumtë dhe jo vetëm të studiuesve me qasje në arkiva.
Shumë nga emrat e kësaj antologjie si Haki Glina, Terenc Toçi, Kostandin Çekrezi, Kristo Floqi, Kristo Dako, etj., u njohën nga Fjalori Enciklopedik Shqiptar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (FESH ASHSH) vetëm në vitin 2008, megjithëse në jetëshkrimin e tyre mjeshtria e gazetarit herë ndeshet e herë jo. Më me fat kanë qenë Gjergj Fishta, Faik Konica e Mithat Frashëri, të cilët, megjithëse të damkosur si reaksionarë apo mbrojtës së interesave të bejlerëve, mbetën në diskutimin publik të shqiptarëve. Mustafa Qullit (Muç/o Qulli) nuk i njihet mjeshtria e gazetarit dhe në vazhdim i osmanizohet emri. Por këta janë fatlumë se, në një mënyrë apo në një tjetër, e kapërcyen pragun e viteve 90’. Seit Qemali, Jan Lehova, Paskal Aleksi, Mihal Xoxe, Spiridon Kacarosi, Denis Kamburi, Thimaq Naçi e ndonjë tjetër ende nuk janë përfshirë në FESH. Nuk është çudi. Nga çasti kur këta gazetarë do të përfshihen në FESH, deri kur të studiohen seriozisht e të botohen, do të kalojnë vite. Deri atëherë do të duhet të teorizojmë për mendimtarët që bënë Shqipërinë. Me këtë botim po japim një ndihmesë modeste për të mos i harruar dhe shpresojmë t’ua lehtësojmë punën studiuesve të autorëve të veçantë.
Por, sado të flasim, duhet të mbërrijmë diku, nuk mund të rrimë pa e shënuar një të dhënë nga FESH i vitit 1985 dhe ai i vitit 2008. Nëse kërkon zërin enciklopedik “gazetë”, nuk e gjen. E njëjta gjë vlen dhe për zërin “gazetarì”. Rrjedhimisht, nuk ka se si të gjendet as zëri “gazetari shqiptare”. A përcakton FESH zërin “gjuhësi shqiptare” apo “letërsi shqiptare”? Atëherë, pse nuk shënon edhe “gazetari shqiptare”? Mbas 25 vitesh demokraci ndoshta ende nuk e kemi përkufizuar shkencërisht kuptimin e këtij profesioni fisnik të shqiptarëve. Gazetarët shqiptarë dhe gazetaria shqiptare asnjëherë nuk kanë marrë vendin që i takon në studimet tona shkencore zyrtare. Jo pa qëllim janë lënë jashtë FESH të 1981 e vazhdonjë të diferencohen dhe në FESH 2008. Kjo situatë vazhdon edhe sot. Në fakt, ajo që fshihet për vitet 1913-1915 nuk janë thjesht ngjarje a personazhe publike, por fakti se çfarë është në gjendje të bëjë një shtyp i pavarur, profesional, i paanshëm e trim, ashtu siç e tregoi veten, me të gjithë forcën e shkathtësinë e tij shqiptare, në vitet e tallazta 1913-1915. Shqipëria, megjithëse në periudha historike të shkuara ka qenë shtet diktatorial, asnjëherë nuk ka qenë dhe as është atdheu i mediokritetit enciklopedik … nuk mund të jetë. Ajo është toka e gazetarëve nacionalistë. Atdheu i pavarësisë. Antologji e fjalës të lirë. Kjo është arsyeja kryesore që na nxiti e na shtyu për të botuar këtë Antologji të trandafilit gazetari shqiptare, Antologji të fjalës së lirë shqipe. E ndiem si detyrim të tregonim mirënjohjen tonë ndaj atij brezi nacionalist gazetarësh, të cilëve u këndoi zemra e u rrëshqiti pena me Shqipërinë në mendje, pa kursyer mund e sakrifica, duke na lënë shembullin e një vepre përkushtimi, dijeje, gjuhe, profesionalizmi, mentarie, bashkëkohorësie dhe atdhedashurie. Në Shqipërinë e territ të injorancës, 86 pena menduan shqiptarisht. Ky shembull vlen sot. Ai nuk duhet harruar, por kërkon përkujdesje nga gjithë shoqëria jonë për t’u njohur, studiuar, respektuar dhe nderuar.
(Ky shkrim është parathënia e shkurtuar e librit “Gazetaria Shqiptare 1913-1915” botuar me rastin e 110 vjetorit të Vetëqeverimit të Shqipwrisë nga SHB Saraçi).